Monday, October 29, 2007

Reforma në drejtësi si maskë e dyfishtë

Togfjalëshi “reforma në drejtësi”, që po hap e mbyll lajmet e ditëve e që është bërë molla e sherrit e Parlamentit, si ana tjetër e medaljes së çështjes Sollaku, përmban brenda vetes një nga paradokset tashmë bajate të politikës shqiptare. E kam fjalën për atë se më një anë ky togfjalësh nuk është tjetër veçse një enë të zbrazët pa vlerë kurse, nga ana tjetër, bytha e kësaj enë të zbrazët, shërben si një maskë me shumë vlerë për fytyrën e politikës sonë.
Le ta shpjegoj metaforën. Ka kaq kohë që dëgjojmë të flitet për reformë në drejtësi. Madje ka edhe një komision parlamentar të përhershëm që merret ose më saktë duhet të merret me të. Por ja që përtej këtij togfjalëshi askush nuk di të thotë se për çfarë bëhet fjalë. E vetmja ide konkrete që dëgjojmë të thuhet lidhur me nevojën e reformës në drejtësi është nevoja që posti i kryeprokurorit të mos jetë i përhershëm, sikurse është, sepse kështu kemi krijuar një institucion të pakontrollueshëm dhe, lidhur me këtë, se strukturat e kompetencat në Prokurori janë tepër të prqendruara në duart e kryeprokurorit. Pak ide të tjera konkrete qarkullojnë e mbi të gjitha kurrsesi nuk mund të thuhet se ekziston ndonjë projekt qoftë i mazhorancës qoftë i opozitës. Dhe faktin që nuk ka gjë tjetër e provoi edhe Ylli Bufi i socialistëve i cili, vetëm dy ditë më parë, duke folur për reformën në drejtësi, tha se reforma në drejtësi nuk duhet të fillojë me Sollakun, por me “skanimin” e problemeve në drejtësi. Pra opozita nuk paska identifikuar as problemet e jo më që të ketë ndonjë projekt qoftë edhe të papërfunduar për atë se si mund të punojë më mirë drejtësia në Shqipëri. Duket sheshit se edhe mazhoranca, përveç nevojës së kufizmit të mandatit të kryeprokurorit e ndonjë ndryshimi në strukturat e prokurorisë nuk duket të ketë ndonjë ide tjetër. Mendoni se sa kohë do të na duhet të identifikojmë problemet, pastaj të gjejmë variantet e përmirësimit, dhe më në fund të hartojmë korrigjimet apo reformimet e t’i debatojmë ato në Parlament. Madje para këtyre duhet përcaktuar edhe filozofia e kësaj reforme. Se ndryshe do të kishte qenë puna sikur psh. të hidhej në tryezë një projekt që kërkon kalimin e prokurorisë nën vartësinë e ekzekutivit.
Nuk do shumë mend, ose më mirë të them duhet të jesh shumë budalla, për të mos kuptuar se “reforma në drejtësi”, për të cilën flet edhe Topi edhe mazhoranca edhe opozita, nuk është tjetër veçse një enë bosh e cila vlen, me anën e saj të pasme, si maskë për ta vënë në fytyrën e tyre politikanët tanë. Për demokratët “reforma në drejtësi” shërben si një maskë për të mbuluar me të synimin e heqjes së Sollakurt, për socialistët ajo shërben po si një maskë, por e synimit për të ruajtur Sollakun, kurse ka gjasa që për Topin të shërbejë si një maskë për t’u disatancuar e mbrojtur nga të dy palët. Dhe kjo shpjegon pse askush nuk e ve ujin në zjarr për ta mbushur sadopak me ide konkrete këtë enë; sepse ajo vlen, si maskë, pikërisht për boshësinë e saj. Që drejtësia jonë ka nevojë për të ndryshuar kjo është e qartë për këdo. Por ndërkaq të gjithë e dimë se ajo që ne na ka penguar për të na shkuar punët mbarë, për të patur pra edhe sadopak drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit nuk është mungesa e ligjeve dhe reformave, por mungesa e respektit për to. Madje edhe argumenti i nevojës së një reforme në drejtësi sepse kemi një ligj për prokurorinë që i garanton Prokurorit të Përgjithshëm përhershmëri dhe shumë kompetenca nuk më duket se qëndron ashtu dhe aq. Sipas ligjit që kemi Parlamenti mund ta pushojë nga puna Prokurorin e Përgjithshëm. Përndryshe pse flitet për komisionin parlamentar Sollaku 1 dhe 2? Por edhe sikur të bëjmë një ligj sipas të cilit kryeprokurori të zgjidhet një herë në pesë vjet e kompetencat e tij të shprndahen m mir nuk besoj se kjo mund të ndikojë që të kemi ndryshime thelbsore në luftën kundër korrupsionit. Ja pse togfjalëshi “reformë në drejtësi”, sipas meje, po përdoret në mënyrë mistifikuese, a thua se, nëse do të arrijmë të bëjmë një reformë në drejtësi të kopsitur mirë, atëhere do të mund të kopsitim edhe korrupsionin e abuzimet me pushtetin. Më duhet të ripërsëris diçka që sa është evidente aq edhe është e vështirë për t’u realizuar. Problemi i vërtetë i reformimit qëndron në atë se si të reformojmë kokën e politikanëve tanë, të prokurorëve e gjyqtarëve tanë, por edhe të biznesmenëve tanë e me radhë të qytetërëve tanë në mënyrë të atillë që, atje ku janë, në atë të voglën punë të tyren, gjithsejcili të respektojë ligjet ekzistuese më së pari e, kur të mendojë për t’i përmirësuar ata, të synojë t’i bëjë mbi principin e barazisë së të gjithëve para ligjit e jo mbi principin se drejtësinë e bën më i forti prandaj bëhu i fortë e me më të fortin që mos të të hyjë gjemb në këmbë, çfarëdo që të bësh. Me këtë nuk dua të them se ndryshimi në struktura dhe legjislacion nuk mund të luajë rol në përmirësimin, por, duke u nisur nga përvoja, më rezulton se, veçanërisht kur aktorët e ndryshimit janë po ata që duhet të pësojnë ndryshimin, pra nuk përmbysen nga të tjerë aktorë, ky përmirësim arrihet me punë konkrete e të prëditshme më shumë sesa me premtime për reforma radikale siç rekalmohet edhe e famshmja reformë në drejtësi. E në kontekstin e vlerësimit të punëve konkrete që përmirësojnë gjendjen hap pas hapi mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është të marrë fund demagogjia e premtimeve të tipit “reforma në drejtësi”. Nëse mazhoranca synon heqjen e Sollakut nuk ka pse ta lidhë atë me fjalën e madhe, por boshe, “reformë në drejtësi”. Ai duhet të hiqet se nuk ka punuar mirë dhe sepse i janë provuar shkelje nga ato që i parashikon ligji (nëse provohet se është kështu). Po ashtu socialistët s’kanë pse e lidhin pjesëmarrjen e tyre në të ashtuquajturën reformë në drejtësi me mosheqjen e Sollakut. Janë dy gjëra që edhe pse jo pa lidhje me njëra tjetrën nuk mund të kondicionojnë njëra tjetrën. Heqja e Sollakunt sipas ligjit e procedurave, nëse i provohen shkeljet, dhe zgjedhja e një kryeprokurori nga Presidenti, që të garantojë më shumë pavarësi dhe veprim të organit, e jo garantimin e mbylljes së korrupsionit të pushtetarëve të rradhës, dhe as luftë selektive ndaj krimit e korrupsionit, janë punë konkrete që mund të sjellin përparim të madh. Kurse reforma në drejtësi ashtu si trajtohet është një premtim i madh që mund të mos sjellë asnjë ndryshim. Heqja apo mbrojtja e Sollakut nga të dy palët në emër të reformës në drejtësi vetëm se i komprometon të dy palët duke na treguar se vazhdojmë të mbetemi rob të një politike që s’bën gjë tjetër veçse merret me vetveten dhe jo me hallet e vërteta të vendit. (Korrieri, 23 tetor 2007)

Friday, October 19, 2007

Pasurimi i shpejtë dhe shkollimi i shpejtë

Lexova me interesim të veçantë para disa ditësh në gazetën Tema një denoncim lidhur me disa universitete private në Shqipëri të cilët rezultojnë, sipas saj, jashtë standarteve për të qenë universitete. Gazeta provon bindshëm se ata paskan krijuar dokumente me emra fiktivë pedagogësh për t’i plotësuar këto standarte dhe, ç’është më e keqja, Ministria e Arsimit, edhe pse i ka konstatuar këto shkelje, ka qëndruar në heshtje. E lexova me interesim të veçantë pasi prej kohësh kam vënë re me shqetësim lindjen kohët e fundit si kërpurdhat pas shiut të universiteteve private në Shqipëri. Faktet që ka botuar Tema më ndriçuan disa pikëpyetje duke më lehtësuar njëherësh edhe nga barra e disa kontradiktave që sikur më pengonin të ulesha të shkruaja për këtë çështje në fakt kaq të rëndësishme.
Ndër kontradiktat e mija ka qenë edhe frika se mos, duke qenë personalisht fort i lidhur me idenë se Shqipëria sot ka nevojë për publiken, mund të injoroja një realiteti të ri që gjìthsesi ka anët e veta pozitive. Me këtë mëdyshje në mendje para disa kohësh, kur mu dha rasti të shkoja në SHBA i ftuar nga “Boston University” u interesova në mënyrë të veçantë për atë se si funksiononin universtetet e famshme private në SHBA duke patur parasysh se ka qenë bash shembulli amerikan ai që është reklamuar për të na bindur për suksesin dhe efektshmërinë e shkollave private.
Më së pari le të shtjelloj se çfarë sqarova në Boston pasi u interesova në mënyrë të veçantë se si funksiononin universtitetet private më të famshme të SHBA që ndodhen mu në Boston si ai i Harvardit, IMT dhe Boston University. Besoj se publiku shqiptar ka shumë nevojë të marrë informacionin që mora unë që i imagjinoja këta universiteta njëfarësoj si këta tanët dmth. si një lloj investimi privat ku individi apo grupi i individëve që ka futur të hollat i ka investuar atje me idenë se nga ky investim do të nxjerrë ca më shumë para. Mirëpo nuk më doli kështu. Universitetet e famshme amerikane të ashtuquajtur “privatë” nuk kanë individë si pronarë. Këta universitete nuk janë investim i një pasaniku që fut si të thuash një milion për të fituar një gjysëm milioni në x vjet. Jo, pasanikët amerikanë nuk i fusin milionat në ato universitete për të nxjerrë përfitime direkte për xhepin e tyre. I vetmi përfitim që mund të kenë është, për një pjesë, ulja e taksave në bizneset e tjera. Të tjerë i fusin për filantropi. Por paratë që jepen qoftë nga kjo politikë taksash qoftë për filantropi i shkojnë universitetit, pa të drejtë kthimi. Ai që pasurohet është vetëm universiteti. Harvardi i famshëm psh. ka qenë një pasanik që nuk i kishte investuar paratë e tij për universitetin për të fituar më shumë, por i kishte shpenzuar për t’ia dhënë shoqërisë. Bibliotekën e Universitetit të Harvardit e kishte ngritur një pasanike e madhe në kujtim të të birit që i ishte mbytur me Titanikun. Le ta bëj edhe më të qartë se si menaxhohen këta universitete: nëse një pasanik fut para në një universitet amerikan e vetmja e drejtë që ai ka, nëse kërkon ta ushtrojë atë, është pasja e një përfaqësuesi të tij në atë që quhet “bordi i të besuarve” i cili në një farë mënyre, është edhe garanti që këto para do të mirëpëdoren. Ky bord është ai që drejton punët e universitetit, që emëron rektorë e më the të thashë. Pjesëtarët e këtij bordi kanë edhe paga, por ata nuk janë pronarë të këtyre universiteteve ashtu sikurse nuk janë pronarë as pasanikët që kanë dhënë milionat.

Ata nuk mund të shesin apo të blejnë universitete apo aksione të universiteteve. Me fjalë të tjera universitetet jetojnë me të hollat e nxënësve që paguajnë (pra nuk subvencionohen nga shteti si shumë universitete në Evropë, e prandaj quhen private) por këto të holla nuk shkojnë për të pasuruar ndonjë pronar që ka investuar atje, por shkojnë për të pasuruar universitetet vetë të cilët paguajnë me këto të holla pedagogët, blejnë laboratore, blejnë edhe konvikte paguajnë edhe bursa për studentë më të mirë apo ata në nevojë.E këtu, përpara se t’i kthehem problemit shqiptar, le të shtoj edhe diçka tjetër. Kur flitet për sistemin amerikan duke e krahasuar me atë evropian thuhet shpesh se ai është shumë më komptetitiv, e prandaj dhe më prodhimtar e më cilësor, por edhe më pak social. Éshtë e vërtetë, por ata që e mbrojnë modelin amerikan shtojnë edhe diçka: në SHBA ndërkohë që shteti jep për publiken “një” dollar privati jep “dy”, kurse në një vend perëndimor si Italia psh, ku shkolla publike është shumë më e fortë në krahasim me privatët shteti jep “një” kurse privati jep vetëm “gjysëm”. E një nga format e dhënies së privatit për publiken në SHBA janë edhe të famshmet universitete private të tipit Harvard, IMT apo Boston University. E quaj të nevojëshme të jap këtë informacion tani që në Shqipëri po shohim një bum të paparë universitetesh private me pronarë privatë (shpesh herë një person i vetëm) që e shohin këtë ndërmarrje sikur të ishte një ndërmarrje e tyrja tregëtare e zakonshme ku fusin “një” e nxjerrin “dy”, ku edhe emërimin e profesorëve e bën pronari i vetëm. Nuk mund të mos ngre shqetësimin si qytetar e si prind: Ç’janë këta universitete që po na mbijnë gjithandej? Si menaxhohen ata? A ka ndonjë ligj që të rregullojë pronësinë e tyre apo trajtohen njëlloj si bizneset e rëndomta private të quajtur SHPK apo SHA. Kush i kontrollon e menaxhon fitimet e tyre e për çfarë? E, çka është më kryesorja: cili është niveli i tyre profesional? Cili institucion duhet ta testojë këtë dhe a e teston? Besoj se kush ka lexuar gazetën Tema të së dielës ka kuptuar se, pas shumë gjasash, jo që s’kemi të bëjmë me filantropi, por as me ekonomi tregu të shëndoshë, dhe, sa për profesionalizmin dhe testimin e tij, ministria e Arsimit në vend se të ngrerë një institucion serioz testimi dhe pa konflikt interesash duket se e ka zëvendësuar atë me promovimin e tyre, çka të le të dyshosh për korrupsion. Duket se më shumë kemi të bëjmë me një variant biznesi që të kujton piramidat mashtruese ku njerëzit futin lekët që shkojnë në xhepin e pronarit me shpresën se do të marrin dije, kurse, në fakt, nuk e marrin atë pasi niveli i këtyre universteteve është jashtë standarteve. Kësaj mund t’i shtohet edhe një e dhënë që, qysh kur kanë filluar këto universitete, dëgjohet gjithnjë e më shpesh: se në këto universitete jepen diploma për studentë që nganjëherë nuk shkelin fare në sallat e tyre, por që paguajnë pasi u intereson të kenë një diplomë. E drejta për të pasur numër të pafund studentësh “part time” e dhënë nga Ministria e Arsimit në ligjin që ka bërë për këta universitete të sugjeron fort se edhe kjo mund të ndodhë. Si munden universitete që figurojnë se nuk kanë numrin e nevojshëm te pedagogeve per tu quajtur universitete te kene, megjithatë. te drejten per te pasur numur te pakufizuar studentesh “part time”? Duket se në këtë shoqërinë tonë edhe shkollimi po ndjek shembullin e pasurimit. Me një fjalë krahas pasurimit të shpejtë me lloj lloj korrupsioni, mashtrimesh, spekullimesh dhe trafikimesh po prodhojmë edhe shkollimin e shpejtë. Universiteti UFO i cila ka edhe një televizion të vetin transmetoi këto ditë në televizionin e tij nja dhjetë herë ceremoninë e fillimit të vitit të ri studentor. Ishte një shfaqje e paparë. Sikur regjizorin ta kishin huazuar nga shkolla e regjisë së kongreseve të PS, PD apo LSI. Me këngë e muzikë e me liderë që ftoheshin të dilnin në shkenën gjigante të Pallatit të Kongreseve shoqëruar me duatrtrokitjet e sallës të mbushur me klakerë të veshur ngjyra ngjyra. Rektori, të cilit i mbaj mend vetëm mbiemrin, Pollo, pasi e lidha me ministrin e arsimit, në çdo dy tre fraza bënte nga një gabim kur lexonte, ndoshta nga emocioni i asaj shfaqjeje që tjetër kuptim nuk mund të kishte përveçse reklamës: ejani regjistrohuni tek ne. Ishte një gjë krejtësisht e kundërt me ceremoninë e fillimivitit në një universitet që duhet të jetë një vend i mendimit dhe studimit ku ceremonia, nëse bëhet, duhet të premtojë fillimin e një pune serioze dhe jo shfaqje të tilla që e bëjnë edhe politikën qesharake e jo më një universitet. Garancinë se atje do të bëhej një punë e mirë e dha president-pronari Velia dhe kjo garanci ishte se atje ai kishte futur paret e veta. Ideja është se ai ka interes qe biznesi i tij të funksionojë dhe t’i sjellë fitim prandaj dhe do të punoje qe të prodhojë një mall sa më të mirë. Mirëpo universitetet prodhojnë një “mall” cilësia e të cilit nuk testohet lehtë dhe për më tepër një mall që nuk blihet dot me para. Garancite e nje universiteti i siguron ajo qe quhet karta e Bolonjës dhe me sa duket sheshit keto universitete janë me kilometra larg kërkesave të kartës. Por edhe sikur të mos jetë karta e Bolonjës ne e dimë se çfarë kapacitetesh minimale mund të kemi për të dhënë mësim në universitete. Kurse Ministria megjithatë jep licensa sikur të bëhet fjalë për pika shpërndarjeje karburanti. Pse? Po sikur këto universitete të falimentojnë pas dy vjetësh si biznese kush ua njeh studentëve provimet që kanë dhënë dhe si i bëhet me lekët që kanë derdhur? Edhe kjo është e paqartë ashtu sikurse mbetet pikëpyetja se sa vlen diploma që do marrin dhe ku do të punësohen tërë këta arsimlartë në vendin tonë. Më e keqja është se në disa nga këto universitete, me sa di, ka edhe anëtarë bordesh te zgjedhur nga figura të njohura publike, ka edhe pedagogë që u duhet të punojnë atje për të rritur sadopak rrogat që marrin në universitetet publike a gjetkë. Këta, për fat te keq, në kushtet tona dhe me statutet apo rregulloret që kanë këta universite, kthehen në rrogëtarë të një pronari të vetëm siç kemi parë të shndrrohen edhe nëpër media të ndryshme private në fillim gjersa u zhdukën. Sepse sipas logjikës së pronarit, i cili e sheh këtë punë si biznes, studentët duhet të kalojnë se këtu nuk kemi të bëjmë me arsimim, por me biznes dhe kush paguan lekët do diplomën. Më shumë këto figura katandisen kështu në fasadë mbrojtëse të biznesit të pronarit në mënyrë që kushdo që mund t’u kundërvihet këtyre universitetbizneseve mund të ndodhet nën presionet e kësaj elite të shoqërisë që përpunon edhe opinionin publik e mund ta shohë veten edhe në sallën nr 6 të Çehovit, si i luajtur mendsh, pasi po i kundërvihet dijes dhe progresit. Ka qe shtrojnë argumentin se universitetet private kanë lindur si nevojë duke parë degradimin e universitetit tonë publik. Por degradimi i universitetit tonë publik nuk mund të shërbejë si alibi. Mos të harrojmë se edhe ekonomia jonë socialiste ishte e degraduar dhe ne iu përgjegjëm këtij degradimi me vefaholldingjet piramidale gjoja se po ndërtonim tregun e lirë dhe sot po ashtu përsëri nuk po jemi në gjendje të ndërtojmë një ekonomi të shëndoshë. Pyetja shtrohet nëse është kjo mënyra për të ngritur standartet e arsimimit tonë, madje a është ky qëllimi apo siç e thashë më lart, kemi të bëjmë me një marifet të ri të disave për tu pasuruar. Kur ndodhën piramidat Sali Berisha dhe Genc Pollo thanë se ata nuk e dinte se çfarë ishin, se u treguan dorëlëshuar ndaj tyre pasi nuk donin t’i pengonin shqiptarët në rrugën e tyre drejt tregut të lirë e se, tek e fundit, përgjegjësinë e kishin vetë se nuk i kishte shtrënguar njeri t’i fusnin paratë atje. Né fakt nuk është kështu. Ata, si shtetarë, kishin për detyrë të kontrollonin se ç’ndodhte atje ku futeshin paratë e shqiptarëve se prandaj dhe i kishim zgjedhur në krye të vendit. Rezultoi se ata e dinin, por nuk merrnin masa pasi një pjesë e atyre parave kishin shkuar për t’u mbyllur gojën edhe atyre në një formë apo në një tjetër, Sigurisht rënia nesër e këtyre universiteteve nuk mund të shkaktojë tërmetin që shkaktoi rënia e piramidave, por tërmeti që mund të shkaktojë një numër jo i vogël të paaftësh që do të na dalin në krye të vendit me diploma të blera apo të fituara në universitete të tilla mund të jetë edhe më i dëmshëm në terma afatgjatë. Si duket këta shtetarë nuk kanë mësuar gjë nga historia ose mendojnë se mund ta përsërisin atë pa u hyrë gjemb në këmbë meqë nuk u hyri edhe atëhere. Nga Fatos Lubonja (Korrieri, 18 tetor 2007)

Wednesday, October 17, 2007

A mund të fillojë drejtësia

Duke ndjekur zhvillimet politike të dyvjeçarit të fundit ku PD me Berishën në krye është në pushtet e PS me udhëheqësin e saj të ri Rama janë në opozitë nuk mund të mos dallosh, mes kaosit e rrëmujës së një politike të përditshmërisë pa vizione, se konflikti politik i kësaj periudhe ka kaluar, megjithatë, nëpër tre faza të ndryshme të diktuara nga tre faza të strategjisë së opozitës. Në fazën e parë kali i betejës së opozitës ishte vënia e theksit kryesisht mbi paaftësinë qeverisëse të demokratëve dhe, veçanërisht, mbi paaftësinë e kryeministrit Berisha. Faza e dytë ishte një fazë ku kali i paaftësisë u la në rresht të dytë kurse në rresht të parë u vendos kali i rrezikut autoritarist të Berishës, lufta kundër kërcënimit që ai, si uzurpues institucionesh, na paraqet për liritë dhe të drejtat tona. Pa i lënë mënjanë këto dy akuza tani opozita ka hyrë në një fazë të tretë kur në rresht të parë është vendosur kali i denoncimeve të mazhorancës për korrupsion. Denoncimi për paligjshmëri i rrugës Durrës - Kukës - Morinë dhe, së fundi, kërcënimi për bojkot i parlamentin nga opozita, nëse mazhoranca refuzon të hetoet nga Prokuroria, mund të thuhet se janë momenti i dukshëm i ndërrimit të kalit.
Në këtë shkrim nuk dua të hyj në komente e analiza lidhur me këtë strategji të opozitës – se sa efikase, se sa e drejtë, se sa është e mbështetur me projekte alternative etj. etj. Dua të bëj komentin e konstatimit se kemi të bëjmë me një fazë të re jo vetëm për opozitën, por edhe për krejt politikën pasi, për herë të parë, të dy forcat politike e përqendrojnë aktivitetin e tyre politik mbi akuzat e ndësjellta për korrupsion.

Po ta thjeshtëzosh sadokudo tranzicionin tonë në kërkim të asaj se ku është përqendruar konflikti politik midis palëve në kohëra të ndryshme mund të themi se kemi pasur një periudhë (92 – 97) kur opozita e asaj kohe kishte si kalë beteje akuzat ndaj Berishës autoritar ndërkohë që ajo na premtonte liritë dhe të drejtat e munguara. Në qendër, pra, ishte konflikti midis autoritarizmit dhe premtimit për liri. Pastaj, pas vitit 97 dhe aktivitetit destabilizues të PD deri në 1998, që kanë qenë një periudhë vërtet e vështirë, sa mund të quhet e jashtëzakonshme, erdhi një periudhë kur Berisha opozitar e ndërtoi tërë strategjinë e tij politike mbi akuzat për korrupsion të socialistëve duke na lënë të shpresojmë se në krahun e opozitës kishim një Berishë që, edhepse autoritar, nuk ishte i korruptuar. Në qendër të politikës kësaj here u vu konflikti midis korrupsionit mbytës dhe premtimit për duar të pastra, që, tek e fundit, premtonin edhe më shumë liri. Pas fitores së Berishës vijnë tre fazat që përmenda të socialistëve në opozitë. Duke i krahasuar të tëra këto faza rezulton se kjo e tanishmja është e vetmja periudhë kur të dy palët kanë në epiqendër të forcës së tyre goditëse ndaj kundërshtarit akuzat për korrupsion. Jemi në konfliktin midis duarve të pista dhe duarve të pista. Ngulmimet e mazhorancës për të hequr prokurorin Sollaku shoqëruar me arrestime të disa figurave të rëndësishme të admnistratës nuk mund të mos lidhen me objektivin e deklaruar nga PD gjatë fushatës që e solli në pushtet: lufta kundër socialistëve të korruptuar. Nga ana tjetër opozita kërkon me ngulm hetimin për rrugën Durrës – Kukës - Morinë duke denocuar shpërdorime skandaloze fondesh e duke bërë edhe një aksion dorëzimi vullnetar të imunitetit të deputetëve të vet në këmbim të paraqitjes së Bashës në Prokurori.Pyetja që mund të shtrohet është se çfarë mund të pjellë kjo fazë. Nuk është aq e lehtë të japësh përgjigje dhe, mbi të gjitha, mendoj se kemi të bëjme me një fazë ku “hekuri i skuqur” mund të marrë forma të ndryshme varësisht nga vullnetet politike të aktorëve të ndryshëm në këtë lojë që, në fakt, duhet të jenë tërë shoqëria. Prandaj t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje nuk do të thotë thjesht të bësh një parashkim se çfarë do të ndodhë, por të përpiqesh të ndikosh që nga kjo fazë e re konfliktuale të dalë diçka pozitive për shoqërinë, të ndodhë, pra, më e mira e mundëshme. Nuk mund të mohoet se në një farë mënyre, me dhe pa vetëdijen e klasës sonë politike, kjo fazë ku është vetëfutur politika jonë ka sjellë edhe pikën më të ulët të kredibilitetit të saj. Por pikërisht për këtë, paradoksalisht, është bërë edhe më i domosdoshëm një ndryshim. E në këtë ndryshim nuk mund të mos të të shkojë gjuha atje ku dhemb dhëmbi: tek sistemi i drejtësisë i cili është ndoshta jo rastësisht në epiqendër të këtij konflikti. Të dy palët akuzojnë Sollakun pse nuk vepron kundër korrupsonit të tjetrit. Pra korrupsioni nuk është më ashtu siç e quante Rama deri dje, një akuzë e PD që fryhej e stërfryhej me shpifje për të instrumentalizuar qytetarët, por një gjë që ekziston vërtet. E në këtë kuptim jemi më pranë kërkesës për një zgjidhje. Situata që po kalojmë tregon më së miri se sa i nevojshëm është sistemi i drejtësisë jo vetëm për të ruajtur disa vlera morale të shoqërisë, por edhe si nevojë stabiliteti që nënkupton edhe respekt për shtetin ligjor dhe ekonominë e vërtetë të tregut. Ajo që po ndodh sot tek ne tregon se nuk mund të ketë as pluralizëm politik e rrjedhimisht as liri dhe as demokraci pa drejtësi; se në mungesë të sistemit të drejtësisë të fortë e të pavarur partitë e ndryshme mund të shndrrohen në banda që luftojnë me njëra tjetrën duke bërë palë të tyren edhe organet e drejtësisë e prokurorisë e duke u bërë kështu një kërcënim jo vetëm për mosmbarëvajtjen e punëve, por edhe për liritë e të drejtat e qytetarëve. Kjo që po ndodh tregon se kjo situatë mund të pjellë ose një kaos konfliktual si ky i sotmi ose një sistem autoritar ku pala që është më e fortë (të paktën për momentin) e bën drejtësinë ndryshe për vete e ndryshe për të tjerët. E në të dy rastet liria dhe drejtësia mungojnë. Personalisht nuk besoj se rruga Durrës - Kukës - Morinë u ideua nga Berisha dhe Basha pa projekt për të vjedhur paratë e shqiptarëve në bashkëpunim me kompaninë amerikane. Besoj se kemi të bëjme më shumë me një vendim politik që ka pasur për synim fitimin e simpatisë së shqiptarëve, por kryesisht të kosovarëve si dhe me zgjedhjen e një kompanie që mund t’i bënte qejfin edhe Bushit. Dhe besoj se moskryerja e projektit lidhet me ngutin për ta kryer atë rrugë sa më parë e për ta marrë, pra, tërë meritën PD-ja. Por nga sa duket sheshit prej të dhënave të shtypit atje ka shkelje ligjore dhe vonesa gjithaashtu dhe rritje kostosh të papara. Këto sikur i ka vërtetuar deri më sot edhe refuzimi i Bashës për tu paraqitur në Prokurori. Dhe kur ngrihen akuzat për korrupsion çështja, tek e fundit, reduktohet në shkeljet ligjore sepse mund të jetë e vështirë të provosh nëse në sajë të këtyre shkeljeve ka hyrë apo nuk ka hyrë në xhepin e ndonjë pushtetari ndonjë lek rryshfeti. Të paktën kjo ishte logjika që u përdor nga vetë PD kur u akuzua projekti i Zogut të Zi. Nuk u zbulua ndonjë lek në xhepin e Edi Ramës, por këto u deduktuan nga evidentimi i shkeljeve ligjore që dukej sheshit se ekzistonin. Po ashtu, pavarësisht se mund të duash të bësh një punë të mirë, kjo nuk mund të bëhet në kurriz të krejt ekonomisë së vendit e, për më tepër, për këtë nuk mund të vendosësh arbitrarisht pa pyetur kërkend. Nëse një projekt na kushton shumë, mund ta pëlqejmë, por, kur nuk e paguajmë dot, e lemë apo e ndajmë në etapa. Majkua disa kohë më parë hodhi idenë e tunelit nënujor Vlorë – Otranto, por një ide e tillë, po të tentohej të realizohej, do të fundoste jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe atë italiane. Së fundi duhet shtuar se një vend si Shqipëria, pikërisht pse dihet se ka hapësirat më të mëdha për informalitet e shkapërcim të ligjit, jo rrallë synohet edhe nga të huajt për të abuzuar e përfituar. Shembujt nuk mungojnë që në kohën e Nanos së parë. Prandaj hetimi i ndershëm dhe i drejtë edhe për rrugën Durrës - Kukës - Morinë është një gur prove i rëndësishëm për mazhorancën. Le të kthehemi atëhere tek drejtësia. Çështja që del sot është: a mund të kemi ne një drejtësi të aftë që t’i mbërthejë të dyja palët, që të peshojë pa asnjë lloj ndikimi e presioni politik nëse ka pasur shkelje në Zogun e Zi apo në rrugën Durrës – Kukës – Morinë e të kthjellojë me syrin e drejtësisë së vërtetë qytetarët që duan të dinë e të bëhet drejtësia? Përgjigja është “jo” dhe kjo jo vetëm sepse do të mbeteshim pa parti politike, e pa kryetarë, por mbi të gjitha sepse partitë politike janë më të forta se drejtësia sot për sot. Në këtë rast do të duhej një drejtësi që të ishte në nivelin e asaj italiane që me oporacionin “duart e pastra” shkaktoi shkatërrimin e partisë demokristiane dhe socialiste në fillimvitet ‘90. Por edhe atëhere kishte një parti, ajo ish komuniste, që, duke mos pas qenë asnjëherë në pushtetin qendror, mbushi sadokudo vakumin moral të politikës, kishte edhe një shëqëri civile të shëndoshë. Në mungesë të një drejtësie e po ashtu të një opozite kredibël, siç është rasti ynë, do të duhej që kjo klasë politike të përmbysej me ndonjë revolucion qoftë edhe paqësor. Por për këtë duhet minimumi një shoqëri civile e shëndoshë ndërkohë që tek ne edhe kjo është gllabëruar nga politika, prandaj me sa duken bathët apatia që ka mbërthyer njerëzit vështirë se mund të prodhojë ndonjë lloj lëvizjeje në këtë drejtim. Atëhere si do të mund të dalim nga kjo gjendje? A mundet që mekanizmi të jetë tjetër, jo aq i pastër dhe radikal përderisa për pastërtinë dhe radikalitetin që kërkojmë do të duhej të na vinte një trup gjyqsor direkt nga qielli e të fillonte proceset ndaj të gjithëve, e po ashtu një klasë politike qiellore. Pra, a mundet që këto masa të pjesëshme edhe selektive që po ndërmerr mazhoranca, arrestimet që kanë ndodhur kohët e fundit, por edhe kërkesa për ndërrimin e një prokurori e në tërësi për reformimin e sistemit të drejtësisë të ndikojnë që drejtësia jonë të fillojë të ecë disi më përpara drejt së mirës. Po ashtu, nga ana tjetër, fakti që opozita, ndonëse vetë e zhytur në korrupsion në kohën kur ishte në pushtet sot denoncon aktet abuzive të mazhorancës a mund të ndikojë në frenimin e kësaj plage që duket sheshit se është ajo që i shkakton hemoragjinë më të rëndë asfiksuese vendit? Besoj se kërkush nuk thotë dot se është më mirë të rrimë kështu si kemi qenë me sistemin e drejtësisë ashtu siç ishte në kohën e Socialistëve, ku fjala korrupsion as nuk përmendej nga eksponentët e mazhorancës së atëherëshme. Konflikti i sotëm në këtë kuptim është i shëndetshëm. Po të punohet mbi të me vullnet të mirë ai mund të prodhojë diçka pozitive. Këtu përsëri kërkohen njerëzit e vullnetit të mirë dhe ja ku dalim dashur pa dashur tek Presidenti Topi i cili është njeriu që, edhe për kompetencat që i jep Kushtetuta, edhe si i përzgjedhur për njeri vullnetmirë, duhet të bëhet katalizatori i drejtimit për mirë të këtij procesi. Por Topi së fundi deklaroi se çështja e Sollakut i përket Parlamentit duke treguar qoftë kufizimin e tij qoftë kushtetues qoftë pafuqi politike për të kryer një reformë në drejtësi. Ndërkaq në Parlament dominojnë vullnetet e këqij: ai i opozitës që më një anë thotë heqim imunitetin vullnetarisht kurse më anë tjetër kundërshton heqjen e Sollakut që akuzohet nga mazhoranca si imuniteti i vërtetë i opozitës. Ky është vullnet i keq sepse nëse me heqjen e imunitetit opozita kërkon të provojnë pafajësinë e të vetëve atëhere nuk duhet të ketë frikë as nga heqja e Sollakut për ta provuar këtë pafajësi. Shqipëria sado që nuk është vend me drejtësi të fortë e të pavarur nuk është megjithatë vend ku një politikan mund të dënohet padrejtësisht. Ndërkaq nga ana tjetër kemi vullnetin e keq të mazhorancës që duket se më shumë e ha meraku të heqë Sollakun për ta mbajtur nën presion opozitën me një prokuror të vetin - së fundi ndoshta edhe për të mos u përdorur nga opozita për çështje të tilla si ajo e rrugës Durrës - Kukës Morinë - sesa të angazhohet seriozisht në ato reforma që do ta ulnin mundësinë e korrupsionit në vend. Sepse e di edhe bufi se korrupsioni nuk lind tek Sollaku, ai vetëm sa nuk dënohet tek Sollaku. E shenjat për ta luftuar korrupsionin atje ku lind, pra jo thjeshtë e vetëm me ndëshkim fajtorësh, por me zmontim të sistemit të korrupsionit, PD-ja i ka të vogla.Ja pse sillesh nga sillesh dhe e ke vështirë të gjesh shtegun prej nga ku drejtësia jonë mund të nisë rrugën e saj për mbarë. Por nëse ky shtek do të ketë një fillim ky fillim do ta nisë rrugën e tij nga pena e Topit i cili është përpara një prove të vështirë që ose mund ta ngrerë lart si politikan ose mund ta ulë shumë. Një mbështetje megjithatë ai e ka: opinionin që është tejet i lodhur nga sistemi i korrupsionit dhe “hekurin e skuqur” të konfliktit të fundit midis mazhorancës dhe opozitës. (Korrieri, 10 tetor 207)

Monday, October 8, 2007

Vetvrasje e heshtur që flet

Në median tonë u përdorën epitete me ngarkesë të fortë emocionale për aktin e vetvrasjes me djegie me benzinë të të riut me emrin Arjan në parkun pranë Tajvanit: “makabre” “tragjike” “e tmerrëshme” ishin disa nga epitetet që dëgjuam më shpesh tu vishen nga gazetarët skenave që pamë në televezor. U hamendësua shumë për identitetin e personit: nëse ishte një endacak, një i sëmurë psiqik apo njeri normal, (pavarësisht se është vështirë të bësh dallimin midis normales dhe anormales) dhe, po ashtu, edhe për motivet e vetëvrasjes që ndryshonin nga depresioni për shkak të braktisjes nga e dashura deri tek çmenduria. Nuk u tha ndonjë fjalë nëse akti i tij synonte ndonjë protestë të karakterit social ekonomik ndaj shoqërisë apo politikës sepse ai nuk lëshoi as edhe ndonjë thirrje kësisoj dhe nuk kemi dëgjuar të ketë lënë as ndonjë amanet. U tha, më së fundi, se motivin e vërtetë ai e mori me vete në varr.Vërtet ndoshta ai e mori në varr tërë atë që ka ndodhur në mendjen e tij për ta shtyrë deri në atë akt fatal, por kjo nuk do të thotë se shoqëria duhet të shohë tek ai një përjashtim të çmendur duke larë kësisoj duart. Vetë fakti që ne, si shoqëri, nuk arritëm të dimë as motivin tregon një gjë me siguri, se sa i vetmuar ka qenë personi në fjalë pasi dihet se një nga shkaqet më kryesore të vetvrasjeve është bash vetmia. Dhe vetmi do të thotë mungesë e lidhjes me të tjerët, mungesë e dimensionit social, mungesë e ndihmës së të tjerëve, tek e fundit. Vetminë e të riut Arjan, me fjalë të tjera mund ta përkthejmë edhe indiferencë e të tjerëve ndaj tij.
Më duket se vetminë apo indiferencën si dy anë të së njëjtës medalje e pamë në mënyrën më tragjike pikërisht në momentet e aktit fatal. Mbeti diçka shumë e rëndësishme pa u thënë lidhur me vetvrasjen e Arjanit. E kam fjalën për atë se sa pak përpjekje pamë të bëhen atje ku ndodhi ngjarja për ta shpëtuar atë njeri në momenin kur po vetëvritej. Ai u vetëdogj në një vend ku, po të shkosh, mund të gjesh vazhdimisht, ditë natë, me qindra njerëz. Po të kesh parasysh se sa shumë njerëz ka aty veçanërisht në atë orë ajo që pamë flet për një indiferencë të madhe. Vetëm një person u pa një sekondë të sakrifikonte batanijen e tij duke ia hedhur për ta mbështjellë teksa që ai po shndrrohej tashmë në pishtar. Sikur të tjerëve që janë ndodhur aty tu jetë dhimbur edhe një xhaketë apo një këmishë që mund të nxirrnin nga trupi për ta shuar. Kur iu hodh batanija pamë se kishte kaluar shumë kohë. Madje gjatë kësaj kohe dikush kishte pasur nge të ndizte videon e celularit dhe ta filmonte skenën.

Indiferenca e tregoi kulmin e vet të cinizmit mu tek personi në sajë të të cilit ne kemi edhe pamjet e vetë indiferencës. Duke parë ngjarjen nuk mund të mos ngresh vetmevete pyetjen: sikur të ndodhesh para një njeriu që po tenton të vetëvritet duke i vënë vetes flakën çfarë do të bëje? Përgjigja që të vjen natyrshëm është se do të bëje përpjekjen maksimale për ta shpëtuar ndoshta edhe duke mobilizuar të tjerët. Por ndoshta edhe mund të trembesh nga flakët e të fillosh të thërrasësh për ndihmë, por kurrsesi nuk besoj se do të nxirrja celularin ta filmoja skenën. Ndërkohë që një njeri digjet dikush, disa metra para tij, nuk bën gjë tjetër, por thejsht nxjerr celularin dhe e filmon. Mbi këtë fenomen mendoj se vlen të ndalet gjatë shoqëria e të diskutojë sepse në thelbin e vet ai ngre çështjen se çfarë shoqërie po ndërtojmë. Indiferenca ndaj tjetrit që e kemi pranë e që nuk e njohim deri sa digjet, madje që edhe kur digjet na intereson thjeshtë si lajm televiziv të cilin edhe e veshim me fjalë të forta, si “tragjike” apo “makabre”, por që i harrojmë të nesërmen, është një fenomen i përhapur në mbarë botën. Para disa kohësh një televizor i huaj dha pamjet e një njeriu të shkelur në rrugë ndërkohë që makinat kalonin përanësh pa ndalur. Jetojmë në një kohë ku kudo konsumizmi dhe individualizmi po ngrenë problemin e reduktimit të njeriut në një individ të vetmuar pa dimension social. Një turmë individësh kurrsesi nuk mund të quhet shoqëri. Zigmund Bauman së fundi e ka quajtur konsumizmin neoliberist ku individi punon thjeshtë për të fituar para që t’i konsumojë: “ideologjia pa ideal”. Ndoshta një nga aspektet e kësaj ideologjie është pikërisht pafuqia për ta ndryshuar botën e cila çon edhe në indiferentizmin ndaj tjetrit. Por me bindje them se shoqëria jonë, po e përjeton këtë fenomen në mënyrën më mizore. Mu si vërtetim i thënies se ekstremet puqen, ka kaluar nga kolektivizimi ekstrem në një individualizëm ekstrem. Në vitet e para të tranzicionit u mërzitëm shumë kur Amelio paraqiti në filmin LAmerica një skenë ku shqiptarët, në turravrapin e tyre të çmendur për të ikur e për të gjetur lumturinë personale, kalojnë sipër një të vdekuri. Kam përshtypjen se sot skena e Amelios do të na dukej lojë kalamajsh po të kemi parasysh se sa e çfarë kemi parë gjatë këtyre vjetëve, se me sa gjakftohtësi ka kaluar mbi të vdekurit e hedhur në kanal deri edhe vetë elita jonë postkomuniste. Por ky indiferentizëm ndaj tjetrit ka edhe një aspekt tjetër që vlen të komentohet. Atë se bashkësia jonë ekziston si e tillë vetëm nëpërmjet botës virtuale të televizionit. Njo botë paralele me atë realen që sikur kërkon ta mbulojë e ta zhdukë madje atë. Ngjarjen e Tajvanit ne e përjetuam nëpërmjet televizionit sikur ishte një “reality show”. Si diçka që ishte dhe nuk ishte. Sikur dalja në televizion e lajmit të kishte më shumë rëndësi sesa vetë ngjarja që u konsumua para njerëzve të vërtetë tek Tajvani. Kontakti që ne kemi me njëri tjetrin është vetëm ai që na jep ekrani. Të nesërmen ka një ngjarje tjetër, një vrasje apo vetëvrasje tjetër dhe ne kalojmë tek ajo duke e harruar atë që ndodhi dje. Bota virtuae e televizionit sikur mbush një përditshmëri të zbrazur nga jeta e vërtetë, nga mendimi dhe shqetësimi i vërtetë. Nuk mund të mos mendoje se sikur personi që e ka filmuar me celular njeriun që po digjej para tij të mos kishte as celular dhe as mendimin se nesër do të mund t’ia tregonte botës atë që kishte filmuar (nuk po shkoj deri në hamendjen vërtet makabre se teksa filmonte kalkulonte se sa do t’ia shiste atë ndonjë televizioni) do të kishte bërë shumë më tepër për ta shpëtuar të riun me emrin Arjan i cili zgjodhi një ditë të bukur tetori t’i vinte flakën vetes mu në mes të njerëzve që hanin e pinin në bar restorantet e shumta të Tajvanit ndoshta me shpresën se ata kurrsesi nuk do ta linin të vdiste. (Korrieri, 5 Tetor 2007)

Monday, October 1, 2007

Zhvillimet në PS dhe kriza shqiptare


Dy nga sociologët më të njohur të politikës, Seyomur Martin Lipset dhe Stein Rokkan, duke shtruar çështjen e vazhdimësisë së sistemit të partive në Perëndim kanë formuluar teorinë e frakturave të mëdha, të cilës i referohen edhe sot analistët e sistemit të partive. Sipas tyre frakturat shfaqen në periudha ndryshimesh radikale. Në Evropë ndër më të rëndësishmet syresh janë frakturat që kanë sjellë ndërtimin e shteteve komb duke krijuar çifte frakturore të tilla si shtet/kishë, qendër/periferi si dhe ato të revolucionit industrial që krijuan çiftet frakturore borgjezi/proletariat, bujqësi/industri. Këto fraktura kanë gjeneruar edhe familjet kryesore të partive (liberale, konservatore, socialiste, komuniste, demokristiane, agrare, etno - regjionaliste etj.) të cilat janë kombinuar në mënyra të ndryshme në demokraci të ndryshme, duke e ngrirë sitemin e partive për një kohë të gjatë.
Nëse do të përpiqemi t'ia aplikojmë këtë teori realitetit shqiptar i cili ndryshon në shumçka prej zhvillimeve perëndimore, por megjithatë ka edhe të përbashkëtat e veta, do të duhet të kërkojmë "frakturat" apo "ndryshimet radikale" që kanë ndodhur në Shqipëri për të shpjeguar nëpërmjet tyre lindjen e partive. Rezulton se do të gjejmë tre momente ndryshimesh radikale që kanë krijuar lindje partish. Momenti i parë është ai i periudhës së mbarimit të Luftrave Ballkanike e pastaj Luftës së Parë kur lindi edhe shteti kombëtar shqiptar që nxorri në dritë edhe dy parti kryesore, një konservatore me rrënjë në klasën e bejlerëve latifondistë dhe një liberale progresiste me projekte modernizuese të cilat nuk mundën të bashkëjetojnë përtej vitit 1924 për shkak të autoritarizmit të Zogut.
Ndryshimi i dytë është ai i Luftës së Dytë që solli lindjen e partive komuniste dhe nacionaliste që përfundoi, po ashtu, siç e dimë, me vendosjen e diktaturës së partisë komuniste.
Fraktura e tretë është ajo e rënies së komunizmit që solli lindjen e PD në dhjetor të vitit 1990 dhe riciklimin e PP në PS.
Nuk synoj në këtë shkrim të bëj historikun e partive shqiptare, por desha të ve në dukje dy fakte që bijen në sy në kontekstin e frakturave në fjalë: së pari bije në sy mungesa e një bashkjetese dhe dialektike të vërtetë e jetëgjatë midis partive kundërshtare të lindura pas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë, që e ka treguar degjenerimi shumë shpejt në monopartitizëm. Kjo duket se ka ardhur, mes tjerash, nga mungesa e frakturave të vërteta e të thella social ekonomike e kulturore, pasi ato janë provokuar kryesisht nga jashtè. Pra, tek e fundit nga fakti se këto parti nuk kanë patur mbështetje të gjera social ekonomike, kanë lindur më tepër si imitim i modeleve perëndimore, prandaj pas njè kohe shumë të shkurtèr njëra ka marrë përsipër të përfaqësojë gjithshka duke eliminuar tjetrën. Së dyti, faktin se gjithsesi mbizotërimi i dy partive kryesore që kemi në vend sot, PS dhe PD, lidhet me dy fraktura të mëdha dhe se mbijetesa e këtyre partive, megjithë dështimet që kanë pasur gjatë aktivitetit të tyre, duket se lidhet me këto dy fraktura që, tek e fundit, kanë përcaktuar dy përkatësi shoqërore bazë që edhe sot janë mbizotëruese në shoqërinë shqiptare. Kemi të bëjmë pra me fenomenin e ngrirjes së një pjese të mirë të elektoratit me njërën parti ose tjetrën dhe me një farë ngrirjeje të sistemit tonë partiak. Kjo ndodh sepse partitë nuk janë thjesht programe afatshkurtëra që i përgjigjen një periudhe e disa nevojave ekonomike, por janë grupime që i përgjigjen edhe një nevoje njerëzore për identitet dhe përkatësi, por edhe për një sistem vlerash ku të besojnë. E në këtë kuptim këto dy parti, për mirë dhe për keq, kanë mbushur boshllëkun e krijuar në dy frakturat e mëdha historike si ajo e Luftës së Dytë dhe ajo e rënies së komunizmit e sot mund të konsiderohen pjesë e një sistemi partiak hë për hë të ngrirë dhe pavarësisht se sa i kanë ruajtur apo kultivuar vlerat, përkatësia në to, megjithë rënien e madhe të numrit, ka mbetur dominante.
Fakti është se përpjekjet për krijimin e partive të reja gjatë periudhës postkomuniste, si Alenaca Demokratike apo si LSI më vonë, që u themeluan me premtimin se do të ruanin e kultivonin vlerat e tradhëtuara nga PD e PS e prandaj do të ishin më të preferueshme e do të meritonin të bëheshin ato parti të mëdha, kanë dështuar. Mossuksesi i tyre mendoj se lidhet edhe me atë se ato nuk kanë lindur në periudha frakturash të mëdha të cilat krijojnë edhe lëvizje të mëdha edhe emocione të mëdha shtresash të gjera. Ato më tepër kanë rezultuar në përpjekje për korrigjim, apo plotësim. Nuk mund të mohoet edhe fakti se dy partitë e mëdha, duke qenë për një kohë në pushtet (PS shumë më gjatë duke patur parasysh edhe peridhën e PP) kanë krijuar edhe historinë e cila, pa dyshim, ka ndikuar në rritjen e forcimin e identitetit tek njerëzit që kanë milituar në to, por edhe përfituar prej tyre. Shkaqet e mbijetesës së PS si vazhduese e PP sipas meje lidhen shumë edhe me gabimet e rënda të PD në vitet e para të pushtetit.
Por le t’i kthehemi realitetit të sotëm.
Duke iu referuar teorisë së ndryshimeve radikale që përmenda në fillim gjykoj se shoqëria shqiptare sot ka pësuar të çara të rëndësishme që paralajmërojnë krizën e një frakture që kërkon ndryshime radikale të politikës. Ka folur për nevojën e “ndryshimeve radikale”, qoftë në partinë e tij qoftë në politikë në tërësi, edhe lideri aktual socialist Edi Rama. Ndërkaq çështja shtrohet: Si mund të kryhen këto ndryshime? Megjithëse idealisht shumëkush, duke përfshirë edhe autorin e këtyre rradhëve, do ta kërkonte lindjen e një partie apo më saktë dy partish të vërteta të qendrës së majtë dhe të djathtë, duket se momenti nuk vjen dot aq lehtë në një shoqëri si kjo e jona.
Duket se këtë plogështi të shqiptarëve tashmë e kanë fort të qartë sa nga historia njëshekullore aq edhe nga ajo e tranzicionit edhe liderët rivalë Nano dhe Rama që sot nuk tentojnë të krijojnë më parti të reja siç bënë Ceka e Imami me Aleancën Demokratike apo Meta me LSI, por ngulmojnë me çdo kusht të mbeten në PS duke pretenduar se kjo duhet të jetë subjekt i ndryshimit të vetvetes dhe njëherësh i ndryshimit radikal të politikës (sipas Ramës) ndërkohë që sipas Nanos do të duhet të kthehet në kohën e artë të tij për ta kryer misionin e saj ndaj vendit.
Në mungesë të ndonjë frakture që do të lindte parti të reja duket se rruga e reformimit të dy partive të mëdha mbetet më realistja për t’iu përgjigjur krizës. Por a po ndodh një gjë e tillë në PS ku po diskutohet hapur për këtë çështje? A jep shpresa aktiviteti i ethshëm i Nanos dhe Ramës kundër njëri tjetrit gjatë shtatorit se PS po tenton t’i përgjigjet nevojës që ka politika për të dalë nga gjendja e dështimit të këtyre 17 vjetëve?
Që Shqipëria është në krizë këtë e pohojnë të gjithë. Ajo ka ndërtuar një kapitalizëm që funksionon si mbretëri e informalitetit, klientelizmit e ekonomisë kriminal. Asaj i mungon një gjyqsor i pavarur, i pakorruptueshëm dhe efikas. Ajo e ka sistemin arsimor dhe shëndetsor në gjendjen më të mjeruar që mund të imagjinohet. Mungesa e dritave, e ujit, shtrenjtimi marramendës i jetesës shoqëruar me ndjenjën e pasigurisë në të ardhmen dhe me një depresion të madh shoqëror ka bërë që thënia e vjetër “ky vend nuk bëhet” të duket sikur po merr konfirmimin përfundimtar. Në këtë kontekst Shqipëria është në krizë edhe përsa i përket vlerave të tilla të së majtës si ato të barazisë së mundësive, të solidaritetit, të mbrojtjes së publikes, të ambjentit, të sigurisë shoqërore.
Duke pranuar se sistemi ynë partiak është hë për hë i ngrirë dhe duke parë çfarë po ndodh në PS nuk mund të mos shtrohet pyetja: a mundet t’i përgjgjet kësaj krize reformimi i dy partive tradicionale apo duke qenë vetë burimi i krizës ato nuk mund të bëhen edhe kuruesit e saj, prandaj duhet të presim frakturën dhe lindjen e një politike të re? Sipas meje deri më sot po shohim tentativa të rrejshme/mashtruese për të na nxjerrë nga kriza, nga të dyja palët, por ama që, edhe për këtë, ato shërbejnë për ta nxjerë edhe më në pah krizën. Edhe kjo që po ndodh në PS me protagonistë Nanon dhe Ramën është një gjë e tillë. Nuk ka shenja se dy liderët e PS, i vjetri dhe i riu, po punojnë që t’iu përgjigjur kësaj krize. Lufta midis Nanos dhe Ramës mbetet më shumë një luftë e politikës mes vetes ashtu sikurse është një luftë e politikës mes vetes edhe ajo midis opozitës dhe mazhorancës. I gjithë aktiviteti politik i Ramës së fundi po ndërtohet mbi denoncimin e së keqes, mbi premtimin se do të na shpëtojë nga tjetri (e gjithë politika) që është shkaktari i saj. Mirëpo tani kjo tingëllon si retorikë boshe. Rama nuk vjen nga shoqëria civile kritike ndaj politikës siç erdhi në 1998. Ai ka tetë vjet në majat e PS në pjesën më të madhe të së cilës kjo ka patur edhe pushtetin qendror përveç atij lokal. Strukturat dhe njerëzit që kanë pjellë krizë u ngjizën në atë kohë dhe, në mos kryesisht, edhe prej tij pasi ai, sipas vetë Nanos së asaj kohe, konsiderohej si “modeli socialist” i qeverisjes. Mjafton të kesh parasysh se premtimi i parë i Ramës kur u bë kryetar bashkie, para shtatë vjetësh, ishte plani urbanistik të cilin ende nuk e ka kryer pikërisht për shkak se strukturave të ngritura të ekonomisë dhe pushtetit të tij arbitrar nuk u leverdiste hartimi i tij, për të mos i besuar. Ndërkaq Nano e ka kthyer edhe më prapa problemin e PS. Ai thotë se ajo me Ramën po humbet edhe atë pak demokraci të brendshme dhe se është kthyer në instrument oligarkësh. E një parti pa demokraci të brendëshme e në duar oligarkësh nuk mund t’i përgjigjet krizës. Por a nuk është edhe Nano një i tillë i ngritur dhe mbështetur prej të tillësh?
Sot që të dyja partitë, PD dhe PS, kanë një kohë thuajse të barabartë qeverisjeje gjatë këtyre 16 vjetëve. Njerëzit i kanë provuar të dyja dhe nuk i besojnë asnjërës. Ata nuk kanë më kë të akuzojnë për mungesën e dritave e të ujit e kë të mbështesim me shpresën se do tua sjellë. Njerëzit tashmë janë më të qartë se kurrë se kjo është një politikë që merret me vetveten dhe interesat e saj duke bërë sikur flet për hallet e tyre. Ata janë të stërlodhur duke parë opozitat të denoncojnë se sa keq po shkojnë punët, por pa dëgjuar një opozicion të vërtetë të bazuar mbi një vizion tjetër mbi shoqërinë, e mbi të gjitha pa parë shembuj që ta inspirojnë këtë kur këto opozita marrin pushtet.
Duke iu referuar teorisë së frakturave dhe nivelit sipërfaqësor të tyre në historinë shqiptare nuk mund të mos gjykosh se një nga shkaqet pse partitë tona merren me vetveten e tentojnë ta elimonojë kundërshtarin (paçka se jo në nivelet e regjimit të Zogut e atij komunist) është edhe fakti se fraktura e viteve 90 në shumë aspekte, veçanërisht ekonomiko sociale, ishte superficale. Kjo ka bërë që edhe të mos ketë dialektikë të vërtetë midis dy partive kundërshtare që të çojë në progres. Mirëpo kanë kaluar tashmë 16 vjet dhe të çarat e filluara në vitin 1991, që po përgatisin një frakturë, janë thelluar. Kriza e sotme e politikës është edhe shenjë e paaftësisë së saj për t’iu përgjigjur këtyre të çarave. Duke mbetur tejet mosbesuese për zhvillimet në PS, por duke pranuar se realiteti ynë vështirë se mund të transformohet pa transformimin e dy partive më të mëdha, mendoj se reformat në PS duhet të bëhen në funksion të përgjigjes ndaj krizës që kalon vendi. E kjo nuk mund të bëhet pa njohur përgjegjësitë që ka kjo parti dhe udhëheqja e saj për këtë krizë. Ato po ashtu duhet të synojnë më në fund fillimin e funksionimit normal të dialektikës qendër e majtë qendër e djathtë si përgjigje edhe e të çarave social ekonomike e kulturore që ka krijuar ky tranzicion tejet traumatik. Përndryshe duhet të presim që këto të çara të çojnë në frakturën e madhe e cila gjithsesi duhet të na gjejë më të përgatitur se herë tjetër. (Korrieri, 30 shtator 2007)