Sikur t'i thoshin një kategorie
njerëzish, ku bëjnë pjesë jo pak politikanë, deputetë, biznesmenë, shkrimtarë,
gazetarë, intelektualë, botues, - se do të ngjallet Enver Hoxha dhe do të të
marrë vilën duke të akuzuar se je borgjez, që ke pirë gjakun e popullit; se,
pas kësaj, do të të kërkojnë të dorëzosh paratë që ke në bankë dhe ato që ke të
fshehura dhe se, po nuk i tregove, do të të rrasin në qeli ku do të të
torturojnë derisa t'i nxjerrësh të gjitha; se po nuk ndenje urtë edhe pas kësaj
do të të rrasin në burg e familjen do të ta internojnë; se nuk do të mund të lëvizësh
jo vetëm jashtë vendit, por as nga qyteti në qytet; se nuk duhet të kesh asnjë
ide tjetër në kokë përveç atyre të partisë dhe të udhëheqësit të saj; se fëmijët
duhet të duan më shumë udhëheqësin sesa ty; se ushqimin do ta kesh me tollona e
kilen e qumështit do ta marrësh duke mbajtur radhë që në orën 4 të mëngjesit, e
shumë të tjera bëma të atij regjimi jam i sigurt se do të ngriheshin me qysqi e
kazma e lopata që të mos e linin Enverin të dilte nga varri.
Jo, jo këta nuk e duan diktaturën
e proletariatit që kaluam, larg qoftë; në këtë aspekt këta kanë përqafuar
vlerat e sistemit borgjezo - kapitalist dhe veçanërisht këta që kemi lart janë
shkuar borgjezëve e kapitalistëve kur vjen puna për privatizime e për pronën e
tyre private që, sipas atij sistemi, ishte burimi i të gjithë të këqijave.
Po pse megjithatë e duan Enverin është
pyetja, ku e kanë hallin? Kush tha që e duan vërtet do të më pyesë dikush duke
më venë në dukje faktin se thuajse askush sot nuk deklaron hapur një dashuri të
tillë edhe pse mund ta dojë. Sipas meje ka plot shenja të kësaj dashurie për
Enverin si simbol të asaj kohe, por zhbirilimi i këtij halli dashurie sipas
meje nuk është edhe aq i thjeshtë siç kërkojnë ta paraqesin disa - sikur
oligarkia socialiste në pushtet kërkuaka të na kthejë kohën e kaluar.
Sipas meje lëvizjet për të nxjerrë
hijen e Enver Hoxhës nga varri,
por jo Enverin e
vërtetë, që ndjehen kur vijnë socialistët në pushtet, nuk kanë të bëjë me të djeshmen, por me të sotmen, me lojën e pushtetit. Po përpiqem ta shtjelloj pak më qartë idenë që kam për këtë çështje.
vërtetë, që ndjehen kur vijnë socialistët në pushtet, nuk kanë të bëjë me të djeshmen, por me të sotmen, me lojën e pushtetit. Po përpiqem ta shtjelloj pak më qartë idenë që kam për këtë çështje.
Një nga mënyrat më efikase për
t'i pasur njerëzit nën pushtet, sigurisht krahas kontrollit të interesit të
tyre material, është t'i bësh ata të ndajnë me ty këndvështrimin për botën,
vlerësimet dhe emocionet pozitive dhe negative për njerëzit. Sepse njerëzit nuk
jetojnë vetëm për bukën e gojës, kjo dihet. E, në këtë këndvështrim, një vend të
madh zë kujtesa e së shkuarës dhe protagonistët e saj. Nuk thuhet kot se ne
jemi kujtesa jonë. Vini re, sa herë takohemi me dikë dhe fillojmë e bisedojmë
nuk bëjmë gjë tjetër veçse kujtojmë ngjarje të së kaluarës së largët ose të afërt.
Sikur të na hiqet kujtesa ne nuk dimë se cilët jemi dhe do të reshtnim së
dashuri apo së grinduri me njëri tjetrin. Dhe që këtej vjen edhe rëndësia e
kujtesës për pushtetin. "Për hir të pushtetit duhet të ndërhyhet
energjikisht tek kujtesa e njerëzve: në mënyrë që ajo të punojë në një drejtim
të caktuar. Njeriu duhet të detyrohet të kujtojë, dhe të kujtojë në një mënyrë
gjithnjë e më mekanike. Dhe kështu njeriu manipulohet deri në thellat më intime
të psikikës. Atij i kryhet një si incizim me zjarr në kujtesë. Nuk ka asgjë më
të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika" - thotë Nietzche.
Kush ka përjetuar komunizmin e
kupton mirë mnemoteknikën - teknika për të fiksuar sa më lehtësisht dhe sa më
shpjet gjërat në kujtesë, për çka ajo përdor imazhe, rrëfenja, fjalë kyçe e
plot mjete të tjera - sepse
propaganda komuniste e çoi në nivelet më spektakolare "incizimin me
zjarr" në kujtesën e njerëzve. Mjaft të kesh parasysh numrin e pafundmë të
lapidarëve që ka ngritur, apo tërë atë letërsi apo kinematografi të realizmit
socialist, kujtimet e shokut Enver,
gënjeshtrën e shpifjen e përsëritur për armiqtë apo deri edhe fshirjen
nga kujtesa të njerëzve të urryer nga pushteti nëpërmjet heqjes së fotove të
tyre nga albumet apo faqet e historisë. Përgjatë afro gjysmë shekulli kjo
mnemoteknikë manipulative është përdorur nga hoxhizmi ditë për ditë për të
incizuar në mendjet e njerëzve versionin e vet të historisë dhe të kujtesës.
***
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre njëzet
vjetëve me këtë kujtesë? Sigurisht gjatë afro 50 vjetëve diktaturë ndodhën edhe
shumë ngjarje të tmerrshme që nuk mund të iknin kollaj nga kujtesa e shqiptarëve,
që u ngulitën edhe ato në kujtesën e tyre si krime e tmerre të asaj kohe. Nuk
do të kishte rënë ashtu siç ra komunizmi, me njerëzit duke ikur nga sytë këmbët
apo duke rrëzuar e pshurrur statujat e Enver Hoxhës sikur ata të mos kishin
edhe një kujtesë tjetër nga ajo që kishin gatuar shkrimtarët, artistët, gazetarët
e propagandistët e Enver Hoxhës. Po të shohësh imazhet e Shqipërisë së eksodit,
të njerëzve që kacavirreshin në anijet për të shkuar në Itali, mbetesh pa gojë
për atë se cilët ishin shqiptarët që dolën nga Shqipëria socialiste. Megjithatë
ajo narrativë e incizuar me zjarr për 50 vjet, mbeti edhe ajo aty, në mendjet e
tyre.
Ndërkaq shumë shpejt filloi loja
e re e pushtetit. Në kushtet e pluralizmit politik ne zëvendësuam pushtetin e
një partie të vetme me pushtetin e dy partive që, jo rastësisht, kishin në krye
që të dyja ish komunistë të cilët, edhe për shkak se s'kishin marrë kulturë
tjetër, filluan të përdorin edhe ata mnemoteknikat e përdorura nga hoxhizmi. Kësisoj
dora dorës, në funksion të pushtetit të tyre, mnemoteknikat e këtyre dy partive
filluan të krijojnë një version dykrerësh të kujtesës e të historisë.
Le të kujtoj disa momente të këtyre
mnemoteknikave të pushtetit. Për shembull komunisti i kthyer në antikomunist
Sali Berisha i fitoi zgjedhjet më 1992 duke përdorur shprehjen "jemi të
gjithë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë". Ishte një tentativë përpunimi dhe
thjeshtëzimi i kujtesës të së kaluarës nëpërmjet këtyre dy fjalëve kyçe me kaq
peshë. Ai tentonte kësisoj të merrte votën e atyre që deri dje kishin qenë më së
shumti fajtorë duke e ditur se ata që më së shumti kishin qenë vuajtës i kishte
votues të sigurt të partisë së tij antikomuniste. Megjithatë kjo thënie përmbante
një të vërtetë të madhe: atë se shqiptarët kishin një kujtesë të keqe për atë
sistem që kishte sjellë ose vuajtës ose fajtorë, ose të dyja së bashku.
Mirëpo shumë shpejt, për hir të
pushtetit, Berisha i ndërroi teknikat e përpunimit të kujtesës. Shumë shpejt
filloi t'u kujtonte njerëzve se jo vetëm opozita, por edhe ata që i kishin dalë
kundra pse ishte autoritar, i padurueshëm, kishin qenë fajtorë pa "bashkë"-n
përpara. Kësisoj filloi një përpunimi
i kujtesës nga ata që u vetëquajtën demokratë ku shumica kujtonin vetëm vuajtjet
e persekutimet (që kishin pasur nga ata të tjerët) dhe trimërirat që kishin bërë
kundër tyre - deri në atë pikë sa mund të ngrije pyetjen: si ka ndodhur që ai
regjim ka ekzistuar kaq gjatë me këta liridashës, trima e disidentë të çartur?
Po ashtu, thuajse çdo gjë që ishte konsideruar e zezë nga historiografia
hoxhiste, u bë e bardhë si me shkop magjik.
Ndërkaq nga pala tjetër
fillimisht pati kryesisht vetëmbrojtje. Mnemoteknika e socialistëve punoi me
njerëzit e vet me metodën e harresës, të fshirjes nga kujtesa, veçanërisht të
krimeve. Një strehë e rëndësishme për kujtesën e tyre u bë Lufta Nacional - Çlirimtare
e cila u ruajt thuajse krejtësisht në variantin që kishte gatuar hoxhizmi. Pak
nga pak, duke parë edhe dështimet e pushtetit të ri, filloi të rimerrej narrativa e vjetër e të përpunohej
versioni se ai regjim ka pasur edhe të mira se kishte krijuar universitetin e
parë, shkollat, spitalet. Madje madje për shumicën e atyre që ishin
persekutuar, kur nuk heshtej, përhapeshin thënia se kishin qenë kryesisht,
hajdutë e keqbërës ordinerë.
Dhe kësisoj, që prej asaj kohe të
dy palët filluan të kultivojnë kujtesën dhe harresën e grupit të tyre dhe të
punojnë sistematikisht të ruajnë imazhet dhe versionet e tyre të historisë. Në
këtë vazhdë lufte mnemoteknikash kemi përjetuar e vazhdojmë të përjetojmë
konfliktin e gjatë për të përcaktuar datën e çlirimit: nëse ishte 29 Nëntori,
apo 28 Nëntori; kemi parë të vihen emrat e rrugëve sipas përkatësive partiake të
familjarëve, të ngrihen monumente, të jepen medalje e të përkujtohen ngjarje
historike; kemi parë socialistët të heqin burgun e Burrelit si vend muze dhe ta
kthejnë në një burg të zakonshëm e demokratët të heqin monumentin e Heronjve të
Vigut nga sheshi qendror i Shkodrës për ta çuar afër fushës së plehrave. Së
fundmi u bë edhe një sulm vandal mbi memorialin e izolimit komunist dhe nuk
pati një socialist të vetëm të shprehte keqardhjen sepse atë e kishin ngritur
demokratët.
Kjo lojë dy teatrosh regjisorët e
të cilëve kanë interes të mbajnë spektatorët në platetë e tyre, sa duke u përpunuar
kujtesën aq edhe duke e mikluar atë po vazhdon edhe sot. Në fakt është një lojë/luftë
për pushtet që s'ka lidhje as me të vërteta historike shkencore dhe as me vlera
të vërteta. Në këtë lojë së fundmi
është futur nga socialistët dhe fantazma e Enver Hoxhës.
***
"Enver Hoxha
nuk mund të fshihet dhunshëm nga historia e Shqipërisë." Kështu ishte titulli i një
intervistë të Paskal Milos që më tërhoqi vëmendjen pasi ai është caktuar
kryetari i një komisioni për rishikimin e historisë prej të cilit thuhet se do
të dalë një tekst që të na rrëfejë të vërtetën e të vërtetave për historinë tonë.
E lexova me vëmendje dhe mund të them se ndjeva në çdo rresh incizimet
mnemoteknike që synojnë të mbajnë gjallë narrativën socialiste të kujtesës sonë për historinë. Kjo fillonte që me titullin: tek përdorja e fjalëve
"dhunë" dhe "fshirje" e tek mbrojtja që kërkon t'i bëjë
autori Hoxhës nga kjo dhënë dhe fshirje. Në fakt askënd nuk kam dëgjuar të thotë
që Hoxha duhet të fshihet nga historia. Aq më tepër dhunshëm. Ai duhet të jetë
në histori siç është në histori edhe Hitleri edhe Stalini edhe Musolini edhe
Mao Ce Dun si përfaqësues apo simbol i një periudhe historike nga ato më të
tragjiket për njerëzimin: ajo e regjimeve totalitare të shekullit XX që,
sigurisht, nuk mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet bëmave të një figure, por nëpërmjet
tërë kontekstit kulturor ku kanë lindur e vepruar këta diktatorë. Por Milo
duket qartë se nuk synon këtë. E gjithë intervista të le shijen e një përpjekje
për të "normalizuar" figurën e Enver Hoxhës e nëpërmjet saj,
kuptohet, edhe diktaturën e tij. Në
intervistën e tij nuk sheh të përdoren një herë të vetme fjalët terror, krime,
persekutime, burgje, internime, izolim, që janë fjalë kyç kur analizohen
regjimet totalitare komuniste, ndër të cilët ai i Enver Hoxhës ka qenë më
brutali dhe më çnjerëzori. Kuptohet qartë se ai kërkon t'i flasë "kujtesës"
së atyre spektatorëve të teatrit socialist që Enver Hoxhën e kujtojnë edhe për
mirë apo vetëm për mirë, që nuk duan t'i kujtojnë krimet e atyre kohëve sepse i
kanë kryer vetë, madje edhe nipërve e mbesave të tyre që nuk e kanë përjetuar
atë regjim, që shkojnë pinë alkool e kërcejnë e këndojnë këngë perëndimore në
Pezë duke përkujtuar Komandantin, pa e ditur se ai dhe gjyshërit e tyre u
prisnin gjuhën në atë kohë të rinjve që bënin këto punë. Kjo shije e keqe e intervistës bëhet më e dukshme kur
thotë: "Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Sali Berisha dhe të gjithë politikanët
shqiptarë, janë në një mënyrë ose në një tjetër, tashmë, personalitete të
fondit historik shqiptar." për të cilët, gjithë sipas Milos, "do të
shikoni mjaft portrete, nga analistë, gazetarë dhe studiues të kohës, të cilët
i vizatojnë në mënyrë më ekstreme ose duke i glorifikuar ose duke i poshtëruar.
Kjo ka ndodhur në Shqipëri edhe gjatë periudhës së tranzicionit." Nuk kam
pikë simpatie për Ahmet Zogun e Sali Berishën, madje mendoj se sikur të kishin
përqafuar komunizmin e të udhëhiqnin një regjim totalitar mund të kishin qenë
po aq kriminalë sa Enver Hoxha, por ata s'mund të futen në një rresht, siç bën
Milo, me Enver Hoxhën. Është njëlloj sikur të futësh Stalinin në një rresht me
carët apo pasardhësit e tij. Totalitarizmat e shekullit XX kanë qenë një kafshë
kriminale më vete dhe kështu janë trajtuar nga historiografia e vërtetë kudo në
botë. Mirëpo Milo vazhdon: "Tani kemi një perceptim jo dhe aq realist,
sepse nisemi nga ajo çfarë na ka ndodhur ne si individë, nisemi nga ajo çfarë i
ka ndodhur familjes, fisit, apo gjithë shqiptarëve…." Po pse nga çfarë
duhet të nisemi për të qenë realistë në shkrimin e historisë nëse jo nga ato që
u kanë ndodhur shqiptarëve? Por ai nuk e shtron këtë pyetje që të na çojë tek
filozofia e tij e historisë. Ai thjesht kërkon të sugjerojë se ata që flasin
vetëm keq për Enver Hoxhën (kuptohet këtu nuk e kam fjalën për ata që thjesht e
shajnë me fjalë banale apo që thonë se ishte aq mizor pse ishte
homoseksual) e bëjnë këtë nga
halli familjar prandaj kanë një vizion të shtrembëruar të historisë e nuk duhen
marrë seriozisht. Dhe menjëherë ai kalon shpejt e shpejt tek streha e narrativës
së teatrit socialist: tek Lufta Nacional Çlirimtare për përkujtimin e përvjetorit
të së cilës qeveria sapo lëshoi edhe një fond prej një milion dollarësh - shumë
kjo jo e vogël për xhepat e shqiptarëve të varfër. Ai na jep përsëri avazin e
stërpërsëritur nga mnemoteknika e Enver Hoxhës: "luftën e bënë shqiptarët,
komunistët patën meritën që e udhëhoqën". Pastaj jep edhe ca argumente të çuditshme
si: "çdo parti lufton për të ardhur në pushtet. Edhe Balli luftonte që të
vinte në pushtet, edhe zogistët luftonin që të kthehej Zogu në pushtet….. Në
qoftë se komunistët synonin pushtetin pas lufte - dhe kjo është shumë e saktë –
ata gjetën mënyrën dhe rrugën më të mirë për të ardhur në pushtet. Kjo është një
meritë e tyre."
Shikoni o njerëz se
këtij historiani i është dhënë kryesia e komisionit që do të shkruajë historinë
zyrtare të Shqipërisë, që do të jetë ajo që do të mësojnë fëmijët tanë nëpër
shkolla. Si është e mundur që ky nuk e di se jo vetëm në Shqipëri, por edhe
kudo në ish bllokun lindor ardhja
e komunistëve në pushtet është vendosur nga ndarja e Jaltës që ndau zonat e
influencës midis fitimtarëve, e se Shqipëria në këtë kontekst iu la Titos; se
historia e ka dënuar si ardhje jo demokratike, pasi shkeli edhe premtimet e dhëna
në Jaltë nga Stalini pasi përdori dhunë e kreu krime ngase përzjeu një luftë me karakter çlirimi kombëtar me një
revolucion proletar që synonte të vendoste diktaturën e ashtuquajtur të
proletariatit që mohoi ekzistencën e partive të tjera dhe të zgjedhjeve të
lira. Si mund të thuhet se kjo ishte "meritë" a thua se ardhja në
pushtet qenka qëllim më vete që justifikohet me çdo mjet?
Jo këtu s'kemi të bëjmë
me histori dhe historianë që kërkojnë të ndriçojnë njerëzit. Këtu kemi të bëjmë
me trashëgiminë e shëmtuar të mnemoteknikës së komunizmit që kërkon
t'i mbajë njerëzit injorantë rreth historisë së tyre e t'i përçajë duke
manipuluar pasionet e tyre, që t'i sundojë më lehtë. Kemi të bëjmë me një
politikë që - siç më shkruante një lexuese - "shkel me çizme mbi dhimbjet
e se kaluarës dhe ato që shkakton përditë mbi njerëzit e thjeshtë. Një politikë
e papërgjegjshme që ka prodhuar një shoqëri ku sheh shkatërrim, njerëz
agresive, njerëz të dëshpëruar, njerëz të depresionuar, njerëz të vetmuar, njerëz
që jetojnë në ankthin e së kaluarës së errët dhe nuk janë të aftë të gjejnë kurën
e duhur … njerëz që janë njëqind përqind të varur në rezultatet e zgjedhjeve,
pra njerëz të paaftë për të qenë të zotët të udhëheqin jetën e tyre." (Panorama, 15 Shtator 2014)
No comments:
Post a Comment