Deri ditën
shtunë ideja që ka mbizotëruar mbi qëndrimin e Edi Ramës ndaj kësaj që
po ndodh me çadrën e opozitës dhe kërkesën e saj për qeveri teknike mund të
sintetizohej në një përgjigje që ky i ka dhënë në facebook dikujt se politika
"budallait i duhet hapur rruga" është e gabuar. Par, deri të shtunën,
perceptimi ka qenë se loja midis opozitës tek çadra dhe kryeministrit me ministrat në zyrat e tyre do të
vazhdonte deri në një acarim edhe më të madh të situatës ku pastaj, me ndonjë
ndërhyrje ndërkombëtare, mund të arrihej ndonjë marrëveshje si ajo e Krokodilit
në Bruksel ose do të precipitonim drejt ndonjë situate të panjohur.
Sipas këtij perceptimi që kemi pasur deri të shtunën,
edhe pse çadra mbetet si faktor në sfond, shkarkimi i Tahirit dhe pastaj edhe i
disa ministrave rezultoi një lëvizje e papritur që të bën të mendosh se nuk
ishte thjesht "efekti çadra" faktori, por se ka pasur edhe lojtarë të
tjerë në lojë që e kanë shkaktuar këtë lëvizje.
Shpjegimi që dha Rama të dielën se Tahiri dhe
ministrat por shkarkoheshin për tu graduar për zgjedhjet, pra se asgjë nuk ka ndodhur,
zor ta besojë kush sepse, nëse donte të ruante imazhin se asgjë e keqe nuk ka
ndodhur, dihet se puna më mirë do
të ishte të mos lëvizte asgjë.
Ndërkaq ajo çfarë ka ndodhur mbetet ende e paqartë, e
rrethuar me hipoteza e thashetheme gjithfarëshe. Në këtë shkrim po rrekem t'u
afrohem faktorëve të shkarkimi i mbështetur tek të dhënat dhe hipotezat më të
besueshme që qarkullojnë deri më tani:
Faktori Ilir Meta.
Më e besueshme është që, duke përdor edhe krizën e
shkaktuar nga çadra, Ilir Meta po luan që të rrisë pushtetin e tij duke dalë si
shpëtimtar i situatës sikurse doli edhe me reformën në drejtësi - e sigurisht për
të larë ca hesape të vjetra me Ramën. Dalja e ministres së LSI-së Gjosha, fill
pas lajmit për Tahirin, e cila gati tha troç se ne kemi nevojë për një
kryeministër si Meta dhe jo për një arrogant kryeministër si Rama, që na ka
sjellë në këtë situatë, e shpreh qartë këtë rol. Nga ana e tij Rama duket se më
shumë me pahir se sa me hir e ka pranuar këtë rol për të marrë në shkëmbim mbështetjen
e munguar deri tani prej Metës për të përballuar situatën që ka krijuar çadra,
ku hyn edhe hyrja në zgjedhje së bashku. Largimi i Tahirit në këtë rast duhet
parë si largimi i një njeriu që është përdorur dhe mund të përdorej më shumë se të tjerët si dorë e Ramës
edhe kundër LSI-së së Ilir Metës.
Ndërkombëtarët
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë lëvizje
të papritur mund të jenë ndërkombëtarët të cilët, po t'i besojmë këtij
versioni, duket se nuk e hanë më fabulën e Ramës duarpastërt që lufton me
duarndoturit Berisha e Meta e që duhet ndihmuar që t'i heqë qafe këta nëpërmjet
reformës në drejtësi. Duket se ata kanë grumbulluar tashmë edhe mjaft
informacion, sa nëpërmjet vëzhgimit
të punëve të qeverisë aq edhe nëpërmjet shërbimeve të tyre apo punës së kundërshtarëve
të Ramës, që u ka sqaruar se ajo që opozita e quan "republika e
kanabisit" apo e "krimit" në krye të të cilës është dora vetë
Kryeministri është një realitet që duhet marrë seriozisht. Një lajm që po
sillet si fantazmë kërcënuese pa u konfirmuar plotësisht por as pa u përgënjeshtruar
bindshëm nga Rama - ai i 1300
kontenierë me mbetje toksike të futura në Shqipëri me ndihmën e qeverisë - mund të jetë pjesë e ekuacionit që po përpiqemi
të zgjidhim. Pra ndërkombtarët ka gjasa që t'i kenë çuar Ramës sinjale të qarta
se me Tahirin kredibiliteeti i tij cënohet edhe më tej veçanëriaht në këtë
situatë.
Një version i çuditshëm
Qarkullon edhe një version, që i përjashton këta të
tjerët, se Tahri është shkarkuar për arsye të brendshme të konfliktit midis
bandave dhe banditëve që mbështesin PS-në. Se Rama pra, i kërcënar nga disa
banditë që i konsideron të rëndësishëm
për pushtetin e tij, veçanërisht fushatën elektorale, ka hequr atyre qafe një njeri që i
pengonte në aktivitetin e tyre për shkak të lidhjeve të tij me banditë të tjerë
rivalë.
Edhe pse më i pabesueshëm se të tjerët, fakti që ky version qarkullon dhe besohet nga një
pjesë jo e vogël njerëzish, flet shumë për klimën dhe opinionin që qarkullon
rreth institucioneve tona kryesore të shtetit.
Dobësia e Ramës
Një faktor i katërt që mund të shpjegojë këtë ngjarje
të papritur është brishtësia psikologjike
e Edi Ramës në këtë moment krize. Kjo edhe pasi thellë thellë ai e di
lojën e pisët që kryen, lidhjet e pista që ka përdorur dhe faktin se është i
rrethuar me njerëz të cilëve ua ka dhe ia kanë me hile. Situata e rënduar sa nga çadra edhe nga
Meta e një pjesë ndërkombëtarësh apo edhe e kombinuar me interesa banditësh e
ka bërë të thyhet përpara kohe,
duke e dorëzuar Tahirin pa menduar se kështu po i bënte një çarje të madhe
fasadës së propaganduar deri te shtunen se kemi qeverinë dhe ministrin më të
suksesshëm në historinë e këtyre 25 vjetëve. Në një hap të dytë duket se është
penduar që ka bërë këtë hap dhe ka menduar ta frenojë rrëshqitjen duke
shpjeguar heqjen e Tahirit si një reformatim të qeverisë për shkaqe elektorale.
Duke ia njohur stilin e punës nuk përjashtohet që ndërkaq veçmas Metës i thotë
"e bëra për ty", ndërkombëtarëve si lëshim që po i bën opozitës dhe banditëve në fjalë
se e bëri për ata.
Si përfundim
Gjithsesi kjo lëvizje na paralajmëron se shumë shpejt
do të kemi lajme të reja sepse jemi në një krizë, dhe se fatkeqësisht zgjidhja apo dalja prej saj zor se mund
të jetë e shëndetshme dhe afatgjatë pasi vendimmarrja nuk ka asgjë demokratike,
por i ngjet lojërave të kapobandave nëpër kulisa dhe bodrume. (Panorama, 14
mars 2017)
No comments:
Post a Comment