Tashmë, pas skandalit shumëdimensional Tahiri, është e
qartë për këdo se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë kohës së qeverisjes Rama.
Shumë më e vështirë është të ndërtohet një projekt i daljes nga kjo situatë. Për
ta shpjeguar sa më shkurt çfarë ka ndodhur e për të dalë në disa propozimet se
çfarë duhet bërë do t’i referohem metaforës me ndërtesën trekatëshe dhe
bodrumin që kam përdorur para disa kohësh për të përshkruar strukturën e
pushtetit në Shqipëri. Sipas kësaj metafore në katin e parë qëndron biznesi
oligarkik, i të pasuruarve gjatë këtyre viteve duke korruptuar pushtetin
politik. Në katin e dytë qëndron struktura mediatike e ndërtuar nga një pjesa e
këtyre oligarkëve si dhe e sponsorizuar nga pjesa tjetër. Në katin e tretë
qëndron politika, zyrat e pushtetit të maxhoranës dhe opozitës, si dhe disa
dhoma të lidhura me këto zyra ku më të rëndësishmet janë ato të drejtësisë dhe
të shoqërisë civile. E lashë për në fund bodrumin e ndërtesës që popullohet nga
krimi i organizuar dhe çorganizuar.
Bodrumi dhe të tre këta kate, prej kohësh, kanë ndërtuar lidhje
simbiotike me njëri tjetrin nëpërmjet një ashensori dhe shkallëve që i lidhin
lart-poshtë, poshtë-lart. Një herë në tetë vjet ka pasur ndërrim zyrash në katin e tretë ku maxhoranca ka shkuar në
zyrat e opozitës dhe opozita në zyrat e mazhorfancës ndërkohë që katet poshtë
thjesht janë rritur e forcuar.
Cili është përkeqësimi dramatik që ka sjellë qeverisja e Rilindjes?
Për shkak të vetë prirjes së këtij sistemi, të pakësimit të parave të ligjshme
që ka hedhur në qarkullim emigracioni si dhe politika nëpërmjet borxheve të
jashtëme ashtu sikurse edhe për shkak se në krye të qeverisë ka ardhur një
njeri që nuk njeh asnjë skrupull moral për të arritur qëllimet e veta, qeveria
Rama ia hapi portat bodrumit si anjëherë më parë. Kështu forcimi i lidhjes së
bodrumit me pushtetin bëri që të vihet në krye të Ministrisë së Brendshme një bandit
i lidhur ngushtë me një bande të rrezikshme trafikimi droge si Tahiri që ka
vënë pastaj krejt strukturat e policinë
në shërbim të trafikimit.
Kur ke parasysh edhe futjen e një numri kriminelësh në
Parlament dhe në krye të disa bashkive të vendit bëhet e qartë se kjo është një
strategji kapjeje dhe mbajtjeje pushteti e menduar me gjakftohtësi kriminale.
Më duket e tepërt të flas për pasojat dhe dëmet e pariparueshme
që na ka sjellë ky sistem pushteti. Njerëzit që duan të ikin nga ky vend me çdo
mjet dhe kriminelët që vrasin njëri tjetrin përditë nëpër rrugët e Shqipërisë janë shfaqjet më ekstreme
dhe më të dukshme. Mes këtyre ekstremeve qëndron një masë e madhe njerëzish
gjithnjë e më e dorëzuar, depersonalizuar e më bashkëpunëtore me këtë mafje në
pushtet, që të kujton nënshtrimin ndaj regjimit të kaluar.
Por falë faktit se Shqipëria është gjithsesi shumë më e
lidhur me botën se në atë kohë, megjithë izolimin propagandistik që ka bërë
Rama duke blerë gazetarë dhe diplomatë të huaj, skandali Tahiri që erdhi nga
Italia ka hedhur së fundmi një rreze e drite që na ndriçoi e na bëri të
kujtojmë fjalët e Falcones: “Mafja nuk është e pamposhtëshme, ajo është një produkt
njerëzor dhe si çdo produkt njerëzoj ka një fillim dhe do të ketë edhe një
fund”. Sot po flitet për fundin e pashmangshëm të kësaj mënyre qeverisjeje. Opozita
që dukej e destinuar t’i bënte thjesht fasadën demokratike kësaj mafjeje në
pushtet, u bë sërish aktive.
Por loja nuk është mbyllur dhe këtu madje ngrihet një
çështje e madhe. Edhe sikur të mjaftojë denoncimi i këtij realiteti që tashmë
çdokush e ka të qartë për të hequr këtë qeveri; edhe sikur të mjaftojë sqarimi
i të huajve për ta kryer këtë, a mjafton kaq për të luftuar të keqen që na ka
pllakosur? Sipas meje jo. Gjykoj se problemi i problemeve është se si të ndërtohet
alternativa e besueshme që duhet të zëvendësojë këtë qeveri, që sipas meje do
të thotë ndërtimi i projektit se si të shkatërrohet ngrehina tre katëshe e
pushtetit që përmenda në mënyrë që sejcili prej kateve të saj të funksionojë i ndarë si pushtet nga njeri tjetri në vendin
që i takon në një demokraci.
Nuk pretendoj të bëj me këtë shkrim një program por po hedh
vetëm disa pika që më duken kyçe.
Transformi i
politikës
E para gjë që duhet programuar është shkatërrimi i
shkallëve dhe ashensorit që lidh katet e politikës me katet e poshtëme të
ndërtesës. Për këtë duhet ndryshimi i njerëzve që udhëheqin politikën dhe
ardhja e atyre që kanë vullnetin politik për t’i ndërprerë këto lidhje
kriminale.
Një politikë e çliruar nga këto lidhje do të ndihmonte
kryerejen e shkatërrimeve dhe zhvendosjeve të tjera
Shkatërrimi i krimit
të organizuar
Po të izolohen njerëzit e bodrumit nga politika, çka
nënkupton mbrojtjen që ajo u ka dhënë, mundësinë për të investuar paratë e
pista, lidhjet me policinë etj. është shumë më e lehtë që ata të çohen atje ku
e kanë vendin: në burg.
Transformimi i
ekonomisë
Kjo është sfida më e vështirë, duke patur parasysh
ndërthurjet e narkoekonomisë së bodrumit me ekonominë e korrupsionit të
oligarkëve të katit të parë, ashtu sikurse edhe me ekonomia e shëndoshë. Kjo
sfidë duhet të njohë programimin e dy planeve të veprimit:
Njëri plan është pikërisht ai i ndarjes së ekonomive
kriminale nga ekonomitë e shëndosha duke luftuar të parat dhe duke u dhënë
mbështetje këtyre të fundit.
Plani tjetër është programimi i transformimit të ekonomisë korruptive
dhe monopoliste të oligarkëve, që nuk mund të bëjnë biznes pa favoret dhe
bashkëpunimin me politikën apo pa keqpërdorimin e mediave, në një ekonomi ku
suksesin apo mbijetesën e siguron gara në
një treg vërtet të lirë.
Sigurisht kjo nënkupton edhe ndryshimin e krejt politikave
të stimulimit të ekonomisë, transformimin e saj nga një ekonomi i riciklimit të
parave të pista e përqendruar kryesisht në ndërtime dhe çimentifikime në një
ekonomi të qëndrueshme të bazuar mbi
punën e ndershme.
Transformimi i
mediave
Transformimi i ekonomisë vështirë se mund të kryhet pa transformimin
e mediave që funksionojnë për t’i shërbyer oligarkëve dhe shtetit mafjoz të
kapur prej tyre në media që i shërbejnë publikut.
Sikur të mos kishte qenë vullneti i mbrapshtë i klasës
politike që i ka keqpërdorur mediat private në bashkëpunim me pronarët oligarkë
për qëllime keqinformimi dhe manipulimi të publikut (kampioni i kësaj ka qenë pikërisht
Edi Rama) shumë syresh nuk do të ekzistonin sepse nuk do të ishin në treg. Po
ashtu edhe televizioni publik nuk do të keqpërdorej nga pushteti. Projekti, që
sëndërtohet dot pa vullnetin e mirë politik, duhet të parashikojë ndërtimin e
një televizioni vërtet publik që nuk kontrollohet nga qeveria dhe futjen e
privatëve në konkurencë të ndershme për t’i mbijetuar tregut.
Ndarja nga lidhjet
me pushtetin e drejtësisë
Ka ardhur koha më në
fund që zyrat e drejtësisë të dalin në një ndërtesë më vete pa lidhje me
paradhomat e politikës. Kuptohet se një drejtësi e tillë nuk mund të ndërtohet
pa mbështetjen dhe kontrollin e mediave vërtet të lira e në shërbim të publikut
dhe pa mbështetjen dhe kontrolin e një shoqërie civile të pa kapur nga pushteti
sikurse është kjo që kemi. Pikërisht për këtë duhet urgjentisht të mendohet
edhe për ndarjen e zyrave të shoqërisë civile nga zyrat e pushteti.
Detyra e opozitës dhe e çdo opozitari, krahas denoncimit,
informimit për çka po ndodh dhe mbështetjes së prokurorisë për të thelluar
hetimet mbi kapjen e shtetit nga krimi sot është edhe hartimi i një projekti të
tillë të besueshëm. Nëse mbetemi tek denoncimi dhe tek pritja e ndërhyrjes së
të huajve kundër kësaj qeverie, ka shumë gjasa që të asistojmë thjeshtë në
kryerjen e rotacionit të rradhës në katin e tretë, duke mbetur përsëri viktima
të banorëve të bodrumit dhe të kateve të kateve të poshtëme të së njëjtës
ndërtesë të së keqes që përshkrova. (Panorama, 7 nëntor 2017)
No comments:
Post a Comment