Pas ngjarjeve të
fundit me trafikun e drogës, që flasin për një përshkallëzim serioz të
fenomenit, si dhe instrumentalizimin nga opozita që po na thërret të ngrihemi
në këmbë, a thua se na ka ardhur sot bajlozi nga deti kur ai ka qenë i shtruar
këmbëkryq këtu prej vitesh, disa kritikë brenda maxhorancës – si Ben Blushi
psh. – kanë hedhur idenë se qeveria duhet të veprojë duke ndërhyrë në Lazarat.
Kjo do të ishte, sipas tyre, edhe prova se qeveria nuk është e përfshirë në
trafikun e drogës.
Duket se nuk ka arsyetim
më bindës. Ky do të ishte një operacion që do t’i rriste lart kuotat e
qeverisë. Ndërkaq, nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm,
qëndrimet janë të kujdesshme. Ata premtojnë për një ndërhyrje, por,… “në kohën
e duhur”.
Pse ky hezitim,
ndërkohë që ta do mendja se maxhoranca, që kur ishte në opozitë dhe premtonte
rilindje, do të duhej ta kishte pasur një plan të qartë për trajtimin e kësaj
plage?
Sipas meje një
shpjegim i këtij “kujdesi” gjendet në argumentet që dëgjon, edhe nga goja e lazaratasve,
se industria e drogës mban me bukë shumicën e familjeve të Jugut. Se nuk janë
vetëm banorët e Lazaratit që ushqehen me shitjen 200 euro kg. të kanabisit që
kultivohet aty, por edhe familjet e atyre që punojnë me sezone në Lazarat, edhe
ata që punojnë në bizneset dhe punët e tjera që kanë këta. Pastaj janë edhe trafikantët
që kanë ngritur rrjetin e transportimit të drogës nga Lazarati në Evropë që
marrin pjesën e luanit: (thuhet se kjo është 4000 - 200 =3800 euro për kilogram).
Dihet se këta kanë investuar; kështu që duhet të llogarisim edhe ata që punojnë
në restorantet, hotelet, ndërtimet, dyqanet,
pikat e karburantit – kryesisht vetëm shërbime – që kanë hapur këta për
të pastruar paratë e pista. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se, pa paranë e
gjithë këtyre, do të falimentonin edhe shumë biznese jo të pista, si psh.
dyqanet e mallrave të ndryshme, apo klinika private shëndetësore e dentare etj.
që i kanë klientë njerëzit që ushqehen direkt apo indirekt nga trafiku. Por
edhe bankat që ruajnë paratë e tyre
duhen llogaritur. Jo vetëm, por, për rrjedhojë, edhe vetë taksat që mbledh
shteti për të mbajtur administratën do të pakësoheshin. Prandaj, kujdes, të
thonë…ndërhyrja në Lazarat do të ishte si operacioni i një tumori malinj, që do
të krijonte hemorragji të madhe dhe që, po ashtu, do të lëshonte metastazat e
tij tjetërkund, në mënyrë edhe më agresive.
Në të vërtetë pyetja
që shtrohet është se cila është vatra e tumorit. Personalisht mbroj tezën se
kemi të bëjmë me një tumor që është zhvilluar si rezultat i një mutacioni të
sistemit kapitalist që kemi importuar nga ndërhyrja në të e virusit shqiptar. Me
“virus shqiptar” kam parasysh si nevojën e mbijetesës së një shoqërie që doli
nga diktatura me një ekonomi të mbaruar, prandaj dhe krejtësisht të paaftë për
të garuar në tregun e lirë botëror, aq edhe kulturën e pasurimit të shpejtë, me
çdo mjet, që u përhap gjatë këtyre njëzet vjetëve me një shpejtësi galopante.
Në këtë kuptim tumori i drogës është vetëm një nënvariant i këtij tumori të
madh. Edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare, edhe shkatërrimi i territorit e i natyrës me
çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe stërmbushja
e kastravecëve me pesticide edhe… edhe… janë variante të ndryshme të
manifestimit të këtij tumori.
Për të vazhduar
arsyetimin duhet thënë se kjo ekonomi kriminale ka, si faqe tjetër të medaljes,
politikën dhe shtetin kriminal. Avioni që mbeti në Divjakë është vetëm maja e ajsbergut
e këtij fenomeni. Në rastin e drogës psh. duhet të kemi parasysh se paraja e
pisët ushqen, duke i helmuar, edhe strukturat shtetërore. Ka shumë burime që
flasin për lidhje të trafikantëve dhe të parasë së tyre me shtetin, që nga ato
me policët dhe shefat e tyre, përgjegjës për të kontrolluar rrugët e
territorin, deri lart në partitë politike dhe institucionet shtetërore ku droga ngjitet nëpërmjet rrugësh të njohura
dhe të panjohura, në pikën sa nuk dallohet më se ku mbaron krimi i organizuar
dhe ku fillon politika dhe shteti.
Dhe këtu unë gjej
shpjegimin e dytë të “kujdesit’ të qeverisë ndaj ndërhyrjes në Lazarat. Ideja
se shteti është një gjë dhe krimi i organizuar një gjë tjetër nuk qëndron në rastin
Shqipëri. Në Shqipëri nuk mund të flitet, madje, as për segmente të krimit që
kanë kapur segmente të shtetit. Krimi dhe shteti në Shqipëri janë në simbiozë,
me çka nuk dua të them që çdo shtetar merret me krim, por se ata nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa
lidhjet direkt apo indirekt me krimin. Se, në një rreth vicioz, më një anë
krimi buron nga një sistem i helmuar politiko – ekonomiko - mediatik dhe, më
anë tjetër, ky sistem kriminal gjeneron krim.
Në këto kushte për
ndërhyrjen në Lazarat mund ta përdorja atë metaforën sipas së cilës qeveria nuk
mund ta luftojnë krimin sepse kjo do të thotë të presë degën e pemës mbi të
cilën qëndron. Por kjo metaforë mund të kthehet edhe kokëposhtë e të thuhet se
krimi nuk është pema, por është fryti që lind e rritet në pemën monstër të sistemit
politiko – ekonomiko - mediatik që kemi ngritur. Dhe prandaj çështja se kush
duhet “prerë” bëhet edhe më e ngatërruar sepse, në fakt, bëhet fjalë për
çrrënjosje, gjë që s’i intereson as krimit dhe as pushtetit, në fakt
krimpushtetit.
Në këto kushte, sipas
meje, e vetmja rrugë që ka qeveria është të bëjë sikur po e lufton krimin, gjithë
duke vazhduar të ushqehet nga krimi. Duket se ky është shpjegimi më i thellë i “kujdesit”
që po tregon qeveria për të ndërhyrë në Lazarat: duhet të kryhet një operacion
që do të ketë sa më shumë efekt të jashtëm pa krijuar “hemorragji” të brendshme.
Në fakt një nga detyrat më të rëndësishme që kanë politikanët tanë dhe mediet
në shërbim të tyre, për të cilën paguhen shumë herë më tepër nga krimi sesa nga
paratë publike, është pikërisht krijimi i kësaj fasade. Në këtë lojë hyn edhe
teatri maxhorancë opozitë që luhet sa në Parlament e sheshe aq edhe në mediet. Ndërrimi i roleve në skenat me greva urie dhe
çadra pranë Kryeministrisë është shprehja më e padurueshme e këtij spektakli që
nuk emocionin më jo vetëm shqiptarët, por as ndërkombëtarët.
Dy fjalë për
zgjidhjen
Në këtë pikë jam i sigurt
që shumë lexues do të kërkojnë atë që ma kanë kërkuar edhe herë të tjera:
zgjidhjen. Mund edhe të më thonë se, duke e përgjithësuar kaq shumë problemin,
e fshiva problemin, prandaj gjërat le t’i marrim me radhë. Një operacion në Lazarat,
që do të ndërpriste prodhimin e drogës atje, do të ishte një sinjal i fortë
edhe në kokën e çdo shqiptari se ka ardhur koha të mendojnë ndryshe lidhur me pasurimin e shpejtë
e me rrugë kriminale. Jo, me këtë shkrim
nuk dua të them se nuk duhet bërë operacioni në Lazarat, por se ky, edhe po u
bë, do të jetë një operacion imazhi, që s’duhet të na mashtrojë e se, prandaj,
duhet të kërkojmë diçka më të thellë.
Sipas meje zgjidhja
duket kërkuar duke qenë të qartë më së pari për tërë kompleksitetin e
sëmundjes, si dhe per faktin se kemi një maxhorancë, opozitë dhe medie në
shërbim të tyre që punojnë çdo ditë me sloganin “të ndryshojë gjithshka që të
mos ndryshojë asgjë”, pra që nuk kërkojnë
zgjidhje, por vetëm pushtet.
Në kërkim të zgjidhjes po i referohem një ideje që solli
gazetari investigativ, njohës shumë i mirë i lidhjes së krimit të organizuar me
politikën në Ballkan, Drew Sullivan në intervistën e tij në Shqip të Rudina
Xhungës. Ai e krahasoi Shqipërinë me Çikagon në kohën e Al Capones kur ky ishte
aq i fuqishëm saqë, me paratë e tij, mund të blinte politikanët, gjyqtarët,
hetuesit, policinë, gazetarët dhe të sundonte pa u prekur. Mënyra që u gjet për
ta çrrënjosur këtë sistem në Çikago ishte ndërhyrja nga jashtë. Pra, në atë
rast, ishte qeveria federale e SHBA që emëroi disa të paprekshëm dhe të
pakorruptueshëm nga sistemi që vepruan për shembjen e tij.
Problemi tek ne
është se çfarë mund të bëhet në një vend
i cili është i gjithi Çikago e Al Capones. Nuk mund të reshtim së kërkuari nga
njerëzit, veçanërisht nga të rinjtë, kurajë për ta sfiduar këtë sistem nga
brenda, por, për të qenë realistë, në një vend që është i gjithi Çikago ndodh
një proces paradoksal: sa më shumë që njerëzit ndërgjegjësohen për të keqen që
i ka zënë aq më të pafuqishëm ndjehen ndaj saj dhe aq më të prirur i sheh t’i
nënshtrohen asaj për shkak të kësaj pafuqie. Situata, në thelb, është e
ngjashme me regjimin komunist: njerëzit ishin thuajse të gjithë të vetëdijshëm
se ai sistem ishte kundër tyre, por të gjithë punonin për të. E vetmja gjë që
prisnin shqiptarët ishte një ndërhyrje nga jashtë që t’i shpëtonte dhe, po
ashtu, një zgjidhje individuale: të iknin nga ai vend për të jetuar në një vend
normal.
Në fakt zgjidhja “nga
jashtë” për të cilët flet Sullivan tregon se sa e vështirë është gjetja e një
zgjidhjeje nga brenda në kushte të tilla. Edhe regjimet komuniste nuk do të
kishin rënë pa luftën e ftohtë nga jashtë që sigurisht u kombinua edhe me një
rezistencë nga brenda. Në Shqipëri zgjidhja erdhi në formën më të keqe sepse
rezistenca nga brenda ishte më e dobëta. Virusi shqiptar që prodhoi tumorin që
po na mbyt erdhi pikërisht prej kësaj. Edhe ky tumor, sistem i krimit të
organizuar që ka kapur shtetin, nuk mund të bjerë pa ndihmën nga jashtë – e në
këtë aspekt ndërkombëtarët duhet të mendojnë më seriozisht, sipas meje. për politika
më efikase. Por, ndërkaq, sa më e fortë të jetë rezistenca nga brenda aq më
shpresa ka që zgjidhja që do të vijë më pas të jetë më e mirë. (Panorama, 29 maj 2014)
No comments:
Post a Comment