Tuesday, May 20, 2014

Harrojeni teorinë e të keqes më të vogël

Kam kohë që mbroj tezën se dy partitë kryesore PS dhe PD (si dhe LSI, herë si përbërëse e një maxhorance dhe herë e tjetrës) sillen në vend si banda, ose, po të doni, edhe si organizata kriminale dhe se sistemi që kemi ngritur, më shumë sesa demokraci, meriton të quhet bandokraci. Sot shtroj pyetjen: a nuk ishte debati parlamentar i të enjtes, më 15 maj, mbi ngjarjen e trafikut të drogës me avion prova më e mirë e kësaj? Për mua mjafton vetëm të bashkosh dy gjysmë të vërtetat: faktet dhe argumentet bindëse që thanë për njëra tjetrën deputetët e dy partive kryesore si dhe liderët e tyre. Kjo vlen edhe për gjysmagjelat e gazetarisë, që s’reshtin së manipuluari faktet në mbështetje të njërës bandë apo tjetrës. Ndërkaq, ajo që bije në sy, duke ndjekur akuzat e ndërsjella, është se njerëzit janë mësuar aq shumë me luftën e këtyre dy gjysmagjelave saqë e “shijojnë” spektaklin pa ngritur një pyetje elementare: si ka mundësi që në tërë atë parlament nuk ka një po një deputet të vetëm, që të dalë dhe tu thotë se që të dyja akuzat janë të vërteta prandaj që të dy palët janë për tu dërguar jo “në shtëpi”, siç tha Lulzim Basha për Edi Ramën, por në burg. Dhe ju siguroj unë se ky është mendimi i shumicës së shqiptarëve.
E pra, a mund të quhet demokratik një vend në Parlamentin e në mediet e të cilit nuk përfaqësohet mendimi që ka shumica e shqiptarëve  lidhur me partitë që sundojnë vendin? Jo, ky teatër parlamentar me gjysmë të vërteta, i shfaqur direkt edhe në mediet e tyre, është një gënjeshtër e madhe që të kujton përkufizimin e ideologjisë së diktaturës komuniste nga Solzhenjicini si një “gënjeshtër e madhe” që sundon vendin.
Tani, imagjinoni të dashur lexues një situatë hipotetike sikur të dilte një deputet “i çmendur”nga radhët e këtyre tre partive dhe të fillonte të denonconte këtë gënjeshtër të madhe; të akuzonte të dy palët duke u thënë se edhe ato që thotë njëra palë edhe ato që thotë tjetra janë të vërteta. Reagimi i parë do të ishte çudia dhe me shumë gjasa edhe injorimi. Askush nuk do t’i përgjigjej e nuk do të merrej me të. Sikur ky të ngulmonte me shumë gjasa edhe do ta çonin në psikiatri si të çmendur. Imagjinoni pastaj sikur të ndodhte që në një seancë tjetër të mos dilte një, por dy tre “të çmendur” si ai. Me shumë gjasa do të vazhdonte injorimi, por ndoshta duke u përzierë me ndonjë tallje, si ajo që bëri Rama kur i tha opozitës se i dukeshin mushkonjat aeroplanë. Po çfarë do të ndodhte sikur, nga dy tre, këta të mund të bëheshin ndonja gjashtë, a shtatë, a dhjetë? Jua them unë: do të përpiqeshin t’i blinin.  Po sikur, mos o zot, këta të mos pranonin të bliheshin nga asnjëra palë, por të vazhdonin t’i akuzonin të dy palët si banda edhe pas kësaj? Atëherë të dy bandat do ta ndërprisnin luftën me njëra tjetrën dhe do të fillonin të merreshin me ta: do t’i luftonin me ç’të mundnin. Edhe të vdekurit nga varri do tua nxirrnin për t’i luftuar e poshtëruar dhe asgjësuar. Dhe këtu po hap një parantezë. Si mendon ti i dashur lexues, a mund të ndodhë që dy banda kriminale të bien dakord për të ndërprerë luftën me njëra tjetrën dhe për të thërritur gjykatës të paanshëm që të vlerësojnë se kush janë kriminel midis tyre – sikurse shpresojnë evropianët që do të na japin statusin në qershor, e që, për këtë, kërkojnë bashkëpunimin e tyre? Sipas meje, po të vijë puna që dikush brenda tyre të kërkojë prokurorë e gjykatës që të zbulojnë e dënojnë kriminelët në të dy krahët, ato do të bëhen bashkë, sepse një gjë e tillë është kundër logjikës të funksionimit të bandave kriminale sipas të cilit ligjin, të drejtën dhe të vërtetën e bën më i forti. Ja pse nuk ka shans të funksionojë drejtësia në këtë vend. Ajo ideja që kanë perëndimorët dhe që mbisundon në ideologjinë e gënjeshtrës sonë të madhe se demokracia do të ecë në këtë vend duke u shtrënguar vidat e shtetit ligjor dalëngadalë do të funksiononte sikur të kishte drejtësi dhe media të pavarura, që, rast pas rasti, do të pastronin të keqen, sëmundjen duke i nxjerrë jashtë parlamentit dhe punëve publike të korruptuarit dhe duke dhënë edhe një mësim për të tjerët. Dhe në këtë pikë të argumentimit më duhet të ve në dyshim atë që kam thënë më parë “më mirë dy banda se një bandë” duke sjellë si argument psh. faktin se ngjarjet e trafikimit të drogës me avion me bekimin dhe mbulimin e maxhorancës nuk do të mund t’i mësonim e as do të guxonim t’i thonim ndoshta sikur të mos ekzistonte banda e opozitës. Por  ekzistenca e dy bandave ka edhe një të keqe të madhe, sepse krijon iluzionin, gënjeshtrën, se mund  të mbështetemi tek njëra, ajo më pak e keqja, kundër më të keqes. Mirëpo përvoja ka treguar se opozita, si më pak e keqja, lufton jo kundër të keqes për interesa të shqiptarëve, por për interesin e vet sipas parimit të përdorimit të çdo mjeti e qelbësire për të arritur qëllimin. Dhe, sikurse thonë burime shumë të besueshme, duke u ndjekur ky parim, në Parlamentin tonë kanë hyrë deri edhe vrasës, me bekimin e kryetarëve, të cilët kanë lënë jashtë të ndershmit me arsyetimin se këta “të fortë” sigurojnë dhe mbrojnë votën. E pra një parlament me vrasës (se për njerëz të lidhur me trafikimet kjo s’diskutohet) as që u shkonte ndërmend shqiptarëve se mund të ndodhte dhjetë vjet më parë. Madje kam dëgjuar edhe deputetë të më thonë se u vjen turp që janë në atë Parlament me njerëz të atillë. Në këtë kushte a  mund të thuhet se jemi në një proces shtrëngimi vidash të shteti ligjor që po ecën përpara? Për mua vidat janë llaskuar me kohë, madje u janë zhdukur edhe vjaskat. Prandaj duhet ta harrojmë teorinë e së keqes më të vogël. Historia me avionin e drogës tregoi dy gjëra në këtë drejtim: e para, se që të dy të këqijat sa vjen e po përkeqësohen; dhe, e dyta, se e keqja më e vogël sa vjen në pushtet bëhet e keqja më e madhe. Dhe ka një arsye shumë të thjeshtë për këtë të dytën. Sepse sistemi i lidhjes me krimin që kanë ndërtua këto parti është i tillë që i krijon mundësi më të madhe grabitjeje atij që ka maxhorancën. Ja pse opozita nga e keqja më e vogël që kontrollonte 30 - 40 përqind të "territorit" të përfitimeve kur bëhet maxhorancë grabit 60-70 përqind duke u bërë shumë shpjet e keqja më e madhe.
E pra, që të kthehemi tek historia jonë hipotetike: çfarë do të ndodhte sikur ata shtatë, tetë apo dhjetë deputetë që përmenda unë, të mbështetur nga ndonja shtatë, tete apo dhjetë gazetarë t’i rezistonin edhe luftës së dy bandave e të vazhdonin t’i denonconin ato dmth. të mos frenoheshin në stadin e blerjes apo frikës por të vazhdonin luftën? Do të ktheheshin shumë shpejt në heronj, shpëtimtarë, ndonjëri edhe i vdekur sigurisht, që do të ndiqeshin menjëherë nga turma njerëzish të frymëzuar, që mezi e presin një moment të tillë, dhe do të bëheshin shumë shpejt aq të fortë sa do të fitonin.
E ndërtova këtë histori hipotetike duke iu referuar thënies së një fitimtari të tillë: Gandit i cili thotë: “Në fillim të injorojnë, pastaj të tallin, pastaj të luftojnë dhe pastaj fiton.” (Panorama, 20 maj 2014)
    

No comments: