Me rastin e 5 majit u rihapën debatet mbi Luftën
Nacional-Çlirimtare. Shkak u bë një foto fëmijësh që, të vendosur secili në një
nga varret e dëshmorëve të Përmetit, nderonin me grusht: sipas disave me
simbolin e Luftës Nacional - Çlirimtare; sipas të tjerëve me simbolin e
regjimit të Enver Hoxhë dhe të vetë diktatorit. Kësaj ngjarjeje iu shtua edhe
një foto ku tregohet një fotografi e Enver Hoxhës e vendosur në një lapidar tek
i cili shkoi të bëjë nderime ministri aktual i drejtësisë. Dhe e gjithë kjo ndërkohë
që, nga partitë në pushtet PS dhe LSI, është shtuar zhurma e përgatitjeve për festimin me madhështi
të 70 vjetorit të çlirimit që bije më 29 nëntor të këtij viti. Gjykoj se përpara
se të përgatisë këto festime maxhoranca duhet të mendojnë një çikë më thellë për
atë nëse duhet festuar apo jo dita e ashtuquajtur "e çlirimit"; se
mos do të ishte më mirë që të hollat e festës të shpenzoheshin që Lufta të
studiohet e të njihet më mirë në kompleksitetin saj me çka kuptoj edhe dekonstruktimin e mitit të Luftës si
mit themeltar i pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës. Personalisht jam për këtë
të dytën dhe më poshtë po rendis argumentin kryesor që s'është i vetmi.
Sipas gjykimit tim në bazë të problematikës nëse duhet
festuar apo jo sot nga të gjithë shqiptarët e ashtuquajtura "festë e çlirimit"
ka një truk që ka filluar që me Luftën vetë dhe emërimin e saj e që nuk është
denoncuar sa duhet qëllimisht edhe sot. Truku qëndron në përdorimin e dy
ideologjive që ka përdorur pushteti i Enver Hoxhës si instrumente të pushtetit:
asaj nacionaliste dhe asaj komuniste dhe në moskthjellimin si duhet të këtij
fakti. Sikurse dihet Lufta filloi me emrin Nacional - Çlirimtare, sipas
shembullit të Stalinit që e quajti "Patriotike" luftën kundër gjermanëve,
megjithëse kishte mbi njëzet vjet që, medemek, ndërtonte sistemin më të lumtur
në botë dhe prandaj ta donte logjika që ta quante "Lufta për
Socializmin". Kjo u bë sepse, ajme, mu për shkak të dështimeve dhe të
krimeve që kishte bërë, ai e dinte se patriotizmi mund të bashkonte me shumë
sesa komunizmi. Edhe në luftën tonë Nacional - Çlirimtare qoftë rinia qoftë më
të moshuarit u bashkuan më së shumti në bazë të kësaj ndjenje dhe deri më 1943,
kur kapitulloi Italia fashiste, shumica e shqiptarëve ishin bashkë: si komunistët,
si ballistë si legalistët.
Por, sipas planeve të komunistëve, lufta nuk do të
mbaronte si një luftë patriotike, por si një revolucion që do të përmbyste
borgjezinë dhe do të vendoste diktaturën e proletariatit. Dhe e vërteta është
se që nga fundi i vitit 1943 deri në nëntor 1944 Lufta mori gjithnjë e më shumë
trajtat e një vëllavrasjeje apo lufte civile që më shumë sesa çlirim nga pushtuesit - të cilët u mundën
jo për shkak të rezistencës së brendshme, por për shkak të situatës që u krijua
prej tyre në krejt frontin e luftës - solli triumfin e komunistëve që vendosën
diktaturën e proletariatit duke filluar menjëherë edhe goditjen dhe shfarosjen
e klasave të tjera.
Këta fitimtarë ndërtuan pastaj dhe historinë edhe
mitin e Luftës, duke instrumentalizuar edhe gjakun e idealistëve të rënë, në
funksion të pushtetit të tyre. Nëpërmjet një loje propagandistike, për të cilën
vunë në shërbim propagandën e mirënjohur të masave, shtypin, sistemin arsimor,
shkrimtarë, artistë, muzikantë regjisorë etj. ata e paraqitën luftën si një vepër
ekskluzivisht të tyren dhe po ashtu, sipas kësaj propagande, që zgjati 45 vjet,
shqiptarëve u thuhej përditë se Lufta u kishte sjellë dy çlirime të mëdha të pandashme nga njëri tjetri:
nga pushtuesi dhe nga klasat shfrytëzuese. Pra, duke filluar që nga 1944 - në
propagandën e Hoxhës u kultivua dhe u monopolizua dhe retorika komuniste edhe
ajo nacionaliste duke i etiketuar kundërshtarët e tyre jo vetëm si armiq të
partisë e socializmit, por edhe të popullit edhe të atdheut. Po tel cili armik
dhe cili çlirim vihej theksi? Sipas meje këtë e tregon zhvendosja e datës më të
rëndësishme historike të shqiptarëve. Deri në ardhjen e komunistëve në pushtet
data më e rëndësishme ishte 28 nëntori, shpallja e pavarësisë. Me ardhjen e
tyre në pushtet data më e rëndësishme u bë 29 nëntori që, si ditë çlirimi, nuk
mund të ishte kurrsesi më e rëndësishme sesa dita e pavarësisë, por ajo bëhej e
tillë si data e triumfit të revolucionit të tyre që do të hapte epokën e re në
historinë e popullit shqiptar ngjashëm me ditën e Revolucionit të Tetorit që
ishte data më e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik. Po të shfletosh dokumentet dhe literaturën e kohës ky theks është
mëse i qartë.
Ajo që "harrohet" më së shumti në kohën e
sotme është pikërisht ky aspekt i dytë i propagandimit të Luftës dhe të asaj që
quhet "dita e çlirimit": se ajo pra është përjetuar dhe përkujtuar
nga shqiptarët, për mirë dhe për keq, më së shumti si dita e triumfit të
revolucionit që solli në pushtet një parti që, ajme, qysh në atë kohë zërat më
kritikë brenda saj, si Sejfulla Malëshova, kishin filluar ta quanin "bandë
kriminale". Dhe ç'është më tragjikja këta banditë ishin luftëtarët e kësaj
Lufte dhe viktimat e këtyre banditëve ishin edhe ata shqiptarët ndër të cilët
edhe shumë pjesëtarë të kësaj Lufte. Kjo e bën shumë të ndryshme Luftën dhe përkujtimin
e ditës së mbarimit të saj nga vende të tjera që, pas Luftës II, patën sisteme
demokratike ku festat e lidhura me Luftën e II-të përkujtohen si momente që
bashkojnë shumicën e banorëve në diversitetin e tyre. Në Itali psh. 25 prillin 1945 e përkujtojnë si ish komunistët e
socialistët edhe ish demokristianët. Kujtoj po ashtu se në një vend si Greqia përkujton
si festë kombëtare 28 tetorin 1940 kur Metaksa refuzoi ultimatumin italian dhe
u rreshtua në anën e aleatëve çka ka bashkuar dhe bashkon dhe komunisttë edhe
nacionalistët grekë të asaj kohe e më vonë e pasardhësit e tyre. Për fat të keq
Lufta jonë i ka ndarë shqiptarët më dysh mu për shkak se ajo shërbeu, më shumë
sesa për çlirimin e atdheut, si
revolucion në emër të vendosjes së një sistemi që rezultoi i gabuar dhe tragjik
për shqiptarët.
Prandaj sot nuk mund të mos shtrohet pyetja: a duhet përkujtuar
mbarimi Luftës si ditë e çlirimit dhe prandaj duhet festuar apo duhet përkujtuar
si dita e vendosjes së regjimit më të egër që kanë provuar ndonjëherë shqiptarët
në historinë e tyre me pasoja të pariparueshme që vazhdojnë edhe sot?
Mendimi im është se ajo mund të festohet vetëm
nga ata që, për një arsye apo për një tjetër, nuk janë ndërgjegjësuar për të
keqen që kemi kaluar nga protagonistët e Luftës, por kurrsesi nga shumica e
shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë mendoj se ajo që duhet bërë nuk është
festimi, por përpjekja për ta njohur e studiuar në kompleksitetin e saj për të
kuptuar më mirë se si kemi qenë dhe si jemi. (Panorama, 10 maj 2014)
No comments:
Post a Comment