Edi
Rama ka dalë në fushatë elektorale dhe po kërkon maksimumin e votave me një
argument që po e përsërit nga televisioni në television dhe nga mitingu në
miting. Sipas tij janë partitë e vogla (e ka fjalën për LSI kryesisht, por edhe
PDIU, PPDNJ etj.) që nuk e kanë lënë të bëjë shtet me institucione dhe
administratë funksionale sepse ato imponojnë « sistemin e tepsisë » siç e quan ai. Ky sistem -
sipas tij i ndërtuar që prej 25 vjetësh - konsiston në shantazhimin e kryeministrit
të zgjedhur si kryetar i partisë së madhe nëpërmjet kërkesave klientelare të të
voglave të cilat, përndryshe, nuk e lenë të qeverisë. Dhe kështu, sipas Ramës, e keqja hyn në
administratë e mbetet brenda. Prandaj thotë ai, kësaj here mos i votoni ato,
por votoni partinë time, që do t’ju ndërtojë më të mirën e administratave, për
të dalë pastaj në një sistem bipolar, ku të dini se kë të ndëshkoni pasi të
qeveris unë edhe katër vjet të tjera. Duket se në këtë hulli arsyetimi qëndron
pakti që ka bërë me Lulzim Bashën për të pastruar partitë e vogla nga jeta
politike e vendit.
E
kanë akuzuaar se nuk ka program. Në fakt ky është programi elektoral i Ramës.
Ky
argument elektoral mban era mashtrim që nga shumë larg, por, si të gjitha
mashtrimet, e ka një pikë të vërtete ku Rama e ka mbështeteur levën për tua
hedhur edhe një herë shqiptarëve: partitë e vogla vërtet kanë vepruar kështu.
Por ama e vërteta e kësaj mënyre të vepruari është shumë më e madhe se sa kaq.
Le të jap vetëm ndonjë argument që e nxjerr zhveshur gënjeshtrën e Edi Ramën.
Argumenti
historik
Rama
gënjen kur thotë (siç tha tek « Të paekspozuaarit » se « sistemi
i tepsisë » ka funksioniuar kështu që prej 25 vjetësh. E vërteta është se
në kohën e Berishës së parë ky pati mundësi të qeverisë vetëm dhe e keqja nuk
erdhi nga partitë e vogla, por nga pushteti i madh i së madhes dhe të kryetarit
të saj. E njëjta gjë mund të thuhet për qeverisjen e socialistëve 1997 – 2005.
PS-ja në fillim përfshiu në kolacion edhe disa parti të vogla jo nga halli, por
për të zgjeruar bazën e qeverisjes në emër të ndërtimit të një shteti. Nëse
punët filluan të degradojnë kjo nuk ndodhi për shkak të partive të vogla, por
për shkak të partisë së madhe dhe kryetarit të saj të madh.
E
vërteta historike është se sistemi me parti të vogla që luajnë « king
maker - in ka filluar të bëhet problem për kryeministrat pas marrëveshjes
PD- LSI të vitit 2009 dhe asaj PS – LSI të vitit 2013. Dhe fakti është se
dy lëvizjet e LSI-së janë aprovuar nga shumica e zgjedhësve si formë ndëshkimi
ndaj autoritarizmit dhe arrogancës në rritje të të mëdhave, që është bërë më i
padurueshëm edhe sesa efekti « tepsi».
Argumenti
i qeverisjes Rama
Sadoqë
përpiqet tua hedhë fajin partive të vogla për
keqeverisjen Rama nuk i reziston dot një argumenti që ia kanë evidentuar
mëse një herë. Edhe nëse të voglat në praktikat e tyre kanë punuar sipas
« sistemit të tepsisë », çfarë e ka penguar atë, atje ku e ka pasur
gjithshka në dorë të vet dhe të të vetëve, të funksikonojë ndryshe, në emër të
interesit publik dhe jo të klientelizmit partiak? Sikur ai dhe të vetët të mos
bënin korrupsion, klientelizëm, politika partiake dhe abuzime të ndryshme ky do
të ishte shembulli më i mirë për tu konfrontuar gjatë fushatës me të këqijtë
dhe për të marrë votat e elektoratit të tyre. Por të gjithë e dinë se nuk ka
ndodhur kështu, por e kundërta : se Rama dhe të vetët kanë qenë kampionët
e keqqeverisjes dhe abuzimit gjatë këtyre katër vjetëve. Sjellja e Ramës si
opozitar ndaj « sistemit të tepsisë » po të thellohesh vetëm
fare pak, kuptohet se është në fakt një vetëdenoncim.
Pse
gënjen Rama
Edhe
kësaj here, si në të gjitha komunikimet e tij, Rama po kërkon ta fshehë të
vërtetën dhe ta manipulojë publikun me gënjeshtrën e rradhës duke na servirur
një shkak të rremë të së keqes dhe një kurë të rreme. E keqja e madhe shqiptare
nuk janë partitë e vogla, por kapja e të gjitha partive kryesore dhe, nëpërmjet
tyre e shtetit dhe institucioneve të tij, nga 5% që i quajmë rëndom oligarkë
dhe bosët e krimit. E keqja e madhe nuk qëndron tek ndarja e buxhetit të
rrogave dhe të njerëzve të administratës midis militantëve të njërës parti apo
tjetrës. As tek abuzimet e këtyre njerëzve. Këto janë vetëm një degës e të
keqes së madhe. E keqja e madhe qëndron në masakrimin e parasë publike dhe po
ashtu e territorit dhe pasurisë publike, e burimeve tokësore dhe nëntokësore,
ashtu sikurse edhe turistike të vendit nga 5% që rëndom i quajmë oligarkë dhe
njerëz të krimit. E keqja e madhe nuk është ndarja e tepsisë, por shndërrimi i
Shqipërisë në tepsi dhe kapja e kësaj tepsie nga partitë nëpërmjet lidhjeve të
shkurtëra të politikanëve si Rama me këtë 5% duke anshkaluar institucionet ose
duke i përdorur këta vetëm si fasadë.
Rama
nuk e thotë dot këtë të vërtetë për dy
arësye. E para sepse nëse ka njeri që ka punuar në mënyrë sistematike në
shërbimi të këtij sistemi është ai. Së dyti sepse nuk ka ndërmend ta luftojë,
por ta shfrytëzojë këtë sistem edhe më tej. Në fakt fushata e tij elektorale
është në shërbim të këtij sistemi, por me ndryshimin se ai po synon të verë nën
kontroll të gjithë tepsinë - me shumë gjasa në bashkpunim me oligarkët kryesorë
të 5%-shit të cilët deri dje kanë qenë edhe me PD-në edhe me LSI-në.
Si
e tillë kjo është një zgjedhje e rrezikshme
që është një hap larg predikimit që kanë bërë diktatorët që e fajësonin
demokracinë për mungesë eficense, që i bënin thirrje popullit t’ia jepnin të
gjithë pushtetet atyre sepse ata dhe vetëm ata do të bëheshin garant të
mbrojtjes së interesave të tyre. Musolini psh. e përkufizonte regjimin fashist
si aleancë e pushtetit fashist me korporatat.
Në
emër të demokracisë, lirisë, të mbrojtes së të vërtetës dhe ruajtjes së
shpresave, si dhe të një shpërndarje disi më të drejtë të të ardhurave,
shqiptarët duhet ta refuzojnë në kutitë e votimit me vendosmëri këtë projekt. (23 qershor, 2017)
No comments:
Post a Comment