Shqetësimi
për fatet e opozitës sot duhet parë i pandarë nga shqetësimi për të ardhmen e
vendit, veçanërisht në një situatë ku gjithkush ndjen rrezikun e mbetjes pa
opozitë. Me këtë vështrim kam ndjekur zhvillimet e fundit në PD, pas humbjes së
rëndë të zgjedhjeve, veçanërisht polemikat brenda dhe jashtë saj të iniciuara nga kritikët e Bashës.
Në
këtë shkrim do të ndalem në disa tema kryesore të kësaj çështjeje.
PD
dhe trashëgimia e saj
Tema
kryesore e kritikave dhe sulmeve kundër Bashës ka qenë mungesa e demokracisë në
vendimmarrjet e tij: për hapjen e mbylljen e çadrës, për marrëveshjen me Ramën,
për listat e deputetëve, për mosdhënien e dorëheqjes, për mënyrën se si i
organizoi zgjedhjet për kryetar. Janë të gjitha kritika të drejta, por puna është
se ato janë ndalur tek faza akute e sëmundjes (Basha) duke lënë jashtë shkakun
e vërtetë të sëmundjes: kulturën politike të kalçifikuar në PD gjatë periudhës
së Berishës, protagonistë të së cilës kanë qenë edhe shumica e kritikëve të sotëm
të Bashës. Në kritikat e tyre periudha e Berishës u mistifikua si një periudhë “e
artë” e “fitoreve”, dhe PD u trajtua si
një “pasuri kombëtare” që po shpërdorohet apo po shitet nga Basha tek
kundërshtari. Kurse gabimet e përgjegjësitë e asaj periudhe u kaluan me një frazë të vetme: “për këtë janë dhënë
dorëheqjet.”
Gjykoj
se një qasje e ndershme dhe serioze do të ishte ajo që do ta fillonte kritikën
me atë periudhë, me ballafaqimin me vetveten, me Berishën, që do të çonte në një
trajtim krejt tjetër të trashëgimisë së PD-së. Sepse e vërteta historike është
se pas atij momenti të parë të shkurtër kur PD përbashkoi shumicën e shqiptarëve
kundër regjimit, ajo, me në krye liderin e saj historik, ka bërë
thuajse vetëm gabime përsa i përket idealeve të lirisë dhe të demokracisë që po
përmenden aq shumë sot si atribute të saj. Lideri Sali Berisha, fill pasi mori
pushtetin, filloi të pastrojë partinë nga kundërshtarët, kryesisht intelektualë,
të demonizojë opozitën, të uzurpojë e shpërdorojë televizionin publik, të verë
nën kontroll drejtësinë, shoqërinë e porsalindur civile. Këto e çuan tek rënia e shpejtë e popullaritetit çka e
shtyu të rrëmbejë me dhunë zgjedhjet më 1996, ndërkohë që ekonominë e vendit e
kishte futur në një hulli kriminale, atë të trafiqeve, të kontrabandës e
pastaj të piramidave
financiare që u bënë aleatet elektoralë të tij. Kështu, në harkun e disa vjetëve, PD degjeneroi deri në atë
pikë sa brenda dhe jashtë vendit sistemi që ajo kishte ngritur u cilësua si “regjim gangsterësh”.
Kjo
është trashëgimia e PD-së
gjatë pushtetit të parë. Ishte një PD kaq e mbrapshtë që mbajti në këmbë një
tjetër “pasuri kombëtare”, që meritonte të shkrihej, partinë ish komuniste të
kthyer në PS.
Nuk
mohohet se gjatë periudhës opozitare (1997 – 2005) PD ka luajtur një rol kundër
sistemit të kapjes së shtetit nga oligarkët, që ndërtuan socialistët e Nanos,
Metës e Ramës, por e bëri në mënyrë të rrejshme sepse, me ardhjen në pushtet, në
vend sa ta luftonte sistemin kriminal që kishte denoncuar, e kalëroi, duke zhgënjyer
edhe një herë rëndë shqiptarët.
Kjo
është trashëgimia e vërtetë e PD-së që duhet marrë në analizë seriozisht nëse kërkohet
një ndryshim i vërtetë. Sepse degjenerimi i sotëm i PD-së, ashtu sikurse edhe
ai që po njeh vendi sot nën drejtimin e Edi Ramës nuk mund të kuptohen pa këtë
trashëgimi.
PD
dhe demokracia
Lulëzim
Basha erdhi tek kjo parti pasi kishte kaluar një periudhë pune në ambiente
evropiane ku – siç tregonte edhe vetë në fillim – kur shkonte në mëngjes në punë
eprorët e tij mblidhnin stafin dhe bënin atë që në gjuhën angleze quhet “brain
storming”, që do të thotë se shtronin problemet dhe vilnin mendimet e të gjithë
pjesëtarëve. Kur u fut në partinë e Berishës, veçanërisht pasi PD mori
pushtetin, pa se punët nuk shkonin kështu. Eprori i madh me nofkën “doktori”
nuk bënte “brain storming”, por u jepte urdhra vartësve që duhet t’i zbatonin.
Basha iu përshtat kësaj “forma mentis” të liderit me “forma mentis”-in e vartësit
shqiptar, i cili nuk e kundërshton apo kritikon kurrë lliderin e vet, por vetëm
i bën qejfin. Gjykoj se me këtë “forma mentis” kanë punuar me Berishën edhe ata
që kritikojnë sot Bashën.
E
pra, idealisht, ndryshimi i PD-së duhet të fillonte që këtu. Ajo nuk ka nevojë
për një lider të modelit Sali Berisha e për vartës të modelit Basha, por për
drejtues që kanë mësuar se ku të çon kjo rrugë dhe prandaj, me përunjësi dhe respekt
ndaj të tjerëve, do të duhej të mblidheshin e të bënin analizën e të kaluarës së
tyre anti-demokratike dhe pastaj të gabimeve që e kanë sjellë në këtë gjendje,
përfshirë edhe ato të fundit të Bashës. Duke bërë këtë PD-ja do t’i jepte nismën
një ndryshimi kulturor që nuk ka filluar ende në Shqipëri. Vetëm kjo mënyrë
sjelljeje do të mund të krijonte njerëz me personalitet dhe dinjitet që dinë të
respektojnë veten më së pari prandaj edhe të tjerët. Por, për fat të keq, nuk
po ndodh kjo. Lulëzim Basha po bën të kundërtën: po përpiqet të ndërtojë figurën
e liderit që jep urdhra se çfarë duhet të bëjnë vartësit e tij dhe po zgjedh
vartës që të pranojnë këtë rol të tij.
PD-ja
- identiteti dhe përfaqsueshmëria e saj
Si
rezultat i varfërimit intelektual e ideal që ka sjellë mungesa e debatit dhe e
njerëzve me personalitet në PD ka ardhur
edhe paqartësia përsa i përket identitetit dhe vizionit të kësaj partie.
Ajo u vetëpërcaktua kur lindi si parti e djathtë. Ky ishte një identitet që ajo
e mori duke iu referuar kundërshtarit të atëhershëm që ishte partia komuniste,
që teorikisht konsiderohej e majtë, madje e ekstremit të majtë.
Por
çfarë partie u bë PD në të vërtetë? Ajo u bë një parti që synoni të përfaqësonte
të gjithë popullin, njëlloj si partia-shtet që kishte edukuar Sali Berishën. Si e tillë kundërshtarët politikë ajo i
trajtoi me të njëjtën frymë siç i trajtoi Enver Hoxha ish reaksionarët apo
kulakët: duke i demaskuar, duke i mbiquajtur trashëgimtarë të bllokmenëve, pra
si një e keqe që duhej eliminuar dhe jo si një "pjesë", nga vjen dhe
fjala "parti", me të cilët
duhet të dialogonte mbi bazë programesh dhe përfaqsueshmërie të ndryshme. Kështu,
ndërkohë që teorikisht programet e të dy partive kryesore PD – PS u bënë
thuajse të njëjta përsa u përket retorikave nacionaliste, të integrimit në
Evropë, të tregut të lirë, privatizimeve, reformave standarde dhe ndërkohë që
prapa këtyre retorikave punonin të dyja për të njëjtët oligarkë, PD, me një
propagandë trushpëlarëse manipulonte elektoratin e saj duke i ekzaltuar përkatësinë
familjare antikomuniste "të djathtë", ndonse, për shkak të
persekutimit të gjatë, ishte shtresa më e varfër dhe më në nevojë për politika
të majta. Duke ruajtur në mënyrë manipulative dallimin sipas të cilit i djathtë
baraz i mirë, i majtë baraz i keq PD pranonte që PS ta quante veten të majtë,
ndonëse kjo parti harroi krejtësisht principin e së majtës së barazisë apo
barazisë së mundësive dhe ajo filloi të bëhet gjithnjë e më shumë parti e njerëzve
që hanin njeriun për tu pasuruar.
Mirëpo
pas një çerek shekulli, për shkak të ndryshimit të brezave, për shkak të
fallcitetit të këtyre retorikave si dhe të halleve e nevojave të përditshmërisë, e kaluara historike e njerëzve ka humbur peshën. Njerëzit
tashmë janë shumë të qartë se përtej këtyre manipulimeve të dy partitë kur vijnë
në pushtet ushtrojnë vendimmarrje në favor të një pakice të pasurish kundër
shumicës gjithnjë e më të varfëruar (pavarësisht se për shkak të manipulimit e
lënies në injorancë një pjesë ende nuk arrijnë ta kuptojnë se, në terma teorike
kjo është sjellje partish ultra të djathta se ky është fashizëm ekonomik). Si të tilla këto "pjesë'
që punojnë për një pakicë dhe pretendojnë se mbulojnë të tërën prej kohësh janë
shndërruar në dy banda të destinuara të hanë njëra tjetrën. Dhe siç treguan
zhvillimet e fundit partia e
destinuar për tu ngrenë është PD-ja. Edi Rama e ka manifestuar më qartë se
kushdo këtë synim. Ai pretendon sot se përfaqëson të gjithë popullin edhe ish të
persekutuarit edhe ish komunistët edhe të pasurit edhe të varfrit, edhe edhe
prandaj dhe në fushatë elektorale i mori PD-së edhe shenjën e vet dalluese, V-në
e dy gishtave.
Në
këtë situatë dëgjoj nga kritikët brenda dhe jashtë
PD se ajo duhet të korrigjojë gabimet
duke u kthyer tek ish të persekutuarit, të tregojë më respekt për parti
të djathta si Balli Kombëtar apo Legaliteti apo Partia Republikane si parti e
ish pronarëve si dhe të forcojë lidhjet me biznesin. Ajo që dëgjoj pak ose
aspak është fakti se askush nuk kritikon politikat vendimmarrëse të PD-së në
pushtet, në favor të pakicës shpesh edhe kriminale, dhe se çfarë duhet të
ndryshojë ajo për të përfaqësuar të papërfaqësuarit. Opozita që na duhet sot është
ajo që do të kthejë vëmendjen drejt politikave sociale, drejt mbrojtjes së
pasurisë publike, mbrojtjes së territorit që po gërryhet përditë nga çakejtë që
do të thotë një parti të shumicës kundër partisë së pakicës së të pasurve. Nëse
PD ngulmon ta quajë veten të
djathtë nuk i mjafton për këtë vetëm përkatësia historike e një pjese të
elektoratit. Një mundësi do të ishte të kthehen nga e djathtë liberale në të
djathtë sociale psh., por ajo që shqetësoj është se ky lloj debati mbi përfaqësueshmërinë
e saj as nuk ceket fare në PD. Ajo ka mbetur një parti që, ashtu si dhe PS-ja,
kërkon që kur t'i vijë radha e pushtetit të thotë se përfaqëson të gjithë
popullin, dhe të punojë për të njëjtin grusht oligarkësh dhe njerëzish të
lidhur me krimin e organizuar. Por dyshoj shumë se mund t'i vijë ndonjëherë më
kjo radhë po vazhdoi kështu. (Panorama, 30 korrik 2017)
No comments:
Post a Comment