Sunday, April 13, 2014

Si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies - Përgjigje e parë Çilit

Zoti kryeredaktor,
Meqënëse, sikurse thonë te mençurit, “kush mendon pak, gabon shumë” nuk po nxitoj t’i përgjigjem Henri Çilit sot me nesër, siç ka bërë ai. Por meqënëse argumentet e mija ai kërkon t’i delegjitimojë edhe duke u shfaqur si mbrojtës i kapitalizmit liberal (duke më etiketuar si njeri që sulmon tregun, sektorin privat dhe kapitalizmin shqiptar nga pozitat e një arqeo – marksisti) e duke “harruar” se unë shkruaj për deformimet e të ashtuquajturit kapitalizëm alla shqiptar në raport edhe me kapitalizmin që predikon ai vetë në teori, mendova që si përgjigje të parë polemizuese t’ju dërgoj diçka të menduar më parë. Ju ftoj të botoni parathënien që ka shkruar enkas për botimin shqip profesori i ekonomisë politike dhe sociale në Universitetin e Siena-s Stafano Brtolini në librin e tij “Manifest për Lumturinë  - si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies”. Kjo sepse mendoj se leximi i këtij libri të botuar së fundi nga revista Përpjeka, që drejtoj,  jo vetëm tregon se sa i gabuar është mistifikimi i sitemit që predikon Çili në teori, por sqaron edhe shumë nga idetë që ndaj edhe unë lidhur me sistemin kapitalist që ne kemi kërkuar të implementojmë pa kurrfarë fryme kritike.
me respekt
Fatos Lubonja


Si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies

Nga Stefano Bartolini

Në këtë libër unë mbështes tezën se nuk ekziston një kapitalizëm i vetëm, por një sërë kapitalizmash, disa prej të cilëve u bëjnë mjaft keq relacioneve dhe mirëqenies së njerëzve, kurse të tjerë funksionojnë goxha mirë, po qe se i nënshtrohen rishikimit dhe kontrollit të vazhdueshëm. Midis këtyre kapitalizmave, ai që funksionon më keq është kapitalizmi amerikan i 30 viteve të fundit. Kapitalizmi i Evropës Perëndimore ndryshon prej tij, se është më social dhe funksionon më mirë. Libri sugjeron që ne, evropianët, duhet ta vlerësojmë dhe ta thellojmë këtë ndryshim dhe jo të imitojmë amerikanët, siç, në fakt, jemi duke bërë.
Mendoj se është mjaft i ndryshëm leximi i këtij libri në Evropën Lindore dhe në atë Perëndimore. Në Evropën Perëndimore ka mjaft njerëz që e shohin kapitalizmin  amerikan me skepticizëm dhe që, në një farë mase, e ndjejnë se jetojnë në një shoqëri të ndryshme. Ndërkaq, Evropa Lindore, pas rrëzimit të komunizmit, ka përkrahur me entuziazëm dhe në mënyrë jokritike modelin e kapitalizmit që dukej si më i përparuari, më solidi dhe më i besueshmi: atë amerikan. Edhe Shqipëria nuk ka bërë përjashtim nga rregulli sipas të cilit Evropa Lindore nuk donte t’i shëmbëllente asaj Perëndimore, por Amerikës. Një motiv kyç i joshjes ndaj SHBA-së ka qenë fakti se Amerika është vendi që, më shumë se kushdo tjetër, ka kontribuar për çlirimin nga shtypja komuniste, duke luajtur pjesën e luanit në kundërshtimin ndaj Bashkimit Sovjetik.
Në këtë libër argumentoj se kjo joshje ndaj Amerikës është iluzore, sepse Shtetet e Bashkuara, prej shumë dekadash, janë mbërthyer nga një krizë sociale e fortë që, së fundmi, prodhoi edhe krizën ekonomike aktuale. Ka kaluar një çerek shekulli prej rënies së Murit të Berlinit dhe përqafimi i kapitalizmit amerikan ka filluar të shfaqë edhe në Evropën Lindore problemet e keqqenies, të shprishjes së relacioneve dhe të paqëndrueshmërisë ekonomike që po përjetohen qysh prej 30 vitesh në Amerikë. Ëndrra amerikane ka filluar të ngjasojë gjithnjë e më shumë me një makth jo vetëm për amerikanët, për të cilët ka kohë që është i tillë, por edhe për evropianët e Lindjes. Përsëri Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo përvojë, që është e përbashkët për të gjithë Evropën Lindore.
Reaksioni i parë ndaj zhgënjimeve prej kapitalizmit në Evropën Lindore ka qenë rivlerësimi i recetave të vjetra. Në mjaft nga këto vende shohim rritjen, si kurrë ndonjëherë më parë, të suksesit të partive që frymëzohen nga përvoja socialiste ose të atyre partive që, në një farë mënyre, trashëgojnë impulsin identitar të fashizmave ksenofobë të viteve ‘30. Por ajo çka sugjeron ky libër është se, përkundrazi, zhgënjimet nga kapitalizmi, që po provohen edhe në Evropën Lindore, janë, në realitet, zhgënjime nga një tip kapitalizmi që nuk ka funksionuar kurrkund, mbi të gjitha tek ata që e shpikën: amerikanët. Propozimi im është që të ndryshojmë tipin e kapitalizmit. Recetat e vjetra, fashizmat dhe komunizmat, nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë kurrë.
Në të vërtetë, ky proces rishikimi ka filluar tashmë në Evropën Lindore, duke filluar pikërisht nga themeluesit e tranzicionit për në kapitalizëm, figurat e mëdha të disidencës që, pas 89-s, kanë marrë edhe role politike mjaft të rëndësishme, si Vaclav Havel-i dhe Lech Walesa. Ky i fundit ka deklaruar që, në rast se nuk bëhen ndryshime të rëndësishme në rendin aktual kapitalist, brenda pesë vjetëve do të ketë një tjetër revolucion tetori. Haveli, duke nënvizuar disa tema të këtij libri, ka deklaruar se “gjatë komunizmit pjesa më e madhe e njerëzve mendonte se përpjekjet individuale që synonin ndryshimin e gjendjes nuk kishin kuptim. Udhëheqësit komunistë ngulmonin se sistemi ishte rezultat i ligjeve historike objektive dhe të pakundërshtueshme...” “E, megjithatë, edhe sot ka mjaft prej atyre që nuk besojnë se janë zotët e fatit të tyre...” Arsyet qëndrojnë te zhgënjimet nga kapitalizmi. Tek e fundit, bindjet e vjetra u zëvendësuan me “të tjera manifestime të pashmangshmërisë së fatit, në të ashtuquajturat ligje të tregut, duart e padukshme që drejtojnë rrjedhën e jetës sonë.” Për më tepër, “gjithnjë e më shpesh demokracia mendohet thjesht si një ritual.” “Ky problem ka rrënjë (...) të thella: korporatat globale, mjetet e komunikimit dhe aparatet e fuqishme burokratike janë duke i transformuar partitë politike në organizata roli kryesor i të cilave nuk është më shërbimi publik, por mbrojtja e klientelave të caktuara dhe e interesave të veçantë. Politika po kthehet në terren lufte për lobistët; mediet  banalizojnë çështjet më serioze; demokracia shpesh shëmbëllen më shumë me një lojë virtuale për konsumatorët, sesa me një aktivitetet serioz për qytetarët e angazhuar.”
Kjo lloj kritike ndaj kapitalizmit aktual thuajse mungon në Shqipëri. Në fakt, çka kam shkruar deri këtu ka të bëjë me atë që Shqipëria ka të përbashkët me të gjithë Evropën Lindore. Por shoqëria shqiptare ka edhe tiparet e saj specifike, që më janë shfaqur mjaft qartë gjatë një udhëtimi që kam bërë në Shqipëri, duke vizituar një pjesë të mirë të vendit. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm, të gjendur, të sjellshëm, kureshtarë, me ndjenjë humori, të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm (empatikë) më shumë sesa në vende të tjera ballkanike dhe të Evropës Lindore. Por kam parë edhe se cili është problemi aktual i këtij vendi. Shqiptarët nuk besojnë se është e mundur që të bëjnë diçka të mirë së bashku. Me fjalë të tjera, nuk besojnë se aksioni kolektiv është i mundshëm, madje as se është i nevojshëm. Pasqyrimi më evident i kësaj është brutaliteti i agresionit ndërtimor ndaj territorit. Abuzimet ndërtimore që kam parë në Shqipëri janë më spektakularët që kam ndeshur në të gjithë botën. Problemi qëndron në atë se territori nuk është thjesht privat, ai është, para së gjithash, një e mirë e përbashkët dhe gjendja e tij pasqyron në mënyrën më evidente rëndësinë që i jep një shoqëri aksionit kolektiv. Dhe gjendja e territorit në Shqipëri tregon se rëndësia që i jep shoqëria këtij aksioni është thuajse zero.
Të mendosh se aksioni kolektiv nuk na duhet është një iluzion. Aksioni kolektiv është bash specialiteti njerëzor që ka bërë të mundur suksesin tonë evolutiv, dhe jo vetëm, por është çelësi i domosdoshëm i suksesit të çdo shoqërie. Asnjë sistem ekonomik nuk mund të funksionojë mirë pa një aksion efikas kolektiv, pa etikë, pa një kujdes serioz ndaj të mirës së përbashkët; as edhe kapitalizmi që është sistemi ekonomik që ka më pak nevojë për këto. Dhe ky iluzion është një trashëgimi e komunizmit. Ai ishte një sistem që e bazonte të drejtën e tij për të ushtruar shtypje tek epërsia e së mirës kolektive. Për pasojë, si në një refleks pavllovian, shqiptarët e lidhin çdo ide të së mirës kolektive me këtë shtypje. Nga ana tjetër, komunizmi zhvishte nga përgjegjësia njerëzit jo vetëm në raport me fatet e tyre individuale, por edhe me ata kolektive. Pasi mbaroi komunizmi, njerëzve iu tha se, më në fund, ata do të ishin vetë përgjegjës për fatet e tyre ekonomike individuale. Por harruan t’u thoshin se duhet të ishin përgjegjës edhe për ato kolektive, për të mirën e përbashkët. Mungesa e këtij ndërgjegjësimi më është dukur veçanërisht e mprehtë në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera ish-socialiste.
Një ngjarje e mëvonshme m’i konfirmoi këto veçanti të shoqërisë shqiptare. Kjo ndodhi gjatë prezantimit të këtij libri në një seminar ndërkombëtar, publiku i të cilit vinte kryesisht nga vende të Evropës Lindore. Në mbarim të prezantimit u zhvillua një diskutim i gjallë me publikun dhe kishte shumë komentues që sillnin mendime se çfarë të rejash mund të zbatoheshin në vendet e tyre, duke u nisur nga ato që kishin dëgjuar. Komentet e dy pjesëmarrësve shqiptarë, përkundrazi, ishin negative. Qenë dy persona mjaft kompetentë dhe me nivel të lartë intelektual. Prandaj dhe më bëri shumë përshtypje dogmatizmi i tyre; fakti se sa thellë dhe në mënyrë jokritike e kishin interiorizuar mesazhin që qëndron në bazën e versionit të ëndrrës amerikane të afirmuar në dhjetëvjeçarët e fundit dhe që ka modeluar shoqërinë e sotme amerikane. Ky mesazh është: “Kujdesu për gardhin tënd privat. Kjo është receta për më të mirën e botëve të mundshme; ajo që bën të rritet mirëqenia e shoqërisë. Sepse shoqëria është shumatorja e gjithë këtyre gardheve.“ Kjo ëndërr ka modeluar shoqëritë e Evropës Lindore gjatë 25 vjetëve të fundit dhe ndoshta atë shqiptare më shumë se cilëndo tjetër.
Por shoqëria është shumë më tepër sesa shumatorja e të gjitha gardheve. Dogmatizmi që stigmatizon Haveli qëndron pikërisht te besimi i verbër në virtytet vetërregulluese të tregut dhe në idenë se zgjidhja qëndron gjithmonë te privatja. Pesëdhjetë vjet komunizëm nuk kanë qenë trajnimi më i mirë për mendimin kritik asgjëkund, por, me gjasë, klima dogmatike në Shqipëri ka qenë më shtypëse se kudo tjetër. Prandaj shumë shqiptarë nuk e kanë kuptuar ende se të kalosh nga një lloj dogmatizmi në një tjetër  nuk është një zgjidhje e mirë.

Ky libër nënvizon rreziqet që mbart ky lloj kapitalizmi për relacionet dhe kulturën e njerëzve.  Por jam plotësisht i vetëdijshëm se komunizmi ka qenë një armik i shoqërisë, i kulturës, i komunitetit, i relacioneve sociale shumë më i keq sesa kapitalizmi. Komunizmi shkatërroi identitetin shqiptar dhe brishtësia e tij e sotme reflektohet në mungesën e një projekti kombëtar. Shqipëria nuk është një vend që sot synon të përmirësohet duke mbetur vetvetja. Është një vend që, sot për sot, nuk sheh rrugë tjetër përveç asaj që t’i shëmbëllejë ndonjë vendi tjetër. Rreziku më i madh që po kalon sot shoqëria shqiptare është që nuk po mendon me kokën e saj. (Panorama, 11 prill 2014)

No comments: