Ndoqa
me ndjenja kontradiktore reagimet në rrjetet sociale kundër Eljan Taninit pasi
u shpall fitues i një konkursi për vendosjen e një vepre arti diku në një park
- që shoqëroheshin edhe me një foto ku ai shtrëngonte dorën me kryetarin e
Bashkisë. Dihet se reagimet u nxitën nga fakti se fare pak kohë më parë Eljani
u rrah dhe u arrestua nga policët e Erjonit teksa protestonte kundër
betonizimit dhe prerjes së pemëve tek Parku, madje edhe u refuzua në zyrat e
Bashkisë si përfaqësues i protestuesve. Pas kërbaçit erdhi karota që Eljani e
mbllaçiti pa u menduar gjatë, (ndoshta), dhe njerëzit nxituan t’ia ngecin në fyt.
Me
të drejtë apo pa të drejtë? Me të drejtë, do të thoja por kam edhe disa mëdyshje
të rëndësishme për të shprehur.
Të
qenit i pavarur dhe i lire, që do të thotë, mes të tjerash, edhe të flesh i qetë
kur kthehesh në shtëpi, pa ta prishur gjumin ndjenja e turpit se ke vepruar
shtrembër pasi dikush të ka futur në xhep një shuk me para apo të ka bërë ndonjë
nder, është luks. Luks i madh madje. Dhe si për çdo luks edhe për këtë duhet të
paguash: duke mos kënaqur dot shumë nevoja materiale që sheh t’i gëzojnë të
tjerët në sajë të pareve të shukut psh., por edhe, si në këtë rast, duke mos
pritur të fitosh çmime nëpër konkurse të organizuara nga pushteti për
pushtetin, përkundrazi duke i refuzuar ato. Diçka të tillë duhet të ketë
menduar italiani i shquar, Longanesi, kur ka shkuar edhe më tej duke thënë: “Çmimet
jo vetëm duhen refuzuar, por as nuk duhen merituar.” Nëse ka ndonjë vend ku kjo
thënie tingëllon veçanërisht e vërtetë, është Shqipëria jonë siç e kemi ndërtuar
ne tash njëqind e ca vjet. Prandaj mendoj se Eljani duhet ta kishte refuzuar atë
çmim që të meritonte një çmim shumë më të madh në zemrat e shumë njerëzve.
***
Thënë
kjo më duhet të ndalem, megjithatë, edhe tek një shije e keqe që më lanë mjaft
sulme ndaj Eljanit për faktin se nuk gjeta në to një lloj mirëkuptimi ndaj
tij që do të na fuste në thellësinë
që meriton trajtimi i rastit.
Disa
reagime më bënë të mendoj se komentuesit e shihnin Eljanin si heroin e një filmi - që e kanë ndjekur nga
divani përpara televizorit - dhe që, në një moment të caktuar, në vend të trimërive
bën një akt zhgënjyes, duke rënë në kurthin e ngritur nga i ligu. Në një nivel
psikologjik këto reagime i interpretova si reagime pse Eljani u vrau një hero
tek i cili ata donin dëshpërimisht të besonin; sikur u vrau shpresën e një shpëtimtari
që mezi e kanë pritur. Tek një pjesë tjetër (fatkeqësisht jo e vogël) nuk vura
re as ndonjë keqardhje pse heroi përfundoi kështu, por gati gati një si zhgënjim
të gëzuar, sikur u provua një bast i vënë se ai nuk ishte hero, por një aktor,
që e kishte luajtur gjithë atë rol, deri duke u përleshur me policinë, për të
marrë atë çmim – gjë që e ktheu filmin nga dramatik në satirik.
***
Dhe
këtu fillojnë mëdyshjet e mija. Të urtët thonë se heroin mund t’ia kërkosh vetëm
vetvetes, jo të tjerëve, çka lidhet ngushtë me thënien e ca të urtëve të tjerë
që thonë: mjerë ata popuj që kanë nevojë për heronj. Sepse kjo tregon se njerëzit e atyre popujve kanë mbetur në
nivelin fëmijës; nuk kanë arritur të kuptojnë se arketipin e heroit, që e kemi
të gjithë brenda (po ti referohemi Jungut), duhet ta integrojmë brenda vetëdijes
sonë dhe jo ta projektojmë tek ndonjë shpëtimtar. Sepse, përndryshe në jetën
reale, (jo atë të filmave), herët ose vonë do të zhgënjehemi keq, jo aq me heroin
sesa me veten tonë.
Prandaj,
duke kërkuar kuptimin dhe mirëkuptimin më të thellë ndaj Eljanit, do të shtroja
ndonjë pyetje për komentuesit. Pse të mos mendojmë se ky Eljani, pasi e pa se
shumë nga ata që e kritikojnë sot, apo që i kërkojnë të mbetet hero, nuk e lëvizën
bythën për t’iu bashkuar kur shkonte të protestonte tek Parku, kur rrihej e
arrestohej nga policia apo kur e pa që pushteti e fitoi betejën e betonizimit,
vendosi, edhe ai, të mos i bjerë më betonit me kokë, por të thotë: varja këtij
mileti, kaq meriton, do të bëj edhe unë siç bëjnë të gjithë shqiptarët. Mund të
mos jetë kështu, por a nuk do të meritonte qoftë edhe disa momente reflektim
kjo qasje që kërkon pak më shumë empati për njeriun Eljan, për kushtet ku jeton
ai, si dhe pak më shumë vënie në diskutim të vetvetes. Përse duhet ta shohim
Eljanin si një hero, apo se ka parë shumë në jetë nga ata artistë apo
intelektualë që kanë refuzuar çmimet e paratë e pushtetit për të mbrojtur
parimet dhe mendimet e tyre? A nuk është rritur ai gjithë jetën me shembullin e
atyre që për të realizuar ambiciet
kapen si bimët kacavjerrëse tek pushteti – ku shembulli më elokuent, më i
suksesshëm e më grotesk njëherësh është Kryeministri dora vetë, i cili, për të
kapur maja sa më të larta, ka zgjedhur të jetë edhe pemë edhe bimë kacavjerrëse
njëherësh.
Pra,
pse të mos e shohim Eljanin si njeri si të gjithë ne, me të mirat dhe të këqija
e veta, me trimëritë dhe frikërat e veta, me nevojat dhe idealet e veta dhe zhgënjimet
e veta etj etj. që dikush, pasi i vuri kërbaçin, ka vendosur t’i miklojë
vanitetin, vesi i vetëm, sipas Rusoit, nga i cili njeriu vështirë se heq dot
dorë? A nuk meritonte ai në këtë rast edhe një lloj mirëkuptimi, në mos
keqardhje, që në fakt nuk janë mirëkuptim e keqardhje për Eljanin, por për
veten tonë sepse të gjithë jemi nën kërcënimin e këtij dikushit dhe të gjithë
kemi dobësitë tona?
***
Dhe
këtu vijmë tek thelbi i çështjes, që nuk është sjellja e Eljanit, por ajo e
Erjonit. Ajo që më bëri përshtypje për keq ishte se një pjesë sulmesh ishin aq
të egra ndaj Eljanit dhe aq të buta (qoftë dhe në formë heshtjeje) ndaj Erjonit
saqë sikur ndjeva thellë thellë, që një pjesë i thonin viktimës (Eljanit dhe të
gjithë neve): fajin e ke ti që hape këmbët jo ai/ata (Erjoni me shokë) që të përdhunuan.
Sepse
mund t’i kishin thënë edhe Erjonit ndonjë fjalë të tipit: po mirë mor Erjon,
kur ky Eliani qenka një djalë kaq i talentuar sa i denjë për të fituar një
konkurs artistik a nuk vlente që ti ta kishe pranuar në zyrat e tua për t’i dëgjuar
edhe kritikat për Parkun dhe jo ta shaje nëpër televizione e t’i vije policët
publikë e privatë në kurriz që ta rrihnin e ta fusnin e nxirrnin nëpër qelira?
Është
sjellja e Erjonit, problemi i madh, pra, që pasi e ka rrahur fyer dhe poshtëruar
tani po kërkon ta vrasë fare moralisht duke e kthyer nga një njeri dhe artist në
një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij? Është sjellja e institucioneve
shqiptare më në përgjithësi që kanë në krye individë që punojnë natë ditë, ditë
natë pa turp dhe pa asnjë fije morali se si të korruptojnë intelektualët,
artistë, shkrimtarët, gazetarët, të vdekur dhe të gjallë, për tu blerë bashkëpunimin,
konformizmin apo heshtjen në mënyrë që të vazhdojnë poshtërsitë e tyre të
patrazuar.
***
Dhe
kjo sjellje ngre një pyetje tejet serioze në krahun tjetër: po mirë, nëse një i
ri ka aspirata për tu bërë artist, shkrimtar, të drejtojë një gazetë apo revistë
letrare apo artistike të hapë një ekspozitë dmth. të rritet në krijimtarinë e tij, në mendimet e tij, çfarë
duhet të bëjë në këtë shoqëri, kur mesazhi që i jepet është: nëse do të krijosh
diçka duhet të bëhesh palë me njerëzit e pushtetit? Çfarë duhet të bëjë ai kur
sheh se Kryeministri për të blerë intelektualët hap edhe një dyqan në katin e
parë të Kryeministrisë ku ata hyjnë kokulur pasi u bëhet monitorimi te dera se
mos kanë ndonjë bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër
projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimet qeveria i
shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe Ministren e
Kulturës janë edhe juria edhe artisti edhe fituesi.
Nuk
është e lehtë do të thoja. Fakti është se të rinjtë në shumicën më të madhe kanë
ulur kokën dhe i janë nënshtruar këtij rregulli të diktuar nga pushteti. Dhe
rezultati është ky që është: nuk ka gjë më të ulët sesa, 25 vjet pas diktaturës,
të rinjtë, dmth. fëmijët tanë po rriten ende nën sundimin e një klase qeverisëse
që në vend se të punojë se si t’i ndihmojë njerëzit që të jenë sa më të lirë e
sa më krijues, se si të stimulojë ata më të mirët, më të aftët, se si të thithë
idealet e tyre më të larta në të mirë të shoqërisë, punon për t’i ulur e përulur
ata në llumin e këmbëve të veta. Duke e kthyer Shqipërinë, kësisoj, në një hale
të parespirueshme nga era e mutit dhe shurrës.
***
Kritikat
ndaj Eljanit në këtë aspekt ishin edhe një tregues shpresëdhënës. Sepse
tregonin se me sa neveri shihen sot njerëzit që bashkëpunojnë me këta
institucione, që pranojnë paratë dhe çmimet e këtyre institucioneve, se është
rritur vetëdija se jetojmë në një shtet ku të marrësh ndonjë gjë nga shteti është
si të marrësh ndonjë gjë nga një bandë hajdutësh që vjedh në kurriz të njerëzve.
Por nuk mund të mos vëmë re, megjithatë, se shumica e këtyre kritikave u bënë në
rrjetet sociale në mënyrë anonime ndoshta nga po ata persona që në jetën e tyre
reale janë të detyruar të përkulin shpinën.
Të
kuptohemi, bëj pjesë ndër ata që mendojnë se nuk jemi në nivelet e shtrëngimit
të diktaturës dhe se, prandaj, mundësia për të qenë më me kurajë më me
personalitet qoftë edhe duke ikur e i bërë naftën këtij vendi është shumë më e
madhe. Por ama, përtej kësaj, le të shohim realitetin ku jetojmë: njerëzit e
kulturës dhe artit që po i rezistojnë këtij regjimi që nuk përdor burgjet, por
që u pret atyre bukën e gojës së fëmijëve po pakësohet dita ditës. Dhe problemi
më i madh i këtij varfërimi nuk është ai se në këtë mënyrë disa bëjnë para, bëjnë
karrierë, bëhen të famshëm kurse të tjerë vuajnë një ndjenjë padrejtësie, çka
nuk është për t’u neglizhuar. Jo, pasojat janë shumë më të rënda. Nga kjo ne
humbasim njerëzit e lirë, krijimtarinë e lirë, mendimin e lirë dhe të humbasësh
këto do të thotë që arti dhe krijimtaria në vend se të hedhin dritë mbi
realitetin: errësirën, mjerimin dhe degjenerimin që sundon prapa fasadave të
mashtrojë duke lyer e zbukuruar fasadat e pushtetit.
*
**
Dikush
do të më thoshte se jam kontradiktor se më një anë them se Eljani duhet ta
refuzonte Erjonin e më anë tjetër mundohem ta mirëkuptoj atë. Po, jam
kontradiktor, sepse edhe realiteti është kontradiktor. Sepse lufta e Eljanit për
Parkun, për mua, nuk ishte një luftë për të mbrojtur thjesht disa pemë, por për
të mbrojtur një rini ndryshe që presim të lindë; e ndryshme nga Erjoni të cilit
i shkon fjala e Konicës se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më
parë dhe ca që kanë lindur më pas.” Kurse lufta e Erjonit ishte që nesër ne të
themi me dëshpërim se edhe Eljani është një që thjesht ka lindur ca më pas se
Erjoni, i cili thjesht ka lindur
ca më pas se Edi Rama, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Sali Berisha, i
cili thjesht ka lindur ca më pas se Enver Hoxha, i cili thjesht ka lindur ca me
pas se Ahmet Zogu.
Dhe
ky çmim që Erjoni i dha Eljanit dhe tërë ato reagime për të ndihmuan për ta parë këtë kontradiktë e
ndoshta për tu ndërgjegjësuar se duhet ndërprerë sa më parë ky cikël trashëgimie
që të mund të kalojmë në stadin e popujve të rritur që nuk jetojnë duke pritur
duarlidhur heronjtë të vijnë t’i shpëtojnë, por si njerëz me vetëdije që në
momente të caktuara bëjnë detyrën duke shpëtuar vetveten. Dhe për këtë nuk mund të presim engjëjt nga qielli, por
duhet që njerëzit si ne, me të mirat dhe të këqijat që kemi, të bashkohen me njerëz si Eljani kur luftonte për Parkun, për tu dhënë më
shumë forcë që të mos bien, por edhe që t’i ndihmojmë të ngrihen. (Panorama,
1 qershor 2016)
No comments:
Post a Comment