Numri i ngjarjeve të kronikës së zezë që flasin për të
vrarë, të plagosur, shpërthime e djegie makinash, vetëgjyqësi, kërcënime, larje
hesapesh nuk po njeh pakësim. Së fundi këto ngjarje i kanë zënë vendin kryesor
edhe kronikës politike. Arrestimi i Shullazit dhe çka po dëgjojmë e lexojmë për
veprimtarin e tij errësuan edhe vizitën e Kryeministrit në SHBA. Ç'bëhet kështu?
- pyesin njerëzit. Paradoksalisht, ata, janë tejet të interesuar por edhe i qëndrojnë
larg kronikës së zezë. Ajo që e shpjegon paradoksin është frika e strucit. Më
një anë njerëzit kërkojnë të bindin veten se këto fenomene zhvillohen në nëntokën
e një bote që nuk u përket atyre, më anë tjetër e ndjejnë se ndarja e këtyre dy botëve është iluzion dhe i
kaplon frika se mos një ditë u troket krimi në derë. Në fakt, kur arrin puna të
kërcënohen me vrasje të fëmijëve edhe kandidatët për rektor të Universitetit
mund të thuhet se krimi i ka trokitur në derë kujtdo dhe, të bësh si struci, do
të thotë t'i hapësh derën e ta futësh atë në shtëpi.
Grupet kriminale dhe organizatat kriminale
Një ish shef policie duke folur në emisionin Opinion për
rastin Shullazi tha se ai ka ngritur një "grup të strukturuar
kriminal" duke e quajtur këtë një krim të rëndë, por gjithsesi të një
niveli më të ulët sesa krijimi i një "organizate kriminale". Ndërkaq,
gazetari investigativ Artan Hoxha, i pyetur se si e shpjegonte ai që njerëz si
Shullazi paskan interes se cili do të vihet rektor, u përgjigj, duke përmendur
Savianon, se Camorra në Itali, për të kontrolluar përfitimet e parave publike,
ka infiltruar njerëzit e vet edhe në sektorë të tillë si arsimi apo shëndetësia.
Mirëpo, sikur ta marrim të mirëqenë shpjegimin e
gazetarit Hoxha, atëherë i bije që Shullazi të ketë krijuar një organizatë
kriminale, sepse e tillë është Camorra. Gjykoj se ish shefi i policisë është më
pranë të vërtetës: Shullazi mbetet në nivelin e një grupi të strukturuar
kriminal. Por kujdes: le t'i shkojmë deri në fund kërcënimit ndaj kandidatit për
rektor - siç duhet t'i shkojë Prokuroria. Nuk ka dyshim se kërcënimi është bërë
për t'i hapur rrugë një kandidati tjetër dhe se, dikush tjetër, i afërt me
rrethin që kërkon të verë këtë kandidat, ka gjetur Shullazin (apo qoftë edhe
ndonjë tjetër) për ta kërcënuar me jetën e fëmijëve. Ama nuk është Shullazi,
por janë këta të tjerët që kërkojnë
të fitojë kandidati i tyre në mënyrë që të shtinë në dorë përfitimet e parasë
publike. Me fjalë të tjera janë këta, pa dyshim njerëz të politikës, organizata e vërtetë kriminale, Camorra
shqiptare.
Historia e këtyre 25 vjetëve tregon se emra si
Shullazi janë bërë kaq të frikshëm vetëm kur kanë bashkëpunuar me partitë
politike duke u ofruar atyre dy gjëra që u duhen: dhunën për të frikësuar kundërshtarët
dhe paranë. Në shkëmbim organizatat e mëdha i kanë lënë të zhvillojnë
aktivitetin e tyre derisa ka ardhur një moment kur personat apo grupi në fjalë
janë bërë të pambrojtshëm edhe nga vetë organizata. Raste të tilla kemi pasur
edhe më parë: mjaft të kesh parasysh rastin e Zani Çaushit që më së fundi përfundoi
në burg, apo rastin e Haklajve apo Mulosmanit në Tropojë. Duket se edhe
Shullazi po hyn në këtë kategori, por burgosja e njerëzve të tillë nuk e zgjidh
aspak problemin, ashtu sikurse nuk e ka zgjidhur as burgosja e Zanit me shokë.
Sepse vatrat e krimit janë organizatat e mëdha kriminale që janë bërë gjithnjë
e më të fuqishme edhe në sajë të përdorimit të grupeve të strukturuara
kriminale. Treguesi më i qartë i kësaj është edhe hyrja e kriminelëve të
akuzuar për vrasje dhe trafiqe e krime të tjera në Parlament, gjë kjo e
paimagjinueshme në vitet '90. Po ashtu, nëse Shullazi është pasuruar nëpërmjet
raketingut ndaj privatëve krimi më
i madh në vendvazdhon të mbetet "raketingu" shtetëror, grabitja nga
politikanët e pronës publike për t'u ndarë me klientelën, grabitja e parasë
publike nëpërmjet tenderave, grabitja e resurseve të vendit nëpërmjet
koncesioneve, apo mbledhja me policë e taksidarë nëpërmjet gjobave marramendëse
e kursimeve të fundit që u kanë mbetur njerëzve. Nëse për të shpëtuar nga
Shullazi paska ikur jashtë shteti një apo disa biznesmenë, mos harroni se për të
shpëtuar nga raketingu i organizatës së madhe po ikin përditë me qindra
shqiptarë.
Po këta nuk vrasin si Shullazi - të thonë disa. Po tua lypë nevoja edhe këtë e bëjnë,
se prandaj i mbajnë afër Shullazët, por kanë vrarë megjithatë diçka edhe më të
madhe: shpresën e njerëzve se mund të jetojnë me dinjitetin e punës së tyre të
ndershme, se mund të shpëtojnë nga sistemi i grabitjes dhe poshtërimit që kanë
ngritur.
Opozita dhe krimi
Këtë që shkrova më sipër për lidhjen e politikës me
krimin nuk e them vetëm unë. E thotë edhe opozita. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi
dëgjuar dhe lexuar vazhdimisht nga ana e opozitës akuzat se Edi Rama e ka mbushur Parlamentin,
administratën, pushtetin lokal me kriminelë, dhe në rastin konkret, se Shullazi
ka lidhje me Ministrin e Brendshëm Tahiri, se policia e tij i ka lehtësuar
aktivitetin, e ka lënë të udhëtojë me makinë të blinduar, etj. si këto. Meqenëse
një pjesë e këtyre akuzave rezultojnë të vërteta gjëja e parë që dëgjon të thonë
ca njerëz është: shyqyr të paktën që është opozita, që është Berisha, që guxojnë
t'i thotë disa të vërteta se përndryshe do të jetonim në një terror edhe më të
madh nga këta njerëz. Fakti është se edhe rasti Shullazi u mor seriozisht pas
denoncimit të Sali Berishës për kërcënimin e kandidatit për rektor. Megjithatë,
në kontekstin për të cilin po flas, kjo "shyqyr që është opozita" ka
anën e vet tejet të errët e dëshpëruese. E kam thënë edhe vetë shpesh në formë
gjysmë ironike me fjalët: "më mirë dy banda sesa një bandë". Pse e them këtë? Sepse dje rolin
denoncues të lidhjes së shullazëve me politikën e luante opozita që sot është në
maxhorancë dhe, megjithatë, gjendja nuk ka ndryshuar me ardhjen e saj në
pushtet, përkundrazi, - ashtu sikurse nuk ndryshoi edhe pardje kur opozita e
sotme merrte pushtetin. Është kollaj të thuash sot në opozitë se Edi Rama na e
mori pushtetin duke bashkëpunuar me kriminelët, por edhe ai më naivi ka të
drejtë të ngrejë pyetjen: po mirë more zotërinj, a nuk erdhët ju në pushtet me
premtimin për të luftuar krimin dhe baronët e drogës? Si ka mundësi që në këta
tetë vjet në vend se të dobësoheshin këta qenkan fuqizuar aq shumë sa arritën
t'ju marrin edhe pushtetin ndonëse ju kishit me vete Policinë, Prokurorinë,
SHIK-un?
Nuk ka përgjigje tjetër përveç asaj se krimi në formën
e grupeve të strukturuara kriminale ka qenë i lidhur edhe me "organizatën"
tjetër të madhe prandaj, në vend se të luftohet ai ka bashkëpunuar e është
rritur bashkë me të. Vetë fakti që Shullazi dhe grupi i tij në vitin 2011 kërcënonte
kandidatët socialistë dhe në vitin 2013 militonte në krah të socialistëve është
prova më e mirë e kësaj.
Ç'duhet bërë në këto kushte
Përballë kësaj vërejtjeje dikush nga opozita më ka thënë:
po, por Edi Rama ka thyer çdo rekord.
Nuk dua të justifikoj në asnjë mënyrë Edi Ramën, përkundrazi.
Madje mund të them se është deri diku e vërtetë ajo që thonë mbështetës të
Berishës se ai i përdorte kriminelët, por
nuk ulej në tryeza të hante pinte me ta kurse Rama, i ul në tryezë i bën
miq e shokë. Megjithatë nuk besoj se arritja e këtij rekordi i dedikohet
thjesht karakterit të Ramës, paçka se përgjegjësitë e tij për thellimin e
lidhjeve të PS me krimin janë të pafalshme. Ta reduktosh tek përgjegjësia e një
njeriu, qoftë ky Rama apo Berisha apo Meta, lidhjen e politikës me krimin do të
thotë të mos kërkosh ta zgjidhësh problemin, por ta manipulosh atë.
Nëse duam të analizojmë shkaqet pse krimi na ka hyrë në
shtëpi me qëllimin e sinqertë për ta luftuar atë, duhet të kemi parasysh se
faktori kryesor është ekonomia kriminale që kemi zhvilluar, që ka zhvilluar, si
anë tjetër të medaljes, politikën kriminale. Sepse, për të mbrojtur dhe
zhvilluar ekonominë e vet krimi ka kapur institucionet nëpërmjet kapjes së
partive dhe vice - versa partitë në luftën për pushtet gjithnjë e më shumë i
janë afruar krimit dhe kriminelëve duke degjeneruar në banda në luftë me njëra
tjetrën për kontroll pushteti dhe territori. Madje, edhe fakti që shohim Berishën
të guxojë të denoncojë Shullazin ndërkohë që institucionet shtetërorre, shoqëria
civile e mediet nuk guxojnë ta bëjnë këtë të parat, është në koherencë me
logjikën e luftës së bandave, (në thelb e njëjta logjikë me të cilën funksionon
edhe Shullazi): tek Berisha shkojnë e ankohen si një i fortë për të kërkuar
mbrojtje nga të fortët e tjerë ndërkohë që normalisht njerëzit duhet të shkonin
të ankoheshin në organet e shtetit.
Ajo që po ndodh sot, degjenerim i dukshëm i këtij
fenomeni deri në krcënimin e kandidatit për rektor për mua shpjegohet kryesisht
me faktin se sot po përjetojmë një varfërim të skajshëm ekonomik dhe moral.
Ekonomik jo vetëm për shkak të pakësimit dramatik të të ardhurave të emigrantëve
dhe të mbarimit të industrisë së ndërtimit që kryesisht është mbajtur me paratë
e tyre dhe të drogës, por edhe sepse një ekonomi kriminale ka për natyrë të vet
grabitjen jo prodhimin, e në mbarim të këtyre burimeve organizatat kriminale
dhe grupet e strukturuara të krimit në shërbim të tyre kanë hedhur vështrimin
tek paratë publike. Morale sepse një ekonomi kriminale rrënon e korrupton atë që
është kapitali më i çmuar i një shoqërie, ai njerëzor.
Pyetja "ç'duhet bërë për të dalë nga kjo
gjendje?" sot ngrihet në formën më dramatike se kurrë. Nuk është e lehtë të
gjesh kurën e një sëmundjeje kaq galopante dhe virulent, por edhe nuk dua ta
mbyll këtë shkrim pa dhënë së paku një sugjerim. Që shullazët të mos na dalin përpara
për të na kërcënuar me vrasjen e fëmijëve, apo se do t'u qajmë në dorë po nuk bëmë
siç duan ata apo shefat e tyre
duhet që njerëzit që fshehin kokën si struci, duke menduar se janë në
punën e vet, ta ngrenë atë. Veçanërisht kjo vlen më së shumti për ata qytetarë,
intelektualë, gazetarë, specialistë
që kanë gjetur rehat duke mbështetur, me kokë ulur, njërën apo tjetrën
parti, pa dashur të shohin se këto parti kanë rënë në duar njerëzish që i bëjnë
të funksionojnë si organizata kriminale. (Panorama, 21 prill 2016)
No comments:
Post a Comment