Gjatë
fushatës për zgjedhjet lokale më tërhoqi vëmendjen posteri elektoral me të
cilin u paraqit Erjon Veliaj. Krahas fytyrës së tij rinore dhe sfondit mavi
atje paraqitej me vizë të bardhë edhe një sky-line i pamjes veriore të qendrës
së kryeqytetit. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte fakti se në këtë sky - line
qenë skicuar vetëm konturet e disa ndërtesave që Tirana i ka pasur që në kohën
komuniste e më parë, dmth xhamia me minaren, kulla e sahatit, pallati i kulturës,
Hotel Tirana, por mungonin ndërtesa të tilla si grataçiela afër ish selisë së
PD apo Torre Drini si dhe ca pallate të tmerrshme prapa Pallatit të Kulturës që
në fakt sot e mbizotërojnë këtë sky-line.
Pse
më bërë përshtypje kjo? Sepse, sipas meje, po t'i vlerësonte, krijuesi i
posterit duhet t'i kishte futur edhe ato. Por pse nuk i ka futur? Sepse edhe ai
edhe porositësi, janë të vetëdijshëm se ajo që i është bërë qendrës me këto ndërtesa
nuk është ndonjë bukuri që duhet evidentuar, përkundrazi.
E
bëra këtë hyrje sepse tani po na propozohet të diskutojmë një projekt i ri të
ndryshimit të qendrës, duke na ftuar të japim edhe mendimet tona si qytetarë. Në
këtë kontekst, personalisht, e para gjë që më vjen të them është paralajmërimi
se meqenëse, siç e tregon edhe posteri i Veliajt, ndryshimet e bëra deri tani
kanë rezultuar shëmtime, duhet të tregohemi më të përgjegjshëm në aventurat e
reja. Sot ka një konsensus në njerëzit
me shije se Sheshi ka qenë shumë më i bukur në projektin italian, pastaj, me ndërhyrjet
e regjimit u shëmtua, por gjithsesi mbeti më funksional dhe shumë më tepër i
qytetarëve, kurse goditjet rrënuese i mori më pas, me ndërhyrjen e parë të Ramës që lulishtes prapa Skënderbeut i
prishi disenjimin italian, i preu pishat historike, duke e transformuar nga një
vend plot kujtime e ku mund të ulej e qëndrohej në një govatë sterile bari që
vazhdoi pastaj me shtesën e govatës bythëpërpjetë të Bashës që e vuri këtë hapësirë
në funknsion vetëm të kalit të Skënderbeut që nuk ha as bar.
***
Por
le të kalojmë tek projekti që na është paraqitur. E para gjë që më erdhi në
mendje kur e pashë projektin, ashtu siç e kanë paraqitur mediet, qe një ndjenjë
çlirimit sepse nuk pashë disa pallate të larta të projekteve paraardhës të Ramës.
E kam fjalën për një pallat midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, një të dytë përpara
Hotel Tiranës, një të tretë midis Hotel Tiranës dhe Muzeut Kombëtar, një të katërt
që i hynte në mes si penis Muzeut Kombëtar të cilët kanë qenë o në planin Francez o në atë Belg dhe që
– le të mos harrojmë – na janë paraqitur si mrekullira të urbanistikës e
arkitekturës. Në vendet e tyre projekti aktual kishte pemë. Etika e komunikimit
ta do që Kryeministri të na thotë pse ka ndryshuar mendim ai apo ekspertët e
tij. Kjo edhe që të besojmë se s’do ta ndryshojë nesër. Mirëpo asgjë e tillë
nuk ndodhi. Fatkeqësisht as
gazetarët nuk ia kërkuan psenë. Prandaj edhe këtë “çlirim” timin them se duhet
ta marrim me rezervë pasi kemi të bëjmë me njerëz që ta shesin pa të keq
betonin për bar, dhe pallatet për pemë.
Së
dyti, duhet thënë se ideja e një zone pedonale të Tiranës është e mirëpritur,
por ka disa POR-e të mëdha prapa idesë së kthimit të sheshit Skënderbej (duke përshirë
edhe Parkun Rinia edhe hapësirat prapa Hotel Dajtit deri tek lulishtet përpara
Parlamentit) në një zonë të tillë.)
***
POR-i i parë (sipas meje më i madhi) lidhet
me obsesionin e trashëguar nga regjimi komunist që më shumë i vinte rëndësi
propagandës, imazhit dhe nevojës së pushtetarëve për të vënë vulën e tyre qendrës
sesa cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Nëse kemi parasysh se jeta e
qytetarëve nuk zhvillohet në qendër, por atje ku banojnë, harxhimi i milionave
për rindryshimin e kësaj qendre do
të ishte puna e fundit që duhet t’u shkonte ndërmend këtyre njerëzve. Sepse
qendra, edhe kështu siç është, edhe pse më e shëmtuar se më parë, është të paktën
e sistemuar, kurse Tirana përtej saj, atje ku jetojnë njerëzit, është katastrofë
në të gjitha kuptimet - si përsa i përket gjendjes së rrugëve e rrugicave ashtu
edhe hapësirave publike. Vjena, që sipas një studimi rezulton si qyteti me cilësi
jete më të lartë se çdo qytet tjetër në botë, ka pikërisht këtë cilësi: qytetarët
nuk kanë nevojë të shkojnë në qendër për të gjetur hapësira publike pedonale e
gjelbërim, por i kanë ato përreth vendbanimeve të tyre sëbashku me kënde
lojrash e fusha sporti për fëmijët e tyre. Pra nëse është fjala për të shpenzuar miliona euro për përmirësimin
e jetës së qytetarëve (një pjesë e të cilëve sot ankohen se s'kanë bukë për të
ngrenë, një arsye kjo më tepër për ta bërë projektin të papranueshëm) e para gjë
që duhej bërë do të ishin projekte parqesh të vegjël, fushash sporti,
rregullime sistemime rrugësh e rrugicash - diku diku edhe shtetëzime në mes të
vendbanimeve të qytetarëve - që do të normalizonin sadopak jetën e qytetarëve
atje ku banojnë. (Do të ishte bukur që me këtë rast arkitektë e urbanistë të
shoqërisë civile t’i paraqisnin qytetarëve, si alternativë ndaj projektit të
Sheshit, projekte të tilla të bëra vullnetarisht).
***
POR-i
i dytë i madh që ngre ky projekt - gjithnjë lidhur me përmirësimin e cilësisë së
jetës së tiranasve - është se çfarë do të bëhet me trafikun po u kthye sheshi në
pedonal. Nga përvoja që kemi kur është bllokuar Bulevardi dhe veçanërisht
rrethrrotullimi tek Sheshi, që është arteria kryesore e qarkullimit të trafikut në Tiranë, është krijuar një kaos
i tmerrshëm, i padurueshëm dhe i rrezikshëm për këmbësorë, shoferë e biçiklistë.
Pretendohet se këtë do ta zgjidhë një unazë e vogël që do të kalojë prapa Bankës
Kombëtare, prapa Muzeut Kombëtar, prapa Hotel Tiranës, që do të vazhdojë duke
prishur ndërtesën historike të Petrelasve ku ka qenë INSIG-u (një krim tjetër ky
ndaj historisë së Tiranës), që pastaj do të kalojë përpara nëntë katësheve për
të vazhduar, nuk dihet se ku, disa thonë tek rruga e Elbasanit deri ku kryqëzohet
me Lanën, disa tek pedonalja duke e kthyer edhe një herë atë në rrugë makinash
(edhe ky një tjetër krim). Nga sa di unë kjo nuk është vendosur akoma dhe ky është
skandal. Nga përvoja ime si këmbësor dhe si shofer, madje që banon afër kësaj
zone, më rezulton se kjo unazë e vogël, nuk mjafton kurrsesi për të plotësuar
funksionin që kryen Bulevardi sepse edhe me rrethrrotullimin e Sheshit si arter
trafiku ajo sot është plot. Prandaj qarkullimi në këtë unazë do të ishte një
ferr i vërtetë dhe ç’është më e keqja do të ndotte qytetin edhe qendrën
pedonale shumë herë më tepër sepse makinat do të qëndronin në këtë unazë me orë.
Pra, nëse do t’i qëndronim idesë së krijimit të një qendre pedonale tek Sheshi
do të duhej që edhe kjo unazë e vogël të ishte vetëm për transport publik, çka
do të thotë, përveç të tjerash, që të punohet më së pari për të rregulluar
problemin e trafikut jashtë kësaj unaze, çka nënkupton, përveç të tjerash, që
edhe idetë për parkingje në qendër të Tiranës të hidhen poshtë.
***
Së
treti, janë tejet problematike edhe ideologjizime e simbolikat e reja që kërkohet
t'i shtohen sheshit. Kam parasysh propozimin nacionalist të shtrimit të sheshit
me gurë që vijnë nga tërë anët e Shqipërisë, medemek për ta bërë atë zemrën e
gjithë shqiptarëve; atë kozmopolit të sjelljes së luleve nga tërë Mesdheu apo
bota si dhe atë demokratik (të shitur si ide e Anri Salës) që sheshi të vijë
pak si piramidë, në mënyrë që qytetarët të mund të ngjiten aty dhe të ndjehen
zotër të Tiranës.
Siç e thashë një nga problemet e mëdha të shëmtimit të atij Sheshi ka qenë se nuk është ruajtur koherenca e stilit të kohës kur është disenjuar për herë të parë. Shtresëzime të tilla si ai sovjetik me Pallatin e Kulturës, ai modernist me 15 katëshin, ai enverist me Muzeun Kombëtar dhe pastaj ato ramiste e bashiste veçse ia kanë shtuar kakofoninë dhe shëmtinë. Shtesat e reja, që s'mund t'i fshijnë shumicën e të vjetrave, veçse do ta bëjnë edhe më problematik atë vend qoftë nga pikëpamja funksionale qoftë estetike. Veçanërisht e tillë, sipas meje, do të ishte ndarja e vazhdimësisë së Sheshit me Bulevardin Zogu I nëpërmjet një ndërtese midis 15 Katëshit dhe Muzeut, që thuhet se është në projekt, edhe pse në projektin që na u paraqit mbahet e fshehur me pemë. Gjithë duke folur për shëmtim do të thoja se edhe prishja e ndërtesës së ish Insigut për të vazhduar pseudounazën do t'i shtonte shëmti qytetit qoftë si prishje e historisë së tij qoftë edhe pasi pallati modernist i projektuar nga Maks Velo në njërën anë dhe shtëpia e stilit liberty në anë tjetër të saj do të mbeteshin si objekte në mes rrugës dhe pa lidhje.
Siç e thashë një nga problemet e mëdha të shëmtimit të atij Sheshi ka qenë se nuk është ruajtur koherenca e stilit të kohës kur është disenjuar për herë të parë. Shtresëzime të tilla si ai sovjetik me Pallatin e Kulturës, ai modernist me 15 katëshin, ai enverist me Muzeun Kombëtar dhe pastaj ato ramiste e bashiste veçse ia kanë shtuar kakofoninë dhe shëmtinë. Shtesat e reja, që s'mund t'i fshijnë shumicën e të vjetrave, veçse do ta bëjnë edhe më problematik atë vend qoftë nga pikëpamja funksionale qoftë estetike. Veçanërisht e tillë, sipas meje, do të ishte ndarja e vazhdimësisë së Sheshit me Bulevardin Zogu I nëpërmjet një ndërtese midis 15 Katëshit dhe Muzeut, që thuhet se është në projekt, edhe pse në projektin që na u paraqit mbahet e fshehur me pemë. Gjithë duke folur për shëmtim do të thoja se edhe prishja e ndërtesës së ish Insigut për të vazhduar pseudounazën do t'i shtonte shëmti qytetit qoftë si prishje e historisë së tij qoftë edhe pasi pallati modernist i projektuar nga Maks Velo në njërën anë dhe shtëpia e stilit liberty në anë tjetër të saj do të mbeteshin si objekte në mes rrugës dhe pa lidhje.
Nga
gjithë sa thashë mua më rezulton se ky projekt është një gjë e nxituar, në kundërshtim
me nevojat ulëritëse të qytetit e qytetarëve, në vazhdën e mënyrës se si kanë
punuar deri më sot, jo vetëm në Tiranë, politikanët tanë: pa një vizion tërësor,
pa largpamësi, pa respekt dhe pa dashuri për qyetarët, përkundrazi duke na
imponur me arrogancë dhe demagogji projekte diletanteske të improvizuara nga
nevojat apo tekat e çastit me një kundërvënie të fortë të interesit privat ndaj
interesin publik. (Panorama, 12 prill 2016)
No comments:
Post a Comment