Para disa ditësh mediet tona u përmbytën nga raporti i organizatës Freedom House i cili u interpretua si një raport negativ, pasi fliste për një Shqipëri që ka bërë vendnumëro.
Pas një jave erdhi Mogherini në Tirane dhe na dha lajmin e gëzueshëm se jo, kemi bërë “përparime të dukshme”, qe justifikojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me KE.
Por le t’i krahasojmë këta dy raporte kontradiktore që na vijnë së jashtmi me “raportet” që bëjnë përditë së brendshmi shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.
Personalisht, pasi e lexova raportin e Freedom House, arrita në përfundimin se ai nuk përputhej në shumë pika me realitetin që jetojmë pasi nuk interpretonte drejt disa nga zhvillimet kryesore në Shqipëri, duke e sfumuar mjaft dramacitetin e tyre.
Le te marr disa nga pohimet kryesore të raportit që u lakuan nëpër media.
I pari ishte ai sipas te cilit “përparimi në reduktimin e kanabisit u zhbë nga zbulimi prej organeve të antikrimit italian se ish ministri i brendshëm Sajmir Tahirit ishte i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.”
Kuptimi i këtij pohimi është se qeveria dhe kryeministri kanë bërë punë të mira që kanë sjellë përparim në luftën kundër kanabizimit, por këto u zhbënë (edhe si perceptim) kur u zbulua se ministri i brendshme na paskësh dalë i lidhur me krimin e organizuar. Po a është vërtet kështu? E vërteta që e dinë edhe vetë aktorët në fjalë është se ajo qe Freedom House e quan “përparim” ishte një aksion propagandistik fasade ne stilin e Edi Rames, (Lazarati) për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në mënyrë që t’i hapte më lehtë rrugën lazaratizimit të krejt Shqipërisë. Për shqiptarët është e qartë se Sajmir Tahiri nuk u bë ministër i brendshme aksidentalisht, por se u zgjodh nga kryeministri pikërisht si njeri i përshtatshëm për këto punë ashtu sikurse edhe shumë njerëz të tjerë të krimit që Rama i futi në parlament apo në krye bashkish të vendit. Provat për këtë janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Le të përmend rritjen më pas në përmasa të papara të kultivimit të kanabisit, faktin se SHIK-u shqiptar ka informuar kryeministrin e kryeprokurorin për 128 oficere policie te përfshirë në të gjithë vendin ne kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe ai s’ka vepruar; talljet me akuzat për trafik droge kur aeroplanët që e transportonin këtë i shiste për dezinfektues mushkonjash; mbrojtja ndaj Tahirit nga kryeministri dhe deputetët e tij etj.. Pra, nuk bëhet fjalë për një hap para dhe një hap mbrapa, siç e përshkruan raporti, por për një strategji për të bashkëpunuar me krimin së bashku me Tahirin, të cilin, mmos të harrojmë, e zbuloi prokuroria italiane jo ajo shqiptare, e cila e mbrojti kur u denoncua nga Zagani ashtu siç vazhdon ta mbrojë edhe sot.
Të njëjtin arsyetim meritojnë edhe dy pohime të tjera të raportit të Freedom House: ai se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës president, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka përshkruar atë më herët si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në Shqipëri” si dhe ai se “”zgjedhja e me maxhorancë të thjeshtë e Prokurorit të Përgjithshëm minoi seriozisht besueshmërinë e pavarësisë së prokurorit të përgjithshëm” duke dëmtuar kësisoj edhe reformën në drejtësi.
Ajo që mungon edhe në këto dy pohime të rëndësishme është shpjegimi se si ka mundësi që edhe paska pasur luftë kundër korrupsionit edhe është zgjedhur si president, nga vetë luftëtarët ndaj korrupsionit, politikani më i korruptuar; se si ka mundësi që maxhoranca edhe paska punuar për të bërë një reformë në drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur edhe zgjedh dhunshëm si prokurore të përgjithshme, pa përfillur frymën e kushtetutës, një figurë që po tregon dita ditës se është një ushtare e bindur e një pale? Përgjigjet ndaj këtyre dy pyetjeve për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri janë shumë të thjeshta: së pari, nuk ka pasur kurrë luftë kundër sistemit të korrupsionit përkundrazi ka pasur avancim të tij, ku njeriu më i korruptuar ka qenë dhe mbetet ai që është në krye të sistemit, kryeministri; dhe, së dyti, zgjedhja në atë mënyrë e prokurores së përgjithshme tregon se qëllimi i vërtetë i reformës ne drejtësi ka qenë heqja e një farë kontrolli që ruante opozita ndaj drejtësisë dhe kapja e saj plotësisht nga maxhoranca për të shantazhuar e intimiduar kundërshtarët si dhe për tu mbrojtur nga akuzat e shumta për korrupsion që kanë arritur nivele të papara. Ngjarjet e fundit në Kukës dhe qëndrimi i Prokurorisë nda tyre ishin vërtetimi më i qartë i këtij qëllimi.
Po ashtu Freedom House flet pozitivisht për zgjedhjet e vitit 2017 duke vënë në dukje mungesën e konfliktualitetit dhe moskontestimin e tyre nga opozita. Por raporti ka harruar të verë në dukje se përpara marrëveshjes Rama-Basha opozita, që ishte në çadër, pretendonte se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje te lira sepse zgjedhjet do te bliheshin (sipas modelit qe ishte eksperimentuar ne zgjedhjet lokale ne Dibër) nëpërmjet parave të oligarkisë dhe ato të trafikantëve të drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës. Dhe situata ishte aq konfliktuale saqë për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve opozita nuk donte të hynte fare në zgjedhje. Fakti që Basha u shtrëngua nga ndërkombëtarët apo u josh apo ble nga Rama dhe hoqi dorë nga ky plan dhe hyri në zgjedhje dhe nuk i kontestoi ato nuk vërteton se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të blera. Po ashtu mungesa e konfliktualitetit nuk është vetëm shenjë e mirë apo ajo mund të jetë edhe rezultat i komprometimit të opozitës, intimidimit të saj nga branda dhe jashtë si dhe e dobësimit të saj në një regjim ku maxhoranca praktikisht kontrollon gjithçka nëpërmjet lidhjeve së saj me oligarkinë dhe krimin.
Si një provë tjetër se raporti i Freedom House, megjithëse kritik, nuk pasqyron dramacitetin e degradimit të vendit do të evidentoja mospërmendjen askund të dy fenomeneve shumë domethënës për realitetin shqiptar: ikjen masive jashtë shtetit të shqiptareve vitet e fundit si dhe rritjen jashtëzakonisht të madhe të krimit të organizuar shqiptar jo vetëm në Shqipëri (ku nuk matet) por edhe në Evropë (ku po matet përditë me shqetësim të madh), pasojë kjo direkt e një procesi degradimi të një ekonomie që po mbeshtetet gjithnjë e më shumë tek parate e krimit. Dhe, sigurisht, me një ekonomi kriminale në rritje, nuk mund të flitet për progres dhe as për demokraci.
E megjithatë ja ku na vjen Mogherini dhe na flet për një përparim të dukshëm që dukshëm është shpikur në Bruksel. Si ta shpjegojmë këtë shpikje të Brukselit? Një pjesë kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: se ky raport i rremë është punë e Vllahutinit të korruptuar nga mjeshtri i korruptimit të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve Edi Rama. Të tjerë se kjo punë bëhet për të fshehur dështimin e burokracisë së Brukselit e cila kërkon të mbaje dhe justifikojë vetveten nëpërmjet këtij zgjerimi. Një pjesë tjetër se ky është një vendim gjeostrategjik, sepse përndryshe Ballkani mund të bjerë nën ndikimin rus apo të Erdoganit, çka do të ishte me pasoja për Evropën. Junkeri në mbrojtje të kësaj teze foli edhe për rreziqet që Ballkani të ribjerë në luftëra si në vitet 90. Një argument tjetër është ai se hapja ndaj Ballkanit perëndimor është një strategji e evropianistëve ndaj nacionalizmave në rritje në vendet kryesore evropiane që kërcënojnë projektin evropian. Por këtyre dy argumenteve të fundit iu kundërvu vetë evropianisti Makron sipas të cilit kjo hapje do ta dobësonte më shumë Evropën e bashkuar, e cila, më së pari, ka nevojë të forcohet në kufijtë aktualë, që të mund të hapet më pas. Arsyet se pse Brukseli ka hartuar këtë raport të rremë mund të jenë të shumta. Arsyeja më pozitive që iu ofrua shqiptarëve të zhgënjyer me këtë raport të rremë është ajo që na ofroi edhe kryetari i opozitës Lulëzim Basha se futja në ombrellën Evropiane do ta bënte më të mundur luftimin e fenomeneve që rreshtova më sipër. Po a është vërtet kështu? Kjo tezë meriton një debat të thelluar si në Shqipëri edhe në Evropë duke iu referuar edhe përvojave të deritanishme shqiptare dhe evropiane edhe realiteteve që po jetojmë. Personalisht gjykoj se të këqijat e këtij raporti të rremë janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave. Argumentet se përse po i le t’i shtjelloj në shkrimin pasardhës. (Panorama, 19 prill 2018)
No comments:
Post a Comment