Fill
pas botimit të shkrimit tim “Edi Rama narçizizmi malinj dhe shoqëria
shqiptare”, si për ta ilustruar çka shkruaja, filluan sulmet denigruese kundër
meje në stilin e manipulatorit pervers. Titujt bombastikë qenë se Lubonja paska
"shitur", "denoncuar", "spiunuar" të atin dhe se
duhen hapur dosjet e këtyre lubonjëve se pse këta kanë dashur të fusin në burg
edhe Kadarenë. Ishte një gjellë e gatuar një herë në kuzhinat e universitetit
privat UET, por duke mos pasur ndonjë më të mirë e ringrohën dhe ua dhanë
shqiptarëve në restorantet e tyre, ku vetëm era e së vërtetës nuk ndihet. Për t’i dhënë edhe ca
më shumë shije nxorrën nga prapaskena ku qëndronte edhe kuzhinjerin e parë,
Kadarenë vetë, me një letër që përforconte akuzën se unë paskam dëshmuar se ky
paska ndikuar Todi Lubonjën dhe se nuk ma falte këtë denoncim politik.
E
kam dhënë një herë përgjigjen ndaj këtyre akuzave në nëntorin e kaluar ku citoj
edhe Giani Rodarin “Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje”, por
mendoj se lufta për ta mbajtur gjallë të vërtetën nuk duhet reshtur pasi
përndryshe kultura e manipulatorëve perverse, do të vazhdojë ta dehumanizojë
këtë shoqëri edhe më keq se ç’e ka dehumanizuar – siç e provon edhe ky sulm kaq
i ulët.
Lidhur
me procesin hetimor dhe gjyqësor
Manipulimi
me dokumentin që kanë nxjerrë është në tre plane; së pari, ai nuk niset të
kërkojnë të vërtetën e Fatos Lubonjës në raport me të atin dhe Kadarenë në atë
proces, por të denigrojnë Fatos Lubonjën, së dyti me faktin se dokumentin e
kanë nxjerrë nga konteksti dhe së treti edhe vetë tekstin e kanë deformuar dhe
interpretuar sipas interesave të tyre.
Përsëris,
e vërtera është se unë jam arrestuar në të njëjtën kohë (Korrik 1974) sëbashku
me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të
tij dhe teknikave operative të
përgjimit, arriti të zbulojë të fshehura në shtëpinë e xhaxhait në Tiranë disa
armë të babait sëbashku me shkrime të tij e të mijat që përbënin "agjitacion propagandë armiqësore". Pra që këtu bije
sedërgjia sikur unë, nuk paskam gjetur kënd tjetër në këtë jetë për të
denoncuar që të marr favore, por njeriun më të dashur, tim atë (dhe Kadarenë).
Ne
kemi qenë së bashku, për shtatë muaj nëpër qeli të ndryshme në një proces të
tmerrshëm hetimor, të drejtuar nga famëkeqët Nevzat Haznedari, Koço Josifi pa
asnjë të drejtë njerëzore si avokati, takimet me familjen e të tjera si këto.
Ndonse shkrimet i kishte fshehur im atë mora përsipër se e kisha bërë unë dhe
kështu mbeti. Por ndërkaq, pas arrestimit tonë,
gjatë kontrollit në shtëpinë time në Tiranë, kishin gjetur një letër me
shkrimin e tij që ma kishte dërguar nga Lezha, ku ishte i dëbuar asokohe, që u
bë drama e gjithë hetuesisë sime. Pjesa e parë e saj ishte një reagimi i tij
ndaj lajmit që i kisha çuar unë nga Tirana nëpërmjet vëllait pas sëmundjes së
infarktit që diktatori kishte kaluar në dhjetor 1973. Im atë përdorte nofkën
“dajarja” të cilën e përdornim kur flisnim për të në shtëpi duke e etiketuar si
“imbecil paranojak”, “narçizist mizerabël” që i është “prishur me kohë
ekuilibri i trupit dhe mendjes” etj. Mjaft të lexojë përmbajtjen e kësaj letre për
të kuptuar se në çgjendje u ndodha. I pyetur se për cilin bëhej fjalë u thashë
një herë një emër e pastaj një tjetër që nuk koresponduan asnjëri me personin
që u kishte dhënë im atë. Ndërkaq sa në sajë të teknikave operative të
përgjimit që ata kishin vendosur në shtëpi si dhe dhe nga spiuni të cilit i
isha hapur në birucë ata e dinin se për cilin bëhej fjalë. Pasi më thanë se im
atë e kishte pranuar dhe ishte varur pa
gjyq, jo pushkatuar, dhe se edhe të gjithë njerëzit e familjes ishin brenda dhe
e pohonin e pranova se bëhej fjalë për Enver Hoxhën. Përveç kësaj prove
shkatërruese, ata kishin materiale nga dosja e përpunimit që më kishte hapur
Sigurimi qysh para një viti, me bashkëpunëtorë dhe përgjime, nga dëshmitarë që
i thirrën me hir dhe pahir të flisnin për aktivitetin tonë
"armiqësor" si dhe analizat e tre ekspertëve: ai i romanit, ai i ditareve
dhe ai i poezive. Ndër këto më të rëndat ishin deponimet e Mihallaq Luarasit që
ishte arrestuar e dënuar afro një vit më parë. Mes të tjerash ai kishte thënë
edhe se im atë i kishte dhënë faqe të romanit tim, që mu gjet i fshehur, i
shkruar sipas “rrymave të romanit të ri
francez që Todi i lavdëronte”. Madje kishte treguar edhe diçka nga përmbajtja
edhe se si se si ishte vazhdimi sipas çka i kishte thënë im atë. Kjo provonte se im atë kishte dijeni edhe për
shkrimet e mija.
Faksimile e faqes së dosjes me fotot e shkrimeve te gjetura në muret e shtëpisë së Llazi Lubonjës
Faksimile e faqes së dosjes me fotot e shkrimeve te gjetura në muret e shtëpisë së Llazi Lubonjës
Përballë këtyre provave që mu dukën të pakundërshtueshme me moshën dhe pjekurinë që kisha në atë kohë (23 vjeç), nën kërcënimet se po të mos pohoja gjithshka dija do të më fusnin në dhomën e torturës, i rezistova presioneve rreth akuzën për terror që donin të na shtonin lidhur me armët e gjetura, por pranova, duke u hequr sikur po u thoja gjithçka, disa nga akuzat. Por u përpoqa t'i justifikoj çfarë kisha thënë e shkruar, dhe veçanërisht, pse im atë kishte shkruar një letër të atillë, jo me urrejtjen e thellë principiale që kishim për atë regjim dhe atë diktator, por me pakënaqësira personale të mijat e të tim eti ndaj vendimeve të paekulibruara apo disinformimit të Enver Hoxhës. Gjithsesi dokumentet nuk pasqyrojnë saktë fjalët e mija, por një versionin ku këtyre u shtoheshin interpretimet rënduese të hetuesve, gjë që ka qenë në sitlin e hetuesisë së asaj kohe.
Më
pas, arrita të kuptoj se im atë ishte gjallë, pasi i dëgjova zërin teksa e çonin në banjë dhe nuhata se mund të kishte
thënë se letra bënte fjalë për dajën tim, ngase më pyetën një ditë nëse daja kishte
qenë i sëmurë. Arrita të shkëmbeja me të edhe një pusulle që ma bëri të qartë
se ai s'i kishte pranuar akuzat. Atëhere ndërrova version duke u thënë se ishim
keqkuptuar për dajaren. Për të mos më lënë të konkordoj me të nuk më bënë as
akt ballafaqimi që parashikohej nga procedurat, madje atë e ndanë nga ne të tre
dhe i bënë proces më vete, ku unë kam thënë versionin e keqkuptimit për dajaren.
Me
përvojën, pjekurinë dhe forcën psikologjike që fitova më vonë sigurisht nuk do
të kisha rënë në ato gracka, ku kanë rënë shumë të arrestuar madje duke pranuar
edhe gjëra të paqena që i kanë çuar në
pushkatim. Këtë e provon hetuesia e dytë ku kam refuzuar të firmos çdo dokument
që nga urdhëri i arrestit, si edhe gjithë qëndrimi im në burg, që u bë shkak të
ridënohesha e të lirohem nga burgu vetëm me grupin e fundit të të burgosurve
politikë më 17 mars 1991.
Fatos,
kur muarëm vesh se dajarja ishte sëmurë na erdhi shumë keq. Por, nuk na shkonte ndërmend që ky imbecil paranojak të ketë rënë në dashuri. Po atij s'i mbahen dot as nofullat. Ai nuk mundet të puthet as me vdekjen. Atij s'i mbahen as pantallonat. Dashuri, ai manjak që nuk di ç'është dashuria. Një narçizist mizerabël dhe asgjë tjetër.
kur muarëm vesh se dajarja ishte sëmurë na erdhi shumë keq. Por, nuk na shkonte ndërmend që ky imbecil paranojak të ketë rënë në dashuri. Po atij s'i mbahen dot as nofullat. Ai nuk mundet të puthet as me vdekjen. Atij s'i mbahen as pantallonat. Dashuri, ai manjak që nuk di ç'është dashuria. Një narçizist mizerabël dhe asgjë tjetër.
Prandaj t'i
thuash nga ana ime o të heqë dorë nga maskarallëqet ose ndryshe në esfel të
shkojë dhe një sahat e më parë.
Kur të vish
këtu, do të bisedojmë më gjatë. Sill me vete dhe psikanalizën që të shikojmë se
në ç'kategori duhet të futet më me saktësi: epileptik, sifilitik, apo çfarë; në
cilën kategori të imbecilëve.
Dajres duhet
t'i jetë prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes…
Manipulimet
e Kadaresë & C0
Siç
e kam thënë edhe në shkrimet e nëntorit , në
dosjen time hetimore, të cilën sapo e kam shfletuar faqe për faqe, nuk
ka asnjë rresht pyetjeje dhe asnjë rresht përgjigje për Kadarenë. Emri i tij
pra nuk ekziston në deponimet e mija në hetuesi. Dokumenti nga kanë nxjerrë
frazat që i kanë manipuluar është një
përmbledhje e deponimeve në gjyqin tim, të xhaxhait dhe burrit të hallës, që
janë futur në dosjn e tim eti, të cilin, siç thashë, e gjykuan veçmas, pak kohë
pas nesh. I pyetur nga prokurori se ç'mendonte Todi Lubonja për letërsinë në
vendin tonë, siç tregon teksti i shkruar me dorë nga sekretarja, përgjigja ime
ka qenë se "ka pëlqyer shkrimtarët Ismail Kadare,
Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë
kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë.”
Pas kësaj vazhdon fjalia "për ditarin
babai im nuk ka dijeni."
Faksimile e dosjes gjyqësore ku përmenden Ismaiil Kadare dhe Dritëro Agolli
Faksimile e dosjes gjyqësore ku përmenden Ismaiil Kadare dhe Dritëro Agolli
Emrat
e Kadaresë dhe të Agollit i kam përmendur në mbrojtje të tim eti, siç kam thënë
edhe se për ditarin nuk kishte dijeni. Sepse këta dy autorë konsideroheshin
asokohe, si dy buajt që tërhiqnin qerren e letërsisë sonë të realizmit socialist
- siç shprehej Mehmet Shehu për ta. Agolli asokohe u bë Kryetar i Lidhjes dhe
gëzonte besimin maksimal të partisë; Kadarenë e kishte lëvduar Enver Hoxha vetë
për "Dimrin e madh". Veçanërisht përmendja e Agollit e provon këtë që
them, sepse im atë, në të vërtetë, për letërinë e Agollit në atë kohë nuk
kishte konsideratë. Në daktilografimin e shkrimit me dorë, hetuesit, në stilin
e tyre manipulues, kanë hequr emrin e Agollit dhe kanë zëvendësuar
"skematizmin" e "të tjerëve" me "të tjerët kanë
frikë". Emrin e Agollit hetuesit e kanë hequr, jo pse e ndanin atë nga
Kadareja si shkrimtar të pushtetit, por për ta përputhur me dëshminë e Luarasit
i cili kishte deponuar se im atë nuk e vlerësonte letërsinë e Agollit. Por edhe
nga deponimet e Luarasit, në vendet ku përmendet Kadareja, nuk flitet për një shkrimtar
të lidhur me “idetë armiqësore” të Todi Lubonjës, të cilin Sigurimi donte ta
mbërthente, por si shkrimtar “për të cilin (Todi) tregonte miqësi e simpati”, që
në rrafshin letrar e pëlqente, por gjithsesi e konsideronte shkrimtar të
pushtetit me kufizimet e asaj letërsie.
E
pra, ku qëndron këtu denoncimi im kundër Kadaresë? Medemek se e pëlqente Todi
Lubonja. Po këtë e dinin të gjithë, siç dinin se kishin edhe miqësi, siç dinin
se Kadarenë e pëlqente edhe Enver Hoxha etj. Por sot, pasi ka ndërtuar mitin e
kundërshtarit të regjimit me manipulim fraza mund të bëhet edhe denoncim armiku.
Kështu veglat e Kadaresë, në versionin e para disa muajve e manipuluan frazën
time dhe i hapën gazetat me titujt sikur paskësha deponuar se Todi Lubonja
thoshte se "vetëm Kadare shkruan të vërtetën". Në asnjë nga dy versionet e dosjes nuk
gjindet fjala "e vërteta". Kurse në interpretimin e fundit,
manipulimi bëhet edhe më i trashë. Në bashkpërkim me ish kryehetuesin Qemal Lame, Kadareja e interpreton frazën
time sikur të kem thënë se është Kadareja, (medemek më i rrezikshmi i armiqve
të regjimit asokohe) që e paska “ndikuar” Todi Lubonjën i cili më ka ndikuar
mua?! E vërteta është se në një autokritikë të asaj kohe Kadareja thoshte se
për gabimet e tij kanë ndikuar lajkat që i bënte armiku Todi Lubonja. Dhe, po
të donte vërtet Sigurimi ta mbërthente,
siç pretendon ky, kjo frazë mund ta rëndonte më shumë sesa fraza ime se e
simpatizonte Todi Lubonja.
Siç
e kam thënë edhe në përgjigjet e mëhershme, unë kam ditur gjëra që mund ta
komprometonin Kadarenë. Psh. se im atë e kishte mik që hynte e dilte në
shtëpinë tonë e se ai kishte dijeni për shkrimet që mu kapën, madje se ndoca
nga poezitë që janë në dosje ia kisha dhënë për t’i lexuar. Por as më kanë
pyetur dhe as më ka shkuar ndërmend t'i them. Megjithatë, në vend se të më
falenderojë sadopak, ai më akuzon si denoncues i tij. Madje deklaron edhe “nuk
e fal Lubonjën” për denoncimin që më ka
bërë. Çfarë manipulimi i shëmtuar! Më kujton historinë se si dhurimin e
dërëshkrimit të romanit “Dimri i madh” diktatorit e paraqiti sikur t’ia kishin
marrë dhe dhunë. Kuptohet se hallin në rastin tim e ka tek kritikat që i kam
bërë frymës nacional-komuniste të veprës së tij si shprehje letrare e
ideologjisë së regjimit, ku s’mungojnë edhe racizmi dhe homofobia; tek
manipulimi i hisorinë, jetës dhe veprën së tij (si psh. historinë e poemës
Pashallarëve të kuq që e shiti si vepër kundër regjimit), si dhe tek denoncimi
që i kam bërë modelit të intelektualit që ai përfaqëson. Në vend se t'u
përgjigjej këtyre kritikave me fakte dhe argumente, - mendoj se edhe me ndjesë
aty ku ka ndryshuar mendim, - zbret në këtë nivel të ulët që veç tjerash e
demaskon edhe si shkrimtar. Sepse këtë tragjedi të familjes sonë, me babë e bir
të burgosur e me krejt familjen me fëmijë të posalindur të internuar, përveçse
me intrigë të shëmtuar, e trajton sipas stilit të sendërgjive të tij socrealiste
kur denigronte armiqtë e pushtetit të asaj kohe, në shërbim të sevirjes së një
të vërtete të rreme, që sot i duhet pushtetit të ri.
Në vazhdën e këtyre sulmeve ndaj meje dha së
fundi një interistë ku më quajti “shpifës ordiner” pasi paskësha thënë, duke
përmendur Zylyftar Ramizin, se ka qenë spiun i Sigurimit me pseudonimin “gjenerali”.
Në fakt, unë di mjaft gjëra, edhe pseudonime di jo pak. Madje di edhe të disa
prej veglave që po përdoren për të më sulmuar, por nuk jam marrë ndonjëherë me
to. Kam qenë e mbetem i mendimit se e keqja e atij regjimi nuk janë këta, veçanërisht
kur bëhet fjalë për viktima të rekrutuar në shtrëngim, - siç kanë qenë edhe dy
personat që u bënë shkak i gjetjes së materialeve që na futën ne në burg, - por
janë ata që i rekrutuan dhe i përdorën. Nëse ndokush i bën sulmet kundër meje i
kondicionuar nga vetja me pseudonim që ka brenda vetes i bëj thirrje të
çlirohet e të mos thellohet në të keqe. Të gabosh është njerëzore, të vazhdosh
të gabosh është djallëzore - thotë një fjalë e urtë. Përsa i përket pseudonimit
"gjenerali", ndonëse i goditur në mënyrën më të ulët, nuk kam thënë as
ato që di, as ashtu siç pretendon Kadareja, por se libri i botuar për për të
provuar ndjekjen e Kadaresë nga
Sigurimin, që merret me dokumente nëpër shtyp e gjyqe, është manipulativ dhe
selektiv sepse nuk ka përmbledhur edhe shumë dokumente që flasin për të
kundërtën, ndër të cilat edhe thënien e Zylyftar Ramizit. Kam përmendur mes
tjerash edhe historinë që ka shkruar Nasho Jorgaqi se si Kadareja ka shkuar tek
ish ministri i brendshën Hekuran Isai për t'iu ankuar se s'kishin punuar aq e
sa duhet për të zbuluar agjentët e sovjetikëve në rradhët e kolegëve të tij,
dhe shpërblimin që mori për këtë: një makinë të re nga ato që kishte sjellë
Ministria e Brendshme. Ky po, mban erë denoncim të pastër, për të cilin s'di
t'i ketë dhënë ndonjë përgjigje Jorgaqit. Ndërsa që libri është selektiv e
provon edhe fakti se në dokumentet hetimore që e përmendin emrin e Kadaresë nuk
kanë futur deponimim i Mihallaq Luarasit edhe pse e kishin në të njëjtën dosje.
pse nuk e kanë bërë? Sepse, edhe Luarasin e ka
përdorur, siç ka bërë me Lamen e të tjerë ish bashkëpunëtorë të
Sigurimit, për të goditur, pas vdekjes, Todi Lubonjën nëpërmjet botimit të një
libri të sponsorizuar nga botuesi i tij.
Problemi
i këtij sulmi
Përtej
personales, problemi kryesor i këtij sulmi ndaj meje është se ai tregon se po
vazhdojmë t'i qasemi të kaluarës
komuniste me të njëjtën kulturë të atij regjimi, të manipulimit e të simulimit.
Në vend të përpjekjes për të kuptuar të vërtetën e asaj kohe, kondicionin
njerëzor të asaj kohe, përgjegjësitë që kemi të gjithë për atë kohë, protagonistë
të vjetër e të rinj të kësaj kulture, me në krye shkrimtarin më të njohur të
vendit, rreken ta manipulojnë atë sipas stilit soc-realist me heronj pozitivë
dhe negativë, me armiq dhe njerëz të partisë, në emër interesash të ulta
pushteti. Nga pikpamja kulturore kjo qasje na largon nga koncepti i
përgjegjësisë që duhet të ndjejmë të gjithë për atë kohë e që duhet të na
mësojë të ndërgjegjësohemi edhe për përgjegjësinë që kemi për çka që ndodh
sot. Shembullin më të keq për këtë e jep
shkrimtari më i përkëdhelur i atij regjimi, i cili largon nga vetja çdo përgjegjësi,
edhe pse i ka veprat në shërbim të tij me okë, dhe përpiqet të fabrikojë një
vete tjetër, ku paraqitet si hero i asaj kohe, madje i persekutuar nga të
tjerët. Se deri në çfarë pike dehumanizuese e çon kjo kulturë e projektimit të
së keqes tek të tjerët dhe e manipulimit e tregon fakti se nuk ngurron të hyjnë
me çizmet e perdhunuesve në plagët e të përdhnuarve ndërkohë që s’thotë një
fjalë që në krye të pushtetit politik e
ekonomik të sotëm janë ish persekutorë të asaj kohe.
Qemal
Lame ka qenë prokuror deri në vitin 1982, pastaj Kryetar i hetuesisë deri në
vitin 1992. Ky njeri ka çuar në vdekje njerëz të pafajshëm me akuza të
fabrikuara. Të birin e madh të Mehmet Shehut këta e detyruan të pranojë se ka
bërë radio transmetuese për tu lidhur me agjenturat e huaja duke e çuar në
vetvrasje. Në një vend me moral njerëzor do të duhej të kishte dhënë llogari,
sepse ka shkelur edhe ligjin e asaj kohe duke fabrikuar akuza të rreme. Minimalisht
duhet të kishte kërkuar ndjesë dhe të kishte shpjeguar situatat që e shtynë në
këto krime. Me moral njerëzor Kadare do të duhej ta akuzonte pse e ka futur
Llambi Ziçishtin në kushte që të pranojë akuza që as i kanë shkuar ndër mendje,
duke përmendur edhe emrin e tij. Por nuk thotë asnjë fjalë për këto, por
thjesht e përdor Lamen për të shpifur kundër Lubonjës.
Veglat
e Kadaresë, po të kishin një kulturë tjetër duhet të kujtoheshin se ky bashkëpunim i tij me Lamen është i vjetër
sepse Lame dhe njerëzit e tij qenë ata që çuan në psikiatri dhe pastaj
internuan (duke e lënë përfundimisht invalid) një djalë të ri vetëm pse familja
nuk ishte e denjë për shkrimtarit e oborrit. Po të kishin pak humanizëm, duke
ditur historinë e goditjes e burgosjes e internimit 17 vjeçar të familjes sime,
do të duhej të kishin kërkuar nga
Kadareja minimumi që të heshtte duke parë, në përgjigjen e parë që kam
dhënë për këtë çështje, se disa muaj para arrestimit tonë, ai shkruate në Zëri
i Popullit në kushte lirie se Todi Lubonja ishte një "kundërshtar i
tërbuar i karakterit kombëtar në artet tona." "djathtist",
"kozmopolit", "urrejtës i folklori" "antishqiptar”.
Sepse dihet se për të eliminuar e burgosur armiqtë, partia lëshonte edhe fushatat
e denigrimit të tyre në opinonon publik.
Por edhe të shpjegonte se si qe e mundur që njerëzit detyroheshin në atë
kohë të sulmonin kështu miqtë e tyre, sepse kjo qe një gjë që ndodhte rëndom. Kurse ata, jo vetëm nuk bëjnë këtë,
por vazhdojnë të manipulojnë e të krijojnë një situatë morale me të mirë e të
këqij të kthyer kokëposhtë. Shkrimtarin që në kohën kur Lubonjat dergjeshin
burgjeve, u ngrit lart e më lart deri nënKryetar i Fronti Demokratik, të cilit
pushteti i kishte vënë në dispozicion përkthyes për t’i botuar veprat e i
ndërtonte aprtament special, i cili mburrej se atë që u kishte bërë ai armiqve
me veprën e tij nuk ia kishte bërë shkrimtar tjetër, që revoltohej pse Le
Monde-i shkruajti kundër Enver Hoxhës pas vdekjes së tij, që deri në vitin e
fundit që ra pushteti u ka bërë proceset politike e letrare shkrimtarëve si
Fishta, Konica, Koliqi e paraqesin sikur na paskërka qenë kryekundërshtari i
atij regjimi. Dhe për të bërë këtë nuk
ndalen as përpara manipulimit të tragjedive të njerëzve që diç kanë bërë vërtet
kundër atij regjimi, të burgosurive politikë si Lubonja, të cilët, madje, i
kthejnë në protagponistë të së keqes në atë kohë, duke u kërkuar madje që të
heshtin njëherë e mirë pas kësaj.
Është
në logjikën e kësaj kulture dominante të pushtetit të sotëm, që vegla kryesore
e këtij manipulimi është Henri Çili, sinonimi i regjimin të ri të grabitjes së
shqiptarëve nga një grusht njerëzish.
Vetëm në Shqipëri ndodh që unversiteti të kenë gazeta të përditëshme që
bëjnë politikë dhe që godasin edhe kundërshtarët e pushtetit deri edhe gazetarë
e intelektualë, siç është universiteti privat i këtij personi. Vetëm në Shqipëri
ndodh që uninversitet në vend se të jenë qendra proteste e emancipimi të
shoqërisë, vatra të mendimi të lirë, janë fabrikues gënjeshtrash, qendra
korruptimi të intelektualëve, të blerjes së heshtje së tyre dhe, në rast të
kundërt, të shantazhimit e denigrimit. Nga shkrimtari që aspiron të marrë
çmimin Nobel do të pritej që të thoshte një fjalë të vetme për masakrën që po
përjeton kultura dhe arsimi në Shqipëri nga këta universitete dhe të bashkohej
me Lubonjën që ka denoncuar vazhdimisht
veprimtarinë antiarsim të këtyre personazheve. Por ky përkundrazi, bashkohet me
Çilin, pranon favoret e oferta që Lubonja ia ka refuzuar dhe bashkëpunon me pushtetin e tij sepse ky i
pastron ferrat si Lubonja që medemek e pengojnë që ky të marrë çmimin e madh.
Si
t’i lidhim këta dy bashkpunime të Kadaresë me njerëz si Qemal Lame dhe Henri
çili kundër meje? Me faktin se shkrimtari i oborrit të regjimit të parë të
Lames vazhdon të njëjtën mënyrë sjelljeje me pushtetin edhe në oborrin e
regjimit të dytë të Çilit. Sepse edhe
regjimi i dytë punon me të njëjtën kulturë si ajo e të parit, atë të korruptimit të intelektulve, të përdorimit të
tyre në shkëmbim të favoreve, të manipulimit të njerëve dhe të së vërtetës
nëpërmjet tyre, të mbajtjes së njerëzve në injorancë si dhe atë të hapjes
procese të shantazhimit e mbylljes së gojës ndaj kujtdo që i del kundër.
Sulmi
ndaj meje është një provë se ky regjim nuk don t’i hapë dosjet, por t’i
manipulojë ato, nuk don të reformojë drejtësinë, por ta manipulojë atë për t’i
mbajtur njerëzit të shatazhuar e nënshtruar. Kushdo që ka ende shpresë se mund të
jetohet pa frikë dhe me dinjitet në këtë vend, nuk duhet të trembet nga këta
manipulatorë perversë, ndërgjegja e të cilëve ngarkohet përditë me mëkate sipas
asaj thënies ”krimi ndjell krimin”. Përndryshe ajo që shohin në kodër shpejt do
tu kthehet në votër. (Panorama, 24 prill 2017)
No comments:
Post a Comment