Retorikat e
përdorura gjatë kësaj krize politike, që ka koinciduar me fushatën elektorale,
të kujtojnë thënien e Paul Valerisë: "Çdo gjë që është e thjeshtë është
false dhe çdo gjë që nuk është e tillë është e papërdorshme." Sepse,
ndërkohë që kriza që ka shkaktuar krizën është kaq komplekse dhe gjetja e
zgjidhjes aq e vështirë, si përgjigje ndaj saj kemi thjeshtëzime "të
përdorshme", - si ato reklamat e shitjes së dyshekëve (më të përhapurat në
televizionet tona) : "me ne do flini gjumë rehat". Thjeshtëzimi më
"fals" dhe më "i përdorshëm" në këtë realitetin tonë të
sëmurë rëndë nga perversiteti i politikanëve për të cilët nuk ka të tjerë
përveç atyre që u shërbejnë, është ndarja e shoqërisë në të mirë e të këqij,
miq dhe armiq dhe ngritja e urrejtjes midis dy kampeve. Kulmin ky thjeshtëzim e
arriti së fundi kur Rama u tha shqiptarëve se pa opozitën do të flenë më rehat,
më pa zhurmë sherresh. Sigurisht ky nuk e di se ai që citohet më së shumti se
ka shkruar për kotësinë e sherreve në parlament me opozitë ka qenë Hitleri? Por
edhe PD-ja nuk qëndron larg në këtë lojë thjeshtëzimi. Brenda dy-tre muajsh nga
protesta e drejtë dhe e rëndësishme për
një qeveri teknike, që do të siguronte zgjedhje të pamanipuluara, ka kaluar në
qark të shkurtër në premtimin "republika e re", në të cilën
shqiptarët do të jetojnë si në "më të mirën e botëve". Por se si e qysh e tek do të kalojmë nga
zgjedhjet me qeveri teknike në një republikë të re askush nuk kërkon të na
artikulojë diçka bindëse.
Një nga temat që
kërkon reflektim të thellë, por që po trajtohet me parimin e gjërave të
thjeshta, por false është edhe ajo nëse duhet të hyjë PD në këto zgjedhje apo
nuk duhet të hyjë. Personalisht këtë çështje e shoh me anë të kundërta të cilat
duhen peshuar mirë. Për të shtjelluar këto anë të kundërta po i referohem
fillimisht thirrjeve të maxhorancës dhe të ndërkombëtarëve që ajo të hyjë edhe në kushtet e mospranimit të
kërkesave të saj. Gjykoj se halli i vetëm i Ramës, tashmë edhe Metës, është se
një opozitë që nuk hyn në zgjedhje heq fasadën e demokracisë prapa të cilës
funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe krimit që ata kanë ndërtuar. Edhe
ndërkombëtarët këtë fasadë duan të ruajnë, sepse rënia e saj është edhe tregues
i dështimit të tyre, i faktit se kanë shpenzuar miliona e miliona për të
ndihmuar konsolidimin e një kaste kriminale në Shqipëri, me të cilën, do s'do,
janë bërë partnerë. Në këtë kuptim moshyrja në zgjedhje e opozitës duket jo
vetëm diçka logjike, por edhe një akt i rëndësishëm denoncimi.
"Fasada" është si një kostum i bukur elegant që vesh një kriminel për
të hyrë në sallonet evropiane, që duhet grisur për ta nxjerrë atë lakuriq
sepse, edhe pse po vesh kostume gjithnjë e më elegante, krimineli po bëhet dita
ditës më i rrezikshëm.
Por megjithatë
problemi nuk mbaron këtu. Puna është se ajo që e quajta "fasada",
dmth. ekzistenca, e një kushtetute demokratike dhe e shumë ligjeve, ndikojnë
sadokudo në mënyrën e sjelljes së kriminelit. Me fjalë të tjera çështja mund të
ngrihet: mos vallë ky kuadër kushtetues që kemi zgjedhur që i siguron opozitës
disa garancira mund të humbasë nesër e vendi mund të shkasë edhe më keq në
autoritarizëm? Apo, përkundrazi, duke dalë nga ky kuadër/fasadë opozitarizmi i
PD mund të bëhet edhe më i fortë për shkak se do të fitojë mbështetjen
popullore që e ka pas humbur meqë deri dje ka qenë edhe ajo pjesë e kësaj
fasade?
Nuk më duket e lehtë t'i japësh përgjigje
kësaj dileme. Më një anë moshyrja në zgjedhje i rrit PD-së mundësinë për të
krijuar besueshmëri në popull për t'u shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore,
më anë tjetër mund të rrezikojë edhe më tej
ekzistencën e opozitës në këtë vend. Zgjedhja në këtë dilemë mendoj se
është e lidhur shumë me qëllimet e
vërteta të Lulzim Bashës me shokë. Janë ata që e dinë më mirë se të tjerët
cilat janë synimet e tyre të vërteta, por edhe se cila është mbështetja që
gëzojnë dhe pengesat që kanë. Janë ata që i dinë më mirë se të tjerët
përgjigjet që u japin vetmevete disa pyetjeve të rëndësishme që ngrenë njerëzit
e shqetësuar për fatet e këtij vendi: a ka vërtet në PD një vizion të qartë për
problematikën e madhe se ku na ka çuar kapja e politikës jo vetëm nga një
oligarki që përdor mjete kriminale, por tashmë edhe nga vetë krimi i organizuar dhe sa ndjehet
vërtet përgjegjës lidershipi i PD-së për kontributin që ka dhënë për krijimin e
kësaj situate? Sepse PD-ja deri më sot ka qenë parti e "njerëzve me
kollaro" që denoncoi një nga manifestueset e protestë së fundit. Pra, a
ekziston vërtetë kjo ndjeshmëri dhe reflektim, siç duket se tregojnë herë pas
here diskurset e Bashës në çadër kur flet për oligarkinë dhe mediet e kapura, a
është e sinqertë ajo, apo po përdoret për mashtrim siç ka ndodhur deri më sot?
Dhe prapë
problemi nuk mbaron këtu. Pyetja që ngrihet paskëtaj është: edhe nëse
lidershipi i PD-së e ka këtë vizion, reflektim, madje dhe vullnet
vetëtransformimi, a mundet objektivisht PD të shndërrohet në një lëvizje
popullore pasi të mos hyjë në parlament? Dhe këtu të dalin përpara disa
vështirësi jo të vogla. Së pari, do të vija kulturën klienteliste, konsumiste,
të pasurimit të shpejtë nëpërmjet krimit, të servilizmit dhe nënshtrimit që
është përhapur në vend nga partitë ekzistuese. Ajo ta bën të vështirë mendimin
se njerëzit mund të bashkohen në një
lëvizje të madhe mbi ideale demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Së dyti,
do të duhej një transformimi i madh i PD-së, së pari nga ata që kanë
bashkëpunuar deri dje me oligarkët e krimin, por edhe ideologjik, pasi do të
duhej që të kthehej nga një parti e djathtë që nga pikëpamja e përfaqësimit
përfaqëson shtresat më të pasura, në një parti që duhet të përfaqësojë
interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, sepse është ajo që sot ndjen
peshën më të rëndë të këtij regjimi. Dhe së fundi, edhe sikur të arriheshin
këto dy të parat mbetet një pikëpyetje tjetër: a do të mund të kishte jetë dhe
të rritej një lëvizje e tillë në kushtet kur regjimi i instaluar kontrollon
gjithnjë e më shumë jetën ekonomike, politike, kulturore, mediatike të vendit? Apo, mos vallë dalja e PD-së nga parlamenti
do t'ia lehtësonte punën regjimit për asgjësimimn e opozitës çka do të thotë se
PD-ja mund të jetë më efikase po të hyjë në parlament por në këtë rast duhet ta
harrojë lëvizje mbarëpopullore dhe republikën e re?
Nuk kam një
përgjigje të prerë ndaj kësaj dileme dhe fakti që se kam mund të duket se po
them diçka "të papërdorshme". Besoj se nënteksti i këtij shkrimi duke
u thjeshtëzuar dhe bërë "i përdorshëm" është: nëse e kanë me gjithë
mend çka kanë thënë deri më sot tek çadra ndoshta ia vlen më shumë të mos hyjnë
në parlament sesa të hyjnë. Por ky shrkim është më shumë se kaq. Në të
preferova më së shumti ta shtroj dilemën dhe jo t'i jap një përgjigje të
thjeshtë me rrezikun që të jetë false. (Panorama, 16 maj 2017)
No comments:
Post a Comment