Në
shkrimin “A duhet të hyjë PD në zgjedhje” jam shprehur se kjo varet shumë nga
protagonistët kryesorë. Nëse ata e kanë seriozisht gjithë çka na kanë premtuar
në çadër ndoshta më e mira do të ishte të mos hynin, sepse hyrja do të legjitimontec“fasadën”
prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe të krimit, duke i bërë,
mes tjerash, gjithnjë e më të pamundura
edhe zgjedhjet e lira. Por dilemën e hyrjes apo moshyrjes në zgjedhje e kam
lidhur edhe me dilemën: a mund të shndërrohet PD-ja nga një parti deri dje e
sistemit/fasadës, në një lëvizje antisistem që çjerr fasadën? Marrëveshja Rama
– Basha dhe mënyra se si u arrit ajo i
dhanë fund këtyre dilemave. PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë
marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të
shndërroheshin në një lëvizje antisitem, ose se nuk i kishin seriozisht
premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizmit etj. Basha mund
të thotë se zgjedhja që bëri ishte e imponuar nga ndërkombëtarët, se nuk u
mbështet sa duhej nga populli që s’e kuptoi, nga vetë ne gazetarët që nuk iu
përgjigjëm thirrjes për të shkuar në çadrën e tij. Pa dyshim presioni ka qenë i
madh, edhe mosbesimi i të zhgënjyerve e ka rritur këtë presion, por historia
tregon se politikanët që kanë sjellë ndryshime të mëdha kanë qenë pikërisht ata
që nuk i janë përshtatur një realiteti ekzistues, por ata që e kanë ndryshuar
atë sipas vizionit të tyre. Do të ishte pikërisht këmbëngulja për të mos iu
bindur realitetit të imponuar edhe nga amerikanët, evropianët edhe mosbesuesit,
që do të mund të krijonin bindjen dhe besimin se kemi të bëjmë me njerëz që
mund t’ia dalin të ndryshojë këtë realitet mjeran ku ndodhemi. Por me sa duket njerëz
të këtij stofi pritet të lindin në Shqipëri.
Shkurt
shqiptarët që presin një ndryshim të sistemit oligarkik, bandokratik,
shkërdhatokratik, kleptokratik, narkotrafikantokratik - për të përmendur vetëm
disa nga epitetet që i janë vënë - duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre
se kjo nuk ka për të ndodhur. Ne u kthyem në “normalitetin” tonë ku politika është
një biznes privat dhe jo një “gjë publike”, siç është kuptimi i fjalës
“republikë” që e ka përmendur kaq shumë Basha kohët e fundit. Partitë që merren
me këtë biznes, pas një momenti sherresh, u ulën për të rindarë edhe një herë
aksionet e tyre. Duke e menduar PD-në si të paaftë për të ndryshuar realitetin
them se kjo është më mirë sesa sikur t’ia linte të gjithë tryezën Edi Ramës dhe
Ilir Metës, por kundërthëniet mbeten.
Tani
të gjithë i kanë hyrë kalkulimeve se kush ka dalë i fituar dhe kush i humbur në
këtë pazar të ri. Sigurisht përgjigjen përfundimtare kësaj do t’ia japë shitblerja
e mallit më 25 qershor, por disa parashikime edhe mund të bëhen. Nëse do t’i
referohem një metafore ku e kam përshkruar ndërtesën e pushtetit në Shqipëri si
një godinë ku në bodrum kemi krimin e organizuar, në katin e parë oligarkët, në
katin e dytë mediet e tyre dhe në katin e tretë zyrat e partive të ndryshme, them
se gjithshka që do të ndryshojë ka të bëjë me disa lëvizje zyrash në katin e
tretë. Duket se me shumë gjasa do të kemi një zvogëlim të zyrave të LSI-së, e
cila duhet të kënaqet me zyrën e presidentit që ka kapur kryetari i saj. Përsa
i përket zyrave të PS dhe të PD-së për momentin është krijuar një konfuzion
sepse në zyrat e PS-së kanë hyrë momentalisht disa ministra të PD-së që,
medemek, do të bëjnë të mundur që populli të votojë i pafrikësuar, i pamanipuluar
dhe i pablerë. Por problemi është se PD-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka humbur
shumë lidhje me katin e dytë, katin e parë dhe bodrumin, që janë lojtarët e
vërtetë të përcaktimit të votës. Ajo që iu dha PD-së dhe Lulzim Bashës, për mua,
ishte thjesht një mënyrë për të mos dalë krejtësisht i turpëruar nga çadra si dhe
për të mbyllur gojën pas rezultatit, sepse qeveria e “besimit” që po krijohet
nuk ka asnjë instrument për të ndryshuar diçka në katet e poshtme të ndërtesës
së pushtetit, që kontrollohen nga Edi Rama.
Me
shumë gjasa në këto kushte, ku loja elektorale nuk zhvillohet midis një lëvizjeje
që premton shpresë dhe kastës së vjetër, por si një lojë brenda kastës ka më
tepër gjasa që 71%-shin ta kapë i vetëm Edi Rama dhe jo PD-ja. Nëse nuk arrihet
kjo mund të jemi përsëri në kushtet kur LSI-ja të mbetet përcaktuese e
maxhorancës. Se çfarë do të vendosë Ilir
Meta këtë do ta shohim. Them se më mirë se kushdo këtë e dinë ata të kateve
poshtë dhe intuita ma thotë se, edhe sikur të mos jetë përcaktues, Meta do të
shkojë me Ramën.
Së
fundi kanë dalë disa zëra se, për të mos ndodhur kjo, për shkak se këta urrehen
shumë me njëri tjetrin (çka na bën për të qeshur) si dhe që të evitohen kriza
si ato të çadrave, që i kanë mërzitur shumë partnerët tanë strategjikë, mund të ketë koalicion të madh PS – PD në emër
të mbylljes së disa reformave që do ta çuakan Shqipërinë në Evropë. Personalisht
nuk e besoj se mund të ndodhë një gjë të tillë, por nuk është çudi po të
mendosh, jo reformat dhe as partnerët strategjikë, por se deri dje të dyja kanë
përfaqësuar të njëjtët oligarkë. Dreqi e di çfarë paskan biseduar kokë më kokë,
për pesë orë, Romeo Rama dhe Xhulieta Basha, - sipas një batute të Ramës kjo
- por prap nuk e besoj. Në fakt
koalicionet e mëdha janë bërë në emër të qeverisshmërisë kur nuk sigurohet
maxhoranca e duhur nga partitë e mëdha. Tek ne kjo mund të ndodhë vetëm nëse
LSI nuk pranon të bëjë koalicion paselektoral me asnjërën. Ndërsa po të kemi
një koalicion PS - PD pa u pyetur fare LSI-ja kjo do të thotë se me ndihmën e
çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra: zhdukja e
opozitës, dmth. se Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër.
Sigurisht jo në Evropë. (Panorama, 22 maj
2017)
No comments:
Post a Comment