Një vërejtje serioze ndaj shkrimit tim të fundit, “PS, bashkë apo vetëm”, që ndryshe mund të titullohej edhe “PS, bashkim apo pastrim” më erdhi nga një lexues, i cili, duke më përmendur përzgjedhjen nga PS të kandidaturës së avokatit të krimit të Gërdecit, Visha, më thoshte se gaboja po të mendoja se një opozitë që bashkon kundër Berishës tërë “qelbësirat” (sipas një etiketimi të M. Nanos), mund të ishte më mirë se sa vazhdimi i qëndrimit tonë në qelbësirllëkun e pushtetit të Berishës. Nuk ishte një berishist ky, jo. Ideja e tij ishte se zgjedhja e Vishës është prova më e mirë se asgjë nuk do të ndryshojë me Edi Ramën, pasi fitorja e tij do të sigurojë pikërisht vazhdimësinë e së njëjtës kastë dhe të të njëjtit sistem, me Mediun e Metën si kushineta të vazhdimësisë, çka do të përgatisë rikthimin nesër të Berishës sipas të njëjtit sistem e me të njëjtët njerëz. Për të më bindur për mosndryshimin, nuk mungoi të më numëronte edhe shumë investime të ndara përgjysmë midis oligarkëve të PD dhe të PS, si dhe shumë nga ata që, në fushatat elektorale sponsorizojnë të dyja palët. Prandaj, sipas tij, më mirë t’i marrë Berisha të gjitha përgjegjësitë e pushtetet, që të na hiqet qafe edhe iluzioni i një demokracie dhe lirie, në mënyrë që, kur të vijë radha për të rrëzuar Berishën, të rrëzohet i gjithë sistemi i korrupsionit që është ngritur dhe e gjithë kasta e korruptuar në pushtet. Me fjalë të tjera, gjithë sipas kësaj teorie, Rama i shërben Berishës si fasadë demokracie dhe Berisha i shërben Ramës si fasadë dhe, prandaj, më mirë ta grisim këtë fasadë/maskë në mënyrë që ta shohim egërsirën e sistemit të grabitjes që ata kanë ngritur ballë përballë e të dimë më mirë se kë të luftojmë e si ta luftojmë.Nuk janë të paktë ata që i mëshojnë kësaj ideje. Disa, madje, nuk presin që Berisha t’i presë kokën Ramës apo Rama t’i presë kokën Berishës në luftën finale të 2013-ës, por e duan që tani, dhe pikërisht mbi këtë ide mbështesin edhe një lëvizje si ajo Kuqezi e Kreshnik Spahiut.Megjithëse bëj pjesë ndër ata që e kanë akuzuar tërë klasën politike si përgjegjëse për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, megjithëse i kam quajtur banda dhe jo parti këto që kemi dhe, jo rrallë, kam shkruar për nevojën e distancimit nga të dyja në emër të diçkaje të re, kam shumë rezerva ndaj variantit të sugjeruar nga lexuesi im. Rezervat kanë të bëjnë me dilemën evolucion – revolucion dhe lidhen veçanërisht me koston dhe pasojat e këtij të fundit. Thënë në një mënyrë metaforike, ne jemi sot duke ecur në një tunel të errët dhe kërkojmë me ngulm të dalim në dritë. Por ka dy mënyra për të dalë në dritë: njëra është ajo që të vazhdojmë të ecim nëpër terr me durim duke korrigjuar trajektoren në të cilën na kanë futur këta aventurierë, derisa të gjejmë dritë, tjetra është të hedhim në erë tunelin që të dalë drita, por duke rrezikuar të na zërë brenda, çka do të ishte ndofta edhe më keq. Pa hyrë thellë në teori dhe histori, më duhet të them se historia tregon se vështirë të lindë një lëvizje e re, e shëndoshë, në një vend të zhytur në një proces krize dhe degradimi si ky i yni. Historia ka treguar se krizat dhe degradimet kanë prodhuar lëvizje populiste që në raste të tilla, si nazizmi dhe komunizmi, kanë instaluar regjime monstruoze. Edhe historia jonë e pas ‘90-s është provë e kësaj, po të kesh parasysh eksodin dramatik, shtetin e piramidave dhe tërë këtë katrahurën e krimit dhe korrupsioni që vazhdon edhe sot. Në këtë kontekst, nuk do shumë mend për të konstatuar se kriza dhe degradimi ynë po përfton përditë një rini gjithnjë e më të paarsimuar, gjithnjë e më të frustruar, gjithnjë e më të lidhur me krimin dhe se vështirë të imagjinosh se prej saj mund të lindë një lëvizje që mund të na sjellë më shumë liri, demokraci e shtet ligjor. Pra, në këtë kontekst, nuk pajtohem me idenë se, që të shpëtojmë, duhet më parë të kalojmë në fazën e një degradimi të mëtejshëm, çka do të vinte nga eliminimi i njërit nga dy rivalët e fundit të mëdhenj që kanë mbetur në skenën tonë politike. Sipas meje, mbetja me një lider të vetëm autoritar në fazën pas kësaj në të cilën ndodhemi, qoftë ky Berisha, qoftë Rama, vërtet edhe mund të përshpejtonte rrëzimin e të gjithë sistemit e të kastës që ata përfaqësojnë, por nuk jam i bindur se lëvizja që do t’i jepte shtysën për në greminë kësaj kaste, qoftë kuqezi, qoftë bardhezi, do të na sillte në një stad më të avancuar se sa stadi me dy-tri banda, në të cilin ndodhemi sot. Dhe këtë e provon pikërisht perspektiva e Drejtësisë së pavarur në situatën hipotetike për të cilën po flas. Në stadin në të cilin ndodhemi sot, ne ndiejmë fort nevojën që të kemi një Drejtësi të pavarur, që t’i vë nën kontroll këto banda. Kurse në stadin kur do të na duhej të krijonim një lëvizje revolucionare për të rrëzuar kastën në fjalë, do të kalonim në një stad ku Drejtësia nuk do të ishte e pavarur, por do të ishte instrument në duart e kësaj lëvizjeje. Imagjinoni, pra, një lëvizje si ajo Kuqezi me në krye Kreshnik Spahiun, që merr pushtetin dhe në emër të atdheut vendos të pastrojë klasën/kastën politike dhe dënon tërë të korruptuarit duke u konfiskuar edhe pronat që kanë vënë me të padrejtë. Idealisht duket një gjë e mrekullueshme, por praktikisht të fut dridhmat sepse, duke e ditur se ku jetojmë, nuk është e vështirë të imagjinohet se gjykatësit e Spahiut do të dilnin nga i njëjti brumë njerëzor (siç ka dalë edhe Spahiu) i zhytur në krim e korrupsion e në vend të drejtësisë do të shihnim gjykatës të komanduar që godasin kundërshtarin dhe lënë të lirë tërë ata që betohen në emër të flamurit kuqezi. Madje, do të thosha se thellë-thellë, edhe ajo që aspirojnë, qoftë Berisha, qoftë Rama, qoftë edhe Spahiu, me mënyrën se si flasin dhe e akuzojnë tjetrin, është në thelb e njëjta gjë: vendosja e sundimit dhe e drejtësisë së partisë së tyre dhe e personit të tyre, jo ajo e shtetit ligjor.Ja pse personalisht, sa herë merrem me dilemën që ngre kjo situatë krize, shkruaj se, tek e fundit, jemi më mirë me dy banda, sesa me një bandë dhe. Po ashtu, do të thosha më mirë me tri, sesa me dy banda. E, në këtë kontekst, nuk jam kundër daljes në skenë të një partie të re si jo e Spahiut apo të asaj të “Topit. Sepse forma apo fasada e institucioneve demokratike që kemi sot, ku hyn dhe pluralizmi partiak, prapa të cilave, sikurse e kam shkruar edhe më herët, shpesh veprojnë institucione të tjera, si ato klanore, të krimit të organizuar, të dominimit të më të fortit e jo të ligjit etj., nuk është thjesht e vetëm formë/fasadë. Ajo, siç do të thoshte Hegeli, është edhe përmbajtje njëherësh, sepse është një projekt që kërkojmë të realizohet, një ideal drejt të cilit kërkojmë të ecim.Në këtë kontekst, propozimi im, sikurse e kam shtjelluar edhe në mjaft shkrime paraardhëse, është ai se duhen bërë të gjitha përpjekjet që partitë/banda që kemi të reshtin së qeni banda, të reshtin luftën asgjësuese për kontroll të plotë të territorit dhe pushtetit dhe të kthehen në parti të kontrollueshme nga zgjedhësit, të kontrollueshme nga Drejtësia, të kontrollueshme nga mediat, të kontrollueshme edhe nga zgjedhësi nëpërmjet votës së tij. Rasti “Visha” nuk tërhoqi sa duhet vëmendjen pikërisht në këtë aspekt. Ajo që do të duhej të tërhiqte vëmendjen më shumë sesa procedura se si u zgjodh Visha, është fakti se ne ishim të detyruar të kishim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose një gjykatës të Berishës, ose një gjykatës të Ramës, dhe jo një gjykatës të pavarur prej të dyve. Dhe kjo për shkak se rregullat e lojës që kanë diktuar këto parti janë të tilla që nuk na krijojnë hapësirë tjetër dhe zgjedhje tjetër përveç Berishës ose Ramës. Personalisht, kur kam shkruar se nuk duhet të mbështesim fitoren e Ramës, por të procesit demokratik, e se të dyja këto nuk janë e njëjta gjë, kam pasur parasysh pikërisht se bashkimi i qelbësirave dhe joqelbësirave nuk duhet të bëhet thjesht për të rrëzuar Berishën dhe për të vënë Ramën, por me kushte të forta të diktuara nga nevoja e qelbësirave dhe joqelbësirave për të ndryshuar këto rregulla loje në mënyrë që fatet e tyre dhe tonat në përgjithësi të mos vendosen nga një parti e vetme dhe një njeri i vetëm, por nga bashkëveprimi i tërë atyre institucioneve që sigurojnë një vendimmarrje demokratike. Pra, pavarësisht se kush bashkohet, thjesht dhe vetëm bashkimi nuk mjafton, ky duhet të bëhet mbi një projekt që qartazi nuk synon zëvendësimin e Berishës me Ramën, por forcimin e institucioneve demokratike. Edhe partia e Spahiut, edhe ajo e Topit, së bashku me një numër partish të tjera, do të duhej të ushtronin presionin e tyre pikërisht për këtë ndryshim rregullash, ndër të cilat për mua është edhe kërkesa për të larguar liderë të modelit të Berishës dhe Ramës nga politika. Ne kemi nevojë urgjente të korrigjojmë devijimet e rënda nga demokracia dhe shteti ligjor që kanë bërë bandat me në krye këta. Kjo është e vetmja mënyrë që të mund të kalojmë nëpër tunelin e errët ku ndodhemi për në dritë, pa pasur nevojën që ai të na shembet mbi krye. Përndryshe na pret shembja. (Panorama, 18 prill 2012)
Tuesday, April 24, 2012
Dilema evolucion – revolucion
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
No comments:
Post a Comment