Monday, April 9, 2012

Për të qarë e për të qeshur


Kam ndjekur me vëmendje reagimet pas lajmit për zhvillimin e paradës gay në Tiranë, jo vetëm nëpërmjet çfarë është thënë e shkruar nëpër mediat, por edhe nëpërmjet një sërë komunikimesh të tjera siç janë psh. e-mailet që tashmë na hyjnë nëpër postat tona elektronike si vizitorë të dëshiruar e të padëshiruar apo komentet e shumta nëpër blogjet tona të mbushur me anonimë, që dikush i ka krahasuar me nevojtoret publike ku njerëzit shkruajnë ndonjë broçkull nëpër muret ndërkohë që dhjesin, e pastaj ikin pa e lënë identitetin e tyre.
Komenti i parë që të vjen të bësh është se, në një maxhorancë të frikshme, reagimet flasin për një izolim të thellë kulturor të shoqërisë shqiptare nga bota ku paradoksalisht pretendojmë se duam të bëjmë pjesë. Që ne jemi një shoqëri homofobike kjo dihet. Që homofobia po ashtu nuk është problem vetëm shqiptar, por e gjen edhe në botën e ashtuquajtur demokratike, edhe kjo dihet. Por, megjithatë, mënyrat e reagimit ndaj homoseksualizmit tek ne, sa herë bëhet publike ndonjë çështje që ka të bëjë me të, i kalojnë përmasat  e një reagimi homofobik, le ta quajmë të kuptueshëm për një shoqëri të mbrujtur gjatë me një kulture konservatore, patriarkale, maçoiste, misogjene, bigotike, homofobike, raciste, totalitare – karakteristika këto që i konsideroj si hallka të zinxhirit të ADN së kulturës që kemi trashëguar. Jo, reagimet tona na nxjerrin çuditërisht në një dimension grotesk, siç ishte ai i para disa kohëve në Lezhë ndaj një bashkqytetari që guxoi të deklarojë në televizion që është homoseksual dhe për këtë u organizuan demonstrata me parrullat: “Ne jemi një qytet i ndershëm.” “Jashtë nga qyteti ynë homoseksuali!”, e madje u deklarua se ai nuk ishte lezhian i vërtetë, por e kishte origjinën nga një tjetër qytet. Janë reagime për të qeshur e qarë njëherësh. Për të qeshur sepse i shkojnë shumë asaj thënies së famshme “historia përsëritet një herë në formë tragjedie dhe së dyti në formë farse” pasi, duam s’duam, këto reagime ngjasojmë me një përsëritje, në krejt tjetër kontekst, të një tjetër kohe e tjetër bote. Por pastaj, duke parë se reagime të tilla, në fakt, e bëjnë të vështirë jetën normale në shoqërinë tonë, sepse tregojnë se ajo ka probleme të rënda me të drejtat dhe liritë e njeriut, me pranimin e diversitetit në përgjithësi, pra edhe me humanizmin dhe demokracinë, të vjen edhe për të qarë për realitetin ku rriten fëmijët tanë.
Bëri ferk në këtë drejtim deklarata e zv/ministrit të mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia “Do t’i marrim me hu.” – tha - duke bërë edhe shpjegimin se “huri” ishte shkopi i gomës që, mesa di unë, është një instrument dhune që e ka në përdorim vetëm shteti i cili, po mesa di unë, ka edhe ekskluzitetin e dhunës. Është një deklaratë që në çdo vend tjetër, jo vetëm demokratik, nuk guxojnë ta bëjnë as grupet fashiste, që janë në gjysëm ilegalitet, kurse fakti që në Shqipëri e bën një zv/ministër dhe kryetar partie është skandal për të qarë, por edhe skandal për të qeshur. Për të qarë, e para, nga pikpamja humane, sepse vetëm një sadisti mund t’i shkojë ndërmend se mund të marrë shkopin e të rrahë njerëz që s’i kanë bërë asgjë, por pastaj kur mendon se një njeri i tillë, që nuk di as kuptimin e emrit të partisë që drejton, - sepse “Lëvizja e Legalitetit” nenkupton respektin për të ligjshmen - në poste deri të zv/ministrit dhe kryetarit të partisë është shenjë e një injorance të frikshme në elitën tonë politike. Është për të qeshur se ne e dimë se kjo është si deklarata e një fëmije që thotë gjëra të tmerrshme pa e ditur se janë të tmerrshme, madje duke menduar se po fiton simpati, dhe se janë të rriturit ata që do t’ia mësojnë se e ka gabim. Dhe vërtet erdhi menjëherë qortimi i të rriturit Sali Berisha njeriu që, paradoksalisht, akuzohet si autoritar e diktator. Deklarata e tij se “orientimi i ndryshëm seksual është i lashtë sa vetë lashtësia”, e se “asnjë parti nuk ka dajakun në platoformë” duhet përshëndetur si diçka pozitive ndonëse mendoj se me këtë rast duhet kujtuar që edhe ai s’e ka për gjë të përdorë edhe vetë hallka nga e njëjta ADN kulturore që përdor Spahiu, veçanërisht ato të sharjes së tjetrit me familje dhe se me këto ai ka ndikuar jo pak që shoqëria shqiptare të mbesë e izoluar ndaj shumë vlerave që kanë të bëjnë me emancipimin e shoqërisë shqiptare. Nuk do shumë mend për të kuptuar se i rrituri Berisha e dënoi Spahiun më shumë për konsum ndërkombëtar pasi një deklaratë e tillë e një zv/ministri e nxjerr Shqipërinë në një botë krejt tjetër nga ajo që ai pretendon se po e çon dhe i heq edhe ujin e pakët të “legalitetit” që i ka mbetur qevrisë për të notuar. “Nga vijnë këta njerëz???? Po filloj vërtet të besoj se paskan zbritur në tokë alienë të ardhur nga një tjetër planet.” - ishte reagimi i një ameriani  në një nga faqet e web-eve, si reagim ndaj lajmit të deklaratës së Spahiut.
Ajo që të bën përshtypje është edhe fakti se pakkush veç Berishës guxoi të dalë kundër deklaratës së Spahiut e në mbrojtje të paradës. Duhet thënë shumë mirë që reagoi Avokati i Popullit, por edhe ky të le të mendosh sikur e ka bërë për detyrë ndërkombëtare e sa kohë e dimë se shumë gjëra thuhen sa për sy e faqe, nuk ngjisin. Thellë thellë shumëkush ka frikë se mesazhi kërcënues i Spahiut ishte efikas. Kur s’kam pula pse të bëj ysh  - duket sikur thonë disa – t’u dal në mbrojtje homoseksualëve që, edhe po s’hëngra ndonjë ndonjë shkop gome kurrizit, të ha ndonjë të turpëruar publike. Dhe prap kjo është jo vetëm për të qarë, por  edhe për të qeshur, sepse mjaft të ndrrosh pak kontekstin e sistemt të vlerave dhe i turpëruari që s’do të dinte se ku të futej do të ishte Spahiu me partizanët e tij. “Të tilla ndjenja antigey tregojnë se personi ka probleme me seksualitetin e tij. Kjo është thjesht një klithmë që vjen nga thellat më të errëta të  botës së fshehtë të një përfaqësuesi të shtresës së ulët të shoqërisë shqiptare.” shkruante një tjetër amerikan në faqen që përmenda. A nuk na bëjnë për të qeshur edhe këto. Doni edhe më? Një tjetër shkruante: “Kjo më kujton një citim nga një libër i vjetër me shënime udhëtimi mbi Shqipërinë […] ku thuhej: “Udhëtarë, bëni kujes, mos u hidhni shikime vajzave të tyre të hijshme sepse vëllezërit e tyre e kanë durimin të shkurtër kurse baballarët i kanë thikat të gjata dhe të mprehta.” Ha ha ha! Të paktën tani në këtë drejtim diçka kemi ndryshuar, besoj.
Nuk po i shkruaj të gjitha komentet që lexova (më dolën duke kërkuar në google Ekram Spahiu sepse nuk dija emrin e saktë të partisë së tij), por, për të ruajtur nderin e Ministrisë së Mbrojtjes, po i them Imamit që meqë s’ka bythë të deklarojë se s’punon me njerëz si Spahiu të paktën të mos e dërgojë në Amerikë me ndonjë delagacion. Sepse njëri nga ata komentuesit – gay ishte me siguri – kishte lënë një koment ku thoshte: u sugjeroj gejve shqiptarë t’i futen këtij bigoti me hu se, nganjëherë, duhet ta tregosh se të jesh gay nuk do të thotë se je pasiv apo viktimë. Sigurisht këtu tek ne kjo s’mund të ndodhë, se ne jemi shoqëri e shëndoshë e nuk i lemë gejtë të marrin hurin e të na rrahin, por ka rrezik që në SHBA të ndodhë dhe do  ta hajë integrimi i Shqipërisë në BE sepse deri tani vetëm pak e dinë deklaratën e Spahiut, por po u rrah një zv/ministër shqiptar në Amerikë për këtë punë do ta marrë ferra uratën.
Të më falë lexuesi se më rrëmbeu humori duke fantazuar Ekram Spahiun, që në 98-tën pushtoi TVSH mbi tanke dhe sot drejton Ministrinë e Mbrojtjes, pra një hero i vërtetë, duke u rrahur në SHBA nga gejtë.  Por kjo histori është vërtet për të qarë e për të qeshur.
Siç ishte për të qarë e për të qeshur edhe heshtja e opozitës sonë socialiste, që, duke qenë e majtë, do të duhej të ishte në krah të lirive dhe të drejtve të homoseksualëve – siç ndodh në të gjitha vendet demokratike ku ka një dallim mdis së majtës dhe të djathtës edhe kulturor, ta hajë dreqi.  Mirëpo këta mëngjërashët tanë, që në fakt i kanë detyruar qysh të vegjël, me dhunë, të shkruajnë me dorën e djathtë, kanë hall pastaj se tufa e spahinjve, që Berisha i përdor për politika të brendshme, fillojnë e thonë: “Ja, a nuk e kemi thënë ne se Rama e ka mbushur Partinë Socialiste me dylberët që i solli Erjon Velia nga Mjafti. A nuk kemi thënë ne që kryetarin e ka homoseksual që ka dalë lakuriq dhe që ka dashnor mashkull.” Se këta spahinjtë janë të mëdhenj; kanë për borxh që edhe ylberin, që në Perëndim është simbol i paqes, (si bashkjetesë e ngjyrave të ndryshme) ta bëjnë simbol të homseksualëve. I shtojnë një “d” përpara dhe nga ylber e bëjnë dylber. Pastaj edhe sikur të jetë simbol i paqes dhe jo i homoseksualëve edhe paqja diçka pasive është, si punë lesbikje. Bile edhe Evropa. Pse kot jemi me Amerikën ne, se ajo ka bole. Dhe kështu PS – së do t’i largohen pastaj jo vetëm aleatët demokristianë nokistë, por edhe  ish enveristët me nder e me namuz që u hyn tmerri vetëm ta mendojnë se mund të dalin në një paradë përkrah gejsh, lesbikesh e transeksualësh. E megjithatë unë them se PS do të kishte fituar shumë më tepër simpati po të ishte shprehur hapur në mbrojtje të paradës dhe të kishte organizuar një fushatë për të marrë pjesë të gjithë në të. Po nuk është e thënë. Edi Rama është frikacak, pikë mbaroi. Megjithëse e provoi se kur e nxorrën cullak gazetat e Berishës populli ia dha votën më me simpati ai prap frikë që frikë ka nga mediat bigote dhe nga spahinjtë në partinë e tij. Edhe këtu u tregua më politikan Berisha.
Që të jemi realistë, presioni është i madh vërtet, sidomos kur lexon çfarë shkruajnë disa: ne kemi kulturën tonë traditat tona, çjanë këto gjëra, ç’janë këta ambasadorë evropianë bythqirë. Të tjerë i referohen natyrës dhe thonë se homoseksualizmi është kundër natyrës. Disa të tjerë i referohen Biblës dhe Kuranit duke na kujtuar se në ligjet e Moisiut homoseksualizmi dënohet me vdekje apo duke na treguar se dijetarë islamë na paskan zbuluar se mëkati më i madhe pas shirkut (adhurimi i zotave të tjerë jo i Zotit që është një dhe i vetëm) na qenka homoseksualizmi. (Zot na ruaj nga ata që Zotin nuk e shohin si dashuri, por si mundësi për të vrarë e për të prerë!) Por ama të mos harrojmë se shoqëria është e etur për ndryshim, sepse e tjelodhur nga këta maço në pushtet, që pozojnë e sillen si të fortë e si të ndershëm pikërisht për shkak të impotencës së tyre (edhe seksuale përveçse intelektuale) dhe veçanërisht për shkak të pandershmërisë së tyre. Sipas meje shoqëria nuk është aq e prapambetur sa ç’e pandehin këta dhe aq më tepër shoqëria e di mirë se kërcënimet fashiste të zv/ministrit nuk bijen vetëm mbi homoseksualët, por nesër mund të binin mbi të gjithë ata që do të guxonin të mendonin ndryshe nga ky mujshar. Një opozitë e pakompleksuar nga spahijtë, fare mirë mund ta kthente një paradë në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve dhe transeksualëve në një manifestim kundër dhunës e bigotizmit në politikën shqptare.
Nejse, e di se kjo s’do të ndodhë. Siç e di se pas këtij artikulli spahinjtë dhe shkruajtësit e nevojtoreve do të më vërsulen me hu në dorë, por përsëri po u them se janë për të qeshur dhe për të qarë dhe se, nëse nuk duan t’i shohin si alienë të ardhur nga një planet egërsirash, ta hedhin sadopak vështrimin përtej hundës së injorancës së tyre.

3 comments:

Anonymous said...

Nuk dua te tingelloj sikur po gjykoj shkrimin tuaj, per mua jeni njeshi. Une jetoj ne USA dhe Do shprehesha ne lidhje me kete situate: eshte nje "lufte paragjykimesh sociale" dhe sa kohe do vazhdoje kjo, aq kohe do ti duhej kesaj shoqeie te emancipohej. Nje gje s'permendet: qe "kjo" me teper prek elitaret se sa popullin.

Anonymous said...

Homoseksualizmi eshte semundje mendore, semundje e shkaktuar nga kushtet e jetes moderne: ndohtja, kequshqyerja, mungesa e jetes seksuale ne pubertet etj.

Shoqeria perendimore ka degraduar ne ate shkalle moralisht, sa ta konsideroje normale.Po ashtu normal eshte promiskuiteti,braktisja e femijeve nga prinderit (divorcet) etj.

Gjykatesi i fundit eshte natyra. Kush vuan nga homoseksualiteti merr fatkeqesine me te madhe qe mund te gjeje dike: pamundesine per te pasur dhe gezuar femije.

Anonymous said...

1. Homoseksualizmi eshte semundje mendore, semundje e shkaktuar nga kushtet e jetes moderne: ndohtja, kequshqyerja, mungesa e jetes seksuale ne pubertet etj.

- Studiesit pohojne prej te pakten 30 vitesh qe homoseksualizmi nuk eshte semundje. Ndersa dokumentat historike tregojne se homoseksualizmi ka ekzistuar po aq sa edhe shoqeria njerezore, te pakten po aq sa edhe shkrimi. Homoseksualizmi nuk gjendet vetem tek njerezit por edhe tek kafshet e insektet. Te pakten ne rastin e ketyre te fundit nuk mund te flasim per nje faj te koheve moderne, stresit, kequshqimit dhe mungeses se jetes seksuale ne pubertet.
2. Shoqeria perendimore ka degraduar ne ate shkalle moralisht, sa ta konsideroje normale.Po ashtu normal eshtepromiskuiteti,braktisja e femijeve nga prinderit (divorcet) etj.

- Shoqeria perendimore ka perparuar deri ne ate shkalle sa te besoje tek dija, tek shkenca; ka perparuar ne ate shkalle qe pranon respektimin e te drejtave te njeriut si qellimin final te nje shoqerie; shoqeria perendimore udhehiqet sipas parimit: demokracia matet me respektimin e minoriteteve, me respektimin e tjetrit. Shoqeria perendimore ehste bere me humane. Nese humanizmi quhet degradim atehere jemi duke jetuar ne nje kohe te mbrapshte.

3. Gjykatesi i fundit eshte natyra. Kush vuan nga homoseksualiteti merr fatkeqesine me te madhe qe mund te gjeje dike: pamundesine per te pasur dhe gezuar femije.

- Dhe ty te ka derguar gjykatesja natyre si zedhenes? Per cfare po i gjykon natyra atehere me mijerat e grave dhe meshkujve heteroseksuale qe nuk mund te riprodhojne e te gezojne femije?