Friday, December 3, 2010

Fatkeqësi, por jo natyrore


Kur përmbytet Tirana nga shirat e rrëmbyeshëm kemi dëgjuar shumë shpesh përfaqësues të maxhorancës dhe media afër saj të deklarojnë se kjo vjen për shkak të papërgjegjshmërisë të kryebashkiakut socialist, që s’ka bërë kanalizime, që ka betonizuar kryeqytetin, që merret me lejet e veta të ndërtimit etj., etj. Nga ana e vet përfaqësuesit socialistë që qeverisin Tiranën s’kanë marrë kurrë ndonjë përgjegjësi për këto përmbytje, por ia kanë lënë gjithherë, me heshtje apo me prononcime, fatkeqësisë natyrore. Tani që po përmbytet Shkodra dëgjojmë se kjo maxhoranca e përgjegjësive njerëzore në Tiranë po na thotë se përmbytja e Shkodrës është fatkeqësi natyrore dhe, nga ana tjetër, dëgjojmë opozitën e fatkeqësive natyrore në Tiranë të akuzojë se kjo e Shkodrës është papërgjegjshmëria e qeverisë së njerëzve të korruptuar.

Po ç’thonë njerëzit për këtë përmbytjen e fundit si vazhdë përmbytjesh? Që kjo e Shkodrës nuk është fatkeqësi thjesht natyrore e provon fakti se përmbytje në Shkodër po kemi përvit tashmë. Fatkeqësia, kur bëhet e përvitshme, nuk quhet natyrore, por e paralajmëruar, e për kësi fatkeqësish merren masa. Njerëzit që kanë pak kujtesë thonë edhe se, ndërkohë që hidrocentralet janë ndërtuar që në kohën e regjimit, nuk kemi parë apo dëgjuar asokohe për përmbytje të tilla. Pra, diçka “njerëzore” bënte asokohe regjimi, që s’kishte të tilla “fatkeqësi natyrore”. E këto “diçkara njerëzore” duhen bërë përsëri, madje shumë më mirë dhe jo të mos bëhen fare. E dyta që thonë njerëzit e thjeshtë është se, nëse ka njerëz që kanë ndërtuar në vende që parashikoheshin si zona rreziku, shteti duhet të kishte gjetur me kohë  mënyrat për t’i zhvendosur këta në mënyrë që të mos dëgjonim më për gra që mbeten të izoluara dhe u vdes fëmija në bark, për barka të improvizuara shpëtimi apo evakuime urgjente me mobilizim të ushtrisë në zona të tilla. Taksapaguesi shqiptar ka të drejtë të thotë se nuk jep asnjë lek ndihmë më për raste të tilla.
Mirëpo, teksa bëjmë këto diskutime duke parë përmbytjen e rradhës nuk mund të mos na vijnë ndërmend skenat e maskaradës që pamë në Parlamentin shqiptar para disa ditësh ku, të mbledhur për të diskutuar buxhetin, deputetët tanë s’bënë gjë tjetër, deri afro në agim, por veçse u shanë ndërsjelltazi për vjedhje e korrupsion e vetëm për analizë buxheti nuk folën. E ndër tjera nuk mund të mos sjellësh ndërmend se nuk pamë e dëgjuam që në atë buxhet të kishte ndonjë zë të rëndësishëm për investime për pengimin e përmbytjeve në Shkodër dhe, po ashtu, nuk pamë e dëgjuam ndonjë deputet të opozitës të zonës së Shkodrës të ngrihej e të protestonte për këto mungesa në buxhet.
Tani vjen përmbytja e njëra palë fillon a akuzon kurse pala tjetër thotë “fatkeqësi natyrore”.
Që fatkeqësia nuk është natyrore, por politike, njerëzore dmth. që ka të bëjë me atë që njerëzit e thjeshtë i dëgjon shpesh të thonë: “ç’është kjo fatkeqësi që na ka gjetur ne që na kanë rënë këta politikanë për hise” këtë e dinë edhe kafshët e përmbytura të asaj zone e jo më njerëzit. Debati mund të zhillohet në nivel filozofik mbi atë se sa kjo fatkeqësi është një rastësi dhe sa është e determinuar nga vetë niveli kulturor e moral i popullit tonë heroik e liridashës. E në këtë aspekt do të thoja se me siguri duhet thënë se, ashtu si fatkeqësia e përmbytjes që nuk është vetëm natyrore dmth. rastësore, por edhe njerëzore, ashtu edhe kjo fatkeqësi politike nuk është vetëm rastësore, por ka të bëjë edhe me nivelin e njeriut tonë demokratik. Dhe kur themi “njeriu”  kam parasysh faktin se ai ka në dorë të bëjë të mundurën për të evituar fatkeqësitë, apo për t’i parandaluar ato, apo për t’i pakësuar ato. Dhe nuk ka pikë dyshimi se, ashtu sikurse për evitimin e përmbytjeve në Shkodër ka pasur shumë gjëra për t’u bërë, ashtu edhe ndaj kësaj fatkeqësisë tjetër njerëzore ka shumë gjëra për t’u bërë.
E ndërsa shkruaj këto rradhë, më vjen ndërmend se në buxhet parashikohen  miliarda për të hapur një tunel të gjatë e të gjerë në Krrabë që (thonë këta të pushtetit) elbasanasit të vijnë për 30 minuta (jo për një orë) në Tiranë. Dhe pyes me vete: e ç’kuptim ka që elbasanasit të vijnë një gjysëm ore më herët në Tiranë ndërkohë që ti ke njerëzit që po të përmbyten vit për vit në Shkodër? Apo se mos ka punë në Tiranë? Mirëpo arësyeja e mosarësyes së fatkeqësisë së politikanëve tanë nuk thotë kështu. Dhe këtu, tek e fundit, kthehemi përsëri tek pyetja: çfarë mund të bëjmë që ta evitojmë këtë fatkeqësi njerëzore, ose që të pakësojmë dëmin e saj? Me fjalë të tjera: ka njëzet vjet që na përmbytet Parlamenti e qeveria me të paaftë, të korruptuar e të babëzitur, çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar këtë? Personalisht mendoj se ka shumë më tepër shans të bëhet ndonjë gjë për të evituar përmbytjet në Shkodër sesa për të evituar këto përmbytjet në Parlament.
Kaq. Nuk po jap ndonjë zgjidhje nga ato që lexuesi pastaj të më thonë: analizën e ke bërë mirë, por zgjidhjen e ke dhënë të dobët.
Mirëpo, ndërsa shkruaj, më bëhet sikur i dëgjoj ata lexues që do të thonë: prap po një fyelli pesimizmi po i bije ky Lubonja, nëse ke ndonjë zgjidhje thuaje, përndryshe mos na shkruaj gjëra që i dimë sa për të na deprimuar edhe më. I shtrënguar nga ky zë, duke e lodhur mendjen për ndonjë zgjidhje optimiste, pasi e lexova edhe një herë që nga fillimi e në fund shkrimin deri këtu dhe vërtet pashë se shumë gjëra janë thënë e stërthënë jo vetëm nga unë, më në fund më erdhi ideja e zgjidhjes: Pse të mos bëjmë dy parlamente? Një parlamet që është ky që është,  që sheh interesat private të politikanëve   dhe oligarkëve që janë këta që janë, që bëjnë buxhetet e përcaktojnë prioritetet sipas interesave të tyre; dhe një parlament tjetër që të shohë interesat e njerëzve si puna e atyre që përmbyten në Shkodër e jo vetëm.  Unë jam i sigurt që, po të hidhet në referendum, kjo ide do të miratohet nga shumica e njerëzve. Gjithë duke e zhvilluar këtë ide më del se i bije që të kemi edhe dy polici edhe dy gjyqsorë edhe dy lloje mediash, deri edhe dy kryeqytete. Dmth gati si të krijojmë një shtet të ri. E meqë siç dihet shpesh shtetet fillojnë nga përcaktimi i kryeqyteteve unë propozoj që kryeqytet i këtij shtetit të dytë shqiptar të bëhet… le ta mendomë pak… Përfundimish më del se duhet të themelojmë një kryeqytet të ri dhe ta quajmë “Fillimngazero”. Parlamenti në “Fillimngazero” rrëzoi qeverinë me mocion mosbesimi për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Çfarë lajmi i bukur! I ftoj lexuesit ta votojnë propozimin tim. (Panorama, 3 dhjetor 2010)

1 comment:

Glen Llaçi said...

Une e votoje propozimin tuaj zoti Lubonja. Dhe mendoje qe si fillim projekti fillimi nga zerro duhet te nisi duke shumezuar me zerro politikanet qe kemi. Se pa krijuar nje ndergjegje qytetare nuk do te kemi force per te krijuar apo perkrahur politikane te rinj qe te mendojne per "Shkodren".