Sa herë më ka ndodhur ta shoh godinën e selisë së PD të vendosur në peizazhin urban të Tiranës ashtu siç është sot, e para gjë që më ka ardhur në mendje është përdorimi i kësaj pamjeje si metaforë për të përshkruar atë që ka ndodhur në Shqipëri këta 20 vjet. Për mua, zhytja e saj si një xhuxhmaxhuxhe në mes të disa ndërtesave të larta dhe një grataçiele është jo vetëm një shëmtim urban,por edhe simbol i raporteve të shëmtuara midis pushtetit politik si përfaqësues i interesit publik dhe pushtetit arrogant e prepotent të biznesit privat.Tani po flitet se PD-ja po don të shkojë në një ndërtesë më të madhe, te selia e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve. Opozita po thotë se kjo është e paligjshme, pasi nuk e ka firmosur shefi i Shtabit – nuk e di a është kështu. Akuzohet gjithashtu edhe Presidenti Nishani se e ka firmosur dekretin, pasi godina aktuale e selisë së PD është pronësi e tij apo familjarëve të tij. Por, me sa duken bathët, ata kanë vendosur të hyjnë me përdhunë, dhe zor se do t’i ndalojë kush.Nëse doni mendimin tim, godina ku është selia e PD-së nuk duhet të ekzistojë fare atje ku është. Merrni urbanistin më të rëndomtë, tregojini ligjin apo rregulloren urbanistike, dhe do t’ju thotë se në respekt të raportit ndërtim-gjelbërim, ajo godinë nuk duhet të ekzistonte. Pse? Sepse grataçielat rrotull PD-së – e kam fjalën për atë majtas me xhama që është mbi dhjetëkatëshe, atë djathtas që është njëzetepesëkatëshe, atë që po ndërtohet përballë saj, por edhe Torre Drinin pak më prapa, në një qytet normal do të duhej të kishin midis tyre hapësira të gjelbra rreth e rrotull shumë më tepër sesa ç’do të mund t’u krijohej edhe sikur të shembeshin të gjitha ndërtesat që kanë pranë. Me një kalkulim të thjeshtë del se ose këto grataçiela nuk do të duhej të ishin projektuar dhe ndërtuar – dhe ky është mendimi im – ose që godina e PD-së do të duhej të ishte rrafshuar së bashku edhe me ndërtesa të tjera.A do të thotë kjo se PD-ja apo familjarët e Nishanit do të mbeteshin me gisht në gojë? Jo. Në vendet normale ligji parashikon se, kur bëhen ndërtime e shembje të tilla, banorët e ndërtesës së sakrifikuar për hir të gjelbërimit u jepet gjithnjë, në varësi të sipërfaqes që posedojnë, pjesë nga godina e re që ndërtohet. Me fjalë të tjera, selia e PD apo familjarët e Nishanit do të duhej të kishin gjetur strehim ose te godina me xham djathtas, ose te 25-katëshja majtas saj, ose te godina që po ngrihet përballë tek ish-lulishtja. Kurse atje ku është PD-ja do të duhej të kishim një lulishte.I kujtoj lexuesit gjithashtu se lejet e ndërtimit të grataçielave që e bëjnë godinën e PD-së të paligjshme, sepse janë kundër rregullores urbanistike, i ka dhënë Edi Rama, i cili tani po thotë se dekreti i kalimit të godinës së SHQUP-it PD-së është i paligjshëm dhe i turpshëm.Që është një gjë e turpshme, këtë e them edhe unë, me të madhe madje. Në fakt, vendimi për të kaluar PD-ja te ndërtesa e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve ishte një e papritur jo vetëm e turpshme, por edhe një akt që dha disa mesazhe tejet shqetësuese. Së pari, s’ka qytetar normal të qytetit të Tiranës që të mos e përjetojë atë si një akt plaçkitjeje të pronës publike. Dhe kjo pikërisht në momentin kur kjo parti do të duhej të ishte më kokulur se kurrë, pasi është ndëshkuar me votë pikërisht për arrogancë, prepotencë dhe për politika plaçkitëse të pronës publike. Mesazhi është se s’ka shpresë që kjo parti të reflektojë qoftë edhe një sekondë për dënimin që i dha publiku.Por ky akt ka edhe simbolika të tjera. Nuk mund të harrojmë se PD ka lindur si një parti që kërkonte të përfaqësonte frymën kundër regjimit të kaluar. Edhe fakti që PS-ja ka vazhduar të qëndrojë në ndërtesën kur ishte Komiteti i Partisë së Tiranës, kurse PD-ja në një ndërtesë më pa identitet në lidhje me të kaluarën e regjimit, kishte një simbolikë të vetën. Kalimi i PD sot te godina e selisë së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, me një histori dhe arkitekturë që të kujton ndërtesat e regjimit, sikur i heq edhe leskrën e fundit të hipokrizisë kësaj partie, që në fakt ka qenë trashëgimtare e PPSH-së si në frymë, edhe në stil. Ideja se në atë godinë do të jetë selia e partisë që lindi nga lëvizja antikomuniste do t’i japë tashmë edhe një ngjyrim qesharak kësaj ndërtese.Një simbolikë e tretë që të ngjall ky kalim është raporti i zhdrejtë midis madhësisë së godinës dhe mbështetjes popullore për këtë parti. Sa më e madhe dhe më e rëndësishme godina, aq më teposhtë mbështetja dhe reputacioni. PD-ja dikur ka qenë e vendosur në një ndërtesë të vogël te rruga “Fortuzi”. Ishte koha e lavdisë së saj; s’ka rëndësi se sa e madhe ishte ndërtesa e selisë. Me këtë akt plaçkitjeje, të cilin, sipas mendimit tim, kryetari i ri i PD, Lulzim Basha, do të duhej ta kundërshtonte për t’i dhënë nismën një qëndrimi të ri politik, PD-ja vulos vetveten si një parti me njerëz që janë futur në politikë për të plaçkitur.Sali Berisha dhe zëdhënës së tij po na servirin argumentin se kjo ndërtesë paskësh qenë një palo vend ku janë bërë vetëm gjëra të parëndësishme, si ceremoni mortore e ku di unë; a thua se janë bërë punë më të mira nëpër selitë e partive tona. Sigurisht, destinacioni i saj do të duhet të ishte ndryshuar me kohë, por jo kështu, por për t’i dhënë publikut një diçka më të mirë, më të kulturuar, qoftë një muze apo ku di unë. Dhe për këtë mungesë përgjegjëse është përsëri edhe vetë PD-ja.Pyetja që ngrihet, megjithatë, sot nga shumë është: a do ta pengojë Edi Rama dhe të vetët këtë plaçkitje? Kjo edhe në kuadrin e premtimeve se do të zhbëjnë shumëçka nga vendimet e padrejta dhe abuzive të marra nga maxhoranca.Do të doja shumë të ishte kështu, por dyshoj po ashtu shumë se do të ndodhë një gjë e tillë. Mjaft të kesh parasysh se grataçielat që ka lejuar Edi Rama të ndërtohen rreth ndërtesës së PD-së janë edhe ato akte të pastra plaçkitjeje të pronës publike, të lulishteve, të shesheve, trotuareve, të ajrit, të frymëmarrjes së qytetarëve. Të shohim megjithatë, shtatori nuk është larg. (Panorama, 18 gusht 2013)
Tuesday, August 27, 2013
Mbi selinë e PD dhe SHQUP-in
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
No comments:
Post a Comment