Gjatë këtyre ditëve paszgjedhore kemi dëgjuar nga lideri i koalicionit fitues Rama disa propozime apo projekt-ide për të ardhmen. Nuk mund të mos tërheqin vëmendjen ideja e rifutjes së FMN-së si element kontrolli që duhet të bëjë një auditim, ideja e një dogane të kontrolluar nga të huajt, ideja e INSTAT-it që do të funksionojë me një lloj binjakëzimi. Së fundi, ideja e një autoriteti që do të kontrollojë gjithë çka të bëjë me financat e vendit, d.m.th. edhe Bankën Kombëtare apo ajo e një Byroje të Hetimit Kombëtar pranë Kryeministrit. Nëse do t’i analizojmë këto projekt-ide, nuk mund të mos arrijmë në konkluzionin se ato kanë një gjë të përbashkët: mosbesimin e thellë tek institucionet që kemi ngritur deri tani, veçanërisht ato që në vend se të jenë të pavarura, konsiderohen të kapura, pra jo të besueshme. Ato flasin për dështimin e ngritjes së shtetit të së drejtës që në themelet e tij. Dhe këtë askush nuk e mohon dot, se është e vërtetë. Projekt-idetë e propozuara, megjithatë, për mendimin tim, janë tejet të diskutueshme për një sërë arsyesh që po përpiqem t’i rreshtoj.Së pari, duke krijuar institucione që në një farë mënyre duket se do të funksionojnë në mënyrë paralele me institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria etj., lind pyetja se sa janë kushtetuese e sa do të hyjnë në konflikt me institucionet e akuzuara si të kapura nga Berisha?Së dyti, ngrihet pyetja se sa të huajt do të jenë efikasë, edhe po pranuan të punojnë, në një terren shqiptar të minuar nga të katër anët nga ekonomia kriminale dhe nga polarizimi ekstrem?Së treti, sa këta do të jenë vërtet të pavarur dhe sa në shërbim të maxhorancës së re, d.m.th. sa do t’i rezistojnë sistemit, i cili, sipas vetë fjalëve të Ramës, korrupton çdokënd?Së katërti, prurja e të huajve në këto vende dhe marrja prej tyre e përgjegjësisë së arbitrit, sa do t’i ndihmojë shqiptarët dhe sa do t’i vonojë në pjekurimin e tyre? Një gjë është e padiskutueshme: kërkesa për tërë këto institucione e për tërë këta të huaj është shenjë e dështimit në ngritjen e institucioneve që jo vetëm duhet të jenë të pavarura nga partitë, por edhe t’i kontrollojnë partitë. E padiskutueshme është se ne kemi një regjim bandokratik, ku bandave nuk u ka interesuar arbitri dhe prandaj jemi në këtë gjendje. Disa e kanë cilësuar këtë pohim timin si shumë radikal, por më duhet ta ripohoj se sipas meje – dhe një opinioni mjaft të përhapur – është vërtetthënës për sistemin se si funksionojmë. Mjaft t’ju kujtoj se ne do të kemi për Kryeministër një person, i cili, sipas vetë fjalëve të partnerit të tij kryesor, Ilir Metës, është i kapur nga krimi i organizuar, ne do të kemi në postin e kryetarit të Parlamentit një njeri që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, është një kryebandit me “bllok korrupsioni në dorë” që u bë shkak që aleati i tij i djeshëm, Berisha dhe zëvendësi i tij si kryetar i opozitës sot, Lulzim Basha, të kryejnë vrasje të paligjshme.Në një shtet të së drejtës, ose njëra palë do të kishte shkuar në burg për këto akuza për shkak të vërtetësisë së tyre, ose pala tjetër do të kishte shkuar në burg për shpifje. Te ne nuk ndodh as njëra, as tjetra, pasi nuk ka shtet të së drejtës. “Nëse mungon e drejta, shteti bëhet një bandë brigandësh” – tha Papa në vizitën e tij në Berlin para disa kohësh, duke cituar Shën Agostinin. Ky është realiteti i shtetit tonë. Tani ne kemi dy banditë të bërë papë që na premtojnë ndërtimin e një shteti të ri. A ka gjasë të ndodhë kjo? Për mua është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Është si të çarmatosësh ushtri që deri dje kanë bërë luftë e plaçkitje dhe t’i kthesh ushtarët e saj në bujq e punëtorë të mirë. Është si të kthesh një organizatë terroriste të mësuar të bëjë krime në organizatë politike.Pyetja që shtrohet lidhur me projekt-idetë në fjalë është: a janë ato shenja të vetëdijes së nevojës urgjente të këtij transformimi? Nuk më bën zemra të them “jo” me bindje të plotë, por më duhet të them se Ramës i duhet një akt shumë i rëndësishëm që të fitojë besimin se ka ndërruar rrugë dhe, duke u nisur nga përvoja e së djeshmes, por edhe duke marrë në analizë propozimet e fundit, sipas meje këto nuk duken shenja se synojnë “çarmatimin” e partive nga pushtetet që s’u përkasin. Sipas mendimit tim, ajo që duhet të propozojnë Edi Rama dhe Ilir Meta për të filluar çarmatimin e bandave dhe kthimin e tyre në parti, është pikërisht ngritja e institucioneve të pavarura, realisht të pavarura, që të kontrollojnë edhe partitë e tyre, edhe deputetët e tyre.Pra, ndryshimi duhet të fillojë nga mbisundimi i vullnetit politik për të pranuar arbitrin, çarmatosësin. Dhe kjo nënkupton që edhe Basha në krahun tjetër (e përdora qëllimisht Basha dhe jo Berisha), të bjerë dakord për çarmatimin, që konkretisht do të thotë qoftë ndryshime kushtetuese e ligjore, qoftë ndryshime në emërime e në struktura institucionale.Për shembull: nëse Rama ka dyshime për abuzime me financat dhe kërkon që përpara se të marrë në dorë pushtetin të verifikojë gjendjen dhe të caktojë përgjegjësit, madje edhe të kërkojë procedimin e tyre ligjor nëse rezultojnë të vërteta, është e udhës që opozita e sotme ta pranojë një gjë të tillë. A do të jetë ky auditim i huaj apo shqiptar? Më e rëndësishme nuk është kjo, por që të ketë një pranim nga të dyja palët në besueshmërinë e atij që bën auditimin. A ka një vullnet çarmatimi, që do të thotë edhe një ndryshim të gjuhës që përdorin ndaj njëra-tjetrës? Sipas meje, jo.Në fakt, pranimi duhet të ekzistojë pasi shteti ka institucione që duhet ta bëjnë këtë kontroll. Dhe këtu fillon problemi. Rama kërkon të verë të vetët. Nëse këta të fundit do të nxjerrin këto përfundime që atyre nuk u pëlqejnë, është e gatshme që të thotë se kanë vepruar nën diktatin e maxhorancës së re. Vini re se ç’ndodhi me vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Deri dje ai konsiderohej se qe nën kontrollin e Berishës. Sapo mori disa vendime që nuk i pëlqyen këtij, u akuzua menjëherë se po i shërbente Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nën dritën e kësaj problematike duhen parë edhe projekt-idetë e fundit.Duke parë ato nuk mund të mos ngrihet pyetja: prapa idesë se do të bëjmë një strukturë që funksionon më mirë, a mos qëndron synimi që të bëjmë një strukturë që e kemi ne nën kontroll dhe jo një strukturë të pavarur nga të dyja palët? Pra, për të nxjerrë jashtë loje një institucion të akuzuar si të kapur nga Berisha, ndërtohet një strukturë tjetër, në krye të së cilës emërohet një njeri i maxhorancës së re. Lexova në shtyp p.sh., se në krye të së ashtuquajturës Byro Hetimore Kombëtare që synohet të krijohet pranë Kryeministrit – sipas sugjerimit të Tony Blair – do të vihej ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Nuk mund mos të të shkojë menjëherë në mendje se ky është akuzuar disa vjet rresht si njeri që flinte mbi dosjet e korrupsionit të Edi Ramës me shokë.Është e imagjinueshme se sa do të pranohej e do të besohej nga opozita e sotme një institucion kaq delikat me në krye një person si ai, edhe pse i propozuar nga Tony Blair. Meqë ra fjala, një miku im anglez më shkruante një ditë: “Edhe Tony Blair i duhej Shqipërisë”. Pasi nami i tij në Angli, midis të majtëve veçanërisht, është tejet i keq. Por unë dyshoj se Blair po përdoret në këtë rast dhe kemi përvojë se (keq)përdorimi i të huajve ka qenë në stilin e Ramës. Projektet e grataçielave të dështuara janë ideuar në Tiranë, studiot e huaja vetëm kanë zbatuar porosinë. Në rastin në fjalë: ne problemin kryesor këta njëzet vjet kemi pasur pikërisht korrupsionin e gjeneruar nga kryeministrat – të gjithë me radhë. Tani befas po i vëmë mëlçitë ujkut në qafë, po i lëmë Kryeministrit në dorë ndjekjen e krimit të korrupsionit.Hajde këshillë që po na jep, o Tony Blair, hajde!) Nga ana tjetër mund të ngrihet me të drejtë pyetja: po ku t’i gjejmë njerëzit që pranohen nga të dyja palët? Sipas meje, njerëzit sillen si të pavarur kur hiqet trysnia dhe vullneti për instrumentalizimin e tyre dhe kur kjo shprehet edhe me garanci ligjore. Ndërtimi i institucioneve me pushtete të pavarura mbi parimin “check and balance” të besueshme nga opinioni dhe të respektuara nga të gjitha palët, është sfida kryesore që ka Shqipëria dhe klasa politike që ka ardhur në pushtet.Përndryshe, do të vazhdojë loja e delegjitimimit reciprok, ose më saktë, teatri i delegjitimimit reciprok me pasoja vazhdimin e shtetit të brigandëve, dhe jo ndërtimin e shtetit të së drejtës. Dyshimi është se pikërisht kjo do të ndodhë. Të paktën t’ua themi se ky është një teatër i bërë bajat që nuk e ndjek më kush. (Panorama, 7 gusht 2013)
Tuesday, August 27, 2013
Mbi disa projekt - ide të Ramës
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
No comments:
Post a Comment