Tuesday, September 24, 2013

Mbi vendimet e para të qeverisë



Mendimi që e kam shprehur mëse një herë përsa u përket pritshmërive që kemi nga qeveria e re dhe qëndrimeve që duhen mbajtur ndaj saj, veçanërisht nga mediat, është se ajo duhet ndjekur hap pas hapi në vendimet e saj. Kjo veçanërisht në kushtet kur kemi një opozitë që ka një qëndrim që e bën jokredibël për më shumë se një arsye: së pari, pasi ajo nuk ka bërë as minimumin e vetëkritikës lidhur me humbjen e saj, por shkakun e ka gjetur jashtë vetes, te naiviteti i popullit shqiptar që ka besuar premtimet e gënjeshtërta të Edi Ramës me shokë dhe, së dyti, pasi më një anë ajo premton racionalitet dhe konstruktivitet dhe më anë tjetër shpall luftë totale në stilin e njohur të bërjes opozitë destruktive deri në kockë.
Me këtë rast më duhet të shtoj se janë iracionale edhe disa qëndrime që kërkojnë nga mediat apo gazetarë të caktuar që të mos bëjnë oponencë ndaj opozitës, por vetëm ndaj maxhorancës, apo që kërkojnë që oponenca që duhet t’i bëjë shtypi e mediat maxhorancës të shprehet në formën e bashkimit me opozitën. Kjo është një sëmundje infantile e shtypit tonë, e stimuluar nga mungesa e ndarjes së vërtetë të pushteteve në Shqipëri, ku bën pjesë edhe fakti se interesat financiare të pronarëve të mediave kanë qenë dhe janë edhe ato të varura nga pushteti politik i njërës ose tjetrës palë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se shoqëria jonë civile dhe mediat duhet të luajnë rolin e një pushteti të pavarur në shoqërinë tonë dhe se përballë tyre duhet të jetë pushteti politik me të cilin kam identifikuar dhe vazhdoj të identifikoj të tërë klasën politike, maxhorancë dhe opozitë, dhe strukturat ekonomike e mediatike që e mbështesin atë, pasi sistemi i mbrapshtë që na sundon është pjellë e të dyja palëve.
Duke u nisur, pra, që në nisje, nga një dyshim i thellë te të dyja palët dhe në mungesë të një force opozitare ndaj tyre, gjykoj se gazetarët dhe intelektualët vërtet të pavarur mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë fazë kur vendi është në udhëkryqin e ndryshimit të pushteteve, duke mbajtur qëndrime jo totalisht në favor apo kundër njërës palë, por në varësi të racionalitetit të vendimeve e qëndrimeve qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës. Për ta konkretizuar çka thashë më lart, do të shpreh qëndrimin tim ndaj dy prej tri vendimeve të para të qeverisë së re, ndër të cilat njërin e aprovoj dhe tjetrin e kundërshtoj.

Jam plotësisht dakord me vendimin për ndalimin e importimit të plehrave në Shqipëri. Kjo jo vetëm pse jam një prej nismëtarëve të lëvizjes për referendumin kundër plehrave, por edhe sepse te vendime si ato që promovojnë importimin e plehrave, të marra nga maxhoranca që sapo iku, kam parë dhe shoh pikërisht të keqen e madhe që ka pësuar vendi nga sistemi i ngritur që e ka vënë shtetin në shërbim të atyre interesave private që i kundërvihen interesit publik. Në këtë kontekst më duhet të shtoj se qeveria jo vetëm duhet përgëzuar për këtë vendim, por duhet nxitur të bëjë ç’është e mundur që imazhi i vendit tonë si një vend ku gëlojnë plehrat kudo që të shkosh të ndryshojë radikalisht. Ka nga ata që bashkëjetesën e shqiptarëve me plehrat deri në atë shkallë sa ato nuk u bëjnë përshtypje, e quajnë një gjë që ka të bëjë me kulturën shekullore të këtij populli, ashtu siç edhe të pështyrit përtokë. Sipas mendimit tim, problemi i mbytjes sonë nga plehrat është fortësisht i lidhur edhe me sistemin që u promovua këta njëzet vjet të ngritjes së kultit të privates mbi rrënimin e publikes.
Po të vësh re, plehrat gëlojnë te ne pikërisht në hapësirat publike: rrugët, lumenjtë, bregdetet ku derdhen këta, hapësirat midis ndërtesave të ndryshme etj. Po ashtu ato janë më së shumti produkt i aktiviteteve private që nuk shohin përtej gardhit të tyre. Mjaft të kesh parasysh lokalet pa fund që i hedhin mbeturinat e mutrat si pa të keq në lumenj, në dete apo në rrëpirën më të afërt. Edhe vetë vendimi i importimit të plehrave në një kohë kur në Shqipëri gëlonjnë plehrat nga të katër anët, ishte shprehje e këtij realiteti. Disa industri që kanë vetëm interesin e tyre – si p.sh. ato të shkrirjes së aluminit – kërkojnë të sjellin plehrat nga jashtë, ndërkohë që nuk bëhet asgjë për mbledhjen e diferencuar të plehrave brenda vendit, që mund t’i shërbente edhe kësaj industrie, por sigurisht, në atë shkallë që interesi i tyre të mos dëmtonte interesin e të gjithëve.
Pra, ne kemi nevojë të djegim plehrat tona duke ndotur ajrin aq sa prodhojmë plehra vetë, dhe jo të djegim plehrat e tërë Europës në emër të përfitimit të një grushti njerëzish në dëm të ajrit të të gjithëve. Në këtë kontekst aksionet e ndryshme për zhdukjen e sëmundjes së ndyrë të shpërhapjes së plehrave në tërë territorin tonë do të ishin edhe një sinjal i kthimit të shtetit nga shërbyes kriminalë të interesit të disa privatëve, në kujdestar të interesit publik, çka është edhe detyra e shtetit.

* * *
Ndërkaq nuk jam dakord me vendimin për heqjen nga muret e institucioneve qeveritare të portretit të Presidentit të radhës Bujar Nishani dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit. Ky është një akt që fshin një traditë – jo vetëm shqiptare – kuptimi i së cilës është se Presidenti është figura që jo vetëm simbolizon unitetin e kombit, por edhe që ushtron funksionet e tij në këtë drejtim. Pra nuk mjafton që një figurë thjesht dhe vetëm të jetë simbol i unitetit, se atëherë ndoshta mund të mjaftonte edhe një i vdekur si Ismail Qemali, por ai duhet të veprojë politikish si i gjallë në funksion të këtij roli kushtetues, që nuk është roli i Kryeministrit.
Së dyti, ekzistenca e figurës së Presidentit në vendin tonë ka qenë gjithsesi një lloj mbrojtjeje nga autoritarizmi i figurës që konsiderohet si figura më e pushtetshme, që në rastin tonë, që prej vitit 1997, ka qenë Kryeministri. Kush e kujton historinë e presidentëve tanë gjatë këtyre viteve do të verë re se presidentët, kush më shumë dhe kush më pak, edhe pse asnjëherë mjaftueshëm, e kanë luajtur një rol kundërbalancues.
Me fjalë të tjera, tjetër gjë është se sa zgjedhja e Nishanit ka qenë zgjedhja më e duhur për një figurë që duhet të luajë rolin e Presidentit, dhe tjetër gjë është se ç’përfaqëson institucioni i Presidentit. Dhe sipas meje, ky vendim sulmon institucionin, jo Nishanin, edhe pse mund të duket se është bërë për të sulmuar Nishanin. Dhe ky është një akt që bëhet edhe më shqetësues po të kemi parasysh prirjet autoritariste dhe prepotente që kanë manifestuar kryeministrat tanë, shoqëruar kjo gjithmonë, si anë tjetër e medaljes, nga prirjet serviliste të vartësve të tyre.
Zëvendësimi i autoritetit të të gjallëve me atë të të vdekurve që nuk mund të flasin, por veç përdoren, dihet se është praktikuar rëndom nga diktatorët për të eliminuar çdo autoritet tjetër përveç atë të tyrin. Ne presim nga maxhoranca ndryshime kushtetuese që do t’i forconin institucionet që kanë për detyrë të jenë arbitër midis maxhorancës dhe opozitës, dhe jo dobësimin e tyre. Pra ajo që presim ne nga maxhoranca e re është një ndryshim që do të forconte rolin e Presidentit si arbitër, si përfaqësues të të gjithëve, dhe jo një akt që dukshëm e dobëson figurën e Presidentit në këtë rol në sytë e publikut.(Panorama, 18 shtator 2013)

No comments: