Tuesday, August 13, 2019

Rama i vdekur kundër Ramës së gjallë



Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët se Teatri kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe argumente pro shembjes së tij  të lëshuara një herë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë qofshin edhe të vdekur.
Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa kujtime të një herë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe. Po përdor fjalën "fliste" dhe jo "argumentonte" apo "mendonte" pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës kanë qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin "përdor dhe hidh". Mendova, megjithatë, t'i risjell në kujtesë, jo për të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetmashtrimit është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t'iu drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si intelektual që kërkonte  të vërtetën dhe përçmonte politikanët që kërkonin votën dhe intelektualët sherbëtorë të regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mija të atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar mua dhe Edi Ramës na u kërkua nga njerëzit  e tij të firmosnim një tip peticioni të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t'i bindte autoritetet se ngritja  e saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti ynë kryesor kundër, nga pikpamja urbanistike - arkitektonike, ishte shprehja e habisë se si mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte shkimin e Malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh ndërtesat e larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu se kemi folur me qesëndi për delirin e Vehbiut që donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i kulturës. Ishim në një sallë të katit të katërt të selisë së athershme (ish Komiteti Qendor), që shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajura asokohe "të arabit", kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, dmth. të mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin,  i cili kishte punuar e ishte specalizuar në Itali për restaurim të  monumenteve të kulturës. Në kohën kur ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet ky kishte botuar në revistën Përpjekja (antar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama) një artikull të shkëlqyer, me bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor i tij i afërt në Bashki), të titulluar "Tirana - ferri urban i fundshekullit XX". Aty sinetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të deriatëhershme urbane - arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave Shkreli sëbashku me Gjonin shpreheshin edhe kundër ekspasionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i zgjedhur kishte të bënte pikërisht me ekspansionin vertikal: “... fillimisht ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të grataçelave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: "kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndosh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen." (Përpjekja 10, maj-gusht 1997)
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona përsa i përket ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit sa ankohej me të madhe se pse Hotel Rogneri (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e ndërtesave të Kryeminstrisë dhe ish KQ) u ndërtua me material të dobët (parafabrikate e suvatim) çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri të ndërtura me material shumë më të çmuar.
E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij  si ministër kulture e më pas si kryetar bashkie. Premtimit të tij urbanistik - arkitektonik ia vuri emrin "kthim në identitet" që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo s'kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një ditë të bukur na u paraqit me një projekt-ide për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe në një debat të organizar në sallën e Teatrit i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj bënte përjashtim drejtori apo ish drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agersive ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të këtyre miqve të rinj të Ramës më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame që me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot Malin e Dajtit dhe kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual mund ta shohin vetëm pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me synimin për tu shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të  zhvllohej edhe "më  tragjikisht në të ardhmen", por jo dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta në atë kohë nuk e kanë menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e "Tirana - ferri urban i fundshekullit XX" t'i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit "përdor dhe hidh". Sot, sëbashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj kohe kanë vdekur, por meqënëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të vdekurve vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë ndaj të vdekurve  që Rama po na i ringjall  si mbështetës të shembjes së Teatrit. (Panorama, 9 gusht 2019)




TIRANA - FERRI URBAN I FUNDSHEKULLIT TË XX


Artan Shkreli
Daniel Gjoni

[…]Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht nuk u udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të tipit vila private si në Hungari. Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën në bazë të tyre edhe parime urbane  të shkollave perëndimore.
[…] Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa karekteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të kuartiereve të “vjetra” që u zhdukën në emër të “së resë” dhe “luftës kundër mbeturinave të së kaluarës”) pa ngarkesa emocionale (për shkak të atrofizimit programatik të shpirtit krijues) e, mungesës së profesionalizmit në këtë fushë). Qytetet, në pjesën më të madhe të tyre, ishin të trishtuara, por, sidoqoftë,  të rregullta, të pastra dhe pak a shumë në përputhje me normativat urbane të përcaktuara nga ligji.
Askush nuk imagjinoi atëhere se e keqja më e madhe për qytetet tona akoma nuk kishte ardhur.
Ndryshimet politike dhe për rrjedhojë eliminimi i faktorëve të sipërpërmendur, zgjoi shpresat për hartimin e një legjislacioni apo kodi urbanistik të detajur, që duhej krijuar nga një bashkëpunim ekspertësh të huaj me eksperiencë në sektor dhe specialistësh tanë të fushave të arkitekturës, mjekësisë, sociologjisë, gjeografisë, agronomisë, policisë etj., mbi bazën e principeve të një qytetarie demokratike.

[…] Si rezultat kemi humbjen e kontrollit mbi territorin e cila çon në degradim territorial. Tek ne është ushqyer kryesisht nga dy faktorë bazë:
1. Mungesa e një Plani të Përgjithshëm Rregullues të shoqëruar nga një legjislacion dhe një kod urban te pershtatshem,
2. Permisivizëm ilegjitim e abuziv, si shprehje e impotencës së një organizimi të caktuar shoqëror për të frenuar korrupsionin në instancat e ndryshme të burokracisë shtetërore;

Këto mund të konsiderohen ndër simptomat më evidente të dekadencës së një shteti dhe shkallës së ulët të organizimit të një shoqërie. Kjo gjë vihet re fare qartë në mungesën apo mospreokupimin për një politikë të përcaktuar urbane në pothuajse të gjitha programet e grupimeve politike shqiptare, gjë që domosdoshmërisht do të shpjerë në krijimin e ekzekutivëve të paaftë për tu perballuar edhe me problemet më klasike urbane si strehimi, trafiku, higjena, infrastruktura, shërbimet etj.

Mosthellimi në këto problematika solli në tragjedine urbane, aktor i së cilës është çdo kryeqytetas e çdo shqiptar. TIRANA ËSHTË FERRI URBAN E FUNDSHEKULLIT XX, një shembull manuali “par excellence”, objekt interesant studimi nga ana e urbanologëve, politikanëve dhe legjislatorëve.

* * *

[…] Shkaqet janë të shumta e të njohura, por mungesa e respektimit të së drejtës në raport me komunitetin (qytet apo kuartier) ose me individin sjell pashmangësisht përdorimin jokorrekt të territorit. Ky përdorim jokorrekt çon në humbjen e kontrollit mbi këtë territor duke vënë në dyshim jo vetëm efikasitetin e politikave urbane, por edhe ekzistencën e vetë shtetit, parë në kuadrin ligjor. Anarkia është produkti më i natyrshëm dhe lehtësisht i vërejtshëm në shoqërinë e sotme shqiptare, ku rregulli konsiderohet si një përjashtim.

[…]

Tek ne bonum commune nuk është përcaktuar nga një politikë që ka në bazë të saj kulturën urbane, por nga një politikë që konsideron si parësore dhe të vetme vetëm vlerat materiale në kuptimin negativ të shprehjes. Kjo gjë bëri që njerëzve t’u lindin (e t’u nxiten) ide të gabuara mbi të drejtën, demokracinë, lirinë dhe tregun. Ideja se mund të blihet dhe të shitet çdo gjë gjeti shprehjen ideale në zgjerimin intensiv (si fazë e parë e cila akoma nuk ka përfunduar) dhe atë ekstensiv (gjë që ka filluar të vihet në zbatim sidomos nga investitorët e fuqishëm e që akoma nuk është bërë karakteristike) të qytetit.

“Kapitalizmi” i 3-4 viteve të fundit “u mësua ta konsiderojë” parcelën e vogël, bllokun hapësinor të banimit, parqet, rrugicat dhe bulevardet si njësi abstrakte që blihen dhe shiten pa marrë parasysh traditat historike, kushtet topografike, nivelin e urbanizimit apo nevojat shoqërore. Dhe jo vetëm kjo por ideja se toka është e imja dhe me të bëj ç’të dua, mposhti çdo rezistencë institucionale dhe u rrënjos si diçka normale (gati-gati ligjore) edhe në mentalitetin e shtresës drejtuese shqiptare. Natyrisht që kjo nuk ndodh vetëm për paaftësi, por kryesisht për shkak të një kompromisi të heshtur njerëzish (publikë e privatë) të lidhur me fushën në fjalë, që për t’i hequr kalit të ngordhur patkonjtë, hoqën dorë nga planet e vjetra rregulluese (e duke zvarritur perpilimin e PPR të ri) nën alibinë e paaplikueshmërisë së planeve socialiste rregulluese dhe mosadaptueshmërinë e tyre për kushtet e reja.

Kështu, në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve urbanistike apo ndërtimeve nuk merren parasysh nevojat dhe aktivitetet njerëzore, por vemendja përqëndrohet vetëm në ato njësi apo pjesë të cilat mund të blihen ose shiten. Njësia bazë tani nuk është më blloku ose lagjja e banimit, por sipërfaqja e veçantë e ndërtimit vlera e së cilës mund të çmohet në bazë të metrave katrore dhe numrit të apartamenteve që shiten e që, për efekt të shfrytëzimit maksimal, shpesh herë kompozohen në projekt me sasira minimale ajri dhe drite.

Për shkak të këtij kompromisi të heshtur, nuk gjendet askush që të protestojë pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi: qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarjet e ndërtimit, qoftë imobiliarët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit që korruptohen për shkak se shesin fuqine e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve (kjo në rastin më të mirë kur këto bëhen me leje - në rast të kundërt e njëjta gjë vlen dhe për organet administrative te kontrollit dhe ato të policise ndërtimore).

Vetëm kështu territori urban mund të shndërrohej në një mall, vlera e të cilit përcaktohet jo vetëm nga tregu, por dhe nga shkalla e korrupsionit. Tani po asistohet në fenomenin e trajtimit të terreneve vetëm nga pikëpamja e fitimit, pa u marrë në konsideratë elemente të rëndësishëm profesionalë si trafiku, orientimi, drejtimi i erërave, pejsazhi urban, dendësia e popullsisë etj.
[…]

Qyteti i viteve 90, jo vetëm që nuk arriti të prodhojë të paktën ndonjë kuartier rezidencial të privilegjuar, por shkatërroi dhe të vetmin ekzistues në Shqipëri: ish-bllokun, që tani po transformohet në një kuartier popullor.

Justifikimet morale “de facto” të këtij shkatërrimi janë të shumta, por një ndër më të rëndësishmet konsiderohet bumi demografik që godet pa mëshirë Tiranën e viteve ‘90. Ardhja e pakontrolluar e mijëra dhe mijëra familjeve brenda një harku të shkurtër kohor nuk është shoqëruar kurrë me masa shtetërore për të zbutur dhe kontrolluar sa më tepër këtë impakt që po rezulton shkatërrues.
[…]

Kuartieret që sot po lindin jashtë kontrollit e po dendësohen jashtë një plani logjik urbanistik do të jenë problemi i së nesërmes për një sërë patologjishë urbane që njihen mirë nga eksperienca botërore, por dhe lehtësisht të imagjinueshme duke parë se ç’po ndodh në Tiranë. Do të ndodhë që nuk do të gjendet hapësirë që qyteti të ndërtojë godinat e tija publike, pasi nuk mund të bëhet kjo gjë pa blerë dhe ruajtur terrene shumë kohë më parë se të paraqitet nevoja; do të ndodhë që nuk do të gjenden më hapësira për parkim dhe qarkullim; do të ndodhë që higjena do të mbese e komprometuar edhe pas ndërhyrjesh serioze që dikur edhe mund të ndërmerren; do të ndodhë që kriminaliteti  të mos kontrollohet në kuadrin e normalitetit. Zonat urbane që po lindin jashtë kontrollit dhe kuadrit ligjor do të jenë problemet e së nesërmes. Që tani është bërë i pakontrollueshëm degradimi i jetës sociale dhe rritja e krimit në kuartieret e tronditura nga urbanizimi i paplanifikuar.

[…]
Përdorimi i ashensorit po rrit edhe vertikalisht qytetin (ekspansion vertikal). Lewis Mumford për këtë thotë se “... fillimisht ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të grataçelave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.

Kështu kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar sikurse po ndosh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen. Trafiku kaotik është i pranishëm nën dritaret e secilës shtëpi, pasi numuri i automobilëve nuk varet më vetëm nga sipërfaqja që zenë godinat, por dhe nga lartësia e tyre. Në këtë mënyrë mungesa e hapësirës së lëvizjes ka bërë atë që zona gjithnjë e më të mëdha të qytetit të shndërrohen në rrugëza, në sheshe të ndyra parkimi, rrugë kalimi makinash, garazhe apo varreza automjetesh.

Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë ato zona historike (me dendësi të ulët ndërtimesh), që kanë mbetur gjysmë të rrënuara nga e kaluara. Pas një procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale. Kujtesa historike e lagjeve, parqeve të lojrave, atyre të gjelbëruar, pikave të takimit të njerëzve po humbasin me një shpejtësi tronditëse. Gati askush nuk i gjen më kopshtet e fëmijërisë, shkollat, parqet ku ka shëtitur në mbrëmjet e dashurive rinore, fushat e sportit ku ka luajtur, shtëpitë e vjetra të gjyshërve etj. Përmasat e kësaj katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile as godinat, rrugët, lagjet apo qytetet “e ruajtura” nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale.

Duket se të gjithë janë çmendur dhe se askush nuk shqetësohet për faktin elementar se e ardhmja përcaktohet në një masë të madhe nga  e  kaluara.

Në zona të tëra po eliminohen parqet dhe sheshet rekreative - dhe ky është një skandal; po priten pemë të vjetra e dekorative - dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës - dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë të parekuperueshme pejsazhi urban - dhe ky është një nga skandalet e skandaleve. Dhe të gjitha këto nuk janë vepër e privatëve zotërinj, të gjitha këto janë vepër ekskluzive e Shtetit Shqiptar, e politikanëve shqiptarë, e profesionistëve shqiptarë të fushës.

Gafat janë të panumërta: kioskizimi neveritës që arrin kulmin në parkun “Rinia”; mbyllja përfundimtare e kompleksit të lojrave për fëmijë në hyrje të rrugës së Elbasanit (madje kjo duhet konsideruar vepër penale dhe krim kundër fëmijëve); zhdukja e ndërtesave të Tiranës së viteve 20 - 30, mjaft interesante nga pikëpamja kulturore e artistike, shembull tipik i një stili eklektik (si në rastin e ish-jetimores në rrugën e Kavajës); për të arritur në nivele të pakonceptueshme, si ngritja e një mega-godine për Bnakën e Kursimeve të degës së Tiranës, gjë që solli “coup de grace” së pari për Hotel Internacionalin - dëshmitar i jetës politike të periudhës së mbretit Zog dhe hotel që me imazhin dhe historinë e tij të “Belle Epoque” shqiptare meritonte një restaurim shkencor dhe një rekuperim “alla francaise” të sheshit përpara tij deri në trotuarin e rrugës së Kavajës, së dyti, nxjerrjen krejt jashtë loje të godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, shembulli më i shkëlqyer i neoklasicizmit në Shqipëri. Mund të renditen këtu me dhjetra e dhjetra shembuj të shëmtuar që nuk i lejon hapësira e këtij shkrimi[1], por nuk mund të lihet pa përmendur krimi që po bëhet në kurriz të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga një godinë shumëkatëshe që pret për t’u ndërtuar pak a shumë përballë Kryeministrisë, godinë që me lartësinë e saj do të “thyejë” vazhdimësinë e qetë të bulevardit dhe do dëmtoje rëndë perspektivën e tij duke krijuar një pikë frakture që vizualisht shkurton distancën. Ç’gabim i rëndë ky qoftë edhe për profesionistët më pak largpamës. Do të ishte njësoj si të ndërtoje një gratacelë në mes të Champs Elysee-se në Paris_.

Ç’është më e keqja, me ç’shihet, ky është vetëm fillimi. Nëse vazhdohet me këtë politikë urbane, Tirana nuk do të ketë më parqe lojrash për fëmijet e saj për shkak të çmimeve të larta të terrenit të tokës e, si rrjedhim, rrugët gjithnjë e më tepër do të fitojnë një rëndësi që nuk duhet ta kenë. Ato tani do të shndërrohen padrejtësisht në “parqe”, në “vende shëtitjeje” dhe “fusha loje”, por fatkeqësisht do të jenë parqe të zvjerdhura, vende shëtitjeje plot baltë ose pluhur dhe fusha lojrash të rrezikshme.

Pakkush, ose askush, preokupohet për faktin elementar se një qytet nuk mund të kontrollojë zhvillimin e ekspansionit të tij nëse nuk kontrollon ndryshimet dhe zhvillimin e territorit të tij. Nga sa shihet, gjithkush ka të drejtë të mendojë se qyteti shqiptar  me politikën dritëshkurtër e sharlatane të klasës drejtuese ka pushuar tashmë së konsideruari si një institucion publik, por përkundrazi, po funksionon si një ndërmarrje tregëtare private, që preokupohet të garantojë vetëm përfitimet më të mëdha pa përjashtime apo skrupuj.

Spekullimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar po varfëron deri në pika kritike nivelin higjenik mjedisit. Higjena urbane kërkon domosdoshmërisht madje me urgjence, hapësirat ligjore të saj, pajisje bashkiake dhe rezerva të tjera që janë neglizhuar.

Në asnjë vend të botës furnizimi me ujë, heqja e plehrave dhe mbeturinave, si dhe pastrimi i gropave të zeza nuk i është lënë në dorë iniciativës private për arësyen e thjeshtë se aktivitetete tilla  nuk mund të sigurojnë fitime që ta tërheqin privatin. Kjo gjë vlen akoma më shumë për kushtet aktuale ekstreme në të cilat ndodhet higjena urbane e kryeqytetit shqiptar.

[…]

Ajri rezulton akoma më i pashëndetshëm. Monoksidi i karbonit helmon përditë mushkëritë e njerëzve në çdo pikë të qytetit. Askush nuk e di se sa është sasia e tij në ajër sepse nuk egzistojnë pajisje që ta masin atë, por dihet me siguri që në distancë kohore ai bashkë me mishelën e pluhurave dhe pezullive që qelbin ajrin e Tiranës, do të shkaktojnë shumë më tepër viktima se sa plumbat e gjithë kalashnikovëve të marrë së bashku. Specialistët e sektorit janë të bindur për këtë.

Niveli i smogut që ka arritur Tirana nuk i skandalizon njerezit sepse askush nuk u ka bërë të ditur atyre për rrezikshmërinë e tij, por kjo është njësoj si të jesh i sëmurë me kancer dhe të rrish i qetë sepse nuk e di një gjë të tillë. Pa njohje të problemit nuk mund të ketë terapi të tij. Dhe pa një impenjim human, politik dhe ekonomik nuk mund të njihen e të zgjidhen probleme të tilla të një rëndësie kapitale për një shoqëri civile.

Situata rëndohet më tej dhe bëhet skizofrenike nëse kemi parasysh dhe nivelin e zhurmave në akset kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për një helmim të vërtetë akustik pasi është provuar se zhurmat provokojnë ndryshime të mëdha fiziologjike dhe disa sëmundje si ulcera gastrike dhe hipertensioni arterial të cilat mund të rëndohen në një mjedis të mitraluar nga zhurmat e burive dhe motorrëve të makinave. As për këtë nuk egzistojnë impiante apo indikatorë që të masin nivelin akustik të zhurmave në pika të ndryshme të qytetit. Pajisjet për këtë nuk janë të shtrenjta (sikurse ato për ta shëndoshur këtë situatë), por mungon preokupacioni i administratave dhe sensibilizimi i opinionit publik që e lejon këtë gjendje të shkojë përpara.

Zhvillimi kaotik nuk merr parasysh as minimalisht transportet* duke prodhuar pashmangësisht parregullsi të mëdha urbane. Sot nuk egziston praktikisht diferencë ndërmjet rrugëve kryesore dhe jo kryesore dhe aq i pazgjidhur është sot trafiku saqë praktikisht Tirana është në gjendje kolapsi. Shpesh rezulton më i shpejtë spostimi në këmbë nga unaza në qendër se sa me makinë (sidomos në orët e mëngjezit) pasi të gjitha flukset e hyrjes së makinave në qytet përplasen në dy tre akse që nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato dhe për më tepër nuk janë projektuar për një gjë të tillë. […]

* * *

Kurrsesi nuk duhet menduar se privatët janë shkaktarët e një gjendjeje të tillë. Ata duhet të kërkohen në politikat e mbrapshta që e spostojnë shoqërinë shqiptare si lavjërrësin e Foucault-së nga një komunizëm paranojak në një individualizëm të shfrenuar. Pas 45 vjetesh të një ekonomie të centralizuar dhe planifikuar, liberizmi u pa si liri për të bërë gjithshka dhe ishte pikërisht ky liberizëm dhe ky permisivizëm që e bëri Tiranën një Las Vegas në mizerje; ku në vend të krenarisë për gjelbërimin e qytetit, për Universitetin dhe institucionet publike i dha turpin e shndërrimit të Pallatit të Kulturës në bingo. Asgjë nuk mund ta dëmtonte më tepër imazhin e iniciativës private që duhet të lindte se sa mungesa dhe preokupacioni i politikanëve për t’u marrë ca më seriozisht me problemet urbane dhe e profesionistëvë të fushës që të protestonin ca më tepër për një politikë urbane në shërbim të të gjithëvë. Politika më tepër se luftë ndërmjet kundërshtarësh duhet parë edhe si një analizë për zgjidhjen e problemeve individuale dhe të grupeve.
Dëshpëruese është se fëmijët e kryeqytetit rriten me urrejtjen dhe repulsionin për këtë mjedis, për Tiranën për Shqipërinë dhë nihilizmin për çdo gjë që bie era Shqipëri. Urbanistika është parë nga iluministët gjithnjë me prioritet dhe është trajtuar si një diskutim i hapur mbi edukatën. Kjoskizimi apo jo i Place de la Concorde ka të njëjtën peshë me edukimin ose jo të fëmijëve se nuk është mirë të vjedhin. Dhe kjo është e natyrshme pasi në bazën e urbis qëndron dhe duhet të qëndrojë koncepti i bonus commune.  Humbja e vlerave në një mënyrë apo një tjetër është e lidhur edhe me degradimin e mjedisit urban dhe për rrjedhojë uljen e nivelit të konceptimit politik për të ardhmen. Dhe kjo përkthehet në atë që qytetet dhe periferitë e tyre paraqesin një degradim kaq bombardues këto vite saqë banorët e Tiranës kanë humbur ndjeshmërinë ndaj kësaj mynxyre dhe jo vetëm ata por edhe profesionistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët ndoshta mund të ndikonin dicka në këtë drejtim - deri sot shpesh i kanë pranuar këto skandale me indiferencë.

Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u krijuar dhe akoma më i vështirë për tu prishur. Në Shqipëri ky rreth në një masë të madhe është krijuar. I takon klasës udhëheqëse që ta konsiderojë qytetin më së fundi si problem të theksuar politik. I takon politikanëve të programojnë një P.P.R., ti rijapin qytetit gjelbërimin e humbur, diellin e humbur, qiellin e pastër, ajrin, ujrat, të marrin nën mbrojtje çka mund të mbrohet akoma, të sigurojnë urbanizime në toka të shëndetëshme për kuartieret e reja të banimit për të cilat njerëzit kanë aq nevojë, të zgjithë sistemin e transporteve, të përmirësojë shërbimet në qytet: shkollat, ambulancat, urbanin, telefoninë, ujin, elektrikun, ngrohjen; të ruajë kurorën ë gjelbëruar nga prerjet dhe ndërtimet; të pengojë me çdo kusht betonizimin e kodrave të Tiranës si një pasuri kombëtare dhe individuale; ti verë fre abuzivizmit në ndërtim dhe të ndëshkojë ashpër, pa dallim e këdo që nuk e konsideron qytetin si institucion publik.

Nëse nuk do të shpresonim për një gjë të tillë nuk do t’i shkruanim këto rreshta.

Tiranë, Maj 1997




[1]  - Qe nga ata trondites si perdhunimi i zones rezidenciale te ish-bllokut me ndertimin e godinave shumekateshe e deri te ato qesharake se lyerja e Ministrise se Mbrojtjes me boje roze, pa u ndalur ne faktin se rifinitura e tulles ˙facciavistaî nuk lyhet me boje, por vetem pastrohet.

No comments: