Wednesday, December 4, 2013

Zemërimi i njerëzve dhe mjeshtrit e statukuosë



Tema e protestave kundër armëve kimike vazhdon të ketë një farë jehone, por duket sheshit se ajo po zbehet shpejt, veçanërisht në mediat televizive dhe shtypin e shkruar të vendit tonë dhe, ç’është më e keqja, duke u keqinterpretuar edhe kur rimerret. Protestuesit kanë heshtur tashmë. Shumica e tyre janë strukur në shtëpi apo në foletë e blogjeve të internetit, kurse organizatorët ambientalistë apo ata të AKIPI-t nuk dihet se me çfarë merren tani në zyrat e tyre të vogla. Si rëndom, skenën e opinionit publik, veçanërisht atë mediatike, e zaptuan përsëri manipuluesit e përhershëm të statukuosë: ata që natë e ditë, ditë e natë merren vetëm me akuza të ndërsjella për të na provuar se kush është më i keq Berisha apo Rama, Rama apo Berisha apo Ilir Meta.
Kur bie fjala për protestën, bie në sy se mjeshtrat e maxhorancës nuk kanë shumë qejf ta përmendin atë. Por, kur shtrëngohen, përdorin shpesh shprehjen “menaxhim i keq” që solli “panik”. Pra, me demek, të kapur në befasi nga armiqtë e popullit, që ishin “ekspertët e rrugës”, njerëzit i kapi paniku. Disa të tjerë, po nga kjo llogore, vënë në dukje faktin se sa e qetë, paqësore, ishte protesta – në sajë të ekipit të ri që na ka ardhur në pushtet. Andej nga llogorja tjetër, ndërkaq, askush nuk guxon të merret me faktin se Berishën dhe Bashën protestuesit i përzunë. Madje, disa syresh, të sigurt se s’ka asgjë tjetër përveç tyre në horizont, kanë filluar të fërkojnë duart e të thonë se edhe pak e, me këtë kryeministër që bën gafa kësisoj, atyre do t’u duhet t’u kthehen shpejt karrigeve që s’u ka dalë akoma era e korrupsionit të tyre.
Ndërkaq, janë duke u shuar edhe debatet pa fund midis tri kategorish proamerikanësh, që mbushën mediat ditët e para pas protestave: proamerikanët e maxhorancës që na thanë se ky refuzim i gabuar na prishi shumë punë dhe ishte diçka e pafalshme për ata që e nxitën, proamerikanët e opozitës që na thanë se amerikanët nuk kishin faj në këtë punë, se fajin e kishte Edi Rama që iu ofrua atyre me vullnetin e tij për të marrë ndonjë çmim apo ftesë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe proamerikanët që na thanë se ky refuzim nuk na prishi punë me amerikanët. Me mesazhin e John Kerrit për 28 Nëntorin, duket se u ftillua edhe kjo punë. Çdo gjë do të shkojë si më parë, për bukuri, ashtu siç kërkojnë edhe mjeshtrat e statukuosë. Amerikanët shohin te klasa jonë politike, si në maxhorancë edhe në opozitë, partnerë luajalë, ashtu sikurse ne shohim te SHBA mikun e madh. “Rroftë udhëheqja jonë e lavdishme!” “Rroftë miqësia shqiptaro – amerikane!” “Miqësia – garancia!” “Rrofshin festat e 28-29 Nëntorit!”.
Në këtë atmosferë festive, deputetët e të gjitha palëve aprovuan me unanimitet rezolutën e paraqitur nga llogorja djathtas, që kërkon dhënien e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian.  E meritojmë, posi nuk e meritojmë, me këta burra fantastikë që kemi në krye të vendit. U harrua edhe shumëkatëshja që na ka vjedhur deri edhe detin për të cilën akuzojnë njëri-tjetrin.
Ndërkaq, duket sikur askush nuk do t’i përmendë e analizojë fishkëllimat dhe dëbimin e Berishës, Bashës e Ilir Metës nga protestuesit dhe as zemërimin e tyre të pafund ndaj Ramës. Mjeshtrat e statukuosë na thonë: tani që ju doli paniku, kthehuni e rrini para televizioneve tona e ndiqni komedinë e trushpëlarjes që ju bëjmë ditë për ditë, duke ju treguar se kë duhet të votoni në zgjedhjet e ardhshme – koalicionin PS-LSI apo atë PD-LSI – sipas radhës gjithmonë, me rotacion, sepse jemi një vend demokratik si gjithë të tjerët. Si intermexo mund të ndiqni ndonjë takim të udhëheqësit të lavdishëm të maxhorancës me shkrimtarët dhe artistët, – kujdes, jo në Lidhjen e Shkrimtarëve as në Galerinë e Arteve, por në Kryeministri, – apo ndonjë refleksion në facebook të udhëheqësit historik të opozitës që tallet me piktorin e dështuar. Dhe për çdo rast ekstrem, si ai i armëve kimike, mos harroni se kemi Ilir Metën që i qetëson gjakrat duke u kujtuar ekstremistëve të të dy anëve të mos shkojnë shumë larg se po iu hapën petët lakrorit, s’ka qen që ta hajë më atë.
Mirëpo mua më duket se këtij lakrori i janë zbuluar petët keqas tashmë. Dhe protesta e provoi këtë. Flaka e saj hodhi një dritë, që ndriçoi disa të vërteta, që s’mund t’i fshehin dot dritat e ekraneve dhe faqet e gazetave të llogoreve. Ajo tregoi zemërimin dhe mllefin e madh që ekziston ndaj kësaj kaste në pushtet. Ata që flasin për panik, duan të gënjejnë veten. Ajo që ndodhi nuk ishte panik, sepse paniku nënkupton një situatë ku njerëzit ikin me vrap për t’i shpëtuar një rreziku. Kurse njerëzit u mblodhën, sepse ndjenë sigurisht një frikë, por edhe sepse ndjenë një  zemërim të madh. E vërteta është se ne u ndjemë të poshtëruar pa limit; dy herë të poshtëruar, shumë herë të poshtëruar – prandaj dhe të zemëruar. Në thelb, zemërimi u ngjall pasi donim të ndiheshin të barabartë në dinjitet me të gjitha shtetet e këtij rruzulli dhe me të gjithë individët e tij. Donim të ndiheshin të barabartë me norvegjezët, me turqit e të tjerë, qeveritë e të cilëve i thanë “jo” me shumë lehtësi asaj aventure, pa i shtrënguar qytetarët e tyre të dalin në protesta. Ne u ndjemë të poshtëruar, prandaj dhe të zemëruar, pse u paraqitëm, si gjithmonë, të gatshëm për t’u kthyer në kosh plehrash; por edhe pse dëgjonim të na thuhej, nga të ashtuquajturit miq apo partnerë: ju mund të keni goxha përfitime nga kjo punë, duke nënkuptuar atë që s’na e thoshin drejtpërdrejt: pse tregoheni edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë; përderisa nuk jeni në gjendje të punoni e të ndërtoni një ekonomi të shëndoshë me bujqësi e turizëm dhe agroturizëm, të jetoni thjesht dhe me nder në një vend të pastër, pse nuk e pranoni këtë ofertë që mund t’ju ndihmojë të pastroni edhe haletë tuaja që nuk jeni në gjendje t’i pastroni vetë? Shikoni si jeni katandisur dhe ulni kokën, merrini ato para dhe filloni punoni; më mirë kjo punë e ndershme me maskat e gazit në fytyrë, sesa me maska grabitësish, hajdutësh e trafikantësh – siç e keni mbushur vendin. Tek e fundit, edhe po vdiqët ca vite më parë nga kanceri apo nga ndonjë shpërthim aksidental, nuk u bë kiameti. Pse ç’e dini veten, mos pandehni se jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj vlen sa ajo e qytetarëve dhe fëmijëve amerikanë? Harruat se si jeni mbytur me gra e me fëmijë në ujërat e Adriatikut e Jonit për të shkuar të punoni si shërbëtorë. A nuk e shihni se po vriteni përditë rrugëve, ngaqë as dini t’i ndërtoni, as dini t’i ngisni makinat si njerëz normalë? A nuk e shihni se thithni në qytetet tuaja një ajër, që është njëqind herë më keq se helmet e Asadit?
Njerëzit u zemëruan pra, edhe sepse ndienin një të vërtetë në këto “argumente”, por edhe sepse jo çdokush pranon ta identifikojë veten me llumin e këtij vendi dhe, mbi të gjitha, sepse këtë racizëm e poshtërim e ndiejnë se u vjen nga kasta në pushtet, mjeshtrat e statukuosë, që prej kohësh e kanë ndarë këtë shoqëri në capak, ata, që, me demek, do të hyjnë në histori e do të pasurohen për shtatë breza dhe në shumicën idiote dhe injorante që thjesht duhet të shërbejë si masë skllevërish, që duhet të punojë për pasurimin e tyre e për të ngritur piramidën e varrit të tyre.
 E pra, problemi është se zemërimi i protestave të nëntorit duhej të mbahej gjallë për t’i kërkuar llogari kësaj kaste, që na ka sjellë në këtë gjendje ku thuajse përditë ndodhin skandale për të cilat njerëzit thonë: kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Sepse ndërkaq nuk vonuan poshtërimet e radhës, nga ato që ndodhin vetëm në Shqipëri. Paçka se jo aq të rënda sa sjellja e armëve kimike, ato janë të tilla që duhet t’i mbajnë njerëzit në rrugë. Ja shikoni kronikën e vetëm dhjetë ditëve të fundit: në burgjet tona të sigurisë së lartë të burgosurit mbajtkan brenda deri edhe kallashnikovë! Ndërkaq mjeshtrat  e statukuosë grinden se policët e kujt i kanë futur: ata të këtyre apo të atyre? Prokurorët e gjykatësit rrjepin njerëzit me shifra marramendëse të hollash për t’u dhënë fajësi apo pafajësi – aq sa sot thuhet se të vetmit milionerë të vërtetë, nga ata që kanë para dhe jo borxhe në Shqipëri, janë prokurorët e gjykatësit – dhe njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë mjeshtrat e statukuosë se kush i ka emëruar, këta apo ata. Dhe ja një skandal mbi skandalet: jemi i vetmi vend në botë, ku edhe kompanitë ajrore bien me rënien e qeverisë. “Belle air” grabit pasagjerët (janë afro 54 000 thotë media) në mënyrën më të paturpshme duke shitur bileta edhe disa orë përpara shpalljes së falimentimit dhe njerëzit nuk dinë se çfarë të bëjnë: janë grabitur, janë poshtëruar dhe s’kanë ku kërkojnë të drejtën e tyre. As emrin nuk ia dinë pronarit apo pronarëve, sepse nuk dihet se kush politikan fshihet prapa, por edhe sepse, me shumë gjasa, kanë korruptuar tërë gazetarët me fluturime gratis, siç thuhet se kanë bërë edhe për të sjellë votuesit e atyre që qenë deri dje në pushtet. Askush nuk arrestohet si përgjegjës për këtë megavjedhje. Dëgjojmë vetëm grindjen midis mjeshtërve të statukuosë: këta që na thonë se kjo ishte kompani e atyre dhe ata që na thonë se e falimentuan këta për të ngritur kompaninë e tyre.
Nesër prisni skandalin tjetër poshtërues dhe spektaklin tjetër  me akuza midis këtyre dhe atyre.
E pra, kush ishte në protestë dhe ka mësuar ndonjë gjë prej saj – e, sipas meje, mësimi kryesor i saj ishte ai se i duhet dhënë fund nënshtrimit ndaj të keqes me shprehjen: këtë/këta meritojmë ne – duhet të nxitojë të mbledhë thëngjijtë e zemërimit që kanë mbetur ndezur të saj për t’i dhënë nismën një lëvizjeje që duhet të synojë t’i japë fund këtij poshtërimi tonë të përditshëm. (Panorama, 2 dhjetor 2013)

No comments: