Thursday, November 22, 2007

Mbi dorëheqjen e Rusmailit

Dorëheqja e Rusmailit është komentuar mjaft në shtypin shqiptar. Ajo çka bije në sy është se komentet përqendrohen në dy plane të ndryshme në mos të kundërt. Një pjesë e konsiderojnë aktin e ish ministrit të Drejtësisë si një shembull moral, si vendosjen e një standarti të ri e të lartë moral për ata që merren me politikë. Kurse një pjesë tjetër nuk gjejnë atje ndonjë akt moral, përkundrazi e konsiderojnë si shprehjen e një konflikti mdis grupesh të ndryshme në PD ku disa dallojnë atë të Berishës përballë atij të Topit kurse të tjerë shtojnë edhe një grupim të Jozefina Topallit. Më depërtonjësi ishte shkrimi i Mero Bazes në Tema i cili njëherësh e shpjegon dorëheqjen e ministrit si një akt të moralshnëm të individit ministër Rusmali, por pa harruar të sqarojë se kjo dorëheqje ishte një punë e imponuar, pasi drejtori i burgjeve që u bë shkak i grindjes, Shehri, ishte një njeri me mbështetje të fortë në klanet e PD. Duke akuzuar direkt Presidentin Topi dhe kryeminstrin Berisha për dorëheqjen e Rusmailit, Baze, i cili është njeri që i njeh mirë punët e PD-së, e konsideron këtë dorëheqje si një hap që hedh korrupsioni në kapjen e mëtejshme të PD-së e të pushtetit të saj. E të duket sikur e konfirmon edhe Rusmaili, i cili, në konferencën e tij për shtyp, deklaroi hapur se në konfliktin me drejtorin i ka munguar mbështetja e kryeministrit dhe, çka është më e keqja, ai akuzoi thuajse direkt kryeministrin se ka mbyllur sytë ndaj pazareve të lirimit të burgosurve të rrezikshëmn që ka bërë drejtori, në këmbim rryshfetesh.
Më duket humbje kohe ta komentojmë aktin e Rusmailit si një shembull moral për klasën poltike shqiptare. Duke patur parasysh kontekstin e moralit të politikanëve shqiptarë në tërësi ky i Rusmailit, edhe sikur të jetë një akt i pastër moral, i një njeriu që sapo e pa veten të akuzuar dha dorëheqjen për t'i hapur rrugën drejtësisë, do të thoja se bën një përjashtim që përforcon rregullin në politikën shqiptare dhe kaq. Madje në këtë kontekst do të thoja gjithashtu se ndoshta e tillë mund të konsiderohet edhe ndërhyrja e vëllait të Rusmailit tek dretori i Burgjeve, e cila, ndonëse e dënueshme, me taktin dhe rezervimin me të cilin është bërë, siç del nga zbardhja e përgjimit, në raport me ç'na kanë parë sytë dhe na kanë dëgjuar veshët gjatë këtyre viteve duket si një muzikë e ëmbël. Po t'u jepej ai regjistrim atyre që e klasifikuan Shqipërnë në vendin e 105 në botë përsa i përket klasifikimit në perceptimin e korrupsionit, dhe do t'u thuhej se për këtë i vëllai i personit të inçizuar, ministri i drejtësisë, ka dhënë doroheqjen, rrezik se do të na hiqnin nga ai vend dhe do të na fusnin në vendet ku korrupsioni është duke u fshirë si plagë. Sipas meje është më i besueshëm varianti se dorëheqja ka qenë e imponuar direkt ose indirekt nga lufta e klaneve në PD dhe pa dyshim drejtori i burgjeve Shehri nuk mund të mos shihet si njeri me mbështetje të fortë në klanet e PD që u përdor në këtë luftë kurse Rusmaili një njeri që u elimnua në këtë luftë. Ajo ku dua ta përqendroj komentin mbi këtë ngjarje është pikërisht çështja e këtyre grupimeve. Dmth çfarë po ndodh në PD - ngrihet pyetja. Ajo çka bije në sy më së pari është se gjithshka po zhvillohet pa transparencë, nën rrogoz. Dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me ndrojen ndaj autoritetit ende të padiskutueshëm të Berishës në atë parti. Është e qartë tashmë se autoriteti i Berishës nuk është absolut tek mazhoranca as tek PD-ja, pasi ai, për të ruajtur pushtetin e tij në atë parti, i është dashur të bëjë lëshime të shumta ndaj grupimesh të ndryshme që nuk janë tërësisht nën kontrollin e tij. Çështja është se çfarë përfaqësojnë ato grupime që nuk identifikohen thjeshtë me Berishës dhe çfarë përfaqësojnë ata që identifikohen me Berishën dhe ç'kuptim ka lufta e tyre? Sepse nuk ka asgjë të keqe, madje do të ishte shumë punë e mirë, që në një parti të kishte grupe të ndryshme me ide të ndryshme që debatojnë e polemizojnë me njëri tjetrin në emër të forcimit të partisë dhe të qeverisjes së saj. Pra, kur bëhet fjala për të ashtuquajturit grupe kundërshtare ndaj Berishës pyetjet që mund të ngrihen janë: A është fjala për grupime që kërkojnë të demokratizohet më shumë PD-ja sepse ka mbetur shumë nën një dorë të vetme, atë të Berishës, duke mpakur energjitë krijuese të kësaj partie. A është fjala për grupime që kanë mendime të ndryshme për shumçka që nuk shkon si duhet të shkonte në PD dhe në qeverisjen e saj? A është fjala për grupime që edhe ideologjikisht kanë vizione disi të ndryshme? Ndërsa kur bëhet fjalë për grupin më afër Berishës përsëri shtrohet pyetja: çfarë përfaqëson ai në raport me këta grupime kundërshtare? Diçka më pozitive apo më negative, më të pastër apo më të pisët? Këto pyetje vlejnë edhe nëse bëhet fjalë për dy apo tre grupime që kanë rivalitet me njëri tjetrin e që luftojnë të fitojnë aleancën e Berishës, i cili gjithsesi qëndron përmbi ta më shumë si faktor bashkues dhe arbitrues sesa ndarës? Mungesa e transparencës ndaj këtyre pyetjeve të le të mendosh se kemi larg atyre zhvillimeve që mund të quehshin pozitive në PD. Më shumë gjasa ka se kemi të bëjmë thjeshtë me klane që kuftojnë me njëri tjetrin për atë se kush do të hajë apo kush po ha më shumë në tortën e shtruar të pushtetit? Për militantë të kënaqur dhe të pakënaqur? Për biznese të lidhur me militantë të kënaqur dhe biznese të pakënaqur? Pra thjeshtë me një histori të përsëritur e stërpërsëritur këto 17 vjet me këtë klasë politike sa majtas edhe djathtas. E në këto kushte dorëheqja e Rusmailit nuk entuziazmon njeri si akt moral që rrit standartet e politikës, përkundrazi dëshpëron e shton zhgënjimin tek politika. (Korrieri, 17 nëntor 2007)

2 comments:

bledarbregasi said...

Lubonja akoma ka byshime mbi moralin dhe ndershmerin e kesaj klase politike....
Po si mund te kem un besim tek Topi kur ky beri c'eshte e mundur per te arritur te behej president..nje njeri karrierist dhe me etje per pushtet dhe pa asnje vlere intelektuale...Kur foli perpara abasadoreve shqiptare tha: duhet te ndihmojme emigrantet shqiptare ne procesin e globalizimit...Nje fjali te tille mund ta thot o nje i dehur osnje nje qe perdorfjalet pa ne menyre te lehte pa u ditur kuptimin...Por nuk njafton vetem kjo..po te ndjekesh fjlimet e tija, ve re qe perpiqet te perdori fjale te dialektikes politke por edhe aty eshte shume i ceket dhe i varfer me mendime dhe ne reflektimet qe bene...Topi eshte simboli i varferis intelektuale te populit tone...Me vjen kea ta them por eshte keshtu. Nga varferia intelektuale nuk mund te presesh ndonje ndershmeri politke per tu kthyer tek ceshtja e artikullit te Lubonjes
Pershendetje

Anonymous said...

Pavaresisht grupimeve ne PD, nese doreheqja e Rusmajlit quhet akt i moralshem mendoj se eshte gabim. Nuk mund te beje nje akt te moralshem nje njeri qe nuk e njeh moralin. Dhe besoj njeriu me negativ ne kabinetin "Berisha" them eshte Rusmajli. I vetmi jeri qe e mbrotji Rusmajlin ishte zoti Baze, dhe besoj dhe ai do kete qene i perfshire ne ndonje afere me zotin Rusmajli dhe po e mbronte se nuk kishte marre akoma pjesen e tij