Çfarë po ndodh - pyesin shumë. Me KQZ jemi apo pa KQZ? A do të bëjmë zgjedhje apo jo? Ku po shkojmë? Çfarë rreziqesh kemi përpara? Nga sa ve re shumica e njerëzve këto pyetje i bën me një kuriozitet që do ta mbiquaja të mefshtë, ngase ndjehet përvoja e gjatë zhgënjyese.Në fakt le të bëjmë pak kronikë duke i bërë thirrje sadopak edhe kujtesës. Kalimi i Ilir Metës ne kampin tjetër nuk se ishte ndonjë gjë e re. Kalime të tilla kane ardhur duke u shtuar nëper vitet me partitë apo personat e ashtuquajtur satelitë. Ky ishte disi më skandaloz, pa dyshim, por edhe me këtë rritje doze të skandalit jemi mësuar. Mjaft të kesh parasysh deklaratat e Berishës para do kohe kur tha se gjithë ç'kishte thënë e bërë kundër Nanos (duke e akuzuar për vrasës dhe vjedhës) kishin qenë ndoca llafe "elektorale" apo se në zgjedhjet për Tiranën LSI-ja tërhoqi në krahun kundër Ramës partinë e Hysni Milloshit.Ishte e pritshme gjithashtu që me ketë logjikë Berisha të largonte të gjithë të punësuarit e LSI, edhe pse me ligj administrata duhet të jetë e depolitizuar. Edhe me rritjen e dozës së emërimeve dhe shkarkimeve në funksion të klientelës jemi mësuar.Duke patur parasysh këto nuk mund të mos ishte e pritëshme që Berisha të hiqte edhe të propozuarin nga LSI në KQZ. Nuk ka burrë nëne të besojë në këtë Shqipërinë tonë se dikush mund të propozohet e zgjidhet në ato vende nisur nga mendimi se është njeri i ndershëm që do të verë ligjin përpara gjithshkaje. Të gjithë e dimë se propozimi dhe zgjedhja e antarëve të KQZ bëhet mbi pyetjen: a është me ne ky apo kundra nesh?Ndërkaq duhet të ndalemi pak këtu. Thashë "të propozohet" sepse, sipas ligjit, antarët e KQZ vetëm propozohen nga maxhoranca dhe opozita, madje duke u përzgjedhur jashtë politikës, por këta bëjne betim se do të sillen si të pavarur dhe mandati i tyre zgjat më shumë sesa një legjislaturë. Pra, ligjërish, ata konsiderohen si të pavarur nga urdhërat e politikës çka i detyron të luajnë një dopio lojë. Njëra është fasada, betimi se do t'i sherbëjnë vetëm ligjit, që bëhet kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve; tjetra është ajo që ata bëjnë dhe kanë bërë realisht: zbatimi i urdhërave të atyre që i kanë propozuar/zgjedhur. Dhe tashmë ky është bërë sistemi me të cilin jetojmë gati pa e vënë në diskutim, dy fytyrat kryesore të të cilit janë: një bandokraci, ku kapobandat, ndërtojnë apo prishin aleancat sipas interesave të tyre dhe një fasadokraci ku ligji shërben si një gjethe fiku deri aty ku nuk prish punë, sidomos për sytë e ndërkombëtarëve, sepse, përndryshe, i nxjerrim organet e bandës jashtë dhe as na bëhet vonë fare.Kësisoj, sipas logjikës së bandokracisë ishte e qartë se anëtari i KQZ do të ndrrohej nga Berisha dhe se lufta për të mbajtur të vetin nga Meta e Rama ishte luftë për epërsi jo për pavarësi të KQZ-së. Ndërkohë nga reagimi ndërkombëtar, në emër të fasadokracisë Berisha zgjodhi ta shkarkojë nënkryetarin e KQZ duke i gjetur një kleckë në biografi që deri pak më parë nuk e paskërka ditur (?!).Disa që besojnë ende se këtu tek ne komandojnë ndërkombëtarët thonë se në këtë situatë Edi Rama dhe Ilir Meta do të duhej të vazhdonin denoncimin e këtij akti të paligjshëm duke ia lënë Berishes të gjithë përgjegjësinë për prishjen e zgjedhjeve dhe të Komisionit Zgjedhor dhe jo të bënin atë që bënë: kundersulmin duke tërhequr të propozuarit e tyre duke e lënë kështu vendin pa Komision Zgjedhor sepse me këtë akt provuan se edhe të zgjedhurit/propozuarit e tyre janë politikë. Dhe, gjithë sipas këttyre zërave, kjo bëri që ndërkombëtarët të rikonfirmojnë mendimin se Rama është një partner jo kredibël.A kanë të drejtë? Duke iu referuar lojës së dyfishtë unë do të thoja "jo" sepse kjo do të thoshte që Edi Rama dhe Ilir Meta të vepronin vetëm sipas logjikës së fasadokracisë e të harronin se loja e vërtetë është ajo e bandokracisë. Kur shpallën kundërsulmin ata treguan qartë se ka më shumë rëndësi ajo që ndodh prapa fasadës, bandokracia, sesa fasadokracia. Madje edhe ndërkombëtarët kanë nevojë jo vetëm për "karrotën' e fasadës, por edhe për "shkopin" e bandës. Sepse tashmë roli i tyre i dështuar në fasadë dihet përmendësh. Shumë shumë mund të bëjnë ndonjë deklaratë që Berisha do të përpiqet ta balancojë duke marrë deklaratat e ndonjërit nga ata të Partive Popullore Evropiane. Prandaj duhet ta fusim vendin në krizë aq thellë, deri në atë pikë, sa ndërkombëtarët të detyrohen të ndërhyjnë. Madje edhe me ushtri si në 97-tën, po të jetë e mundur.Ndërkaq edhe Berisha nga ana e tij e di se më e rëndësishme është loja prapa fasadës sesa ajo para fasadës. Edhe ai e di se ndërkombëtarët kanë një limit në fuqinë e tyre për të vepruar. Ata nuk mund as të shkarkojnë as të emërojnë kryetarë partie, kryeministra apo antarë të KQZ-së, as mund të shpallin fitues apo humbës në zgjedhje. Aq më pak kanë ata mundësi të futen në lojën prapa fasadës. Berisha ka po ashtu parasysh se nuk është gjendja e 97-tës; se njerëzit kanë aq përvojë tashmë sa të mos ndjekin qorrazi drejt kryengritjes njerëz që sapo marrin pushtetin fillojnë e vjedhin e bëjnë kërdinë.Jemi kështu në rrethin vicioz ku na ka futur kjo lojë e dyfishtë për të cilin ka punuar sistematikisht politika jonë dhe në të cilën janë bërë lojtarë edhe ndërkombëtarët. Nuk është gabim të thuhet se është një situatë që nuk ka zgjidhje demokratike. Dhe nuk mund të ketë zgjidhje demokratike në një sistem që është ndërtuar për të mos qenë demokratik. Normalisht ne jemi të gjithë të përgatitur për të parë se cili është më i forti. Edhe kalimi i LSI në krahun e Ramës u bë me këtë logjikë. Vini re: sikur njerëzit të kishin shpresë se me opozitën gjendja në të cilën janë katandisur do të ndryshonte do t'i kishe sot tek selia e Komisionit Zgjedhor duke protestuar dhe nuk do të shkuleshin prej andej pa u vene e drejta në vend. Por ne popullin e kemi zevendësuar me ambasadorin amerikan i cili bën ndonjë deklaratë që ze faqet e para të lajmeve në medjat opozitare, por që harrohen të nesërmen.Në fakt e gjithë kjo lojë po ngushtohet brenda një ringu që bëhet gjithnjë e më i vogël ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve qëndron jashtë tij pasi është indiferente apo ka frikë të përfshihet në boksin e rradhës. Metaforikisht duhet thënë se në këto kushte do të duhej zëvendësimi i ambasadorit amerikan me popullin që do të thotë edhe kalimi i lojës politike nga ringu i bandokracisë dhe fasadokracisë në fushën e gjerë të demokracisë, por, fatkeqësisht s'duket asgjë e tillë në horizont. Ne jemi në pritje të ndeshjes së rradhës së boksit që ia njohim stilin, por që, megjithatë, të renë dhe rreziqet i ka në procesin e degradimit të vet. Dhe ky degradim na thotë se, të paktën psikologjikisht, duhet të përgatitemi që zgjedhjet do të jenë një ndeshje shumë e vështirë. (Panorama, 25 prill 2013)
Wednesday, May 1, 2013
Loja para dhe prapa fasadës
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Z.Lubonja jam dakord me nje pjese te madhe te ceshtjeve dhe analizave qe publikoni............por mendoj se pervec nje qasje filozofiko-analitike te te parit te gjerave duhet te kemi edhe nje kendveshtrim praktik mbi ceshtjet dhe zgjidhjet e mundshme tyre.Propozime per module alternative zgjidhjesh mbi nje problematike te caktuar.Kjo natyrisht kerkon nje mendim ekspertesh por edhe analistet ,filozofet ,opinionistet quajeni si te doni, duhet te informohen e te gjykojne edhe anet praktike pse jo edhe teknike te problemve..........Nga ana filozofike mendoj se idete tuaja jane mjaft te goditura.........Shfrytezoj rastin ti keshilloj gjithe ndjekesve te blogut tuaj nj liber me titull IMPERIUM te Francis P Jockey
Post a Comment