Thursday, December 28, 2017

Pse vota në OKB ishte e drejtë

Histeria që kapi politikën opozitare, pas votës pro rezolutës së OKB-së për mosnjohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, ku spikatën deklarimet e Berishës, e Bashës, të Kryemadhit, të Tritan Shehut, të Ben Blushit e më në fund, si qershia mbi tortë, letra e ndjesës së Presidentit Meta dërguar Trumpit vlejnë shumë për t’i bërë një skaner gjendjes së mendimit politik shqiptar. E them me dëshpërim, por ky reagim tregoi gjendjen e izolimit intelektual e shpirtëror, në të cilën ndodhet klasa jonë politike e kthyer vetëm nga vetvetja dhe e motivuar vetëm nga një luftë e vogël meskine për para dhe për pushtet brenda lloji.
E para gjë që tregoi ky reagim është se, ashtu si e brendshmja edhe politika jonë e jashtme vazhdon të funksionojmë me mendësinë e kohës së Hoxhës. Politikanët tanë, me të njëjtën metodë siç i dhanë komunistët Jugosllavisë, BS-së, Kinës popullore rolin e Zotit të tyre mbi tokë, tani ia kanë dhënë këtë rol SHBA-ve dhe, pasi i kanë dhënë po vetë Shqipërisë rolin e fëmijës së zgjedhur të këtij Zoti, anatemojnë si tradhtar e armik çdokënd që guxon të prekë sadopak këtë zot. Për ta përforcuar këtë gjejnë edhe armikun e jashtëm, të cilit i shërbejnë tradhtarët. Në rastin konkret këtë rol e mori Erdogani, tek i cili u shtresëzuan tërë armiqësitë që nga ajo ndaj “pushtuesve osmanë”, deri tek Erdogani diktator.
Duhet thënë se Rama nuk e bëri votimin pro, sepse ka ndonjë mendësi tjetër nga ajo e manipulimit të shqiptarëve me të fuqishmit e kësaj bote. Mjaft të kesh parasysh se tërë pisllëqet që bën brenda vendit kërkon t’i mbulojë me atë se të fuqishmit e botës, që mbështesin atë, nuk kanë thënë asgjë për bëmat e tij. E bëri, sepse mendoi se në këtë rast është më e fuqishme Europa e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë etj., si dhe lobi amerikan antiTrump në SHBA, që mbështet atë, sesa një Trump i mbështetur nga disa vende pa asnjë peshë. Këtë e tregoi përgjigja e ministrit të tij të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili nuk dha asnjë argument shqiptar për të na shpjeguar këtë votë, thuaj po deshe në emër të sistemit të vlerave të partisë së tij, por u mbrojt duke përdorur zotin tjetër: BE-në – “Votuam ashtu se ndoqëm linjën e BE-së.”, – çka ishte një manipulim me të fuqishmit edhe ajo. Thënë kjo, duhet pranuar se ky ishte një votim i drejtë dhe se ta quash këtë votim tradhti ndaj SHBA-ve, siç ulëriti Berisha në krahun tjetër, i ndjekur nga shumë të tjerë, më duket patetizëm propagandistik i stilit më të keq, në fakt një shërbim i madh që i bëjnë kundërshtarit të tyre politik.
E dyta gjë që tregoi ky reagim është se, edhe pas 25 vjetësh gjoja pluralizëm politik, ne nuk kemi arritur ende të kemi pluralizëm për sa i përket vizioneve që kemi për botën, ideologjive apo sistemeve të vlerave në të cilat besojmë e të cilave duhet t’u qëndrojmë koherent, pavarë- sisht interesave tona të parasë apo pushtetit. Duket se partitë tona të vetmin program kanë atë sesi të gjejnë gurin e parë që iu del përpara për të sulmuar kundërshtarin e tyre shpesh, edhe pa inteligjencën për të parë se guri, që kanë zgjedhur, mund t’u kthehen kundër si bumerang. Si ka mundësi që LSI-ja bërtet kaq shumë pro Trumpit, ndërkohë që do të duhej të ndjehej shumë më pranë Partisë Demokratike amerikane e jo vetëm për këtë, por edhe pse, si një parti e deklaruar e majtë, duhet të jetë kundër shumëçkaje nga ato që po bën Trumpi. Le të shkojmë më tej në këtë argument. Politikat, që po ndjek Trump në Europë, i mbështesin vetëm partitë e ekstremit të djathtë, sepse janë kundër emigracionit e jo vetëm. Ne, duke qenë një vend emigrantësh, duhet t’i kundërshtojmë këto politika. Jo vetëm, por partitë tona, duke përfshirë edhe PDnë edhe PS edhe LSI, nuk bëjnë pjesë në familjen e partive të ekstremit të djathtë në Europë, por bëjnë pjesë në familjen e partisë së Merkelit apo Berluskonit, që kundërshtojnë këto politika të Trumpit. Atëherë, ç’është ky servilizëm i panevojshëm dhe kundërproduktiv ndaj Trumpit?
Por, përtej të majtës dhe të djathtës, ajo që të çudit më shumë në këtë qëndrim është symbyllësia ndaj buonsensit që tregoi shumica dërrmuese e shteteve më të rëndë- sishëm të botës, ndër ta edhe shumë miq të Shqipërisë, që votuan pro kësaj rezolute. Askush nuk u ndal qoftë edhe një moment të pyeste: Mirë, po si ka mundësi atëherë që aleati më i madh i SHBA-ve, populli i të cilit flet të njëjtën gjuhë me amerikanët, me të cilin kanë qenë aleatë në dy luftëra botërore, Britania e Madhe, votoi edhe ajo pro rezolutës? Mos vallë edhe britanikët qenkan vënë në shërbim të Erdoganit? Askush ndër opozitarët nuk u ndal të arsyetonte mbi vetë vendimin: A nuk nxit ai tensionet dhe urrejtjen në atë rajon të masakruar dhe a nuk shton ai rreziqet e luftës e terrorizmit atje? Aq më pak u ndalën të mendojnë një çast për popullin palestinez. Jo, ashtu si dikur Enver Hoxha na detyronte të donim vetëm popullin palestinez, tani këta duan të na detyrojmë të duam vetëm popullin izraelit. Aq më pak u ndalën të mendojnë edhe për myslimanët shqiptarë, që, besoj, se ndjehen më afër palestinezëve sesa izraelitëve në këtë konflikt. Jo vetëm, por askush nuk u thellua një moment të informohej se si kanë reaguar brenda SHBA-ve (ku pjesa më e madhe ka qenë kundra vendimit të Trumpit) apo në Europën “e vjetër” që e duam aq shumë kur emigrojmë. P.sh., në Italinë me të cilën jemi më afër për shumë arsye, votimi pro rezolutës as nuk u vu në diskutim nga asnjë palë politike, kurse komentet e gazetarëve që kanë dominuar kanë qenë se ky vendim i Trumpit ishte shumë më i rëndë sesa ai i mosnjohjes së Traktatit të Parisit për klimën. Ndërkaq, ditën e votimit në OKB, shumica e komenteve u përqendruan tek shija tejet e keqe që la arroganca e ambasadores së SHBA në OKB që u përmendi shteteve të tjerë të botës se vendi i saj paguante më shumë se të tjerët për OKB-në dhe prandaj duhet t’i bindeshin diktatit.
Mirëpo, opozitarëve tanë nuk u bëri fare përshtypje kjo arrogancë e më të fuqishmit dhe më të pasurit, por nxituan t’u thonë shqiptarëve se vota kundër do të na linte pa ndihma amerikane dhe se, për këtë, fajin e kishte kundërshtari i tyre i urryer Rama. Sigurisht, e venë gishtin tek varfëria e shqiptarëve me shpresë se këta kjo mund t’i prekë e t’i verë kundër kundërshtarit të tyre. Dhe sigurisht me mendimin se janë krejt budallenj që jo vetëm besojnë qorrazi se çdo votë kundër SHBA është e padrejtë, por edhe se harrojnë se për varfërinë e tyre Berisha me shokë s’kanë menduar kurrë kur kanë qenë në pushtet.
Pastaj, ç’është kjo punë që arsyetimet pro rezolutës nuk kapërcenin argumentimet se çfarë na intereson ne e çfarë nuk na intereson ne shqiptarëve – duke futur në këtë mes edhe çështjen e Kosovës apo argumentin e abstenimit – a thua se çdo gjë që na intereson ne qenka në të mirë edhe të botës dhe e kundërta. Fakti është se kjo rezolutë, që u votua nga 128 vende, ishte kundër vendimit të Presidentit Trump, i cili po merr disa vendime shumë të rrezikshme për botën, gjoja në emër të interesave të SHBA, por, në fakt, duke dëmtuar rëndë reputacionin dhe interesat afatgjata të SHBA dhe duke rrezikuar edhe të ardhmen e të gjithëve. Pikërisht për këtë, shumica e amerikanëve sot janë kundër Presidentit Trump, i cili ka rënë dramatikisht në sondazhe. Dhe, që një president amerikan mund të bëjë gabime të rënda, këtë e ka provuar historia më shumë se një herë. Mjaft të kujtoj vendimin e George W. Bushit për të sulmuar Irakun. Edhe atëherë politika servile prej lakenjsh shqiptarë u tregua e gatshme të çonte ushtrinë përpara se të fillonte misioni i ashtuquajtur paqësor. Por, pas disa vjetësh, thuajse të gjithë në SHBA e quajtën këtë sulm si shumë të gabuar. Sepse, për fat të mirë, në Amerikë nuk shkojnë syqorrazi pas cilitdo president qoftë. Por politikanët tanë nuk duan të mësojnë as nga gabimet e të tjerëve dhe as nga të tyret. Vazhdojnë të na thonë se dashuria për SHBA duhet të jetë syqorre dhe e pakondicionuar si dashuria e skllavit për padronin. Veç një gjë duhet ta kemi të qartë si ne dhe amerikanët. Siç na mëson edhe dashuria e pakufishme e Enver Hohës për BS apo Kinën, kjo dashuri e politikanëve tanë vlen vetëm sa për t’u përdorur për pushtetin, sepse me ndihmën e të fuqishmit të radhës mbajnë popullin e tyre në gjendje syqorri dhe skllavi për ta sunduar më lehtë. Sapo të mos u interesojë atyre kjo dashuri, mund ta kthejnë në urrejtje e t’ia imponojnë të gjithë popullit të tyre.
Thuajse çdo katër vjet politikanët tanë na ofrojnë emra të mëdhenj për të na premtuar ndryshime të mëdha: “Rilindje”, “Republikë e Re” e ku dihet se çdo të sajojnë në të ardhmen. Por sa kohë që do të manifestojnë këtë kulturë të manipulimit dhe simulimit, sa kohë që do ta trajtojnë popullin e tyre si budalla, që gënjehet me ambasadorë amerikanë apo europianë, kinezë, turq apo sovjetikë, asgjë nuk do të ndryshojë. Republika që themeloi Enver Hoxha do të vazhdojë rrugën e saj thjesht e veshur me një kostum tjetër më të modës. (Panorama, 26 dhjetor 2017)


Opozita mes prokurorisë së kapur dhe ndërkombëtarëve të kapur

Dy janë gjethet e fikut që përdori Rama për të mbuluar aktin e kapjes së prokurorisë në kundërshtim me frymën e kushtetutës.
Ndërkombëtarët:
“vetëm budallenjtë mund të mendojnë se ndërkombëtarët do ta miratonin atë që bëmë ne po të qe kapje e Prokurorisë”
Akuzat ndaj opozitës:
“janë ata që kanë kapur prokurorët, jo ne” dhe: “zgjedhja e prokurorit është një hap i rëndësishëm në realizimin e reformës në drejtësi, por opozita nuk e do, sepse ka frikë nga drejtësia, dhe kështu, për interesin e saj, po pengon integrimin e Shqipërisë në Evropë.”
Janë dy gjethe fiku që e mbulojnë deri diku Ramën nga sulmet e opozitës, por që, nuk mund ta mbulojnë nga një realitet që e shohin edhe ata që nuk kanë hall as të mbrohen nga drejtësia dhe as t’i marrin Ramës karriken, por që të jetojnë në një vend ku drejtësia t’i trajtojë të gjithë si të barabartë përpara ligjit. Dhe ky realitet është ai se ne kemi në krye të qeverisë një kryeministër që, me vetëdije të plotë, ka ndërtuar këta pesë vjet një koalicion me krimin e organizuar dhe me një oligarki gjithnjë e më kriminale për të sunduar e grabitur shqiptarët dhe se, nga frika e drejtësisë së vërtetë, për të mbrojtur dhe forcuar këtë pushtet kriminal, ka nevojë të ketë nën kontroll drejtësinë. Vetëm budallenjtë nuk e shohin se ky ishte qëllimi i Ramës dhe të vetëve, në mënyrën se si e zgjodhën Kryeprokuroren të hënën, 18 dhjetor 2017.
Ndërkaq, po ta shohim pak më me gjakftohtësi ngjarjen e fundit, na duhet të themi se opozita s’ka pse bën sikur po ndodh e pabëra pasi kapja e drejtësisë nga partia në pushtet është një histori e stërpërsëritur. Ne kemi pasur vazhdimisht një konflikt mes maxhorancës e opozitës të cilat vazhdimisht kanë akuzuar njëra tjetrën për vjedhje e grabitje të shqiptarëve. Deri dje, pakti i tyre me drejtësinë ka qenë që, edhe pse e kapur nga maxhoranca, ajo i ka lënë të patrazuar eksponentët e opozitës të gëzojnë “arritjet” e tyre në vjedhjen e shqiptarëve. Akuzat gjithnjë kanë mbetur veçse në rrafshin e lojës politike. Kurse, në mungesën e një drejtësie që do të duhej të hetonte e pavarur të vërtetat e korrupsionit të sejcilës palë, (që do të përkthehej në futjen në burg të eksponentëve të të dy palëve) politikanët tanë kanë futur në lojë  ndërkombëtarët, që kanë bërë arbitrin politik në konflikt. Kjo shpjegon rëndësinë që ka marrë lufta për të bindur ndërkombëtarët se cila palë ka të drejtë, që fare mirë mund të quhet edhe luftë për kapjen e ndërkombëtarëve.
Në rastin në fjalë vazhdojmë të jemi në përsëritjen e historisë: çështja po trajtohet si një konflikt midis maxhorancës dhe opozitës ku si arbitër të vetëm janë ndërkombëtarët me në krye ambasadorët e SHBA dhe EU. Ramës, që është në maxhorancë, i intereson kjo pasi gjysëm të vërtetat e tij mbështeten më shumë nga ndërkombëtarët sesa gjysëm të vërtetat e opozitës. Sot për sot mund të thuhet se, megjithë të çarat që ka pësuar qeverisja Rama për shkak të provave evidente të implikimit të saj me botën e krimit, nuk jemi ende në pikën që arriti Berisha në shkurt të vitit 1997 kur e përditshmja e rëndësishme britanike “The Independent” shkroi artikullin e famshëm: “Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim” duke akuzuar haptazi politikanët perëndimorë për mbështetjen që i jepnin regjimit të gansterëve të Berishës në atë kohë. Sot jemi në një situatë ku regjimi i gangsterëve të Ramës mbështetet nga ndërkombëtarët.
Se si dhe se pse janë të kapur ndërkombëtarët nga maxhoranca e radhës është një çështje e trajtuar shpesh së fundmi. Pa hyrë gjatë në këtë histori do të thoja se ajo fillon që nga korruptime ambasadorësh të veçantë e interesa shtetesh e biznesesh të tyre deri tek fakti se ndërkombëtarëve, veçanërisht Brukselit, i intereson të mbajnë gjallë narrativën se Shqipëria ka bërë hapa përpara në këtë tranzicion të pambaruar dhe jo të pranojnë faktin se sot nuk bëhet më fjalë për një rrugë drejt demokracisë, por për rrugën drejt instalimit të një regjimi antidemokratik me bazë ekonomike paratë e krimit.  
Pyetja që shtrohet në këto rrethana është:  çfarë duhet të bëjë opozita e ndodhur midis Prokurorisë së kapur dhe ndërkombëtarëve të kapur? Ka që thonë se duhet të grisë mandatet për t’i treguar botës se Shqipëria nuk është një vend normal, sepse përndryshe ajo do të shërbente si fasadë demokratike e regjimit të gangsterëve. Ky është argumenti i atyre që mbështesnin edhe mosdaljen e PD-së nga çadra. Është një argument që do të mund të funksiononte nëse opozita jonë nuk do të kishte mëkatet e së kaluarës, e prandaj do të ndiqej nga njerëzit, përtej militantëve. Por, gjithsesi është një argument që, për shkak të dobësisë që përmenda, ka edhe një dobësi tjetër të madhe: ai mbështetet në idenë se duhet të bindim ndërkombëtarët se këtu kemi një regjim gangsterësh, që s’është larg idesë se, në mungesë të mbështetjes së fortë popullore, për shkak të mëkateve, pushtetin duhet ta marrim me ndërkombëtarët.

Sipas mendimit tim – duke pasur parasysh edhe mbështetjen që i dhanë ndërkombëtarët Ramës kur Basha ishte në çadër – djegia e mandateve dhe dalja e opozitës në rrugë jashtëparlamentare me motiv zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përkohshëm nuk do t’i bindte ndërkombëtarët se opozita ka të drejtë. Historia provon se këta i bind ose populli i revoltuar nga padrejtësia dhe grabitja e madhe që po përjeton e që, prandaj, del në rrugë, si në vitin 1997, me shpresën se ata që do vijnë do t’ia kthejnë drejtësinë dhe gjënë e grabitur, ose kur janë ndërkombëtarët vetë që e nxisin popullin të dalë në rrugë sepse duan të ndërrojnë një regjim që është kundër interesave të tyre. Nuk jemi në asnjërin nga këta dy raste. Madje do të thoja se në kushtet e sotme opozita ndodhet përpara një rreziku më të madh se opozitat e mëparshme të cilat, siç e thashë më sipër, drejtësia i ka lënë të qeta. Ajo ndodhet midis një dare që ka si dhëmbë më një anë Prokurorinë e kapur dhe në anën tjetër ndërkombëtarët e kapur dhe loja politika ka ardhur sot në një stad që Rama me shumë gjasa nuk do ta lerë të qetë opozitën, siç e ka lënë Berisha dhe Meta dje.  Ai mund ta përdorë kryeprokuroren e kapur për të mbrojtur veten dhe për të shkatërruar opozitën duke arrestuar në mënyrë selektive eksponentë të saj, ndërkohë që, dhëmbi tjetër i darës, ndërkombëtarët e kapur, që do t’i bekojnë këto akte selektive si prova të suksesit të reformës në drejtësi, pra si hapa përpara të Shqipërisë drejt integrimit në BE. Ka që në këtë pikë mund të hedhin argumentin se do të ishte më mirë të asgjësohej fare kjo opozitë mëkatare se kështu do të lindte një opozitë e re e pastër. Gjykoj se në kushtet e pushtetit të krimit kjo s’mund të ndodhë. Një përdorim i drejtësisë nga krimi mund të çojë veçse në padrejtësi edhe më të mëdha: në eliminimin përfundimar të opozitës dhe të çdo zëri që denoncon pushtetin e krimit. Shenjat e kësaj sjelljeje Rama i ka dhënë me bollëk.  Prandaj, që të demaskohet në mënyrë sa më efikase ky rrezik, lipset që opozita të qëndrojë në Parlament dhe të zgjedhë një rrugë më graduale përshkallëzimi të aksionit të saj politik. Në këtë rrugë asaj i duhet të bëjë dy gjëra: Së pari, të denoncojë çdo akt selektiv të kryeprokurores së përkohëshme me synim shkatërrimin e opozitës; të ngulmojë që prokuroria të çojë përpara çështjen Tahiri e të tjera; të punojë që të zgjidhet sa më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të zgjedhë një kryeprokuror të përhershëm të paktën neutral, si dhe të sqarojë sa më shumë lojën e pisët që kanë luajtur disa ndërkombëtarë në kurriz të demokracisë në Shqipëri. Së dyti, çka më duket edhe më e vështira: të gjejë rrugët jo thjesht me llafe dhe denocnime, por me zgjedhje politike, që të bindë njerëzit se nuk synon thjesht të kalërojë kalin e maxhorancës kur të vijë në pushtet, siç ka bërë më 2005-sën, por se synon vërtet të kthehet nga një bandë gangsterësh që kërkon të kapë drejtësinë, mediat, institucionet në një parti që do të shërbejë si hallkë midis interesave të shoqërisë dhe institucioneve. (Panorama, 22 dhjetor 2017)

Monday, December 4, 2017

Pastrimi i parave nga oligarkët - debati i munguar


Për fat të keq, në debatin politik, por edhe në atë mediatik, përgjigjja provokuese e Ramës në Parlament ndaj akuzave të Bashës, se ai po pastronte paratë e drogës me ndërtimet, duke i përmendur emrat e biznesmenëve Mane, Kastrati, Ulaj, Geci, të cilët, sipas Ramës ishin të gjithë mbështetës të PD, kaloi ashtu siç dëshironin këta zotërinj. Sikur të ishte një zjarr që djeg e përvëlon, thuajse të gjithë iu larguan kësaj teme duke hedhur thjesht valle llafesh rrotull asaj se kush fitoi dhe kush humbi në atë ballafaqim. Në fakt, ai qe një moment kyç për opozitën që të vinte gishtin në sistemin e së keqes që kemi ndërtuar (përtej këtyre katër emrave), prej të cilit burojnë edhe të këqijat më të mëdha që na kanë pllakosur: narko-ekonomia dhe narko-politika, për të cilat opozita po flet aq shumë.
Le ta marrim me radhë. Cilët qenë mesazhet e nënkuptuar të Ramës dhe kujt iu drejtuan ata? Së pari, ai i rikujtoi opinionit publik,-si atyre që e kuptojnë shkakun e së keqes edhe atyre që nuk e kuptojnë,-se këta të PD-së, që po na hiqen tani si shenjtë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, kur kanë qenë në pushtet, kanë pasur të njëjtat relacione si ai me oligarkët, prandaj s’ka pse t’u besoni. Si provë e kësaj, qe heshtja e Bashës ndaj këtyre emrave duke provuar edhe një herë atë që e dinë të gjithë se, këta persona kanë bërë të njëjtën gjë edhe me Berishën e Bashën ose që Basha dhe Berisha kanë bërë të njëjtën gjë me këta persona, prandaj dhe s’mund t’ua zënë emrat me gojë. Së dyti, ai u foli këtyre biznesmenëve e nëpërmjet tyre të tjerëve, duke u thënë se tani duhet të ndihen rehat dhe të sigurt nën ombrellën e tij, se s’ka ç’ju duhet më kjo opozitë. Së treti, ai u foli të vetëve duke u thënë: a e patë se si ua mbylla gojën. Ja pse jam unë lideri, pa të cilin nuk bëni dot. Mesazhi përmbledhës për të gjithë ishte se, sistemi i ka shtyllat në këmbë dhe të forta.
PD reagoi pas disa ditësh duke rreshtuar një numër biznesmenësh që, sipas saj, kanë qenë gjithmonë vetëm mbështetës të Ramës, e cila kaloi pa asnjë jehonë. Rama nuk denjoi as të përgjigjej, por besoj se, sikur ta bënte, do t’u thoshte se këta janë biznesmenë të nderuar që kanë bërë biznes të suksesshëm edhe kur keni qenë ju në pushtet, se përndryshe do të kishin falimentuar. 
Edhe LSI reagoi vetëm nëpërmjet një postimi të Petrit Vasilit, përsëri në stilin e hedhjes valle rreth zjarrit, pa guxuar as t’i përmendë emrat në fjalë, por duke folur në përgjithësi për biznesmenë të ndershëm dhe biznesmenë të pandershëm. Qenë të shumtë komentuesit, që thanë se Rama doli fitues me Bashën dhe LSI në atë ballafaqim, disa duke i bërë qejfin për pushtetin e madh që ka në duar, dhe të tjerë duke përqeshur dobësinë e opozitës. Por problemi është se ballafaqimi i Ramës me temën e pastrimit të parave të pista nga sistemi nuk duhet të ishte vetëm ai me Bashën apo me LSI, siç u reduktua nga mediat. Ballafaqimi kryesor, të cilit Rama i bishtnoi, është ai me të vërtetën. Dhe drama e atij Parlamenti është se atje nuk ka asnjë që t’i përplasë në fytyrë të vërtetën të gjitha palëve, por në radhë të parë Edi Ramës.
Po çfarë meritonte Rama të dëgjonte pas atij provokimi? Atij duhet t’i kujtohej se është e vërtetë që PD i ka favorizuar këta zotërinj në kurriz të parave e pasurive publike, por pse bën sikur e ka harruar se në kohën më të gjatë që PD ishte në pushtet, ky ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe këtyre nuk u kanë munguar asnjëherë favore të zotërisë së tij. Nuk po zgjatem këtu me fakte që e vërtetojnë këtë e që i dinë shumë më mirë se unë ata të PD-së dhe LSI-së.
Në fakt, ajo që duhej diskutuar me transparencë, pas atij provokimi të Ramës, është se nuk shtrohet pyetja nëse Mane, Ulaj, Kastrati, Geci & Co, janë me PS apo me PD, siç e kanalizuan debatin Rama e Basha, por se pse PS edhe PD & Co janë gjithmonë me Mane, Ulaj, Kastrati, Geci & Co. Çështja e çështjeve, pra, sot është se kjo kategori i ka shndërruar partitë, mediat, drejtësinë në veglat e tyre, se nëse këtyre u jepet nga Kryeministri statusi i investitorit strategjik, kjo është shenjë e sigurt se do të vazhdojë strategjia e sistemit të grabitjes të shqiptarëve, duke rrënuar pasuritë natyrore dhe të ardhmen e fëmijëve në këtë vend.
Le të vijmë tani tek akuza e Bashës, që Rama po pastron paratë e krimit me oligarkët, ku nënkuptohen edhe të përmendurit e papërmendur, sepse janë pikërisht këta, të cilëve u janë dhënë leje për të ndërtuar kulla. Puna është se këta vjetët e fundit krimi në këtë sistem ka ardhur duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë duke u infiltruar sa në ekonomi, sa në media dhe sa në politikë, duke zhdukur dallimin midis oligarkëve që nuk merren me krimin dhe kriminelëve të bërë oligarkë. Puna është se direkt dhe indirekt Rama, duke pasur etje për pushtet dhe para në përmasa që po kalojnë përfytyrimin e më optimistëve ndaj tij, ka krijuar prej kohësh, që kur ishte kryetar bashkie, mundësitë formale dhe jo formale që oligarkia të ushqehen me parat e krimit nëpërmjet ndërtimeve. Personalisht, nuk jam në dijeni të të gjithë bizneseve të personave të përmendur nga Rama dhe të të tjerëve, e kjo jo rastësisht, por sepse është një çështje që duhet ta dinë vetëm ata të sistemit. As nuk kam prova që të them se marrin para direkt nga trafikantë. Por me aq sa di (shumë më pak se opozita, sigurisht), bizneset më të njohura të tyre nuk i përkasin një ekonomie prodhuese – në kuptimin që të prodhojnë para, siç mund të prodhojnë p.sh. investimet në bujqësi, industritë e prodhimit etj., - por janë biznese që thithin para të prodhuara nga të tjera burime. Karburantet e Kastratit nuk prodhojnë para p.sh., por thithin paratë e atyre që kanë nevojë të ngasin makinat e që duhet t’i sigurojnë këto para diku tjetër. E njëjta mund të thuhet për qendrat tregtare, vilat dhe pallatet e Zamir Manes apo dhe të Ulajt, ashtu sikurse dhe për rrugët që ka ndërtuar Geci me para publike. E njëjta gjë mund të thuhet për kullat që këta duhet të ngrenë. Pyetja që ngrihet normalisht edhe për ta është: Nga dalin paratë atëherë? Me çfarë logjike ekonomike do të ngrihen këto kulla, kur ne i kemi bosh apo të pambaruara edhe ato që kanë vite që gërryejnë qiellin e Tiranës e u marrin diellin ndërtesave bri tyre? Dhe po t’i referohesh përvojës botërore se këto lloj biznesesh janë pikërisht bizneset ku ka investuar krimi i organizuar edhe gjetkë nuk jemi larg së vërtetës intuitive, që Basha e tha pa prova dhe Rama e kundërshtoi me këta emra, e që nuk mund ta provojmë, pasi provat i ka në dorë shteti, që duhet të na mbrojë nga krimi.
Ja ky debat i duhej hapur Ramës në Parlament nga partitë opozitare, madje i dokumentuar me shifra dhe fakte të shumta, sepse kemi të bëjmë me parti që duhet të kenë pranë tyre specialistë dhe ekspertë të shumtë si dhe informacion, pasi kanë qenë në pushtet.
Kurse kur dëgjon opozitën të ankohet për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të saj, pa u marrë me sistemin e ekonomisë kriminale që i pastron këto para, nuk mund të mos rikujtosh precedentët që ka ajo me këtë sistem, e të mos mendosh se këta e kanë më shumë hallin te lakmia për t’i pastruar vetë ato para me të njëjtin sistem.

Si përfundim, Po nuk e theu rrethin vicioz të mosbesimit që i vjen nga lidhjet e shkuara me oligarkët, e që ia vuri në dukje Edi Rama duke i provokuar atë ditë në Parlament, opozita vështirë se mund t’ia dalë në luftën kundër krimit të organizuar, edhe sikur ta ketë këtë sinqerisht. Sepse krimi i organizuar nuk do të kishte arritur deri këtu pa këtë sistem dhe zor se mund të luftohet, pa u pastruar nga rrënjët ky sistem. (Panorama, 28 nentor 2017)