Friday, May 31, 2019

Si mundësohet dialogu politik

Sigurisht që edhe të jesh pjesë (kuptimi i fjalës parti) edhe ta konsiderosh veten të tërë është kontradiktore. Por Kryeministri ynë e ka gjetur si ta kapërcejë këtë kontradiktë: duke e konsideruar gjithçka tjetër që ekziston jashtë pjesës së tij si gjë të sëmurë, që duhet pastruar në emër të së shëndoshës; si gjë të gabuar, që duhet ndrequr në emër të së drejtës; si gjë të gënjeshtërt, që duhet demaskuar në emër të së vërtetës.
Kush e ka ndjekur fjalimin e Edi Ramës më 18 Maj dëgjoi se në 30 qershor “makina e pamposhtme elektorale” e pjesës së shëndoshë, që zotëron të drejtën dhe të vërtetën, do të kryejë pastrimin final të pjesës së sëmurë, të padrejtë, gënjeshtare. Më 30 qershor do të mbarojë historia e kësaj opozite destabilizuese dhe e komentatorëve që kanë “benzinë në vend të gjakut”, “shishe në vend të kokës” dhe “fitila” në vend të gjuhës – ishte kuptimi i asaj që tha pjesëza në krye të pjesës/Partia Socialiste.
Megjithatë, javën që pasoi e pamë gati ditë për ditë t’i shkruante letra të hapura kryetarit të opozitës Lulzim Basha ku e ftonte për dialog, ku madje pranonte se mund të ketë edhe “të tjerë”. Si mund t’i integrojmë në fjalimin programatik e 18 majit këto letra? Ka vetëm një mënyrë: duke kuptuar se me dialog Edi Rama nuk ka parasysh dy palë që ulen në tryezë si të barabarta përballë njëra tjetrës, por bisedën e ujkut me “delen” “rrugëhumbur” (siç e ka quajtur shpesh popullin opozitar dhe vetë Bashën) që do ta bindë se, në rrugëhumbjen e saj, ia ka turbulluar ujin, prandaj duhet ta hajë.
***
Shikimin e opozitës si diçka që duhet pastruar a ngrënë ne shpesh  ia kemi veshur faktit se në krye të maxhorancave tona kanë qenë bijtë e Enverit që për 45 vjet na edukoi ta konsiderojmë pjesën në pushtet si të tërën që pastron, mban kokulur apo riedukon mbeturinat e armiqve të klasës. Nuk ka dyshim se forma mentise farkuar nga përvoja 45 vjeçare e partisë shtet ndikon në paaftësinë tonë për të bërë dialog.  Nuk ka dyshim, po ashtu, se shqiptarët e shumtë me çrregullime narçiziste të personalitetit, si kryeministri ynë, nuk mund të bëjnë dot dialog, pasi çdo mendim kundër e konsiderojnë si sulm ndaj unit të tyre glorioz. Por a mjafton kaq për të shpjeguar faktin se pjesët/partitë tona nuk po bëjnë dot dialog, por vetëm konflikt dhe gëlltitje, edhe pas 30 vjetësh rënie të komunizmit? Gjykoj se përveç këtyre shkaqeve të rëndësishme, ka edhe një shkak që s’ka të bëjë as me të kaluarën komuniste dhe as me psikologjinë tonë mbizotëruese individuale apo kolektive, por me llojin e sistemit kapitalist që kemi ngritur. Madje mendoj se nëse duam që vërtet të kemi dialog politik duhet të nisemi nga korrigjimi i këtij shkaku.
Le ta shpjegoj çfarë kam parasysh duke u nisur nga premisa e parë e domosdoshme e dialogut: barazia në dinjitet, në të drejta, në inteligjencë e palëve që dialogojnë. Është e qartë se pa këto barazi nuk mund të ketë dialog. E pra gjykoj se mungesa e kësaj premise nuk mund të shihet jashtë natyrës së turbokapitalizmit globalist neoliberist që kemi imituar në mënyrën më karikatureske pas rënies së komunizmit. Ky  kapitalizëm ndryshon nga ai demokratik perëndimor, i zhvilluar para viteve 90, në faktin se  në këtë ekzistonin dy klasa që kishin koshiencën e tyre klasore, fuqinë dhe pushtetin e tyre, sistemin e tyre të vlerave: borgjezia dhe proletariati. Këto ishin fortësisht të organizuara e përfaqësuara në parti politike në sindikata, media, art, kulturë etj. Shumë nga arritjet sociale demokratike që ka njohur Perëndimi në ato vite i dedikohen pikërisht dialogut dhe kompromiseve të arritura nga këta dy përfaqësime. Sot në Perëndim flitet gjithnjë e më shumë për bjerrjen e përditshme të këtyre arritjeve në favor të turbokapitalizmit neoliberist të ndërtuar këta 30 vjet që konsiderohet “post-borgjez” dhe “post-proletar”. E cilësojnë kështu duke iu referuar faktit se ai e ka atomizur njeriun, nëpërmjet një procesi çrrënjosjeje jo vetëm nga përkatësia klasore, por edhe  kulturore,  komunitare, madje deri edhe familjare duke e kthyer në mall si të gjithë mallrat e tregut që shiten e blihen (alienimi) e duke e bërë gjithnjë e më të pafuqishme për të ndryshuar kondicionin e vet. Vështirë të thuash me siguri nëse kjo ka qenë një strategji e mirëmenduar e kapitalit apo pasojë e euforisë superficiale të fitimtarëve të Luftës së Ftohtë, por fakti është se globalizimi neoliberist ka rezultuar në pasurimin e një pakice të përbërë nga banka e multinacionale multimiliardere që sundojnë përballë shumicës së atomizuar e të çrrënjosur. Si rrjedhojë e këtij atomizimi dallimi  horizontal e djathtë - e majtë, që në kapitalizmin borgjez-proletar favorizonte dialogun demokratik, është zëvendësuar me dallimin vertikal lart-poshtë që favorizon sundimin post-demokratik, ku është ekonomia e interesave të pakicës që dikton mbi politikën duke i kthyer politikanët në menaxherë të interesave saj. 
Po ta shohësh thellë thellë kapitalizmi ynë “kaotik”, dhe i qeverisur nga “gangsterët”,  nuk është e kundërta e asaj që shohim në botë, por shfaqja më e shëmtuar e këtij sistemi. Ne jemi më radikalët në Evropë në polarizimin midis gangsterëve të pasur që kanë kapur shtetin lart dhe atomizimin e atyre që qëndrojnë poshtë. Mjaft të kesh parasysh oligarkinë e rrethuar në roling-hillse më një anë dhe emigrimin masiv që vazhdon edhe pas tridhjetë vitesh të shpërhapë shqiptarët e çrrënjosur në të gjitha anët e botës globale, më anë tjetër. Nëse në fillimvitet  90 ky atomizim e kishte burimin në kolektivizimin e dhunshëm që kishte shtypur çdo ndjenjë individualiteti dhe lirie, sot e ka burimin e vet tek vizioni global neoliberal konsumistik i botës që gjithnjë e më shumë e kthen njeriun thjesht në mall tregu në duar e pakicës që kontrollon atë. Kampionia e neoliberizmit, Margaret Thatcheri, shoshte se detyra kryesore e neoliberalëve ishte të krijonin një njeri të ri. Shqiptarët u treguan më të gatshmit për t’u shndërruar në këtë lloj njeriu dhe kanë mbetur të tillë ende edhe sot. Në variantin më të keq të shqiptarit ky lloj njeriu e ka manifestimin e vet tek trafikanti drogës që sillet si atom i lirë nga çdo detyrim shoqëror apo komunitar, krejtësisht i akulturuar, pa ndjenjë përkatësie as në shoqëri as në atdhe as në çfarëdolloj grupimi, pa u  merakosur aspak se u shpërndan helmin vrastar të tjerëve. Sivëlla i tij është politikani, që nuk e sheh politikën si shërbim ndaj komunitetit, shoqërisë, kombit, por si bashkëpunim në pastrimin e parave të të parit dhe si allishverish korruptiv me çdo lloj “investitori”, global apo lokal, që e sheh këtë vend thjesht dhe vetëm si mjet përfitimi në kurriz të të tjerëve. Viktimat më të mëdha të njeriut të katandisur në mall janë mjeranët që ua shesin votën këtyre për 2000 lekë. Kurrsesi nuk do të kishim arritur deri në këtë pikë sikur të gjitha pjesët/partitë tona të krijuara pas viteve ’90 të mos ishin të gjitha neoliberiste globaliste. Është emblematike në këtë kontekst thirrja e Edi Ramës ndaj kapitalistëve globalë italianë, që i ftoi të vinin në Shqipëri të investonin sepse do të ishin të lirë nga telashet e sindikatave, që nënkuptojnë pikërisht ndërgjegjen klasore të të shfrytëzuarve. 
E pra, ajo që dua të them është se pot-demokracia që e përjashton nga vendimmarrja gjithnjë e më shumë demosin (popullin) e atomizuar në favor të oligos (pakicës) e përjashton vetvetiu dialogun pasi këto dy pjesë nuk janë të barabarta. Në Shqipëri siç e thashë kjo gjendje është në nivelet e veta më groteske, pasi, paradoksalisht, bash partia e quajtur socialiste është kampionia e shkatërrimit të çdo gjëje që meriton të quhet sociale në emër të pasurimit të pakicës dhe atomizimit e çrrënjosjes së shumicës. Së fundi, me Edi Ramën në krye, ajo po synon të heqë edhe maskën e fundit demokratike, pluralizmin e partive neoliberale, për të sunduar e vetme me oligarkinë dhe krimin rreth vetes. Në këto kushte thirrja e Edi Ramës për dialog me opozitën nuk mund të jetë tjetër veçse pazari për t’i dhënë diçka opozitës për të mbuluar kontradiktën themelore që ka krijuar krizën në Shqipëri: atë midis një oligarkie kriminale që ka kapur shtetin dhe pjesës tjetër të katandisur në atome të çrrënjosur që i merr era dhe i çon nëpër botë përditë. Opozita bën shumë mirë që proteston dhe bën shumë mirë që refuzon këtë gjoja dialog  poshtërues, por ajo duhet të ketë parasysh se vendosja e një dialogu të vërtetë politik do të mund të realizohet vetëm kur pushteti i pakufizuar i oligarkisë të ketë përballë një forcë politike të barabartë në dinjitet dhe në pushtet njerëzish të ndërgjegjësuar për kondicionin e tyre dhe të përfaqësuar nga partitë e tyre. (Panorama, 27 maj 2019)



Tuesday, May 14, 2019

Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale

Diku kam dëgjuar se ideograma kineze e fjalës “krizë” përbëhet nga dy shenja që shenjëzojnë njëra “rrezikun” dhe tjetra “oportunitetin”. Nuk jam i sigurt nëse është kështu, por di të them se përvoja na tregon se vërtet krizat, qofshin këto personale apo familjare qofshin në nivele kombëtare apo edhe globale kanë qenë gjithmonë të mbarsura me rreziqe, por njëherësh edhe me mundësi zgjidhjesh. Përvoja tregon gjithashtu se, varësisht nga mençuria apo jo e njerëzve, krizat janë zhvilluar më shumë si rreziqe apo  si oportunitete. Për ilustrim po kujtoj dy kriza të historisë sonë të vonë: atë të viteve 90-91 që prodhoi më shumë oportunitete duke shmangur mjaft rreziqe (por jo të gjitha)  dhe atë të vitit 97-të ku rreziqet dominuan mbi oportunitetet.
Në këtë udhëkryq e shikoj edhe krizën e sotme që në thelb vjen nga akumulimi i problemeve të sistemit të ngritur  “nga krimi, me krimin, për krimin”. Ajo është e mbarsur me rrezikun që të na çojë në konflikte civile të forta, në politika shtypëse të dhunshme, në zbrazje të mëtejshme të vendit, por edhe me mundësinë e shkëputje të politikës nga krimi, të ndërtimit të një ekonomie të shëndoshë, të forcimin të institucioneve demokratike etj..
Në emër të drejtimit të krizës përdrejt oportuniteteve në shkrimin e fundit “Alarmi holandez dhe alarmi i munguar shqiptar” kam hedhur idenë se duhet hapur një kantier idesh për ndërtimin e vizionit të një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot me idenë se, po qe se njerëzit do të bëhen pjesë e këtij procesi, herët ose vonë kjo do t’i çojë tek thirrja “Shteti jemi ne!” (kundër shtetit të krimit). 
***
Nëse do të rreshtoja temat e këtij kantieri të parën që do të vija do të ishte: “Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale”. Kjo, pasi gjykoj se shkaku kryesor i krizës lidhet fort me çështjen se çfarë ekonomie kemi ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këtej dhe cili ka qenë roli i politikës në krijimin e inkubatorit të krimit.
Këtë temë do ta ndaja në katër nëntema:
1. Si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit.
2. Dëmet që ka sjellë ekonomia kriminale.
3. Si mund të luftohet ekonomia kriminale.
4. Alternativa ndaj ekonomisë kriminale.
Sa për të nxitur ata që duan ta marrin në konsideratë këtë propozim, - dhe kam parasysh kryesisht opozitën e sotme apo edhe atë që mund të lindë nesër, e jo vetëm, - po hedh në këtë shkrim disa ide që do t’i shtroja për diskutim.

Mbi shkaqet
Së pari, tema si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit më duket e rëndësishme pasi njohja e shkaqeve mund të na ndihmojë në gjetjen e mjeteve të luftimit. Personalisht këtë njohje do ta nisja me identifikimin e mëkatit fillestar: faktin (objektiv) se ekonomia shqiptare doli nga komunizmi si një anije e paaftë për të “lundruar” në oqeanin e tregut të lirë, siç do të thoshte Stiglitz, dhe faktin (subjektiv) se politikanët tanë, në vend se, me dije, moralitet, dhe atdhedashuri, të përpiqeshin t’ia mbyllnin kësaj anijeje vrimat dhe ta ristrukturonin, me padije, imoralitet dhe egoizëm, e shitën pjesë pjesë për skrap për t'u pasuruar vetë. Këtë shitje të vendit për skrap ua servirën shqiptarëve me sloganin se kishin nevojë për “terapinë e shock-ut” që shqip do të thoshte: thirrini nevojës, secili për vete, se do ta gjeni rrugën që keni humbur. Përballë kësaj thirrjeje pa dritë, që rezultoi në shock pa terapi, shqiptarët gjetën në masë rrugët e emigrimit dhe krimit. Ky i fundit u përqendrua në trafiqet njerëzore dhe në trafiqet e drogës. Ndërkaq, politikanët shqiptarë jo vetëm nuk u përpoqën ta ndalonin këtë proces, por e inkurajuan duke ndërtuar brenda vendit edhe lehtësirat e thithjes së këtyre parave. Kështu pamë lulëzimin e piramidave financiare, industrinë piramidale të ndërtimit, numrin absurd të pikave të karburanteve, të restoranteve e kafe bareve, të universiteteve private, të pikave të llotove e të bixhozit, të supermarketeve, të radiotelevizioneve  private e të tjera si këto, që kanë punuar e punojnë kryesisht me paratë e emigracionit e të krimit – të gjitha me licencën dhe inkurajimin e politikës. 
Në vitet në vazhdim ndërsa emigrantët e ndershëm, që pa dyshim janë shumica, kanë filluar të pakësojnë gjithnjë e më shumë dërgimin e të ardhurave apo investimet në vend, emigrantët e krimit kanë marrë peshë gjithnjë e më të madhe duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat për ekonominë e shëndoshë të njerëzve të ndershëm. 
Ja kështu u hodhën themelet e  inkubatorit të krimit. Sot ky inkubator po njeh kulmin e prodhimtarisë së vet, siç na tregoi edhe alarmi holandez, prandaj dhe krizën e vet. 

Mbi dëmet
Tema e dëmeve që ka sjellë ekonomia kriminale gjatë këtyre tre dekadave është mbajtur nën një shurdhëri që flet shumë. Në fakt flet për një bashkëfajësi që ka ndodhur: a) për faktin se  paratë e krimit kanë sjellë edhe punësim e ushqim për njerëzit që jetojnë me ankthin e sigurimit të bukës së përditëshme, edhe pasurimin e njerëzve të pushtetit, por edhe dukjen e një zhvillimi; b) për faktin se aktorët kryesorë jo vetëm politikë, por edhe ekonomike edhe mediatikë kanë qenë direkt apo indirekt të lidhur me inkubatorin e krimit, c) për faktin se nuk është zhvilluar thuajse fare një ekonomi alternative e shëndoshë që t’i bënte konkurrence që të kërkonte tregun vërtet të lirë, e që të krijonte apo mbështeste partinë e vet politike.
E pra, nëse duhet të dalim nga ekonomia kriminale kjo nuk mund të arrihet pa informuar njerëzit për dëmet që ka sjellë dhe po sjell dhe mund të sjellë inkubatori i krimit i fshehur prapa nevojave apo aparencave të përditshmërisë. 
Gjykoj se dëmi më i madh ka ardhur nga fakti se, për nga natyra e vet, pastrimi i parave ndërton një ekonomi që nuk rritet gradualisht, si një pemë që vaditet me djersën e ballit nga njerëz me dije, moralitet, dhe largpamësi, por nënkupton para të pista në duar njerëzish të paditur, të pamoralshëm që duan t’i shndërrojnë ato sa më shpejt në pasuri të patundshme. Shkatërrimet që ka sjellë kjo lloj ekonomie përsa i përket pasurive natyrore, trashëgimisë kulturore, tokave të bukës mundësive turistike janë tashmë në nivele të skajshme, por gjykoj se shkatërrimi më i madh është ai i dehumanizimit të njeriut. Nëse kapitalizmi i egër (post-borgjez dhe pos-proletar siç e quajnë disa studiues) akuzohet sot edhe në Perëndim se e ka reduktuar njeriun në mall ndër mallrat e shumta të konsumit, kapitalizmi i trafikantëve të bërë biznesmenë që kërkojnë të imitojnë pasanikët perëndimorë është  shprehja më ekstreme e këtij dehumanizimi. Modelit të njeriut që po shumon në mënyrë galopante inkubatori i krimit i mungojnë krejtësisht pyetje të tilla ekzistenciale se përse kam ardhur në këtë jetë, vallë thjesht për të  bërë para dhe për të kënaqur instiktet e mija? A mjafton kjo dhe, po të jetë kështu, a mund të arrrihet kjo duke vjedhur të tjerët, duke u shitur e shpërndarë helm të tjerëve? Ky njeri sot ka hyrë e po bën politikë duke e tjetërsuar atë përditë e më shumë nga shërbim ndaj shoqërisë në punë të pisët për tu pasuruar.
Nuk pretendoj këtu të bëj specialistin (për dëmet e ekonomisë së krimit ka studime të shumta mbështetur në përvoja vendesh të tjera) por, shpejt e shpejt, duke pasur parasysh se opozita deri më sot është mjaftuar kryesisht me denoncimin e faktit se me paratë e krimit vidhet vota, do të propozoja këto tema:

-     - Dëmi përsa i përket sistemit të vlerave, meritokracisë.

-    - Dëmi psikologjik ndaj ndjenjës së drejtësisë së shumicës së njerëzve që jetojnë në varfëri, ndërkohë që shohin kriminelët të sundojnë e lulëzojnë.

-     - Dëmi që lidhjet me kapjen nga krimi i institucioneve.

Mbi luftën dhe alternativat
Tema se si mund të luftohet ekonomia kriminale është më e rëndësishmja, por edhe më e vështira. Kjo, sepse bëhet fjalë për një tumor që ka pushtuar me metastazat e veta, në mënyrë kapilare, shumë organe të trupit, e po tjetërson e helmon në mënyrë galopante qelizat e shëndosha. Në këtë fazë gjetja e kurës është shumë më e vështirë sesa sikur të ishte në fillim. 
Duke mbetur tek metafora e tumorit do të thosha se të luftosh ekonominë kriminale do të thotë të bësh një operacion  për ta hequr këtë tumor dhe më pas të vazhdosh me kimioterapi për të eliminuar rizhvillimin e tij në pika të tjera të trupit. Kjo nënkupton se lufta kundër ekonomisë kriminale nuk mund të bëhet pa marrë në konsideratë dobësimin e trupit, që, pa metafora, do të thotë sakrifica. Por do të thotë edhe punë serioze për të gjetur, ndërtuar e inkurajuar alternativat e ekonomisë kriminale. Madje vetëm kjo punë serioze do të ngjallte shpresë tek shoqëria për t’i hyrë operacionit dhe sakrificave që parashikon rimëkëmbja pas tij. E pra shoqërinë shqiptare nuk e shoh në nivelin e kësaj sfide që na ka sjellë përpara kriza. Opozita deklaron në mënyrë superficiale se me ardhjen e saj në pushtet edhe do të eliminojë krimin edhe do të dyfishojë apo trefishojë rrogat e mjekëve apo rrogat e pensionet minimale. Por sfida në fjalë kërkon që ajo të ndërtojë (e përsëris: se bashku me njerëzit) projektin se si do të mund të arrihet të sigurohen këto të ardhura nëpërmjet një ekonomie të ndershme e të qëndrueshme që do të zëvendësojë ekonominë kriminale. 

Duke mos qenë ekonomist dhe duke mos pasur informacionin e duhur lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së shëndoshë në Shqipëri, të borxheve të akumuluara të privatëve dhe të shtetit dhe të mundësive për shlyerjen e tyre nuk mund të hyj në propozime më konkrete. Por edhe sikur të isha i tillë nuk mjafton një njeri i vetëm për këtë punë kaq të vështirë. Për këtë duhet mbledhja në atë që e quajta kantieri i ideve e gjithë njerëzve me përvojë dhe vullnet të mirë që e njohin dhe ndjejnë problemin. Dhe kjo duhet bërë sa nuk është vonë, sepse gjykoj se sot jemi të dënuar që ose ta çojmë krizën në drejtim të oportuniteteve ose të asgjësohemi nga rreziqet përditë e më në rritje që ajo po manifeston nëpërmjet inkubatorit të krimit.  (Panorama, 8 maj 2019)