Tuesday, July 30, 2019

Mbi thirrjen e Haradinajt në Hagë


Thirrja në Hagë e Haradinajt, shoqëruar nga dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit, ngre disa çështje të rëndësishme të lidhura me të ardhmen e shqiptarëve e rajonit, që nuk po i shoh të artikulohen në kompleksitetin e tyre, pasi po mbyten nga hipokrizia e politikës më një anë dhe nacionalizmi ynë primitiv më anë tjetër.
Çështja kryesore ngrihet rreth pyetjes nëse ka apo s'ka lidhje kjo thirrje me qëndrimet e fundit të Haradinajt si kryeministër: - vendosja e taksës Serbisë si dhe kundërshtimi i ndryshmit të kufijve të Kosovë. Kjo lidhet pastaj me pyetjet: a ka kush interes ta heqë qafe Haradinajn për shkak të këtyre qëndrimeve dhe, nëse është kështu, cilat janë pasojat?
Sigurisht që dikush ka interes. I pari është Vuçiçi i cili e sheh si pengesë edhe për taksën edhe për idenë e ndryshimit të kufijve.  Këtij i duhen shtuar edhe kundërshtarët shqiptarë, ndër të cilët i pari renditet Thaçi, që e sheh si pengesë kryesore për idenë e ndryshmit të kufijve, por edhe si rival politik. I dyti është aleati i Thaçit në Tiranë, Edi Rama i cili edhe ai bën pjesë në planin Vuçiç - Thaçi, çka ka ndikuar që Haradinaj të lidhet shumë më tepër me kundërshtarët e tij politikë në Tiranë: Meta dhe Basha. Gjithashtu nuk ka dyshim se Haradinaj shihet si problematik edhe nga ata që rëndom i quajmë "partnerët tanë ndërkombëtarë". Nga të gjithë ata për shkak të taksës që ka bllokuar procesin e negocimit me Serbinë, dhe, nga një pjesë, që mbështet idenë e ndryshimit të kufijve - ku do të fusja më së shumti amerikanët.
Pikëpyetja e dytë që ngrihet pas kësaj është: po a ka të ngjarë që Gjykata e Hagës të përdoret për këto lojëra që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë? 
Po t'i referohemi librit të Carla Del Pontes që na tregon qartazi dhe me fakte të shumta nga gjithë bota se si drejtësia ndërkombëtare është komprometuar ngase është nxitur të veprojë ose të mos veprojë sipas interesave gjeopolitike dyshimet janë se po.
Në këtë pikë mund të them se nëse një pjesë e ndërkombëtarëve mund të gëzojnë ende favorin e dyshimit nuk ka as më  të voglin dyshim se politikanët serb, me në krye Vuçiçin, dhe dy shqiptarët nuk kanë hallin e drejtësisë, por të përdorimit të saj për interesat e tyre të pushtetit. Ndër këto interesa më të lexueshme janë ato të Vuçiçit; më të palexueshme janë ato të Thaçit dhe Ramës.
Le të ndalemi tek këto të dytat që edhe na interesojnë më shumë.
Ajo që ra në sy ishte se si Thaçi dhe Rama patën vështirësi të prononcoheshin haptazi në favor të thirrjes së Haradinajt  në gjykatën speciale si i dyshuar, por edhe se deklaratat e tyre kishin një ndryshim të madh me deklaratat e Metës dhe Bashës. Ndërkohë që këta dy të fundit ishin në sintoni të plotë në mbështetjen pa ekuivok për kryeministrin e Kosovës: "Ramush Haradinaj është vetë Kosova e lirë, e pavarur dhe evropiane." (Basha); "krenar për zotin Haradinaj dhe i bindur në pafajësinë e tij." (Meta); ato të Ramës  e Thaçit ishin të ftohta dhe plot ekuivokë. Pa i përmendur as emrin Rama reagoi duke thënë se: "ftesat nga Haga për protagonistët e UÇK-së janë një sfidë e re e tyre për të provuar deri në fund pafajësinë." Ftohësi dhe distancim ndjehej edhe në reagimin e Thaçit i cili e renditi Haradinajn në mes emrash të tjerë dhe e vuri theksin tek pastërtia  UÇK-së. 
Këto reagime të Ramës dhe Thaçit nuk kanë të bëjnë fare me atë se këta janë më të ndjeshëm ndaj çështjes së krimeve të luftës që ka kryer UÇK ndaj serbëve dhe shqiptarëve të pafajshëm. Kjo ndjenjë nuk hyn fare në regjistrin mendor të politikanëve shqiptarë. Ata thjesht kërkuan më një anë të amortizojë goditjen që mund të marrin nga fakti se popullariteti i Haradinajt u shtua aq sa disa e futën në listën e Skënderbejve të kohës tonë moderne, më anë tjetër të shfaqin dakordësinë me thirrjen e aleatëve tanë vendimtarë që sot mund të lexohet edhe si aleatët e tyre vendimtarë. Për ta Haradinaj duhet të shkojë në Hagë, që të mënjanohet nga politika, por nuk duhet  të dalin ata si përkrahës e aq më pak shtytës të kësaj thirrjeje. Kjo punë, për çdo rast, i duhet faturuar ndërkombëtarëve. Duhet thënë se Rama e njeh mirë këtë lojë pasi po e aplikon edhe ndaj kundërshtarëve të tij në Tiranë. Ndërkaq, për rolin e  tyre aludoi qartazi Ilir Meta. Pasi shkruan se: “Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen evropiane” - duke aluduar se thirrja e Haradinajt duhet lidhur me idenë e ndryshmit të kufijve - shtoi se Haradinaj është "burrë shteti, që nuk e thyejnë presionet e pabesitë". Presionet mund të vijnë nga Vuçiçi, por pabesitë nuk mund të vijnë veçse nga të vetët.
Nga sa thashë gjykoj se thirrja e Haradinajt duhet lexuar si një nga aktet e luftës për pushtet që po luhet në Kosovë dhe Shqipëri me protagonistë Thaçin dhe Ramën. Si gjithmonë për ta fituar këtë luftë, ata kanë nevojën e mbështetjes ndërkombëtare e veçanërisht amerikane me të cilën tu imponohen shqiptarëve. Në aktin në fjalë, për të fituar këtë mbështetje, duket se roli i Serbisë ka qenë vendimtar. Nuk besoj se jam shumë largvajtës nëse supozoj se në ambiciet e tyre të sëmura një ditë, pas realizimit të bashkimit me kompromisin e ndërrimit të kufijve, këta ta shohin njëri tjetrin si rivalë për Kryeministrin e Shqipërisë së Madhe. Dhe nuk është pa gjasë që, në një akt tjetër, raporti i Dick Martit të dalë përsëri në skenë për të nxjerrë nga loja "gjarprin" e Prishtinës në favor të mashtruesit e manipulatorit të Tiranës. 

***

Rreziqet që shoh tek ky skenar, nëse lejohet të çohet përpara, janë disa.
Së pari, më e dhimbshmja në këtë histori është se shoqëritë serbe dhe shqiptare që presin drejtësi për krimet e kryera ndaj njerëzve të tyre të pafajshëm po e shohin edhe një herë tragjedinë e tyre të instrumentalizuar për qëllime politike e gjeopolitike. Dhe kjo ka si anë tjetër të medaljes faktin se do të kemi një shtyrje të mëtejshme të vendosjes së paqes dhe pajtimit të vërtetë midis popujve shqiptarë dhe serb, por edhe midis shqiptarëve të Kosovës.
Së dyti, ky skenar, si shkurtore e zgjidhjes së negociatave Prishtinë - Beograd nëpërmjet ndarjeve etnike, çon në thellimin e dështimit të idesë së një Evrope të paqes, bashkëpunmit dhe  solidaritetit, ku krahas kultivimit e ruajtjes së traditave më të mira kulturore popujt e saj bëjnë të përbashkëta arritjet e vlerat më të mira të vendeve evropiane.
Së treti, kjo lojë politike çon në rrezikimin e mëtejshëm të demokracisë, pluralizmi e shtetit të së drejtës si në Kosovë dhe në Shqipëri në favor të rritjes së autoritarizmit të liderve që e ruajnë pushtetin në sajë të lojërave gjeopolitike 
Së katërti. ajo largon vëmendjen dhe energjitë e shqiptarëve nga keqqeverisjet dhe abuzimet e jashtëzakonshme me pushtetin, që janë në rritje si në Kosove, me protagonistë Thaçin dhe Haradinajn edhe në Shqipëri, me protagonist Edi Ramën. (Panorama, 26 korrik 2019)


  


Sunday, July 14, 2019

Opozita dhe ndërkombëtarët - ndryshim paradigme

Së fundi më kanë tërhequr vëmendjen dy deklarata kontradiktore që vijnë nga opozita. E para është një letër e Kryetares së Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila iu drejtua një numri ambasadorësh perëndimorë, me kërkesën e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Shkodrës, së cilës iu përgjigj ambasadori austriak duke i thënë se jemi në vitin 2019 jo në vitin 1913. E dyta ishte një deklaratë e Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sipas së cilës problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të na i zgjidhin ndërkombëtarët.
Janë dy qëndrime që shprehin një moment të dyzuar të mendimit politik shqiptar që tregojnë se më një anë Shqipëria mbetet ende, siç thoshte Fishta në vitet 1913, si ai zogu në fole që pret të vijë ta kojë “nana Evropë” dhe nga ana tjetër nevojën për të dalë nga këta shpërgënj e për të fluturuar. Fatkeqësisht për momentin letra e Ademit është tregues i kulturës dominante politike kurse thirrja  e Bashës mund të konsiderohet si ndër cicërimat e para të zogut që kërkon të dalë nga foleja.
Vështroni entuziazmin me të cilin opozita iu referua raportit të Odirit mbi shkeljet në votimet e 30 qershorit dhe në përgjithësi reklamimit të shumë të dhënave që provojnë se Edi Rama dhe të tijtë kanë vjedhur përsëri vota. Pyetja që ngrihet është: pse gjithë kjo energji, a thua se nuk mjaftonin përgjimet e botuara në Bild për të provuar se Partia Socialiste është një organizatë kriminale, dhe a ia vlen të shpenzohen më energjitë politike për të sqaruar këtë? Duke pasur parasysh se populli është goxha i informuar dhe madje e dha qëndrimin e tij me abstenimin në votime mbetet të thuhet se aksioni i opozitës më së shumti synon të kthejë në “gjykatën e apelit” të ndërkombëtarëve vendimin  e dhënë nga “gjykata e tyre e shkallës së parë” që e dënoi opozitën për mospjesëmarrjen dhe planifikimin e pengimit të zgjedhjeve më 30 qershor. 
Po a ia vlen dhe sa ia vlen ndjekja e kësaj linje?
Sipas meje përqendrimi i aksionit politik tek shpresa se ndërkombëtarët do të ndryshojnë qëndrim  përmban jo një, por dy të këqija

E keqja e parë
Kjo buron nga fakti se nuk ka thuajse fare shans që ndërkombëtarët të heqin dorë nga mbështetja që i dhanë Edi Ramës. Ndihmës Zv/sekretari amerikan i shtetit Mattheu Palmer, emisarët e ambasadës amerikane, BE, OSBE, dolën në prag të zgjedhjeve me deklarata që do të bënin të turpërohej çdo politikan që pretendon se ka një fije respekti për shtetin e së drejtës dhe sovranitetin e një vendi. Ata kundërshtuan dekretin kushtetues të Presidentit Meta, duke inkurajuar Ramën që të ecë përpara në rrugën antikushtetuese të 30 qershorit. Dhe, le mos harrojmë se këtë amerikanët e bënë pasi kërcënuan opozitën deri me prishje të marrëdhënieve me SHBA nëse kryenin akte pengimi me dhunë të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se përgjimet e Bildit flisnin qartë për një parti në pushtet të kthyer në organizatë kriminale, ky qëndrim, nga pikëpamja morale-juridike ishte njëlloj sikur, pasi je informuar se një organizatë ka kryer krim dhe synon të vazhdojë në këtë rrugë, në vend se të bësh diçka për ndaluar krimin e radhës, të pengosh tentativat e vetëmbrojtjes së viktimave, jo vetëm duke mos u dhënë atyre mbështetje morale e ligjore, por edhe duke u hequr nga dora armët e vetëmbrojtjes.  
Dikush mund të thotë: po pse çfarë doje ti që ndërkombëtarët të  inkurajonin dhunën që premtonte opozita të ushtronte? Jo, por kësaj pyetjeje unë i përgjigjem me disa pyetje që më çojnë në një përgjigje të vetme: meqë e paskan kaq merak mos-përdorimin e dhunës si ka mundësi që, ndërkohë që kërcënuan opozitën për një dhunë të mundshme, nuk thanë një fjalë për dhunën e provuar shtetërore që ka ushtruar organizata në Dibër e gjetkë? Si ka mundësi që nuk thanë një fjalë kur në krye të prokurorisë u zgjodh, e vazhdon të mbahet në mënyrë antikushtetuese, një kamikaze e organizatës si Arta Marku që po ushtron presion e dhunë kundër opozitës dhe po u hap rrugën kriminelëve të organizatës të veprojnë pa frikë? Përgjigja e vetme është se ata tanë kanë zgjedhur të mbështesin organizatën, përndryshe, do të kishin gjetur mënyrat më herët që gjërat të mos arrinin deri tek dhuna kundër dhunës. 
Lidhur me shkaqet e kësaj mbështetjeje them se do të flitet shumë dhe gjatë, por jam i bindur se, nëse do të kishim mundësi të hynim në zyrat e tyre e të dëgjonim se çfarë ka biseduar Palmeri me ata të ambasadës amerikane  (pra jo gjuhën diplomatike, në dukje të balancuar e në emër të interesave të popullit shqiptar, dhe as përgjigjen elokuente të ambasadorit Austriak se jemi në 2019 dhe jo në 1913), besoj se do të dëgjonim arsyetime të ngjashme me ato që bënte jashtë publikut zv/sekretari i departamenti të shtetit në kohën e Lindon Jonsonit kur fliste për qëllimet amerikane në mbështetjen që i jepnin regjimit autoritar e të korruptuar të Vietnamin të Jugut:
70% e bëjmë për interesin e SHBA (për të ruajtur të paprekur imazhin e shtetit më të fuqishëm në botë),
20 % që Kina të mos hyjë në Vietnamin e Jugut 
10% që populli i Vietnamit të Jugut të jetojë në një vend më demokratik.
Ka shumë gjasa që këto hesape i shoqërojnë edhe me arsyetiminin cinik, me aroma neokoloniale dhe raciste, se ky popull kaq meriton, pasi ka mbetur në 1913 prandaj më mirë të mbështesim një si Rama se nuk ua kemi ngenë të vijmë prap me ushtri këtu si në 1997-tën.  Por, po të kesh parasysh se në vende të tjera, me të njëjtën gjendje të kulturës demokratike, kanë mbështetur lëvizjet e dhunshme opozitare, madje me pasoja shumë dramatike (së fundmi le të kujtojmë Libinë apo Sirinë) nuk mund të mos konkludosh se e vërteta e mbështetjes duhet kërkuar tek interesat e tyre më së pari. Shkurt ndërkombëtarët kanë zgjedhur të mbështesin politikën që na ka premtuar Rama: ose pranoni dhunën “paqësore” rilindëse, ose, përndryshe, po ngritët kokë, do përdorim dhunë policore për t’ju shtypur, me përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë. 
Përballë kësaj të keqeje opozita, e dhunuar dhe e çarmatosur, duhet të reshtë sa më parë së ankuari e shpresuari tek ndërkombëtarët. Madje do të thosha se ndaj një pjese syresh duhet të mbledhë prova, siç ka mbledhur për organizatën e Edi Ramës, për të bindur me to opinionin publik shqiptar e ndërkombëtar, se ata janë pjesë e problemit jo e zgjidhjes. 

E keqja e dytë
Por politika e mbështetjes së shpresave dhe e aksionit politik tek ndërkombëtarët ka edhe një të keqe të dytë që e bën edhe më urgjent heqjen dorë prej saj.  
Një popull që pret t’ia sjellin lirinë, demokracinë dhe dinjitetin SHBA dhe Evropa nuk e meriton atë. Ne duhet të reshtim, më në fund, së shpenzuari kohë e energji pa fund nëpër kafenera apo studio televizive duke komentuar e debatuar se kë mbështesin ndërkombëtarët e cila do të jetë lëvizja e tyre e rradhës për të na shpëtuar apo dënuar. Historia ka provuar se demokracia as nuk importohet dhe as nuk eksportohet, ajo fitohet hap pas hapi. Pra edhe sikur opozita (apo vetë Edi Rama me bëmat e tij) të arrijë t’i ndërrojnë mendje ndërkombëtarëve për rilindëist dhe ta detyronin atë të largohej e t’i hapte rrugën ardhjes në pushtet të Lulzim Bashës, nuk kemi asnjë garanci që, në këtë rast, do të fitonim kundër kulturës autoritariste dhe aq më pak kundër oligarkisë kriminale, të cilat, të dyja së bashku, kanë pjellë Ramën dhe e mbajnë atë në pushtet. 
Kjo është arsyeja e dytë pse opozita duhet të heqë dorë nga paradigma kaq e rrënjosur në kulturën politike shqiptare: siguro mbështetjen e ndërkombëtarëve që të qeverisësh shqiptarët, të cilën Edi Rama e ka kthyer në: manipulo e korrupto ndërkombëtarët që të qeverisësh shqiptarët. Ajo dhe të gjithë ne duhet t’i kthehemi vetes për të kryer një ndryshim paradigmatik të rëndësishëm në këtë drejtim, që do të vendosë  mbështetjen e shqiptarëve shumë më përpara se ajo e ndërkombëtarëve. Vetëm ky ndryshim, i sjellë nga shqiptarët e vetëdijesuar për çka po them, do të jetë garancia e ecjes drejt më shumë lirie dhe demokracie dhe jo drejt më shumë autoritarizmi siç po ndodh, paradoksalisht, me ndihmën fatkeqe të ndërkombëtarëve. (Panorama, 11 korrik 2019)

Saturday, June 29, 2019

Kur krimi elektoral i lejohet vetëm narkoshtetit

 
Dalja në Bild e krimit elektoral të kryer nga Partia Socialiste në Dibër dhe reagimet e ditëve të fundit të Ramës ndaj tij duhen parë ngushtësisht të lidhur me njëri tjetrin, për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe ku po shkon Shqipëria në këtë fazë të historisë së shtetit të saj.
Përgjimet treguan se ata që duhet të luftojnë krimin elektoral - që nga shefi i policisë deri tek Ministri i Brendshëm, - janë shfaqur si autorët kryesorë të tij. Sëbashku me ta kanë vepruar edhe deputetë edhe ministra të qeverisë. Si prapavijë të tyre kanë vepruar edhe njerëz të krimit. Në krye të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeministri të cilit, në fund, këta i raportojnë që misioni është kryer. "Tërmet!" - e quan ministri Gjiknuri  suksesin e arritur në këtë mënyrë.
Për ata që e kanë harruar kujtoj se në fjalimet që mbante asokohe përpara dibranëve deputeti i PS Sadri Abazi thoshte se Edi Rama do të rrinte në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të.
I gjithë ky kuadër flet qartazi, pa ekuivokë, se
Edi Rama dhe partia e tij kanë vepruar si një organizatë kriminale; se kemi të bëjmë me një projekt të kësaj organizate për ta përjetësuar pushtetin duke kapur çdo pushtet. Ky projekt njohu si hap të dytë  zgjedhjet e përgjithshme të 2017 - siç tregojnë edhe përgjimet e Durrësit.
Kjo është njëra anë e medaljes. Le të shohim tani anën tjetër: reagimin e Ramës dhe të PS-së ndaj këtyre përgjimeve. Reagimi i tyre mund të sintetizohet në deklaratat e Ramës se përgjimet dhe protestat kundër zgjedhjeve janë organizuar nga "anti-shteti" që kërkon të përmbysë "shtetin", por se ata nuk do t'ia arrijnë kurrë ta mundin shtetit dhe se në 30 qershor (me fitoren 100% të pushtetit lokal) "Do t'i japim fund njëherë e mirë kësaj historie".
Vini re: një njeri në krye të një organizate që ka kryer krim zgjedhor (dhe jo vetëm) guxon e thotë, pa i bërë syri tërr, se kush i kundërvihet krimit të tij do të dënohet.  Është njëlloj sikur një grabitës të vijë të të grabisë në shtëpi dhe në momentin që ti fillon e bërtet "kapeni hajdutin" ai thërret policinë dhe të  arrestojë. Nuk duhet shumë inteligjencë për të kuptuar se një grabitje të tillë mund ta bëjë vetëm shteti. Mesazhi i qartë që po jep Rama përditë është që sot e tutje krimin elektoral  mund ta bëjë e do ta bëjë vetëm shteti. Mjafton kaq për të kuptuar se këtu jemi përpara instalimit të një regjmi që na sjell jehonën e atyre kohëve të diktaturës kur njerëzit futeshin në burg pse ankoheshin për krimet që u kishte bërë regjimi. Një diktaturë sui generis në Evropë pasi, siç provojnë edhe përgjimet, bazohet mbi forcën ekonomike të bandave kriminale të trafikimit të drogës që ka kapur shtetin.
Problemi që ngrihet sot është se si rrëzohet një regjim i tillë?
- Me votë dhe në mënyrë institucionale - thonë një pjesë, që nuk shikojnë se ajo që ka ndodhur në Dibër e në Durrës e gjetkë tregon se kjo është e pamundur.
- Me dhunë thonë të tjerë - që harrojnë se kur nis një luftë duhet të llogaritësh nëse ke forca të mjaftueshme për ta fituar atë dhe raporti i forcave duket qartazi në favor të narko-shtetit.
- Duke e lënë të degjenerojë derisa të bjerë vetë - thonë të tjerë duke harruar se bashkë me Rilindësit në këtë rast do të bjerë në humnerë edhe Shqipëria.
- Nga ndërkombëtarët që s'mund të lejojnë një diktaturë të tillë në Evropë - shtojnë të tjerë që  nuk hapin sytë për të parë se sa diktatura kanë mbështetur dhe mbështesin, vende si SHBA dhe demokracitë perëndimore.
- Me një opozitë tjetër që të mos ketë prapa të kaluarën e bashkëpunimit me të njëjtët njerëz -  propozojnë të tjerë pa parë se me një regjim të tillë shanset për të krijuar opozita vijnë duke u pakësuar.
Ajo që vihet re në këta propozime (e të tjera që nuk i përmenda) është harresa më e rëndësishme nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, ajo e shtrimit të pyetjes: çfarë duhet të bëj unë që të bjerë ky regjim? Një pjesë jo e vogël vazhdojnë të strehohen tek argumenti i atyre që thonë se kështu ka qenë gjithmonë, se vota gjithmonë është vjedhur në Shqipëri nëpërmjet të fortëve, prandaj s'kemi pse bërtasim as protestojmë për grabitësit e radhës. Në fakt kjo është alibia e vetme e organizatës dhe, po te vesh re, shumë nga ata që e shtrojnë këtë argument kanë interesa të lidhura me organizatën. Përgjimet e Bild dhe reagimi i Ramës ndaj tyre, duke shkuar i vetëm në zgjedhjet e 30 qershorit, flasin për një hap të madh përpara të krimit në kapjen e shtetit. Sot krimi, me fjalët dhe veprat e kryeministrit, po identifikohet haptazi me shtetin. Mjaft të kujtosh mburrjen që i bëri para durrsakëve Dakos së bandës së Avdylajve të dosjes 339. Këto qëndrime i bëjnë thirrje cilido që ka një minimum ndërgjegjeje demokratike që të distancohet nga një organizatë kriminale kaq e rrezikshme. Plani i Ramës për 30 qershorin si "dhënie fund njëherë e mirë e historisë" me opozitarë e kundërshtarë që ai i identifikon me anti-shtetin, për të instaluar regjimin ku krimi elektoral i lejohet vetëm narko-shtetit rrezikon t'i ndajë për një kohë të gjatë shqiptarët, si në kohën e komunizmit, në bashkëpunëtorë të regjimit dhe viktima të tij.  Kundër këtij plani duhet vepruar sa nuk është vonë, duke filluar që nga refuzimi për të votuar në 30 qershor. (Panorama, 27 qershor 2019)

Sunday, June 23, 2019

Hipokrizi e manipulim

 
Nëse doni të shikoni hipokrizinë dhe manipulimin e Ramës kur flet për Amerikën që do t'u heqë atyre që do të përfshihen në krime zgjedhore të drejtën e vizës shikoni këtë foto. Një nga njerëzit që e ka shoqërur atë në pushtimin elekoral që i bëri dje Shkodrës, duke përdorur dhunën shtetërore, është Tom Doshi (kryetar i PSD)  që  figuron në listën e atyre qytetarëve të botës që Deparatmentit i Shtetit  (jo Ambasada) u ka hequr të drejtën për të shkuar në SHBA.
Besoj se kjo foto flet shumë edhe për "syverbësinë" e Ambasadës Amerikane në Tiranë. 






(Facebook, pastaj Panorama etj. 21 maj 2019)

Thursday, June 13, 2019

Krimi luftohet - regjimet rrëzohen

“Përse u çuditët kaq shumë ju me përgjimet e fundit të gazetës gjermane ‘Bild’ – më shkruante një qytetar pas emisionit ‘Të paekspozuarit’ të së enjtes – prisnim gjermanin ne të na i thoshte? Sikur nuk i dinim”. Kishte të drejtë. Duke perifrazuar Pasolinin, do të thosha se regjistrimet që botoi “Bild” janë “prova” e bëmave që ne “i dimë” (nëpërmjet deduksionit, intuitës, krahasimeve etj.), por që shpesh s’mund t’i themi sepse ato (provat) i kanë “ata” (të pushtetit). Në sajë të një rrjedhjeje nga Prokuroria, ne i morëm disa nga këto prova dhe, si për të provuar rëndësinë që ka mbajtja fshehur e tyre, pamë se njerëzit e pushtetit, në vend të reagimit të menjëhershëm ndaj lajmit filluan kërcënimin dhe denigrimin e lajmësve.
Por, edhe përsa u përket provave, nuk është se na kanë munguar të tilla – do të thosha unë. Atëherë, pyetja shtohet: a shtojnë diçka të re të rëndësishme provat e nxjerra nga “Bild” apo janë në vazhdën e denoncimeve të zakonshme? Gjykoj se ato përcaktojnë një pikë vlimi për ndërgjegjësimin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të ndryshimit thelbësor dramatik që ka ndodhur në vendin tonë me ardhjen e Edi Ramës në pushtet. Le të përpiqem ta shtjelloj shkurt teorikisht se ç’kuptoj me këtë “pikë vlimi”.
Në librin e tij “Shkenca e logjikës”, Hegeli parashtron dy teorema që kanë rezultuar profetike për kohën që jetojmë. Teorema e parë është ajo sipas së cilës themelet e pasurisë së një kombi nuk janë të mirat materiale që zotëron ky komb, siç thoshte Adam Smithi, por instrumentet që prodhojnë këto të mira. Teorema e dyta, edhe më e rëndësishme se e para, është ajo sipas së cilës kur një fenomen shtohet në sasi nuk kemi vetëm ndryshime sasiore, por ndodhin edhe transformime cilësore, siç ndodh p.sh. në natyrë kur një lëng, pas një rritjeje të caktuar të temperaturës, shndërrohet në gaz apo në shoqëri kur, nëpërmjet shtimit të disa fenomeneve ekonomiko-shoqërore, kalohet nga një sistem në një tjetër.
Marksi, duke iu referuar teoremës së dytë të Hegelit, thotë se ne jemi mësuar të mendojmë se paraja është një mjet për të arritur qëllime të caktuara, të tilla si kënaqja e nevojave tona dhe prodhimi i të mirave materiale, por kujdes – thotë ai – se po u shtua paraja aq shumë në sasi sa të bëhet kushti universal për të realizuar çdo qëllim dhe çdo lloj nevoje, atëherë ajo nuk është më mjet, por shndërrohet në qëllimin e parë, nga i cili, pastaj, do të varen edhe qëllimet tona të tjera, nevojat tona e me radhë.
Le t’ia aplikojmë tani këto argumente universale realitetit tonë. Duke iu referuar teoremës së parë hegeliane, duhet të themi se themelet e pasurisë të kombit tonë nuk janë pallatet, kullat, vilat, supermarketet, fshatrat turistike, e më the të thashë, që kemi ndërtuar, por mjetet e prodhimit të tyre. Dhe, nëse mjeti kryesor i prodhimit të tyre është krimi, siç më rezulton, kjo do të thotë, sipas Hegelit, se krimi është pasuria jonë më e madhe kombëtare. (Ju kujtoj se gazetari i “Bild” shtroi pikërisht këtë pyetje: me çfarë paraje kryhen tërë ato ndërtime në Shqipëri?). Duke aplikuar teoremën e dytë do të thosha se për shumë kohë ne kemi menduar se krimi është një mjet, nëpërmjet të cilit ne kemi plotësuar nevojat tona. Mirëpo ajo që ka ndodhur ndër vite është se fenomeni i krimit është shtuar aq shumë në sasi saqë ka ndodhur ndryshimi cilësor për të cilin flet Hegeli dhe Marksi. Ai është shndërruar nga mjet në qëllimin e parë, të cilit i nënshtrohen të gjitha qëllimet e tjera tonat. Ja ku mbërrita në atë që dua të them lidhur me “pikën e vlimit”: përgjimet e fundit të botuara nga “Bild” na ndërgjegjësojnë për transformimin cilësor që ka ndodhur te ne me rritjen sasiore të krimit; për kalimin në regjimin, ku qëllimet tona, jeta jonë, përcaktohen nga ky qëllimi i parë: krimi. E në këtë moment, çështja nuk shtrohet më se çfarë bëjmë ne me krimin, por se çfarë bën krimi me ne. Më konkretisht, kjo do të thotë se është krimi, që në këtë regjim përcakton se kush do të jenë e si duhet të sillen parlamentarët, kryetarët e bashkisë, Kryeministri, prokurorët, Policia e me radhë, e me radhë. Në këtë moment historik nuk shtrohet më çështja, siç e shtrojnë me naivitet disa: si nuk u ngopën këta me pushtet dhe me para, apo se Rama e Gjushi, duke mos pasur më nevojë për krimin, do të ndërpresin lidhjet me të dhe do të kthehen t’u shërbejnë qytetarëve. Në këtë moment çështja shtrohet se është krimi që i dikton Ramës dhe Gjushit dhe nëpërmjet tyre edhe Policisë, edhe drejtësisë, edhe ne të gjithëve se ç’duhet të bëjmë. Me një fjalë të vetme ky hop cilësor është etiketuar së fundmi me fjalën narkoshtet, që nuk është rastësi që ka hyrë për herë të parë në historinë e shtetit tonë në kohën e Ramës. “Narkoshteti i parë në Europë” na cilësonte së fundmi edhe portali kanadez “Vice”.
Problemi është se mbështetësit e Ramës – fatkeqësisht edhe euroburokratët e Brukselit që bëjnë raporte e rekomandime për vendin tonë – vazhdojnë të arsyetojnë me kategori të tejkaluara “shtet – korrupsion”, “shtet – krim” sikur të jemi ende në kohën e Nanos apo Berishës, ku shteti ekzistonte si një entitet më vete që vuante nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, por ende nuk mund të identifikohej me vetë sëmundjen. Provat e fundit të sjella nga “Bild” e sollën në gjendjen e avullimit këtë perceptim të Shqipërisë, duke zbuluar se me lazaratizimin e krejt vendit, me përfshirjen masive të Policisë në trafikim, me infiltrimin masiv të krimit në ekonomi e në zgjedhje, shteti dhe krimi nuk janë më dy entitete të ndara, po një entitet i vetëm. Shqipëria e Ramës, pra, nuk qeveriset nga një shtet që ka edhe krimin dhe mafien e vet, por është shndërruar në një regjim të krimit dhe mafies së vet. Këtë konkluzion e ka arritur edhe gazetari gjerman i “Bild”, Peter Tiede.
Në këto kushte, duhet shtruar ndryshe ai që Carl Schmitt e quan problemi numër një i politikës: identifikimi i armikut që duhet luftuar. Është gabim të vazhdojmë të mendojmë me kategoritë e euroburokratëve se armiku numër një për t’u luftuar është krimi dhe korrupsioni. Në stadin ku kemi arritur, armiku për t’u luftuar është narkoshteti, në të cilin institucionet kryesore, duke filluar që nga Kryeministria e deri te zgjedhjet, janë shndërruar në instrumente të krimit. Nëse krimi dhe korrupsioni luftohen nga shteti, shteti i kthyer në regjim të krimit duhet të rrëzohet me mjete të tjera. (Panorama, 10 qershor 2019)

Friday, May 31, 2019

Si mundësohet dialogu politik

Sigurisht që edhe të jesh pjesë (kuptimi i fjalës parti) edhe ta konsiderosh veten të tërë është kontradiktore. Por Kryeministri ynë e ka gjetur si ta kapërcejë këtë kontradiktë: duke e konsideruar gjithçka tjetër që ekziston jashtë pjesës së tij si gjë të sëmurë, që duhet pastruar në emër të së shëndoshës; si gjë të gabuar, që duhet ndrequr në emër të së drejtës; si gjë të gënjeshtërt, që duhet demaskuar në emër të së vërtetës.
Kush e ka ndjekur fjalimin e Edi Ramës më 18 Maj dëgjoi se në 30 qershor “makina e pamposhtme elektorale” e pjesës së shëndoshë, që zotëron të drejtën dhe të vërtetën, do të kryejë pastrimin final të pjesës së sëmurë, të padrejtë, gënjeshtare. Më 30 qershor do të mbarojë historia e kësaj opozite destabilizuese dhe e komentatorëve që kanë “benzinë në vend të gjakut”, “shishe në vend të kokës” dhe “fitila” në vend të gjuhës – ishte kuptimi i asaj që tha pjesëza në krye të pjesës/Partia Socialiste.
Megjithatë, javën që pasoi e pamë gati ditë për ditë t’i shkruante letra të hapura kryetarit të opozitës Lulzim Basha ku e ftonte për dialog, ku madje pranonte se mund të ketë edhe “të tjerë”. Si mund t’i integrojmë në fjalimin programatik e 18 majit këto letra? Ka vetëm një mënyrë: duke kuptuar se me dialog Edi Rama nuk ka parasysh dy palë që ulen në tryezë si të barabarta përballë njëra tjetrës, por bisedën e ujkut me “delen” “rrugëhumbur” (siç e ka quajtur shpesh popullin opozitar dhe vetë Bashën) që do ta bindë se, në rrugëhumbjen e saj, ia ka turbulluar ujin, prandaj duhet ta hajë.
***
Shikimin e opozitës si diçka që duhet pastruar a ngrënë ne shpesh  ia kemi veshur faktit se në krye të maxhorancave tona kanë qenë bijtë e Enverit që për 45 vjet na edukoi ta konsiderojmë pjesën në pushtet si të tërën që pastron, mban kokulur apo riedukon mbeturinat e armiqve të klasës. Nuk ka dyshim se forma mentise farkuar nga përvoja 45 vjeçare e partisë shtet ndikon në paaftësinë tonë për të bërë dialog.  Nuk ka dyshim, po ashtu, se shqiptarët e shumtë me çrregullime narçiziste të personalitetit, si kryeministri ynë, nuk mund të bëjnë dot dialog, pasi çdo mendim kundër e konsiderojnë si sulm ndaj unit të tyre glorioz. Por a mjafton kaq për të shpjeguar faktin se pjesët/partitë tona nuk po bëjnë dot dialog, por vetëm konflikt dhe gëlltitje, edhe pas 30 vjetësh rënie të komunizmit? Gjykoj se përveç këtyre shkaqeve të rëndësishme, ka edhe një shkak që s’ka të bëjë as me të kaluarën komuniste dhe as me psikologjinë tonë mbizotëruese individuale apo kolektive, por me llojin e sistemit kapitalist që kemi ngritur. Madje mendoj se nëse duam që vërtet të kemi dialog politik duhet të nisemi nga korrigjimi i këtij shkaku.
Le ta shpjegoj çfarë kam parasysh duke u nisur nga premisa e parë e domosdoshme e dialogut: barazia në dinjitet, në të drejta, në inteligjencë e palëve që dialogojnë. Është e qartë se pa këto barazi nuk mund të ketë dialog. E pra gjykoj se mungesa e kësaj premise nuk mund të shihet jashtë natyrës së turbokapitalizmit globalist neoliberist që kemi imituar në mënyrën më karikatureske pas rënies së komunizmit. Ky  kapitalizëm ndryshon nga ai demokratik perëndimor, i zhvilluar para viteve 90, në faktin se  në këtë ekzistonin dy klasa që kishin koshiencën e tyre klasore, fuqinë dhe pushtetin e tyre, sistemin e tyre të vlerave: borgjezia dhe proletariati. Këto ishin fortësisht të organizuara e përfaqësuara në parti politike në sindikata, media, art, kulturë etj. Shumë nga arritjet sociale demokratike që ka njohur Perëndimi në ato vite i dedikohen pikërisht dialogut dhe kompromiseve të arritura nga këta dy përfaqësime. Sot në Perëndim flitet gjithnjë e më shumë për bjerrjen e përditshme të këtyre arritjeve në favor të turbokapitalizmit neoliberist të ndërtuar këta 30 vjet që konsiderohet “post-borgjez” dhe “post-proletar”. E cilësojnë kështu duke iu referuar faktit se ai e ka atomizur njeriun, nëpërmjet një procesi çrrënjosjeje jo vetëm nga përkatësia klasore, por edhe  kulturore,  komunitare, madje deri edhe familjare duke e kthyer në mall si të gjithë mallrat e tregut që shiten e blihen (alienimi) e duke e bërë gjithnjë e më të pafuqishme për të ndryshuar kondicionin e vet. Vështirë të thuash me siguri nëse kjo ka qenë një strategji e mirëmenduar e kapitalit apo pasojë e euforisë superficiale të fitimtarëve të Luftës së Ftohtë, por fakti është se globalizimi neoliberist ka rezultuar në pasurimin e një pakice të përbërë nga banka e multinacionale multimiliardere që sundojnë përballë shumicës së atomizuar e të çrrënjosur. Si rrjedhojë e këtij atomizimi dallimi  horizontal e djathtë - e majtë, që në kapitalizmin borgjez-proletar favorizonte dialogun demokratik, është zëvendësuar me dallimin vertikal lart-poshtë që favorizon sundimin post-demokratik, ku është ekonomia e interesave të pakicës që dikton mbi politikën duke i kthyer politikanët në menaxherë të interesave saj. 
Po ta shohësh thellë thellë kapitalizmi ynë “kaotik”, dhe i qeverisur nga “gangsterët”,  nuk është e kundërta e asaj që shohim në botë, por shfaqja më e shëmtuar e këtij sistemi. Ne jemi më radikalët në Evropë në polarizimin midis gangsterëve të pasur që kanë kapur shtetin lart dhe atomizimin e atyre që qëndrojnë poshtë. Mjaft të kesh parasysh oligarkinë e rrethuar në roling-hillse më një anë dhe emigrimin masiv që vazhdon edhe pas tridhjetë vitesh të shpërhapë shqiptarët e çrrënjosur në të gjitha anët e botës globale, më anë tjetër. Nëse në fillimvitet  90 ky atomizim e kishte burimin në kolektivizimin e dhunshëm që kishte shtypur çdo ndjenjë individualiteti dhe lirie, sot e ka burimin e vet tek vizioni global neoliberal konsumistik i botës që gjithnjë e më shumë e kthen njeriun thjesht në mall tregu në duar e pakicës që kontrollon atë. Kampionia e neoliberizmit, Margaret Thatcheri, shoshte se detyra kryesore e neoliberalëve ishte të krijonin një njeri të ri. Shqiptarët u treguan më të gatshmit për t’u shndërruar në këtë lloj njeriu dhe kanë mbetur të tillë ende edhe sot. Në variantin më të keq të shqiptarit ky lloj njeriu e ka manifestimin e vet tek trafikanti drogës që sillet si atom i lirë nga çdo detyrim shoqëror apo komunitar, krejtësisht i akulturuar, pa ndjenjë përkatësie as në shoqëri as në atdhe as në çfarëdolloj grupimi, pa u  merakosur aspak se u shpërndan helmin vrastar të tjerëve. Sivëlla i tij është politikani, që nuk e sheh politikën si shërbim ndaj komunitetit, shoqërisë, kombit, por si bashkëpunim në pastrimin e parave të të parit dhe si allishverish korruptiv me çdo lloj “investitori”, global apo lokal, që e sheh këtë vend thjesht dhe vetëm si mjet përfitimi në kurriz të të tjerëve. Viktimat më të mëdha të njeriut të katandisur në mall janë mjeranët që ua shesin votën këtyre për 2000 lekë. Kurrsesi nuk do të kishim arritur deri në këtë pikë sikur të gjitha pjesët/partitë tona të krijuara pas viteve ’90 të mos ishin të gjitha neoliberiste globaliste. Është emblematike në këtë kontekst thirrja e Edi Ramës ndaj kapitalistëve globalë italianë, që i ftoi të vinin në Shqipëri të investonin sepse do të ishin të lirë nga telashet e sindikatave, që nënkuptojnë pikërisht ndërgjegjen klasore të të shfrytëzuarve. 
E pra, ajo që dua të them është se pot-demokracia që e përjashton nga vendimmarrja gjithnjë e më shumë demosin (popullin) e atomizuar në favor të oligos (pakicës) e përjashton vetvetiu dialogun pasi këto dy pjesë nuk janë të barabarta. Në Shqipëri siç e thashë kjo gjendje është në nivelet e veta më groteske, pasi, paradoksalisht, bash partia e quajtur socialiste është kampionia e shkatërrimit të çdo gjëje që meriton të quhet sociale në emër të pasurimit të pakicës dhe atomizimit e çrrënjosjes së shumicës. Së fundi, me Edi Ramën në krye, ajo po synon të heqë edhe maskën e fundit demokratike, pluralizmin e partive neoliberale, për të sunduar e vetme me oligarkinë dhe krimin rreth vetes. Në këto kushte thirrja e Edi Ramës për dialog me opozitën nuk mund të jetë tjetër veçse pazari për t’i dhënë diçka opozitës për të mbuluar kontradiktën themelore që ka krijuar krizën në Shqipëri: atë midis një oligarkie kriminale që ka kapur shtetin dhe pjesës tjetër të katandisur në atome të çrrënjosur që i merr era dhe i çon nëpër botë përditë. Opozita bën shumë mirë që proteston dhe bën shumë mirë që refuzon këtë gjoja dialog  poshtërues, por ajo duhet të ketë parasysh se vendosja e një dialogu të vërtetë politik do të mund të realizohet vetëm kur pushteti i pakufizuar i oligarkisë të ketë përballë një forcë politike të barabartë në dinjitet dhe në pushtet njerëzish të ndërgjegjësuar për kondicionin e tyre dhe të përfaqësuar nga partitë e tyre. (Panorama, 27 maj 2019)



Tuesday, May 14, 2019

Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale

Diku kam dëgjuar se ideograma kineze e fjalës “krizë” përbëhet nga dy shenja që shenjëzojnë njëra “rrezikun” dhe tjetra “oportunitetin”. Nuk jam i sigurt nëse është kështu, por di të them se përvoja na tregon se vërtet krizat, qofshin këto personale apo familjare qofshin në nivele kombëtare apo edhe globale kanë qenë gjithmonë të mbarsura me rreziqe, por njëherësh edhe me mundësi zgjidhjesh. Përvoja tregon gjithashtu se, varësisht nga mençuria apo jo e njerëzve, krizat janë zhvilluar më shumë si rreziqe apo  si oportunitete. Për ilustrim po kujtoj dy kriza të historisë sonë të vonë: atë të viteve 90-91 që prodhoi më shumë oportunitete duke shmangur mjaft rreziqe (por jo të gjitha)  dhe atë të vitit 97-të ku rreziqet dominuan mbi oportunitetet.
Në këtë udhëkryq e shikoj edhe krizën e sotme që në thelb vjen nga akumulimi i problemeve të sistemit të ngritur  “nga krimi, me krimin, për krimin”. Ajo është e mbarsur me rrezikun që të na çojë në konflikte civile të forta, në politika shtypëse të dhunshme, në zbrazje të mëtejshme të vendit, por edhe me mundësinë e shkëputje të politikës nga krimi, të ndërtimit të një ekonomie të shëndoshë, të forcimin të institucioneve demokratike etj..
Në emër të drejtimit të krizës përdrejt oportuniteteve në shkrimin e fundit “Alarmi holandez dhe alarmi i munguar shqiptar” kam hedhur idenë se duhet hapur një kantier idesh për ndërtimin e vizionit të një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot me idenë se, po qe se njerëzit do të bëhen pjesë e këtij procesi, herët ose vonë kjo do t’i çojë tek thirrja “Shteti jemi ne!” (kundër shtetit të krimit). 
***
Nëse do të rreshtoja temat e këtij kantieri të parën që do të vija do të ishte: “Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale”. Kjo, pasi gjykoj se shkaku kryesor i krizës lidhet fort me çështjen se çfarë ekonomie kemi ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këtej dhe cili ka qenë roli i politikës në krijimin e inkubatorit të krimit.
Këtë temë do ta ndaja në katër nëntema:
1. Si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit.
2. Dëmet që ka sjellë ekonomia kriminale.
3. Si mund të luftohet ekonomia kriminale.
4. Alternativa ndaj ekonomisë kriminale.
Sa për të nxitur ata që duan ta marrin në konsideratë këtë propozim, - dhe kam parasysh kryesisht opozitën e sotme apo edhe atë që mund të lindë nesër, e jo vetëm, - po hedh në këtë shkrim disa ide që do t’i shtroja për diskutim.

Mbi shkaqet
Së pari, tema si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit më duket e rëndësishme pasi njohja e shkaqeve mund të na ndihmojë në gjetjen e mjeteve të luftimit. Personalisht këtë njohje do ta nisja me identifikimin e mëkatit fillestar: faktin (objektiv) se ekonomia shqiptare doli nga komunizmi si një anije e paaftë për të “lundruar” në oqeanin e tregut të lirë, siç do të thoshte Stiglitz, dhe faktin (subjektiv) se politikanët tanë, në vend se, me dije, moralitet, dhe atdhedashuri, të përpiqeshin t’ia mbyllnin kësaj anijeje vrimat dhe ta ristrukturonin, me padije, imoralitet dhe egoizëm, e shitën pjesë pjesë për skrap për t'u pasuruar vetë. Këtë shitje të vendit për skrap ua servirën shqiptarëve me sloganin se kishin nevojë për “terapinë e shock-ut” që shqip do të thoshte: thirrini nevojës, secili për vete, se do ta gjeni rrugën që keni humbur. Përballë kësaj thirrjeje pa dritë, që rezultoi në shock pa terapi, shqiptarët gjetën në masë rrugët e emigrimit dhe krimit. Ky i fundit u përqendrua në trafiqet njerëzore dhe në trafiqet e drogës. Ndërkaq, politikanët shqiptarë jo vetëm nuk u përpoqën ta ndalonin këtë proces, por e inkurajuan duke ndërtuar brenda vendit edhe lehtësirat e thithjes së këtyre parave. Kështu pamë lulëzimin e piramidave financiare, industrinë piramidale të ndërtimit, numrin absurd të pikave të karburanteve, të restoranteve e kafe bareve, të universiteteve private, të pikave të llotove e të bixhozit, të supermarketeve, të radiotelevizioneve  private e të tjera si këto, që kanë punuar e punojnë kryesisht me paratë e emigracionit e të krimit – të gjitha me licencën dhe inkurajimin e politikës. 
Në vitet në vazhdim ndërsa emigrantët e ndershëm, që pa dyshim janë shumica, kanë filluar të pakësojnë gjithnjë e më shumë dërgimin e të ardhurave apo investimet në vend, emigrantët e krimit kanë marrë peshë gjithnjë e më të madhe duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat për ekonominë e shëndoshë të njerëzve të ndershëm. 
Ja kështu u hodhën themelet e  inkubatorit të krimit. Sot ky inkubator po njeh kulmin e prodhimtarisë së vet, siç na tregoi edhe alarmi holandez, prandaj dhe krizën e vet. 

Mbi dëmet
Tema e dëmeve që ka sjellë ekonomia kriminale gjatë këtyre tre dekadave është mbajtur nën një shurdhëri që flet shumë. Në fakt flet për një bashkëfajësi që ka ndodhur: a) për faktin se  paratë e krimit kanë sjellë edhe punësim e ushqim për njerëzit që jetojnë me ankthin e sigurimit të bukës së përditëshme, edhe pasurimin e njerëzve të pushtetit, por edhe dukjen e një zhvillimi; b) për faktin se aktorët kryesorë jo vetëm politikë, por edhe ekonomike edhe mediatikë kanë qenë direkt apo indirekt të lidhur me inkubatorin e krimit, c) për faktin se nuk është zhvilluar thuajse fare një ekonomi alternative e shëndoshë që t’i bënte konkurrence që të kërkonte tregun vërtet të lirë, e që të krijonte apo mbështeste partinë e vet politike.
E pra, nëse duhet të dalim nga ekonomia kriminale kjo nuk mund të arrihet pa informuar njerëzit për dëmet që ka sjellë dhe po sjell dhe mund të sjellë inkubatori i krimit i fshehur prapa nevojave apo aparencave të përditshmërisë. 
Gjykoj se dëmi më i madh ka ardhur nga fakti se, për nga natyra e vet, pastrimi i parave ndërton një ekonomi që nuk rritet gradualisht, si një pemë që vaditet me djersën e ballit nga njerëz me dije, moralitet, dhe largpamësi, por nënkupton para të pista në duar njerëzish të paditur, të pamoralshëm që duan t’i shndërrojnë ato sa më shpejt në pasuri të patundshme. Shkatërrimet që ka sjellë kjo lloj ekonomie përsa i përket pasurive natyrore, trashëgimisë kulturore, tokave të bukës mundësive turistike janë tashmë në nivele të skajshme, por gjykoj se shkatërrimi më i madh është ai i dehumanizimit të njeriut. Nëse kapitalizmi i egër (post-borgjez dhe pos-proletar siç e quajnë disa studiues) akuzohet sot edhe në Perëndim se e ka reduktuar njeriun në mall ndër mallrat e shumta të konsumit, kapitalizmi i trafikantëve të bërë biznesmenë që kërkojnë të imitojnë pasanikët perëndimorë është  shprehja më ekstreme e këtij dehumanizimi. Modelit të njeriut që po shumon në mënyrë galopante inkubatori i krimit i mungojnë krejtësisht pyetje të tilla ekzistenciale se përse kam ardhur në këtë jetë, vallë thjesht për të  bërë para dhe për të kënaqur instiktet e mija? A mjafton kjo dhe, po të jetë kështu, a mund të arrrihet kjo duke vjedhur të tjerët, duke u shitur e shpërndarë helm të tjerëve? Ky njeri sot ka hyrë e po bën politikë duke e tjetërsuar atë përditë e më shumë nga shërbim ndaj shoqërisë në punë të pisët për tu pasuruar.
Nuk pretendoj këtu të bëj specialistin (për dëmet e ekonomisë së krimit ka studime të shumta mbështetur në përvoja vendesh të tjera) por, shpejt e shpejt, duke pasur parasysh se opozita deri më sot është mjaftuar kryesisht me denoncimin e faktit se me paratë e krimit vidhet vota, do të propozoja këto tema:

-     - Dëmi përsa i përket sistemit të vlerave, meritokracisë.

-    - Dëmi psikologjik ndaj ndjenjës së drejtësisë së shumicës së njerëzve që jetojnë në varfëri, ndërkohë që shohin kriminelët të sundojnë e lulëzojnë.

-     - Dëmi që lidhjet me kapjen nga krimi i institucioneve.

Mbi luftën dhe alternativat
Tema se si mund të luftohet ekonomia kriminale është më e rëndësishmja, por edhe më e vështira. Kjo, sepse bëhet fjalë për një tumor që ka pushtuar me metastazat e veta, në mënyrë kapilare, shumë organe të trupit, e po tjetërson e helmon në mënyrë galopante qelizat e shëndosha. Në këtë fazë gjetja e kurës është shumë më e vështirë sesa sikur të ishte në fillim. 
Duke mbetur tek metafora e tumorit do të thosha se të luftosh ekonominë kriminale do të thotë të bësh një operacion  për ta hequr këtë tumor dhe më pas të vazhdosh me kimioterapi për të eliminuar rizhvillimin e tij në pika të tjera të trupit. Kjo nënkupton se lufta kundër ekonomisë kriminale nuk mund të bëhet pa marrë në konsideratë dobësimin e trupit, që, pa metafora, do të thotë sakrifica. Por do të thotë edhe punë serioze për të gjetur, ndërtuar e inkurajuar alternativat e ekonomisë kriminale. Madje vetëm kjo punë serioze do të ngjallte shpresë tek shoqëria për t’i hyrë operacionit dhe sakrificave që parashikon rimëkëmbja pas tij. E pra shoqërinë shqiptare nuk e shoh në nivelin e kësaj sfide që na ka sjellë përpara kriza. Opozita deklaron në mënyrë superficiale se me ardhjen e saj në pushtet edhe do të eliminojë krimin edhe do të dyfishojë apo trefishojë rrogat e mjekëve apo rrogat e pensionet minimale. Por sfida në fjalë kërkon që ajo të ndërtojë (e përsëris: se bashku me njerëzit) projektin se si do të mund të arrihet të sigurohen këto të ardhura nëpërmjet një ekonomie të ndershme e të qëndrueshme që do të zëvendësojë ekonominë kriminale. 

Duke mos qenë ekonomist dhe duke mos pasur informacionin e duhur lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së shëndoshë në Shqipëri, të borxheve të akumuluara të privatëve dhe të shtetit dhe të mundësive për shlyerjen e tyre nuk mund të hyj në propozime më konkrete. Por edhe sikur të isha i tillë nuk mjafton një njeri i vetëm për këtë punë kaq të vështirë. Për këtë duhet mbledhja në atë që e quajta kantieri i ideve e gjithë njerëzve me përvojë dhe vullnet të mirë që e njohin dhe ndjejnë problemin. Dhe kjo duhet bërë sa nuk është vonë, sepse gjykoj se sot jemi të dënuar që ose ta çojmë krizën në drejtim të oportuniteteve ose të asgjësohemi nga rreziqet përditë e më në rritje që ajo po manifeston nëpërmjet inkubatorit të krimit.  (Panorama, 8 maj 2019)