Monday, May 2, 2005

Kodi feudal i mirësjelljes dhe zgjedhjet

Atë ngjarjen historike në atë sallën tek Presidenca jonë historike ku politikanët tanë historike, me tagrin e kryetarëve të partive, firmosën një si biçim marrëveshjeje historike mbi kodin e sjelljes së mirë në zgjedhjet 2005, personalisht nuk e përjetova aspak si sukses historik, sikurse e paraqitën disa medja e politikanë, përkundrazi e pashë me një lloj trishtimi të hidhur që më çoi në një si vetëtallje kombëtaro historike. Më mjaftonte nevoja e kryerjes së këtij akti me kryetarët e partive për të shkuar tek kjo gjendje, por edhe vetë vënia në skenë nuk qe e pakët. Ajo më zgjoi imagjinatën e atyre kohërave mesjetare që në historiografi mund t’i gjesh nën emrin “luftra feudale” apo “anarki fudale” kur, feudalët, që ishin rrazbitur në luftra pa fund me njëri tjetrin, më në fund, nën imponimin e një autoriteti superior, mbretëror apo kishtar, uleshin e firmosnin marrëveshje se do të reshtnin së luftuari.
Sikur “mbreti” apo “papa” i marrëveshjes së feudalve tanë të politikës të kishte qenë Presidenti Moisiu, megjithë trishtimin e prapambetjes historike, të them të drejtën edhe mund ta kisha pranuar. Por ajo më bëhej edhe më vetëtallëse ngase e dija - nuk duhet të jesh ndonjë njohës i thellë i kontekstit tonë politik për të kuptuar këtë – se tërë ajo gatishmëri e përunjësi ndaj Presidentit nuk ishte tjetër veçse një vënie në skenë për tu treguar ambasadorëve perëndimorë, që ishin autoritetet reale në atë sallë e që nuk munguan as me praninë e tyre fizike, se sa sa të urtë e të mirë jemi, pa çka se njëri tjetrit nuk ia japim dorën e besës.
Për më tepër paraqitja në atë vënie në skenë e feudalëve tanë të politikës përpara autoriteteve perëndimore nuk di se si më kujtoi edhe një ndër të shumtët heroizma të popullit tonë në shekuj. Më kujtoi bash atë legjendën e Isa Buletinit për të cilin kemi treguar, duke u mburrur, se, kur shkoi të takonte ministrin e jashtëm anglez dhe ky i tha, me humor, se ishte detyruar të ndahej nga arma, pasi e kishin çarmatosur tek dera, ai i nxorri një pisqollë të dytë që e kishte mbajtur të fshehur.
Kështu mu dukën edhe feudalët tanë në atë sallë përpara ambasadorëve perëndimorë, si trima legjendarë me pisqollë të dytë të fshehur pas ushkureve, por edhe të armatosur me atë thënien tonë të lashtë se për të qenë i suksesshëm në këtë jetë duhen “shtatë hile dhe një trimëri”.
Për mua ata ishin atje për të demostruar pikërisht të kundërtën e asaj që u dukej se po bënin. Pra, jo për të kryer një hap përshpejtimi drejt demokracisë e zgjedhjeve të lira, por për ta vonuar atë. Ajo vënie në skenë ishte si puna e atyre që duan të luftojnë gjakmarrjen duke forcuar Kanunin dhe jo Kushtetutën. Sepse nuk ka vend vërtet demokratik në botë ku garant për zgjedhje të lira dhe të nderëshme të bëhen kryetarët e partive që garojnë.
Ajo skenë vërtetoi diçka që bije në sy dramatikisht në prag të këtyre zgjedhjeve: mungesën brenda vendit qoftë të institucioneve shtetërore apo jo shtetërore që të gëzojnë autoritetin e besimit se ata mund të jenë garant të zgjedhjeve, ose ose që mund të jenë arbitër të drejtë e të paanshëm të zgjedhjeve apo edhe që mund të kryejnë sondazhe të besueshme, të paanëshme, të pamanipuluara nga një forcë politike apo nga një tjetër. E kjo mungesë është shenja më e sigurt se nuk kemi ndërtuar demokraci e se, madje, jemi prapa zgjedhjeve që kemi bërë më 1992 dhe 1994 – e kjo prapavajtje mendoj se duhet të jetë burim reflektimi i kujtdo që kërkon të ndërtojë parti të vërtetë demokratike në këtë vend. Ajo misanskenë, prandaj, ishte edhe lënie e arbitrimit të zgjedhjeve në dorën e të huajve dmth., në fakt, një kapitullim i besimit se ne mund të bëjmë zgjedhje të lira e të nderëshme.

Për këto arësye sipas meje ajo firmosje ishte një fasadë që u duhej aktorëve të vet, të huaj dhe shqiptarë, për të fshehur dështimin e tyre në punën e ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, por edhe për të fshehur atë që po ndodh e mund të ndodhë me zgjedhjet si vërtetim i këtij dështimi. Për të kuptuar atë që qëndron prapa kësaj fasade nuk ke nevojë për shumë: mjafton të dëgjosh njerëzit se si flasin nëpër tryeza po u hap biseda e zgjedhjeve. Për besë nuk dëgjon tjetër veç historitë e marifeteve e të manipulimeve të vjetra dhe të reja, të blerjeve që janë bërë dhe po bëhen dhe dyshohet se po përgatiten në një klimë mosbesimi të thellë. E këtu nuk e kam fjalën për Dushkun e madh apo të vogël me pesë variantet e Odirit që botonte Korrieri. Ato më duken lule. Këtu e kam fjalën për gjëra që tregojnë se çfarë raporti të deformuar etik e njëherësh përfaqësimi ka midis zgjedhësve dhe kandidatëve për tu zgjedhur. Por edhe midis këtyre të fundit dhe arbitrit perëndimor sepse, veç tjerash, variantet e marifeteve që dëgjon kanë një synim të rëndësishëm të përbashkët: si t’i bëjmë në mënyrë që tua hedhim perëndimorëve. Çfarë xhambazllëqesh nuk të dëgjojnë veshët! Mbizotërojnë ata sipas të cilëve votat do të blihen me lekë dhe se, për këtë, shtabet e kandidatëve kanë zbritur në terren e kanë filluar tashmë punën. Por edhe më e tmerrshme është se edhe tek këto blerje mbizotëron mosbesimi i thellë midis shitësit dhe blerësit. Prandaj variatet më “të sigurta” marrin parasysh edhe se si të mos na mashtrojë personi që do të shesë votën e tij, të familjes apo tarafit. Për këtë duhen marrë masa që ai të mos ketë mundësi t’i marrë lekët dhe të votojë për një tjetër, apo që t’u marrë lekë të dy palëve. Prandaj një nga variantet “e sigurta”, njëherësh edhe i pakapshëm nga vëzhguesit perëndimorë është ky: X zgjedhës (shitës i votës) do të fusë në kuti një letër kot kurse letrën e vlefshme do ta fusë në xhep e do ta nxjerrë jashtë të bardhë. Aty do t’ia dorëzojë një matrapazi partie/kandidati që e pret. Vetëm kur matrapzi do të marrë në dorë këtë fletë do t’ia japë lekët. Pastaj matrapazi do t’i verë kryqet e duhura kësaj letrës e do t’ia japë një tjetri që pret në rradhë për të shitur votën. Ky do të shkojë brenda dhe do të fusë në kuti fletëvotimin e kryqëzuar nga matrapazi kurse fletëvotimin e vet do ta marrë me vete të bardhë e t’ia dorëzojë matrapazit i cili, vetëm atëhere do t’i japë lekët. E kështu me rradhë.
Jam i bindur se shumëkush që ka patur durimin ta lexojë këtë shkrim deri në këtë paragraf do të thoshte me vete: mirë mirë po si t’ia bëjmë, se këto i dimë.
Nuk pretendoj të jap këtu zgjidhje, aq më pak të menjëherëshme, por desha të ve në dukje se nuk është zgjidhja ajo e firmosjes në skenë e kodit të mirësjelljes kalorsiake ndërkohë që prapa skene “firmoset” një kod monstruoz keqsjelljeje. Desha po ashtu të ve në dukje se është ecje në drejtim të kundërt të punosh për zgjedhje të lira jo duke i mshuar forcimit të autoritetit të institucioneve që duhet të garantojnë zgjedhjet e lira, por duke u mbështetur në forcime me shije feudale autoritetesh jashtë institucionale. Ashtu sikurse është provë e ecjes në drejtimin e kundërt dhe rritja - në vend se ulja gjatë këtyre viteve - e rolit dhe autoritetit të të huajve në arbitrimin e zgjedhjeve. Thelbi i zgjedhjeve të lira nuk është arritja e një rezultati njëditor që nuk kontestohet dot formalisht nga humbësit, por puna e përditshme shumëvjeçare për ndërtimin e demokracisë e, në këtë kontekst, edhe e institucionit demokratik të zgjedhjeve që ndërtohet mbi marrëdhënie krejt të tjera etike e të përfaqësimit e të mbrojtjes së të drejtave nga ato që po eksperimentojmë.

No comments: