Monday, June 19, 2006

Dinjiteti i punës serioze, i dijes, krijimtarisë burojnë nga një prej të drejtave bazë të njeriut, ajo për shkollim

Ditët e fundit publiku shqiptar është tronditur shumë nga ngjarje që kanë pasur për protagonistë të mitur. Në një rast të përfshirë në video porno në ambiente shkollore dhe në rastin tjetër një përdhunim ku ishin përfshirë disa adoleshentë 14-vjeçarë. A tregojnë këto ngjarje degradim në sistemin shkollor? Nëse po, a ka ardhur koha që shteti të rikthejë vëmendjen nga shkolla, duke vënë disiplinë në sistemin parauniversitar?

Të them të drejtën për mua gjëja më tronditëse që kam dëgjuar në mediat tona lidhur me këtë çështje është mënyra se si është komentuar ajo ku thuajse të gjithë të intervistuarit e përqendronin problemin tek nevoja e pasjes siguri më të madhe në shkolla duke e përkthyer shkurt si nevojë për policë e roje më shumë që të ruajnë fëmijët. Kjo është tronditëse sepse nga kjo gjendje e sistemit tonë arsimor nuk mund të na nxjerrin policët. Shkolla që ruhen me policë nuk mund të jenë vende normale edukimi. Policët nuk na shpëtojnë dot as nga gjendja e kriminalitetit të madh që kemi. Sipas meje çështja e nevojës së ndryshimit të gjendjes së sistemit tonë edukativ është shumë më e gjerë e më komplekse e ka të bëjë me nevojën për ndryshimin e tërë shoqërisë që kemi ndërtuar, sepse nuk është fjala për degradim të sistemit tonë shkollor, por për degradim të tërë shoqërisë me çka nuk duhet të kuptojmë se kemi qenë më mirë në kohën e komunizmit, por se gjendja tejet e sëmurë në të cilën e katandisi komunizmi shoqërinë ka bërë që ajo të mos jetë në gjendje të ketë antikorpet e nevojshme për t’u rezistuar të këqijave të kapitalizmit dhe prandaj të vazhdojë një gjendje tejet të sëmurë. Fëmijët nuk janë tjetër veçse produkti i asaj që kemi ndërtuar ne të rriturit dhe sjelljet e tyre nuk reflektojnë tjetër gjë veç se sa dhe si mendojmë ne për ta. Dëgjova një mësuese të thoshte në televizion se në një klasë me 52 nxënës asaj i duhet gjysma e orës së mësimit vetëm për të lexuar emrat e nxënësve kur bën apelin. Problemi pra nuk ka të bëjë me shtimin e policive në shkolla, por me shtimin e shkollave e të shumëçkaje tjetër kanë nevojë shkollat: të mësuesve e rrogave të tyre më së pari, të ambjenteve të ndryshme, e me rradhë, për të mos folur për nevojën e ndryshimit të metodës së mësimit të futjes së teksteve të reja, të kompiuterave e më the të thashë. Po ashtu problemi në thelb, ka të bëjë me nevojën që t’i konsiderojmë të tërë fëmijët njëlloj përsa i përket të drejtës së tyre për arsimim. Kurse ne çfarë kemi bërë? Kemi ndërtuar një sistem ku 5000 veta (apo familje) që qarkullojnë shumcën e pares së këtij vendi nuk e çajnë kokën për çfarë ndodh me fëmijët e të tjerëve sepse për fëmijët e tyre ata kanë shkolla private ku paguajnë 300 – 400 euro në muaj (sa dyfishi i rrogës së një mësuesi në shkollat publike) apo i dërgojnë fëmijët në shkolla jashtë shtetit. Shihni se çfarë po ndodh tek ne: jemi vendi më i varfër në Evropë dhe çuditërisht jemi i vetmi vend në Evropë që Kampionatin Botëror të futbollit nuk e shohim dot pa paguar para. Kudo në Evropë, nga ç’kam parë e dëgjuar, kampionatin e japin televizionet publike kurse tek ne e jep privati. E si mund të zhvillosh pasionin për sportin tek fëmijët në këto kushte? Shtoi kësaj faktin se gjendja e vendeve të lojrave sportive ku fëmijët normalisht duhet të derdhin energjinë e të edukojnë shpirtin e ekipit e të bashkpunimit e të garës së ndershme është inekzistente. Këto nuk janë rastësi, janë tregues i sistemit që kemi ndërtuar. Mirëpo për këto askush nuk flet. E si për të larë ndërgjegjen për këto krime sistematike që bëjmë ndaj fëmijëve ne gjejmë ndonjë rast pedofilie e fillojmë e mbushim gazetat me fytyrën e kriminelit – në fak për të fshehur fytyrat tona. Pra sipas meje nuk duhet folur për nevojën e shtimit të policëve në shkolla, as për disiplinë në kuptimin e shtrëngimit të fëmijëve, por për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në shpërndarjen e parasë publike, ku duhet bërë e qartë se shkollat janë më të rëndësishme se rrugët, paçka se bijen në sy më pak për efekte elektorale. Duhet folur për ndryshimin e këtij sistemi ku një oligarki kriminale thith në mënyrën më të papërgjegjëshme paranë pa çarë kokën se shoqëria po mbushet me injorantë e kriminelë potencialë. A ju kujtohet se para disa kohësh ra një tavan mbi kokën e fëmijëve sepse paratë e rikonstruksionit të shkollës duket se më shumë ishin vjedhur se investuar atje. Po a keni marrë vesh të ndodhë ndonjë gjë, të gjinden përgjegjësit e të ndëshkohen? Sigurisht që jo. Prej kohësh kanë rënë këmbanat e alarmit për gjendjen e shkollave tona, por edhe të sistemit parashkollor ashtu sikurse të universiteteve. Shkollat duhet të fitojnë dinjitetin dhe respektin që kanë shkollat kudo në Evropën ku aspirojmë të bëjmë pjesë. Në thelb kjo do të thotë të fitojë dinjitetin që meriton puna serioze, studimi, dija, krijimtaria që burojnë nga një prej të drejtave bazë të njeriut, ajo për shkollim. Përndryshe do të duhet të thellojmë ndërtimin e këtij sistemi që kemi nisur e që ia gjen modelin nëpër ndonjë vend të Amerikës Latine ku të pasurit shtojnë numrin e policëve, paguajnë edhe polici private, për tu mbrojtur nga të varfërit.



Me një entuziazëm të madh u përcoll në median shqiptare dhe në arenën politike firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian? A është legjitim ky entuziazëm në një kohë kur kjo marrëveshje është vetëm një firmë formale dhe nuk sjell liberalizim vizash për shqiptarët, por vetëm detyrime ekonomike dhe politike?

Është më mirë që ndodhi nënshkrimi sesa të ishte vonuar edhe më; është, pra, për të bërë një urim, por kurrsesi për të festuar. Frika që kam është se, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër në këtë rubrikë, ne nuk thellohemi në detyrat që na imponon fitimi i një të drejte. E kjo firmosje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në fakt më shumë sesa me të drejtat ka të bëjë me detyrat që duhen përmbushur për të fituar të drejtat. Hyrja në Evropë duhet ta kemi që qartë se nuk do të thotë e drejtë qarkullimi të lirë, pa viza, nëpër Evropë. Hyrja në Evropë për ne shqiptarët duhet parë si detyrë që ta bëjmë territorin tonë të denjë për tu hapur e për tu bërë një me territorin evropian. E kjo nënkupton arritjen e shumëçkaje që ne nuk e kemi ende. Kjo nënkupton indirekt edhe atë që thashë më sipër lidhur me ndryshimin e gjendjes së shkollave. Dhe jo vetëm të shkollave, por të shumëçkaje. Psh. a e dini ju se Italia i paguan një taksë të konsiderueshme Brukselit sepse nivelin e ndotjes së ajrit nëpër disa qytete e ka më të lartë sesa norma evropiane e lejuar? Po ne ku do t’i gjejmë paratë për të paguar taksa të tilla për ndotjen katastrofike që kemi? Po ashtu hyrja në Evropë presupozon elimininim e taksave doganore. Pra ai që sot quhet sukses i qeverisë: mbledhja e taksave doganore nuk do të mund të ekzistojë si burim të ardhurash. Por me çfarë do të zëvendësohet? Me çfarë do të paguhet administrata, arsimi, spitalet, policia. Me çfarë do të ndërtohen rrugët? Me taksat që paguajnë qytetarët çka nënkupton prodhim e eksportim mbi të gjitha. Por, kur këto mungojnë, si do të sigurohen të ardhurat - sepse besoj se, dora dorës që do t’i afrohemi Evropës, aq më pak do të ketë kanale droge e prostitucioni? Ndërkaq ne vazhdojmë të ndërtojmë pa fund banesa pa menduar se ato dhe ambjentet e rrugët përreth duhen mirëmbajtur e për këtë duhen para publike. Prandaj hyrjen në Evropë duhet ta shohim si detyrë për normalizimin e shoqërisë e të ekonomisë në të tëra nivelet. Kjo nënkupton edhe që vendi të mos punojë më për 5000 veta po që 5000 veta të punojnë për tërë vendin. Por kjo do të thotë pikërisht që ata 5000 vetat të humbasin shumëçka nga privilegjet dhe përfitimet që kanë – e kjo kuptohet se atyre nuk u leverdis. E kështu ne vazhdojmë të sillemi në rrethin vicioz ku ditën i afrohemi Evropës e natën punojmë për largimin ngaajo.

Partia Socialiste miratoi një paketë ndryshimesh statutore të mbështetura nga kryetari i ri Edi Rama. Nga shumë analistë kjo u pa si fitorja e parë e Ramës për të reformuar partinë. A është kjo reformë më afër parimeve të së majtës dhe ashtu siç pretendohet nga Rama, e bën këtë parti më shumë progresiste, apo është një hap pas në konservatorizëm?

Kongresin socialist nuk e ndoqa sepse isha jashtë. I pari i njohur që pyeta se çfarë kishte ndodhur më tha se nuk ishte shumë i qartë se ç’ishte bërë, por se kishte dëgjuar se kishte ndryshuar emri i KPD dhe se do të kishte shumë gra në KPDnë e re që tani quhej Asamble. Më pas nuk pashë ndonjë jehonë, as analiza as komente me rëndësi. Më shumë jehonë më duket se ka sharja nga nëna që i ka bërë Gjinushi kryetares së Parlamentit. Nëse në statutin e partisë parashikohet që në KPD-në e re të shtohet numri i grave pa dyshim se kjo është fitore e Ramës. Nuk di të them se sa është fitore e progresit, jo se s’kam respekt për gratë, por sepse nuk di se sa ka ndryshuar Rama në raport me respektin që ka për gratë. Sepse më kujtohet se kur u bë Ministër i Kulturës dhe krijoi një bord këshilltarësh zgjodhi shtatë burra dhe ndaj vërejtjes që i bëra unë (që qeshë një prej të shtatëve) se duhet të kishte të paktën një grua u përgjegj: “ku ka gra këtu.” Prandaj kam frikë se ai i sheh gratë si mungesë burrash me të cilët nuk punon dot dhe jo si prezencë vlerash. Por, nga ana tjetër, duke shtuar gratë ai vret dy zogj me një gur sepse më një anë e pulëzon edhe më partinë, kurse më anë tjetër u tregon të huajve, me të cilët ka manipuluar më mirë se kushdo tjetër, të thonë: sa progresist ky djalë; ky dhe gratë rreth tij janë shpresa e Shqipërisë.
Pra, po t’i shtosh pulëzimit të partisë edhe faktin se në statut nuk janë lejuar fraksionet e se sekretarët i zgjedh Kryetari duket se kemi të bëjmë me një sukses përsa i përket kontrollit nga ana e Ramës të partisë e jo me ndonjë progres të partisë. Është i njëjti sukses që ka arritur edhe në institucionet e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë. Mirëpo problemi i Ramës është se ndërsa në skenë, me ata që ka poshtë, bën kontrollorin, gjelin e të fortin në prapaskenë, me oligarkët e pronarët e mediave e tërë ata që ia tërheqin fijet e i dinë pazaret, bën të kontrolluarin, pulën e të dobëtin. Kuptohet me ëndrrën që një ditë do t’i bëjë pula edhe ata, por ky është problemi tjetër që ka Rama: ai nuk e kupton dot se dëshira për omnipotencë është e papajtueshme me demokracinë dhe se, sadoqë kjo demokracia jonë është e dobët (e ky populli ynë tejet i manipulueshëm) prap se prap krijon aq hapësira sa të mos i lejojë të bëhen realitet ëndrrat e sëmura për gjithpushtetshmëri të cilitdo.
Kam përshtyjen se socialistët, si gratë edhe burrat, i kanë të qarta këto që thashë, dhe e kanë të qartë edhe se çfarë ka ndodhur në Kongres, por nuk më duket se meritojnë tjetër gjë. Kurse sa për reforma të majta në kuptimin e ndërtimit të një identiteti të majtë të partisë, që t’i përgjigjet nevojave për përfaqësim të shtresave më të brishta e që të ketë më shumë ndjeshmëri ndaj barazisë sesa ndaj tregut këtë harrojeni. Kjo nuk duket as në horizont. Prandaj kam frikë se pas disa vjetësh ne do të asistojmë në një kongres tjetër ku do të kemi përsëri një ndryshim vetëm emri. Nga Asamble psh. mund t’i vihet emri Tenxhere ku kapaku në vend të Ramës do të jetë ndonjë sivëllai i tij. (Rubrika Përpjekja, 17 qershor 2006)

1 comment:

Anonymous said...

"Kur ju hapni një shkollë, ju mbyllni një burg" tha dikur Viktor Hygoi.
Po nuk ma merr mendja se e kishte fjalën për shkolla policie siç do të mendonin disa.

Shkrim shumë i kthjellët, mbi Shqipërinë e botën.