Në një fshat të Përmetit, po ndodh një ngjarje e çuditshme, një prift ortodoks akuzohet se po mbledh eshtra të banorëve për t’i koleksionuar si dëshmi të të rënëve grek. Ndërkohë media po shfaqet shumë sensibël ndaj kësaj historie. Një ngjarje e vogël duket se prek telat e tendosur Shqipëri-Greqi. E kam fjalën për gjithë segmentin jashtë raporteve shtetërore, ose zyrtare që duken politikisht korrekte. Si do ta vlerësonit ju këtë ngjarje dhe këtë situatë në përgjithësi...
Më duket një histori të marrësh pa mundur ende ta gjej saktë burimin e marrëzisë, por duke qenë shumë më i qartë për vendderdhjen përfundimtare të këtij burimi të shndrruar tashmë në lumë marrëzie: mediat tona. Marrëzinë e fshatit e shoh në grindjen midis priftit dhe njërit prej varrëmihësve e familjes së tij që thonë se prifti i fshatit, i cili paska qenë punëtor kooperative gjatë komunizmit, qënka kthyer në një prift mashtrues që kërkon të bëjë para duke shitur eshtra shqiptarësh për eshtra ushtarësh grekë. Nuk është ndonjë çudi, sikurse nuk përbën ndonjë çudi edhe që prifti të jetë rënduar mendërisht aq sa kërkon të vihet në qendër të vëmendjes duke zbuluar ushtarë grekë. Ky vendi ynë është i mbushur me mashtrues të marrë dhe të marrë mashtrues, madje shumë syresh kanë pasur punë ku e ku më të larta gjatë komunizmit e sot, po ashtu, janë ku e ku më lart në jerarkinë e elitave shpirtërore dhe intelektuale të vendit sesa prifti i Kosinës. Po sherri duket se nuk mund të kuptohet pa njohur edhe familjen e varrmihësit të punësuar me lekë nga prifti e ndonjë pazar të prishur mes tyre – që, siç ndodh edhe në politikën tonë të lartë, vishet me retorika të larta patriotike – e që me ndihmën e gazetarëve të shumtë të mediave tona e ka shndrruar në lumë marrëzie kombëtare sherrin e vogël të fshatit Kosinë. Kështu që ne ende nuk po marrim vesh se për çfarë varresh po bëhet fjalë: për varre të vjetra shekullorë rreth kishës së vjetër të shekulit XIV apo për varre të rinj. Nëna e varrëmihësit që akuzon priftin thoshte (në Shekulli) se është hapur edhe varri i tezes së burrit. Por, në këtë rast, i bije të jenë varre të rinj dhe pyetja e parë që të vjen ndërmend është se si ka mundësi që i kanë lënë varret e rinj në atë gjendje, pa shenja mbi to. Por pastaj sikur “kthjellohesh” duke e rilexuar intervistën e saj. Ndaj pyetjes: “po djali juaj pse mori pjesë në këto zhvarrime?” e ëma e djalit përgjigjet: “atij i thanë se eshtrat do të pastroheshin dhe pastaj do të viheshin në vend.” Kjo është kryevepër. As artistit më me fantazi në botë nuk do t’i shkonte në mend ideja që e lidh hapjen e varreve me një lloj përkujdesje që bëjnë të gjallët ndaj të vdekurve. Filmi i fundit i Almadovarit fillon me pastrim varresh, por vetëm së sipërmi. Kurse ne del se këtë përkujdesje e çojmë shumë më thellë, deri në bodrumin e eshtrave. Ne i hapin varret, i nxjerrim eshtrat për tu hequr pluhurin dhe pisllëqet që kanë zënë nën dhe, e, pasi i përkëdhelin pak, i fusin përsëri në vend. Krejt e kundërta e asaj për të cilën na akuzojnë se ne shesim deri edhe eshtrat e të vdekurve. Do të thoni ju po gazetari pse nuk e ka thelluar zbulimin e këtij riti kaq interesant të fshatit Kosinë, që zor se e ka ndonjë vend i botës e që do të mblidhte në Kosinë antropologë nga i gjithë rruzulli për lavdinë tonë kombëtare? Mesa duket atij nuk i ka hyrë në skemë sepse, ndërkaq, historia duke rrjedhur nga Kosina për në Adriatik është bërë lumë, dmth. marrëzi kombëtare. Janë ngjallur tërë fantazmat nacional komuniste të së kaluarës që kanë çuar deri tek ideja sikur grekët po kërkojnë të përdorin këto eshtra si gurë kufiri, pra për ta sjellë kufirin deri në Përmet. Madje gazetarët tanë të rinj në moshë i harruan shpejt edhe rrënjët tona të krishtera dhe prifti i Kosinës fët e fët po paraqitet sipas modelit të priftit të Kadaresë te Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur: si agjent i armikut të jashtëm, por edhe si model i tërë atyre priftave që mashtronin popullin e i thithnin atij gjakun.
Duke parë se sa të zjarrtë tregoheshin shumë nga të përfshirët në debat në mbrojtje të atdheut nuk mund të mos të të vinte të thoje: shyqyr që është greku me të cilin kemi një marrëdhënie kaq të fortë dashuri urrejtje, se hera herës e përdorim për të ekzorsuar frustrimet që kemi për shkak të varfërisë e mjerimit nga hallet e vërteta që i krijojmë njëri tjetrit, por edhe për të larë dhëmbët e ndërgjegjes atdhetare pasi i kemi ndotur tërë ditën me shqyerjen që i bëjmë trupit të atdheut.
Nuk më mbetet vetëm të them se nëse duam të shpëtojmë nga kësi aktesh marrosjeje në shkallë kombëtare duhet të pakësojmë numrin e mediave dhe të rrisim cilësinë e atyre të mbetura.
Nga qeveria janë marrë disa vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në bregdet. Mirëpo, duke qenë se pothuajse i gjithë betoni që është hedhur në vijën tonë bregdetare qysh pas vitit ’90 e këtej është i paligjshëm dhe tërësisht në kundravajtje me parametrat estetikë, a mendoni se do të ketë një ditë një qeveri, një mazhorancë, apo një konsensus, për ta zhbërë të gjithë këtë dëm që i është bërë ndoshta pasurisë më të madhe të vendit. Apo cilatdo masa që do të merren, sërish do ta lënë të paprekur masën e madhe të betonit rrëzë detit.
Vetëm deti ose tërmeti mund ta bëjë atë që kërkoni ju. E në këtë rast do të mund ta quanim “qeverisja e natyrës”. Dhe ka një llogjikë kjo. Francis Bakoni thotë se “natyrën nuk mund ta mundim veçse duke iu nënshtruar”. Ajo që kemi bërë ne është një sprovë për ta mundur natyrën duke e dhunuar. Ajo pa dyshim një ditë do hakmerret.
Ajo që më shqetëson në këto lajme mbi prishje ndërtimesh pa leje është fakti se krijohet iluzioni sikur qeveria po bën punë të mirë duke krijuar hapësira të gjelbëra. Ndërkaq në lajmet tona flitet vetëm për prishjet, por nuk flitet për ndërtimet. Kjo mua më kishte krijuar përshtypjen se Plazhi i Durrësit duhet të ishte pastruar disi gjatë viteve të fundit. Kurse në fakt, sikurse e kam thënë edhe një javë më parë në këtë rubrikë, ai ishte bërë edhe më katrahurë gjatë viteve të fundit. Prandaj lajm i mirë për mua do të ishte nëse do të dëgjoja se është marë një vendim që në zona të tilla të mbibetonuara është ndërprerë çdo lloj leje ndërtimi e po fillon studimi në tërësi se si dhe çfarë do të shembet për ta kthyer atë në një vendbanim normal. Mendoni se sa qesharake është puna që kemi bërë: ndërkohë që ndërtesat shumëkatëshe janë bërë pyll në Durrës e në plazh e duket sikur jetojmë në kohët moderne banorët e tyre kanë vetëm një orë ujë në ditë e për të mbijetuar përdorin puse. Kjo tregon në mënyrën më elokuente se kjo shoqëri nuk është e aftë të planifikojë jetën e vet, të bëjë punë publike të krijojë infrasturktura, të organizojë vetveten. Normalisht kudo në botë më së pari bëhen planet urbanistike të bazuara në perspektiva zhvillimi, pastaj punimet e infrastrukturës dhe pastaj shpërndahen lejet e ndërtimit e fillojnë e ngrihen ndërtesat. Kurse ne punojmë në sens të kundërt dhe pa asnjë lloj perspektive zhvillimi afatgjatë. Po ashtu kudo në botën e qytetëruar bregdetet konsiderohen si prona të të gjithëve, prandaj filozofia është të ndërtohet sa më pak e mundësisht larg në mënyrë që kjo pronë të mbetet e të gjithëve dhe të gëzohet nga të gjithë. Përsëri ne punojmë në sens të kundërt. Sejcili ka synuar të ketë copën e vet private të bregdetit dhe të detit. E gjitha kjo ka krijuar një kaos të shëmtuar që mund të rregullohet vetëm me një ndërhyrje tepër radikale që ne nuk di se sa jemi në gjendje ta bëjmë sepse, nga sa duket, thuajse gjithshka që është ndërtuar në bregdet në një mënyrë apo në një tjetër është e paligjëshme dhe dihet se bashkëfajësia ka qenë gjithnjë mbrojtja më e mirë për fajtorët.
Para disa ditësh në Los Angelos u bë një protestë në mbrojtje të një parku të cilin pronari donte ta shkatërronte për të ndërtuar diçka. Shkuan edhe artisët të Holivudit e këngëtarë të njohur në mbrojtje të tij. Ylli i njohur i rrokut Joan Baez, që tani duhet të jetë mbi 60 vjeç, hypi në një nga pemët e larta të parkut dhe qëndroi me orë atje në shenjë proteste. Sllogani i tyre ishte “të prishësh natyrën për të ndërtuar është njëlloj sikur të shtrosh parajsën me asfalt për të bërë një parkim makinash.” Ne kemi bërë pikërisht këtë. Po e shndrrojmë përditë parajsën tonë natyrore, që e kemi me bollëk, në parkim të ndotur makinash.
Do të uroja shumë që qeveria të ishte nisur nga kjo ndjeshmëri dhe jo për të prishur disa interesa e ngritur disa të tjerë të së njëjtës natyrë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes se stabilizim-asociimit me BE-ne, Shqipëria i afrohet në një fazë të re të raporteve me Brukselin. Afrimi me komunitetit evropian shihet më së shumti nga një këndvështrim romantik, si një gjë që na takon për shkak të vonesës së padrejtë dhe izolimit të gjatë komunist. Ndërkohë që afrimi me BE kërkon nga një shoqëri që aspiron këtë, nje sjellje evropiane, dhe një formalizim të fortë të shumë hapësirave. A mendoni se komuniteti ynë është i përgatitur për këtë sfidë, kur dihet se një përqindje e mirë është mësuar të jetojë në atmosferë informale, duke bishtnuar vazhdimisht nga rregullat, normat dhe ligjet.
Sipas meje vështirësia më e madhe që kemi ne për tu bërë pjesë e bashkësisë evropiane është e njëjta vështirësi që kemi për të ndërtuar një bashkësi midis nesh: e kjo ka të bëjë kryesisht me faktin se ne, si fëmijët, kërkojmë të drejta pa qenë në gjendje të kuptojmë se çdo e drejtë që fitojmë apo që na shtohet është e lidhur pandashmërisht me një detyrë. Të marrësh pa dhënë, të hash pa punuar, të konsumosh pa prodhuar - i thonë kësaj. Një bashkëjetesë nuk mund të ndërtohet veçse atëhere kur çdo e drejtë të lidh, më anë tjetër, me një detyrë. Kjo është e vërtetë si në nivlelin e bashjetesës midis nesh ashtu edhe të bashjetesës në komunitetin Evropian. Në thelbin e vet disatanca që kemi me Evropën ka të bëjë pikërisht me mungesën e kulturës së detyrave e përgjegjësive që na imponojnë të drejtat. Dhe, sipas meje, kjo duhet të kthehet në kulturën tonë dhe vetëm atëhere do të shohim se do të jemi shumë afër Evropës. Çdo lloj afrimi tjetër ndaj Evropës është iluziv. Evropianët, të cilët në këtë rast po i idealizoj për të thjeshtëzuar idenë, sepse edhe ata nuk janë pa probleme në këtë drejtim, do të na pranojnë në bashkësinë e tye kur të shohin se e kemi në shkallën e duhur kulturën e lidhjes së të drejtave me detyrat. Le ta ilustroj me një shembull konkret. Në Evropë një qytetar shkon në një spital publik dhe gjen atje tërë shërbimet për të cilat ka nevojë dhe as nuk i shkon ndërmend se për ato shërbime duhet të paguajë nën dorë mjekun, infermieren, sanitaren e më the të thashë siç ndodh tek ne. Pse ndodh kjo? Sepse të drejtën e tij për të pasur këtë shërbim ai e ka të garantuar nga fakti se i ka zbatuar detyrat që ka ndaj shoqërisë ndër të cilat edhe pagesa e atyre detyrimeve që i sigurojnë shërbimin në spital. E njëjta gjë funksionon për mjekun, infermieret, sanitaret. Atyre as u shkon ndërmend se duhet të marrin para në dorë sepse detyrën që kryejnë e kanë të lidhur me të drejtat e tjera që ata vetë gëzojnë. Kjo është bërë atje kulturë, mënyrë jetese që të kujton thënien e Ciceronit “Shpërblimi i detyrës është detyra vetë” çka do të thotë me fjalë të tjera se detyra dhe pasioni për atë që bën thuajse bëhen e njëjta gjë. Siç e thashë kjo është ideale edhe në Evropë, por për të parë se sa i përgatitur është komuniteti ynë mjafton të shkosh në një spital apo një shkollë e të masësh se sa afër apo larg këtij ideali jemi. (Rubrika Përpjekja, Standart, 3 qershor 2006)
No comments:
Post a Comment