Tuesday, August 29, 2006

Aleati më i madh për mbrojtësit e së vërtetës është koha ashtu sikurse armiku më i madh për mashtruesit e të pandershmit është po koha

Ka pasur disa sulme në shtyp ndaj jush ndër të cilët edhe ata me argumentet se, duke pranuar të bëheni antar i KDRTSH dhe pastaj kryetar i saj, keni legjitimuar Berishën dhe procedurën e parregullt etj.. Si do t’i komentonit?

Nuk i kam ndjekur të gjitha reagimet dhe “sulmet” siç i quajtët ju edhe për ekonomi kohe, por ato më kryesoret i kam lexuar dhe një pjese u jam përgjegjur. Kam përshtypjen megjithatë se një pjesë e sulmeve për të cilat flisni ju janë të orkestruara dhe shprehin interesa të caktuara klanesh politiko mediatike. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo. Parimi im ka qenë gjithmonë: aleati më i madh për mbrojtësit e së vërtetës është koha ashtu sikurse armiku më i madhe për mashtruesit e të pandershmit është po koha. Këtë ma ka edukuar burgu i gjatë i cili më ka mësuar edhe të duroj gjatë për të parë triumfin e së vërtetës. Edhe në periudhën që jetojmë them se koha më ka dhënë të drejtë jo vetëm një herë për shumçka kam thënë e bërë kundër akuzave të të padrejtëve. Edhe kur kam gabuar ajo nuk ka nxjerrë ndonjë provë se gabimi ka qenë për hesape të mbrapshta, por sepse ashtu kam besuar. Shumë nga ata që nxitojnë të mos presin gjykimin e saj sot kam frikë se nxitojnë për qëllime të mbrapshta.
Por ajo që dua të theksoj në këtë përgjigje ka të bëjë me atë që më duket gjëja më tronditëse në frymën e një sërë reagimesh nga ato që përmendi ju dhe kjo është gjendja e ndërgjegjes shoqërore që ato shprehin pas 15 vjetësh postkomunizëm, gjendja e besimit që ka mbetur sot tek njeriu shqiptar veçanërisht tek njeriu publik shqiptar. Thuajse të gjithë kërkojnë të gjejnë “motivin e mbrapshtë”, “mendimin e lig”, “çelësin korruptiv”, shkurt interesin personal kundër interesit publik që e shtyn dikë të marrë një punë publike. Shpenzohet energji dhe një arsenal i pafundëm bozantinizmash për të të delegjtimuar me çdo mjet. Mund të shkojnë të kërkojën deri në themelet e shtëpisë ndonjë gur për të ta hedhur mbi kokë. Vetëm besimi dhe mbështetja e sinqertë janë ato që mungojnë. Ndonëse gjatë këtyre 15 vjetëve e kam dhënë ndonjë provë se nuk e kam bërë profesionin e gazetarit as për para as për korrupsion e as për t’u shërbyer të tretëve që nuk janë publiku dhe e vërteta, e po ashtu se nuk ia kam lejuar kërkujt të më cenzurojë mendimin, kjo nuk vlen asnjë grosh. Mirë mirë deri më sot, por tani mbarove – të thonë ata më të mirët, dmth të paorkestruarit.
Duke u larguar nga vetvetja do të thoja se kjo është çorba që kemi gatuar dhe ku notojmë. Ata që shkruajnë kështu tek e fundit nuk bëjnë tjetër veçse reflektojnë një situatë të krijuar nga të gjithë ne me në krye politikën. Dhe prandaj, sipas meje, sfida më e madhe për mua nuk është bërja e ndonjë mrekullie në ekranin e TVSH, por bërja e diçkaje dhe në atë mënyrë që të kthejë një farë besimi tek njerëzit publikë.
Po ashtu, duke parë këtë atmosferë të thellë mosbesimi e agresion delegjitimimi, dua të them se problemi nuk është tek unë që, tek e fundit, kam një përvojë, e kam duruar edhe herë të tjera kulturën e ndeshjes së personave dhe jo të ideve, akuzat e pambështetura në principet, por në përkatësitë klanore apo delegjitimimin me mjetet e shpifjes. Problemi është tek ata të rinj që do të synonin sot të hynin në politikë me njërën parti apo me tjetrën apo të krijonin ndonjë të re. A e merrni me mend se çfarë mesazhi u vjen atyre kur shohin energjinë e pafundme që derdhet për delegjitimimin e çdokujt që nuk është me ne: larg sa më larg kësaj foleje grerëzash, por po hyre pajisu mirë me të gjithë helmin e mundshëm dhe mos mendo se mund të kesh ndonjë pavarësi nga grupi ku ke hyrë.
Kemi të bëjmë me një situatë krejtësisht paranojake dhe të deformuar të raporteve të njeriut me njeriun. Këtë e dinë edhe vetë ata politikanë që pasi çirren në parlament e nëpër media duke mos i lënë gjë pa thënë “kundërshtarit” sillen krejt ndryshe, shpesh shumë buzëgazisht, por në fakt hipokrizisht, kur takohen pastaj në kafe. Shoqëria dhe politika do të normalizohen kur të mos ketë dy gjuhë kësisoj, por kur të përdoret e njëjta gjuhë si në publik ashtu edhe në takime private, pra kur të mbarojë kjo lloj hipokrizie e dyftyrësie. Dhe, sipas meje, një nga kushtet për këtë është përfaqësimi i vërtetë i interesave të njerëzve.
Lidhur me legjitimimin që i paskam bërë unë Berishës: së pari ata që mendojnë se janë më legjitimë se Berisha duhet të shohin votën e jo ëndrra me sy hapur. Së dyti, e shpjegoj edhe një herë se besimi më i madh apo më i vogël që ke në një forcë politike në një moment të caktuar dhe mbështetja që i jep asaj në një moment të caktuar duke pranuar një detyrë që ajo e voton duhet ndarë nga militantizmi për atë forcë. Nuk mohoet se pranova të jem antar i KDRTSH ngase kam një besim se mazhoranca ka një synim të sinqertë në luftën kundër korrupsionit e vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri sepse po të mendoja të kundërtën nuk do të pranoja. Këtë e kam shprehur prej kohësh, sëbashku me idenë se kjo është një thirrje e kohës që gjithsesi kërkon të materializohet e po ashtu sëbashku me idenë që edhe sikur të jetë mjet pushteti dhe jo qëllim, procesi dhe njerëzit me vullnet të mirë mund ta kthejnë në qëllim. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se kjo anësi duhet të të shtyjë të shkelësh ligjin, principet, moralin profesional, dhe as të të ndryshojë bindjet. Kjo është e palejueshme edhe për një militant të cilësdo parti e jo më për një intelektual që me ligj në atë detyrë nuk përfaqëson asnjë parti, por interesat e të gjithë publikut. Po vazhduam të mendojmë se çdo njeri që i përket njërës forcë politike është e do të jetë domosdoshmërisht i keq e i padrejtë me forcën tjetër, siç kam frikë se mendojnë shumë njerëz, atëhere kjo nuk na çon kërkund përveçse në sitauta antiligjore e antidemokratike.

Qëndrimi i ambasadorit të BE është interpretuar nga të dy palët në favor të tyre. Ju si e përktheni atë?

Perëndimorët në përgjithësi, për mirë dhe për keq, kanë përdorur gjuhën e orakullit të Delfit kur ka qenë puna për të ndërhyrë në konflitet midis palëve në Shqipëri. Gjuha e orakullit të Delfit është gjuha e ambiguitetit, e thënies së gjërave që mund të interpretohen edhe kështu edhe ashtu. Besoj se kjo ka ndodhur edhe për arësye diplomacie, por edhe, e mbi të gjitha, për arësye se në një konflikt kurdoherë është e vështirë të gjesh vetëm njërën palë përgjegjëse. Megjithatë kësaj here, sipas mendimit tim, theksi i kritikës binte mbi opozitën në një mënyrë më evidente. Mund të thuash, pra, se pala e mazhorancës kësaj here ka të drejtë të ndjehet më e qetë, por jo e paprekur. Them se edhe ofrimi i “karotës” po në atë ditë ishte mjaft kuptimplotë. Sikur BE ta kishte më së pari me mazhorancën assesi nuk do ta shoqëronte atë deklaratë me dhënien e këstit të dytë të kredisë. Prandaj mu duk krejt i paarsyeshëm qëndrimi politik që e shprehu për median Arta Dade se deklarata e ambasadorit të BE ishte “paralejmërim për Berishën”. Ky ishte një qëndrim që tregon se sa shumë ka nevojë opozita të ndërrojë kulturë politike, por edhe njerëz. Në atë deklaratë minimalisht mungonte njohja e pjesës që i takon opozitës në krizën e krijuar. Mund të bësh njëmijë arsyetime. Mund të thuash se ndërkombëtarët janë gjithmonë me qeveritë më shumë sesa me opozitën - dhe PD-ja e ka provuar këtë ashtu sikurse edhe socialistët – mund të thuash se ishte kritike për të dy palët dhe ne, nga ana jonë, jemi duke reflektuar e ftojmë edhe mazhorancën të reflektojë, por të thuash vetëm se ai ishte një paralajmërim për Berishën kjo të nxjerr jashtë loje tek at që kanë një minimum racionaliteti. Kjo tregon gjithashtu se hallin më të madh e ke të mos japësh shenja epjeje, sepse kjo të konsiderohet si dobësi përpara armikut, sepse jemi në gjendje lufte. Dhe në fakt po t’i hysh thellë politikës sonë e politikanëve tanë do të konstatojmë se kemi të bëjmë me një politikë që jeton në luftë dhe në sajë të luftës. Mirëpo, ndërkaq, kriza e sotme dhe reagimi i publikut të gjerë ndaj saj, sipas meje tregon se ka marrë fund kjo kohë, e prandaj duhen ndërruar shumëçka edhe në njerëzit që bëjnë politikë për t’iu përgjigur kohëve të reja që vijnë ndonëse plot me kontradikta dhe elementë të së vjetrës. Duhen nxjerrë nga politika ndoshta shumë “gjeneralë” e “kolonelë” e duhen futur civilë.
Po ashtu, ajo çka duket në mënyrë transparente në thellësi të kësaj krize që ka gjeneruar politika, e në rradhë të parë opozita, është mungesa e vërtetë e lidhjes me njerëzit, me elektoratin e gjerë, thuaj po deshe me popullin. Po ta vini re LSI gjatë gjithë periudhës pas zgjedhjeve problemin primar për të mos thënë të vetëm ka pasur komisionin zgjedhor se kush do t’i numërojë votën dhe jo punën tek zgjedhësit bërjen e një opozite konstruktive për shumçka që sipas meje do t’i rriste besimin dhe elektoratit. Problemi më i madhe që ka pasur PS ka qenë se si të pajtohet me LSI që të rrisë numrin e votave. Problemi se kush do t’u numërojë votën sot është shumë më i madhe se problemi për të fituar vota. Problemi se cili do tua paraqisë në TV fytyrën është shumë më i madhe se sa problemi se si ta pastrojnë e t’i japin dinjitet fytyrës. Duket pra sikur rezultatin e zgjedhjeve do ta caktojë komisioni zgjedhor dhe televizionet dhe jo votuesi shqiptar; duket sikur e tërë loja zhvillohet në atë numër të kufizuar njerëzish që fare mirë mund ta quajmë kastë dhe sikur jashtë saj nuk ka as lidhje dhe as lojë politike. E në tërësi ky mosbesim e moslidhe është mosbesim e moslidhje e vërtetë me popullin.

Bota duket se u trondit nga zbulimi i një atentati të ri terrorist që do të godiste shoqëritë e fluturmit anglo amerikane. Tonet e luftës sikur janë rritur. Bushi deklaroi se jemi në luftë me ”fashistë muslimanë”. Cili është komenti juaj?

Ishte një lajm shqetësues, shumë shqetësues për fatet e të gjithëve do të thoja. Për fatet e planetit. Niveli i urrejtjes dhe i dhunës nuk ka njohur prej kohësh një temperaturë të tillë në planet. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Do të thoja se gjendja e Luftës së Ftohtë si pasojë e ndarjes së botës në dy kampe, jepte shumë më tepër siguri sesa kjo gjendje e sotme kaotike ku ka shumë aktorë një pjesë e të cilëve të pakontrollueshëm.
Edhe pas kësaj që ndodhi në Angli unë mbetem i principit se dhuna gjeneron dhunë prandaj duhet bërë gjithshka për të frenuar spiralen e saj. Jonesko ka një skenar filmi të shkurtë mbi inatin njerëzor që fillon me disa njerëz që dalin nga kisha e që në fillim janë shumë të sjellshëm me njëri tjetrin, flasin për motin e bukur, pastaj fillojnë e grinden për një shkak banal dhe sespe qeni i njërit kafshon e pastaj inati dhe urrejtja e lindur si ët thuash nga kjo shëkëndi fillon e rritet e rritet; kalohet në skena demostratash të dhunshme gjersa në fund të filmit del një spiker që paralajmron shpërthimin e planetit. Është një metaforë e spirales së dhunës. Edhe Spilbergu në filmin e tij të fundit që tregon për eliminimin nga izraelitët të organizatorëve të atentatit të 9 Shtatorit në Olimpiadën e Munichut po këtë mesazh përcjell. Pra jam kundër idesë së atyre që mendojnë se ekuilibrin dhe qetësinë e vendos ushtrimi i dhunës dhe i pushtetit të më të fortit mbi më të dobëtit. Veçanërisht në kohën tonë kjo është e pamundur, jo vetëm pse është jo demokratike, por edhe sepse sot mjetet e reagimit të më të dobëtit janë shumë më të ndryshme sesa kohët kur gjithshka vendosej pas betejash ku rreshtoheshin përballë njëra tjetrës dy ushtri e nënshkruheshin akte kapitullimi e traktate paqeje. Prandaj nuk kam pasur dhe nuk kam shumë besim tek lufta parandaluese e Bushit dhe nuk më entuziazmon shumë fakti që policia britanike, fatmirësisht, kësaj here ka arritur të kapë terroristët. Mjafton të mendosh koston që ka jeta nën frikën e terrorit për të kuptuar se nuk është kjo rrëgëzgjidhja. Rezulton se shumica e të arrestuarve janë nënshtetas britanikë me fe muslimane të lindur në Britani identikiti i të cilëve nuk dallon nga ajo e të rinjve të tjerë britanikë. A mund të jetohet me paranojën se prapa çdo fytyre të ulur në vagon metroje apo në një aeroplan apo në një tren qëndron një terrorist? Ajo ku duhet ngulmuar sipas mendimit tim është eliminimi i shkaqeve më të thella prej kah gjeneron urrejtja e një pjese të madhe të botës muslimane ndaj SHBA dhe Anglisë veçanërisht. E pa dyshim zgjidhja në mënyrë përfundimtare e konfliktit izraelo palestinez, që është një nga vatrat kryesore prej nga ka gjeneruar urrejtja, jo nën diktatin e më të fortit, por në mënyrë të tillë që të gjitha palët të mbeten të kënaqura është shumë e rëndësishme. (Rubrika Përpjekja, Standart, 12 gusht 2006)

No comments: