Wednesday, August 2, 2006

Shqiptarizimi i perëndimorëve ose globalizim alla shqiptarçe

Para disa kohësh ka qarkulluar në internet një anekdotë përmbajtja e së cilës është pak a shumë e tillë: kur më në fund vjen viti që Shqipëria dhe disa vende simotra të saj hyjnë në Komunitetin Evropian, fillon një proces invers: vendet iniciatore të krijimit të Komunitetit Evropian si Franca, Gjermania, Italia fillojnë njëri pas tjetrit të kërkojnë largimin nga Komuniteti për shkak të bëmave që fillojnë të ndodhin në Bruksel e Strasburg e kudo në komunitet.
Nuk mund të mos më kujtohej kjo anekdotë ditën e djelë pas disa përvojimeve që provova në Aeroportin e Rinasit, ndryshe, siç i thonë, Nënë Tereza.
E pra u nisa për të përcjellë për në Itali shoqen time së bashku me vajzën tonë të vogël në një fluturim me biletë të paguar për në Firence. Udhëtimi duhet të kryhej në orën 11 të paradites. Arritëm atje sipas rregullave në orën 10 me një taksi.
E para gjë që na ra në sy në ca rregullime që po ndodhnin në aeroport ishte se ndryshe nga çdo aeroport evropian qëkam parë taksia që na çoi nuk mund të ndalte në peronin përbri portës së sallës së Check-in, por nja dyzet metra prej andej sepse rrugën e makinës që të çonte atje e pengonte një bar restorant i madh i ri fringo. Si mund të lihen njerëzit 40 metra në shi e në diell nga vend ndalimi më i afërt i makinës për në strehën e hyrjes së check-init pa qenë shqiptarë? – thashë me vete. Thashë kështu sepse nuk mund, pa dyshim, të mos të më vinte ndërkaq ndërmend fakti se tani e kanë gjermanët menazhimin e atij vendi, se, po të qe se do ta kishin shqiptarët, as që do të më kishte shkuar ndërmend ta ngrija çështjen.
Kur i shpreha pakënaqësinë dikujt aty duke i thënë se po të kishin të bënin me qytetarët e vet atyre gjermanëve të aeroportit tonë as do t’u shkonte në mendje kjo punë e mbrapshtë ai mu përgjegj: mos u mërzisni se po bëhet i riu, atje gjithshka do të jetë në rregull. Ndërkaq nxitoj, të dashur lexues, t’ju ve në dijeni se vendparkimi dhe hyrja komode e udhëheqjes ishte në rregull si në kohën e Xhaxhi Enverit.
Me “ngushëllimin” e aeroportit të ri dhe sigurisht me ngushëllimin që shokët e udhëheqjes e kanë dinjitetin të pacënuar – sepse, tek e fundit, dinjiteti i tyre është dinjiteti i Shqipërisë – u nisëm nëpër diell për në check-in. Por atje na priste një befasi shumë herë më befasuese që na bëri t’i harrojmë në çast 40 metrat me diellin mbi kokë duke tërhequr zhag valixhet e rënda. Përfaqësuesi i Club-Airit, kompanisë me të cilën supozohej se do të fluturonim, na tha: Na vjen keq, nuk mund të fluturoni për në Firence, kishte pak pasagjerë kështu që fluturimi i sotëm është për Verona. Prandaj ju kemi rezervuar një mundësi tjetër: të fluturoni në orën dy e gjysëm me Kompaninë Albatros, por jo për Firence, por për në Piza dhe prej atje do t’ju çojmë në Firence me autobuz. Duhej pra të prisnim në aeroport edhe katër orë për tu nisur e duhej shtuar edhe një orë e gjysëm me autobuz nga Piza pra nja pesë orë e gjysëm kohë për të udhëtuar deri në Firence. Nuk mund të mos kujtoheshim se në fluturimin e ardhjes për në Tiranë me Club Air shoqja ime me vajzën u nisën për në aeroportin e Firences dhe për të njëjtën arësye – sepse nuk kishte mjaftueshëm pasagjerë, mesa duket, por athere u thanë se kishte difekt avjoni – i nisën nga Firence për Verona me autobuz në një udhëtim që zgjati nja tre katër orë dhe si përfundim, në vend se në orën 7 e gjysëm të mbrëmjes, siç ishte llogaritur, mbrritën në Rinas në orën 3 pas mesnate.
Po t’i shtosh mërzisë që na pushtoi edhe vapën edhe qarjet e vajzës kuptohet se të vinte për të ulëritur, por ku të ankoheshe?
Vendosëm të ktheheshim për në Tiranë e të rivinim përsëri. Kërkuam të lemë të paktën valixhet. Shih për ndonjë punonjës të aeroportit, por xhan xhin asnjë nuk dilte për zot të thoshte se ishte punonjës i shërbimit të aeroportit e të të tregonte ndonjë vend se ku mund të lije valizhet. Qenë me shumicë vetëm ca që thoshin: ne jemi të “security”. Dhe s’është për tu çuditur të dashur lexues, ne shqiptarët e kemi për zakon, vetëm pushkën kemi ditur të mbajmë, çjanë këto shërbime. Mirëpo, ta hajë dreqi, mua m’i ngatërronte mendimet gjithmonë ideja se atë vend e menaxhonin gjermanët dhe dihet respekti që kemi ne shqiptarët për rregullin dhe organizimin gjerman, aq sa disa adhurojnë sot e kësaj dite edhe Hitlerin për këtë punë. Po qe se kemi arritur, thashë me vete, të shqiptarizojmë edhe gjermanët Komuniteti Evropian ka marrë fund. E këtu mu kujtua ajo anekdota që përmenda në hyrje sëbashku me një sërë ngjarjesh si puna e asaj të vizave e trajtimeve nëpër ambasada që tregojnë se procesi i shqiptarizimit të perëndimorëve është tashmë në rrugë të mbarë.
Aty gjithashtu mësova se ata që thonë se janë të “security” qenë punonjës të shoqërisë gjermane që menaxhon aeroportin e cila e paskësh emrin TAP që do të thotë Tirana Airport Partners. Ku i ka zyrat TAP-i kërkova të di në kërkim të një vendi ku të lija valixhet. Më thanë me dorë se i kishte diku tutje krejt larg prej andej, si të më thonin në Gjermani. Më në fund një punonjës i Club Airit na tha se mund t’i fusnim valixhet në kthinën që ishte në fakt zyrë e kompanisë.
Rrugës së kthimit për në Tiranë, ndërsa vajzën e vogël e zuri gjumi, pa u shqetësuar fare për çka po ndodhte me procesin e globalizimit në Rinas, mua filloi të më zjejë koka e të bluaj vetmevete disa pikëpyetje: Si është puna, i kemi shqiptarizuar të huajt derin në këtë shkallë, apo fajin e kemi ne shqiptarët që duke na parë se jemi kaq të nënshtruar na trajtojnë kështu, si qen, e na hedhin nga autobuzi në autobuz e nga avjoni në avjon si topa lecke? Apo mos vallë këtyre perëndimorëve sapo vijnë në Shqipëri u ringjallet kushtrimi i të parëve? Apo mos vallë është faji i globalizimit që i ka përzjerë kartat në atë farë feje sa nuk mund të dallosh më gjermanin dhe italianin nga shqiptari? Në fakt tërë kompanitë me emra globalë janë: Club Air, Albatros, TAP. Edhe punonjësit me siguri të përzjerë janë. Ky Club Airi, sipas të dhënave, na del kompani italiane, por ama në bashkëpunim me Albatrosin që thuhet se është shqiptare, por ama edhe ai me emër global. Edhe TAP emër global, në anglisht ma thonin: Tirana Airport Partners që do me thënë Partnerët e Aeroportit të Tiranës (se cilët janë këta partnerë një zot e di) Hëm! Veçse të përbashkëtën globalizuese kanë rendjen pa skrupul për para: për ca euro të qelbura i marrin shqiptarët e gjorë i degdisin nga t’u dalë më lirë duke bërë që udhëtimi nga një orë e gjysëm tu dalë gjashtë orë sikur të shkojnë jo në Itali, por në SHBA. Mirë që nuk ua bëjnë një copë rrugë edhe me karro. Dias atje më thanë se të tëra këto kompani kanë vetëm një avjon që i bën tërë ditën e natën qilizëm qiellit mbi Adriatik, prandaj ndodhin këto degëdisje. Atëhere vetëm kur të bjerë ky gomar i lodhur e i bërë telef – thashë me vete - do të shpëtojmë nga këto histori shtegëtimesh në kërkim të avjonit dhe nga ky lloj globalizimi alla shqiptarçe, po kujt do t’i bjerë për hise të martirizohet? Se globalizimi nuk njeh as tituj si puna e atij “nderi i kombit”.
Teksa bluaja vetmevete kësisoj mbrrita në Tiranë, piva një kafe dhe sikur e mblodha mendjen. Taksinë e dytë ata të Club Airit më thanë se do të ma paguanin. Dhe të them të drejtën sikur ngjarjet të ishin ndalur deri këtu dhe kthimi i dytë në Rinas të kishte shkuar mirë nuk do të isha ulur t’i shkruaja këto ndodhi. Por problemi është se durimi im i lodhur prej ngjarjeve të mëparëshme kapërceu çdo kufi kur, pasi bëra për së dyti rrugën Tiranë Rinas dhe ato 40 metrat nën diellin djegës të orës 13 për tek hyrja e sallës së check- init, pasi mora edhe valizhet e rënda, kur arrita më në fund tek hyrja nuk e gjeta atë të hapur si në çdo aeroport gjerman, i dashur lexues, por me një të ngushtuar në maksimunimin e mundshëm dhe, vini re!, me një gardian tek dera i cili kërkonte pasaportat që të të linte të hyje. Ndrysha nga çdo aeroport gjerman pra atje, në shi e në djell ishte vendi i ndarjes me të dashurit që të përcjellin dhe jo në sallën e check – init. Por nuk ishte këtu e keqja më e madhe se puthjet mund t’i jepnim edhe aty, por puna ishte se sipas rregullit të atij zotërisë unë nuk mund të hyja të ndihmoja shoqen time për të çuar dy valixhet dhe karrocën e vajzës sepse nuk kisha për të udhëtuar. Ato duhet t’i merrte të gjitha në krah sëbashku me vajzën shoqja ime.
Pa e hapur mirë gojën për të shprehur pakënaqësinë gardiani që kishte edhe një si shirit në qafë më tha: flet shumë ti. Kur pyeta ç’është ky? më thanë se këta janë ata të “security” dmth policët e TAPit dmth të Tirana Airport Partners. Kërkova shpëtim më ndonjë anë dhe, me çlirimin e atij që po sheh një fytyrë bashkëpatrioti në mes të gjermanëve, ose, më keq akoma, të shqiptarëve të gjermanizuar, kapa të parin polic shqiptar që mu shfaq aty të më shpjegonte se ç’punë kishte ai gardiani i TAP-it atje e kërkova të më thoshte se për kë punonte ai, por polici shqiptar më tha: të lutem shumë mos më provko, shko pyete vetë për kë punon. Shkova tek ai gardiani dhe i thashë: jam gazetar e dua të di se për kë punon ti e nga kush e ke marrë urdhërin të kontrollosh pasaportat e shqiptarëve në këtë portë ku s’ka aeroport në botë që kontrollohen. Më tha: shko pyet kë të duash.
Edhe ju do të thoni, të dashur lexues, po ç’punë kanë këta të TAPit të kontrollojnë pasaportat e shqiptarëve, madje a e kanë kompetencë këtë punë apo jo e do të vini ndoshta në dyshim këto që them. Por mos të harrojmë: jemi në epokën e globalizmit, çka do të thotë jetojmë në vende me sovranitet të kufizuar dmth. mund të kemi edhe dy, tre, katër, pesë, lloje të ndryshme policije dhe ushtrish në vend dhe kjo të mos duket anormale. Do të thoni ju po athere kështu duhet të jetë edhe në Gjermani. Të them të drejtën unë në aeroportet gjermane nuk kam parë dy lloj policësh akoma, por ju kujtoj se edhe në Gjermani njëfarsoj ndodhin gjëra të ngjashme. A nuk e keni par ç’u ka bërë CIA gjermanëve dhe italianëve u ka fluturuar mbi qiell dhe u ka rrëmbyer qytetarët pa i pyetur fare. Pastaj këtu tek ne duhet të llogarisim se jemi vend me rrezikshmëri të lartë, duhet të llogarisim nesër edhe rojet e biznesmenëve e ku di që punojnë në kushte super të vështira. Shkurt edhe pesëmbëshjetë lloj policësh po t’ju kërkojnë pasaportën duhet tua jepni. E po bëtë fjalë ai polici ka të drejtë t’ju thotë, siç më tha mua ai polici i TAPit: ke shumë llafe ti! E po kundërshtuat edhe më keq mund t’ju ndodhë.
Që t’i bije shkurt, të dashur lexues, i ndodhur midis dy palë policësh mu riaktivizuan traumat e kohës së burgjeve dhe fillova të shaj me zë të lartë, por aty u ndodh një i njohur profesor universitetit që më tha; Fatos, je dhe intelektual, qetësohu mos bërtit kështu. Ktheva kokën i revoltuar për të gjetur ndonjë përkrahës në revoltën time, por i dyti që ndesha më tha: po pse mor burrë për herë të parë e ke që të ndodhin këto gjëra, akoma nuk je mësuar? Dhe kështu s’më mbeti veçse të nxitoj t’u jap puthjet e ndarjes shoqes dhe vajzës së vogël e të iki nga ai ferraeroport duke sharë vetmevete në heshtje. (Korrieri 19 Korrik 2006)

No comments: