Saturday, January 27, 2007

Mbi personin dhe personazhin Kadare

Në konferencën e tij të famshme “Puna intelektuale si profesion (apo vokacion)” Max Weber thotë: “në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është “personalitet” vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij. Nuk mund të jetë “personalitet” ai që, si një tregëtar, nxjerr në skenë, sëbashku me objektin të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij.”
Kuptimi i asaj që thotë Weberi është se shpesh ndodh që suksesi në aktivitetin e tij e bën një intelektual të dalë në skenë/treg sëbashku me objektin/veprën e tij, madje mund të ndodhë që ky, si subjekt, të bëhet më i rëndësishëm sesa vetë objekti/vepra vetë. Këtu e ka origjinën edhe thënia e famshme e Bernard Show: “Nobelit mund t’i fal që shpiku dinamitin, por jo çmimin.” Sepse nganjëherë rendja për çmimin apo vetë çmimi mund ta bëjnë një shkrimtar të priret të bëhet më i rëndësishëm sesa vepra e tij duke tjetërsuar kësisoj edhe veprimtarinë e tij.
Nuk mund të mos më rivinte ndërmend thënia e Max Weberit teksa ndiqja në shtypin shqiptar qëndrimin e Kadaresë, por mbi të gjitha qëndrimet që ka mbajtur një pjesë e mirë e elitës së djeshme dhe të sotme shqiptare pas botimit në Gazeta Shqiptare të fakteve lidhur me rolin e shkrimtarit në internimin e familjes Rrapi, që tregojnë se ky jo vetëm nuk ka qenë disident, por ka qenë aq i lidhur dhe organik me regjimin saqë ky e ka pasur në rradhën e të privilegjuarve specialë.
Nëse do të ndjekim kurbën e një artisti apo shkrimtari nga ata që mund të meritojnë epitetin “i njohur” do të vemë re se deri në një farë pike një krijues veprash intelektuale i intereson publikut vetëm për veprën e tij. Mirëpo pastaj mund të vijë një moment kur fillon që më shumë sesa ajo që ai shkruan, bën e thotë të vlejë ajo se kush e shkruan, kush e bën e kush e thotë. Ky është momenti kur shkrimtari apo artisti fillon e kthehet në personazh duke rrezikuar të bëhet, si të thuash, tregëtari i vetvetes dhe të fillojë të reshtë së qëni një person. Dashur pa dashur, pra, ai rrezikon të bëhet rob i figurës që është apo që i kanë veshur të tjerët dhe fillon të kujdeset më shumë për imazhin e kësaj vetje sesa për veprat dhe punën e tij. Ai fillon e bën kështu vetveten objekt të aktivitetit të tij dhe fillon e sillet sikur vetë ekzistenca e tij të jetë një kryevepër. Ai e ngre veten (apo e ngrenë) në një piedestal dhe kjo shpjegon edhe një ton moralizues e përmbi të gjithë që ai mban ndaj atyre që i sheh poshtë. Kemi të bëjmë me narçizizmin e intelektualit që mund të mos hyjë domosdoshmërisht në kontradiktë me veprën e tij, por edhe mund të hyjë sepse kurimi i aspektit të vetes mund të pengojë kurimin e veprës e të së vërtetës – jo vetëm, por mund ta deformojë veprën dhe të vërtetën. Besoj se kur flasim për rastin Kadare mund të themi se kemi të bëjmë me një rast kur qartazi kurimi i aspektit të vetes ka hyrë në kontradiktë të thellë me veprën e jetën e tij. Kujdesi për figurën e tij, veçanërisht për të rritur famën e mundësisht për të marrë Nobelin, e ka futur në procesin e krijimit të një personazhi Kadare që gjithnjë e më pak ka të bëjë me personin Kadare, por as edhe me veprën e tij. Kemi të bëjmë me një proces shpërndërrimi degjenerativ që ka avancuar në kohë ku hyn edhe rishkruaja e një pjese të veprës së vet për t’ia përshatur kohëve të tjera. Në fillim të rënies së komunizmit, kur flet për veprat e tij në librin “Ftesë në studio”, Kadare thotë: "Të gjitha këto vepra janë të shtresëzuara në ndërgjegjen time në gjëndje të dyfishtë: ashtu siç janë, dmth në pamjen e tyre të tanishme, dhe ashtu siç duhet të ishin. Fantazmat e tyre më rrinë ngaherë në sy në orët e pasdites së vonë në studion ziplot. [...] Për t'i nxjerrë nga terri me atë fytyrë që doja, mungonin ato dhjetëra mijëra qeliza që u vranë gjatë përplasjes. " Është një pohim, që stonon kur shikon sot shkrimtarin të deklarojë poshtë e lart në Shqipëri, por më shumë nëpër botë, bash të kundërtën: se regjimi nuk e ka penguar të bëjë letërsi të lirë, se vepra e tij është produkt i lirisë së tij të brendshme, se veprat e tij janë ato që do të kishin qenë edhe sikur të mos ishte diktatura e, më anë tjetër, t’i rishkruajë ato.
Kemi të bëjmë me një rast tipik për të cilin flet Weberi, kur shkrimtari vihet mbi veprën e tij dhe kuron më shumë imazhin që kërkon të krijojë sesa të vërtetën e tij e të një vepre. Kadareja në këtë aspekt ka shkuar shumë larg sepse këtë imazh e ka larguar si pakkush nga e vërteta. Pakkush si ai ka punuar me vetëdije për të na e humbur personin Kadare dhe për të krijuar personashin Kadare. Mjafton të kesh prasysh fallsifikimin me Pashallarët e Kuq kur një poezi të cenzuruar mu pse tejkalonte tonet glorifikuese për diktatorin dhe ato linçuese për armiqtë e këtij, tentoi, nëpërmjet një libri intervistë, të na e paraqesë si vepër disidente të shkatërruar nga diktatura dhe nuk ngurroi t’i japë okejin e botimit këtij libri falso në Francë edhe pasi në Shqipëri poezia u gjet dhe rezultonte një elozh për diktatorin dhe diktaturën e proletariatit. Dhe e keqja është se me këtë “punë’ të tij të udhëhequr nga pamja e vetes me sytë e personazhit që ka gatuar dhe që e kanë gatuar të tjerët ka humbur sensin kritik e të realitetit. Kjo shfaqet midis të tjerash edhe në faktin se ato që shkruan e thotë në më të shpeshtën e herëve janë të një mediokriteti që vjen në rënie proporcionale me madhësinë e gërmave me të cilat ia botojnë fjalët në faqet e shtypit shqiptar. Një tjetër e keqe e madhe e kësaj pune të mbrapshtë në nivel social e kulturor është se me këtë lloj pune ka krijuar një model që e imitojnë shumë sot në Shqipëri duke prodhuar pseudokulturë.
Por ajo që sipas mendimit tim është më problematike për Shqipërinë nuk është thjesht roli i Kadaresë në krijimin e personazhit të tij. Më problematik është fakti se ky shpërndërrim degjenerativ i personit në një personazh krejt tjetër nuk mund të krijohet pa kontributin e të tjerëve edhe se fakti që Kadare ka shkuar aq larg në këtë shpërndërrim është njëkohësisht edhe pasqyrë e shoqërisë ku jetojmë, veçanërisht e elitës intelektuale. Është e vërtetë se aktiviteti intelektual duke qenë edhe ai një industri, jep edhe ai kontributin për kthimin e autorit në personzazh me tërë ato inisiativa e çmime, intervista mbi çdo lloj argumenti që jep autori, fotografi etj. apo aktivitete që organizohen për të promovuar veprat duke promovuar figurën e autorit. Është i njohur po ashtu fakti se njeriu i thjeshtë ka nevojë të madhe për identifikim e mund të kuptohet në këtë rast fakti i krijimit të një raporti të personalizuar midis autorit dhe publikut të tij apo edhe përdorimi i Kadaresë si nevojë identitare veçanërisht tek shqiptarët e frustruar jashtë shtetit. Këto shihen si rreziqe kudo në botë për autorët që mund të humbasin kështu sensin e realitetit dhe sensin kritik. Por ama ka një limit që nuk duhet të kalohet apo tjekalohet. E kur flitet për përgjegjësitë e kapërcimit të këtij limiti që çojnë në humbjen e sensit të realitetit e të sensit kritik këto duhen ndarë midis autorëve që nuk dinë t’i rezistojnë seduksionit të suksesit që i transformon në objekte; industrisë kulturore që ka nevojë për simbole për arësye komerciale dhe një publiku që kërkon instrumente identifikimi pasi i mungon fryma kritike dhe indentiteti. Rasti Kadare i ka tejkluar tërë limitet mu pse të tre aktorët që nuk duhet të lejojnë të kalohet ky limit që ndan të vërtetën nga manipulimi, personin nga personazhi: - autori, industria kulturore dhe fryma kritike e publikut, - janë në nivelet më të ulëta.
Dhe kjo mund të ketë pasoja shumë të dëmshme për një shoqëri. Kjo u vu re në mënyrën më dramatike se si e trajtoi një shtresë e gjerë e elitës së sotme rastin e denoncuar nga Paskal Milo lidhur me një ngjarje që tregon se çfarë niveli dhune dhe nëpërkëmbjeje të njeriut ka ushtruar regjimi i kaluar e që ka si protagonist vetë Kadarenë si njeri i atij regjimi pasi deputet dhe shkrimtari i parë i regjimit. Shkrimtari monument kulture as nuk denjoi të japë përgjigje sqaruese për rastin. Por kjo mund të jetë edhe e kuptueshme. Më i pakuptueshme është kur një numër i madh intelektualësh me një pandjeshmëri skandaloze ndaj dramës së një familjeje që u internua vetëm për të lënë të qetë Kadarenë, me përjashtim ndoshta vetëm të Andi Bejtes që shkroi shkrimin “A është ky një nga krimet e komunizmit?”, kërkuan të mos flitet për këto gjëra të Kadaresë sepse ai “është më i lexuari në Perëndim” thotë njëri, “ka detyruar Thaçin të firmosë Rambujenë” ia fut kot tjetri, “sepse na ka frymëzuar kur ishim të rinj” thotë një i tretë e me rradhë. Është e qartë se tek këta njerëz cënohet një ikonë, por edhe një alibi e së kaluarës së tyre, por edhe një shtyllë e pushtetit kulturor të një elite të vjetër, mirëpo, më anë tjetër, këta kanë shkuar shumë larg, sepse kanë dhënë një shembull ekstrem mungese sensi kritik e intelektual, por edhe të një mosndjeshmërie ndaj të dobëtëve pa të cilët shoqëria zor se do të mund të shkojë përpara. Sa kontraston kjo ftese e intelektualëve tanë për idolatri ndaj patriarkut që duhet respektuar e nderuar çfarëdo që të ketë bërë e që bën, mundësisht pa i prekur asnjë qime, me debatin që hapi Gunter Grassi në Gjermani i cili me vetëdije kërkoi të nxjerrë në pah personin atje ku të tjerët shihnin personazhin.
Një shoqëri që nuk ka apo nuk zhvillon sensin kritik mbetet në një stad foshnjor duke përsëritur e ripërsritur pa fund të njëjtët gabime. E po të flasim për përgjegjësinë e mospasjes apo të humbjes së sensit kritik e të realitetit në një shoqëri kjo bije shumë më tepër tek ata që i dedikohen rolit të intelektualit sesa tek të tjerët, mu pse sensi kritik ndaj realitetit, e para së gjithash ndaj vetvetes, duhet të jetë conditio sine qua non e kësaj lloj pune. Në fakt duhet të presim që ndaj suksesit që e kthen atë në ikonë të jetë pikërisht autori ai që thotë i pari “mjaft” sepse kush i dedikohet një profesioni si ky nuk duhet të jetë simbol i asgjëje tjetër përveç se i seriozitetit të veprës së tij. Rolet simbolike i takojnë tjetërkujt, psh udhëheqësve politikë apo fetarë; jo atyre që e kanë letërsinë apo artin arësyen e ekzistencës së tyre profesionale. Por, kur një autor, për njëmijë arësye nuk e bën dot këtë, por kërkon të luajë role që, po t’i referohemi Weberit, e depersonalizojnë, atëhere është roli i të tjerëve që ta mbajnë këtë qëndrimi kritik për t’i dhënë personalitet shoqërisë dhe veçanërisht intelektualëve të saj. Sepse sensi kritik është kusht themelor i integritetit të jetës së njerëzve që i dedikohen profesionit të intelektit. (Korrieri, 23 tetor 2006)

2 comments:

Anonymous said...

Edhe ky blog nga Selfmaderadio mbahet? Ka të bëjë Lubonja me Selfmaderadio?

Anonymous said...

Jo. Lubonja dhe Selfmaderadio jane dy persona te ndryshme. Selfi, thjesht ndihmon.