Wednesday, May 30, 2007

A duhet bërë më keq që të bëhet më mirë?

Gjëja më revoltuese, por edhe më absurde edhe më e papranueshme edhe më e neveritëshme edhe më e patolerueshme që e ka karakterizuar politikën dhe politikanët tanë (historikisht) është ushtrimi i atij "pragmatizmi" të papërgjegjshëm dhe arrogant sipas të cilit në luftën politike mund të përdoret çdo mjet pa përfillur se këto "mjete" mund të jenë krejtësisht kundër interesit të shoqërisë. Në versionin më të egër këtë lloj "pragmatizmi" sot për sot them se e gjejmë në Irak ku, për t'ua bërë të pamundur amerikanëve dhe irakenëve pro tyre qeverisshmërinë, grupet ekstremiste e terroriste kryejnë atje aksione vetëvrasëse që po masakrojnë me qindra mijë të pafajshëm.
Besoj se të gjithë e dimë se me këtë frymë ka qenë dhe kështu ka mbetur politika jonë. Kjo nuk përbën lajm. Nuk do shumë mend për të kuptuar se opozita jonë uron natë e ditë të ketë borë, të mos ketë drita, të kemi tërë vështirësitë e mundëshme në mënyrë që qeveria të bjerë mundësisht një sahat e më parë, se gjëja e fundit që opozita do me të vërtetë është që qeveria të krijojë standarte të zgjedhjeve pale të ketë edhe ndonjë sukses. Tek e fundit a nuk e ka quajtur Edi Rama vazhdimisht këtë mazhorancë forcë "pushtuese"? Por, nga ana tjetër, nuk do shumë mend për të kuptuar se edhe mazhoranca uron që opozita të bëjë sa më shumë gabime, mundësisht edhe të mos hyjë në zgjedhje vetëm e vetëm që ajo të ketë një pushtet të patrazuar. Mjafton që mazhoranca të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Ajo që mund të thuhet kur ndeshesh me situata si kjo e këtij dimri, që ka venë në rrezik edhe mbajtjen e zgjedhjeve në vend dhe që rikthen në skenë imazhin e një Shqipërie njerëzish primitivë, parademokratikë, është se ky lloj pragmatizmi ka periudhat e tij kur ushtrohet në mënyrë paqësore dhe periudhat kur ushtrohet me virulencë. Këtë dimër kemi hyrë në një nga fazat e tij shpërthyese që na bëjnë të mendojmë më shumë për të.
Periudhën virulente, si kjo që po kalojmë, me fjalë të tjera mund ta sintetizojmë me thënien e njohur "duhet bërë më keq që të bëhet më mirë", por në versionin e saj më të mbrapshtë sepse kjo thënie përmban edhe një urtësi në vetvete. Në versionin tonë kjo thënie ka kuptimin "duhet ta bëjë pala jonë gjëndjen sa më keq për palën tjetër që të bëhet sa më mirë për palën tonë".
Po t'i kthehemi historisë së këtyre dy partive do të arrijmë shpejt në përfundimin se nuk ka se si të jetë ndryshe sepse kjo klasë politike e ka në genin e saj të trashëguar prej nënës nga ka dalë këtë lloj pragmatizmi. (Enver Hoxha arriti e izoloi Shqipërinë për pushtetin e tij, me pasoja llahtarisht shkatërruese.) Le të mos harrojmë se PD-ja në periudhën e vitit 91, pasi humbi zgjedhjet e para më 31 mars, filloi një aksion destabilizimi që rezultoi me plaçkitje e shkatërrime masive tronditëse? Filozofia ishte se duhej krijuar një gjendje sa më e keqe për qeverinë që ajo të deklarohej e pafuqishme e të deklaronte zgjedhje të parakohëshme. E në fakt aksioni pati sukses ndonëse duhet pranuar se kishte asohere shumë faktorë edhe psikologjikë që e justifikonin atë. Edhe 97-ta u karakterizua nga kjo filozofi e ushtruar nga të dy palët do të thoja. Opozita mezi e priti krizën e krijuar nga rënia e piramidave sepse, kur iu vodhën votat më 96, nuk qe në gjendje të bënte ndonjë lëvizje të vërtetë politike qytetare. Edhe kur kriza arriti kulmin mendoi vetëm për pushtetin e vet. Por, nga ana tjetër, Berisha preferoi të krijohet një situatë kaosi e lufter civile Veri - Jug, që do të krijonte sjelljen e ndërkombëtarëve, më parë se të largohej.
Që nga ato vite e deri tani shumëçka ka ndryshuar. E këtu vlen të reflektohet mbi atë se sa kemi përparuar në uljen, tek ky lloj pragamatizmi, të papërgjegjshmërisë së politikanëve tanë - si tregues të ecjes sadokudo përpara të demokracisë si pushtet i popullit. Sot kërkush nuk mund të ndërmarrë akte destabilizuese si ato të një dekade më parë me shpresën se kjo do ta sjellë në pushtet. Po sa i dedikohet kjo politikanëve tanë dhe sa njerëzve? Besoj se kryesisht kjo i dedikohet njerëzve të thjeshtë të cilët edhe kanë fituar më shumë pjekuri politike për të mos i ndjekur politikanët tanë në aventura shkatërruese, por edhe ngase e njohin tashmë klasën politike me të cilën kanë të bëjnë e nuk ushqejnë iluzione, por edhe sepse procesi i privatizimit ka lënë më pak hapësira për shkatërrim. Me një fjalë, në këtë aspekt, edhe kemi bërë disa hapa përpara në krahasim me vitet 90. Por, nga ana tjetër, në krahasim me kërkesat minimale për tu quajtur demokraci jemi ende mbrapa dhe kjo sepse, sikurse e thashë edhe më lart, thelbi i pragmatizmit të ndërtuar mbi punën e keqe të kundështarit dhe jo mbi punën më të mirë tënden ka mbetur po ai në politikën tonë. A nuk ishte kështu edhe në kohën relativisht paqësore të Nanos kur ky i thoshte Sali Berishës ti je karta më e mirë që kam unë për të ndejtur në pushtet duke patur parasysh se ky kishte kredibilitetin më të dobët për shkak të 97-tës?
Kriza e këtij dimri e ka rritur opinionin se ka ardhur koha për të gjetur mënyrat për t'i dhënë fund këtij lloj pragamatizmi të mbrapshtisë sepse njerëzit janë vërtet të lodhur tej mase e tejet të masakruar prej tij. Ndoshta edhe fakti se, për koincidencë, i njëjti pragmatizëm po shfaq virulencën e tij këtë dimër edhe në Kosovë, ku politikanët kanë hapur një lufte klanore për pushtet pa përfillur dëmin që i sjell ky sherr çështjes së statusit e se po i veçojnë shqiptarët si populli më primitiv e më parademokratik në Evropë, ka ndikuar në rritjen e kësaj ndjeshmërie. Kjo situtatë, pra, nëse do ta përdorim pozitivisht thënin "duhet bërë më keq që të bëhet më mirë", - duke pranuar se e keqja e ka arritur pikën e saj kulmore, - duhet të shërbejë për të na ndërgjegjësuar se ka ardhur koha e lindjes së një fryme apo edhe lëvizjeje qytetare kundër kësaj kulture politike të pragmatizmit të papërgjegjshmërisë dhe arrogancës. Sipas meje, ajo, në thelbin e vet kulturor, duhet të kërkojë rritjen e aftësisë për të racionalizuar e për të vështruar përtej të sotmes e përtej vetvetes; ajo duhet të ketë dy parime kyçe në qendër të saj si kundërvënie ndaj kësaj të keqeje: parimin e vënies së respektit të ligjit mbi respektin ndaj atij që përdor çdo mjet si dhe parimin e vënies së interesit të të përfaqësuarve mbi interesin e politikanëve.
E di që nuk thashë ndonjë gjë të re, por së pari mendoj e sa kohë që këto gjëra nuk janë bërë realitet duhen përsëritur e së dyti, ajo që më duket e re është se vitet kanë akumuluar aq shumë pakënaqësi ndaj mujsharëve që dhunojnë ligjin, arsyen dhe interesin e të gjithëve saqë duhet të lindë më në fund diçka kundër tyre. (Korrieri, 21 dhjetor 2006)

No comments: