Wednesday, May 30, 2007

Përgjegjësia e shumëfishtë e krizës

Viti 2006 po mbyllet nën shenjën e krizës politike të bojkotit të zgjedhjeve dhe me shpresën se viti 2007 do të na sjellë zgjidhjen e saj. Por këtë nuk është se do na e sjellë dhuratë Plaku i Viti të Ri duke ua vënë tek koka e krevatit fëmijëve tanë të rritur të politikës teksa ata do të jenë duke bërë një gjumë të thellë. Në fakt ata edhe natën e 31-it do të jenë duke e kaluar pa gjumë duke bërë plane si tua hedhin njëri tjetrit madje edhe vetë Plakut të Vitit të Ri. Megjithatë një pjesë e tyre apo një pjesë e mendjes së tyre besoj se ka filluar ta ndjejë peshën e përgjegjësisë për gjendjen ku e futën vendin jo aq nga vrasja e ndërgjegjes sesa nga halli. Prandaj duam s'duam do të vazhdohet të komentohet përgjegjësia e kësaj krize edhe në këto ditë festash të baltosura keq nga politika.
Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti se mazhoranca, kur flet për krizën e krijuar me bojkotimin e zgjedhjeve, e ka përqendruar thuajse krejtësisht përgjegjësinë e krijimit të saj tek emri Edi Rama. Ka opozitarë që i referohen karakterit të tij thellësisht konfliktual, ka që e shpjegojnë me frikërat personale të humbjes së pushtetit të cilat ia ka transmetuar krejt partisë, ka që e lidhin krizën e tij me faktin se kryetari i PS nuk është në Parlament apo edhe me versione të tjera. Ndër to edhe një version psikologjik, sipas të cilit Rama vuan një 97-të të munguar sepse asokohe ai iu përvodh luftës, e tani kërkon ta kompensojë frustrimin e asaj ikjeje nga lufta duke krijuar një 97 të re. Një pjesë e këtyre shpjegimeve mund të qëndrojnë ashtu sikurse nuk ka dyshim se Edi Rama ka një rol protagonisti në këtë krizë dhe në përgjithësi në strategjinë opozitare të ndërtuar nga PS-ja gjatë këtij viti. (E thekson këtë perceptim ndarja e Metës së fundi.) Megjithatë ky është një shpjegim semplist dhe, sipas meje, një gabim jo i vogël në analizën e krizës. Megjithëse vullneti i një lideri në Shqipëri mbetet ende vendimtar për mirë apo për keq, - fatkeqësisht historia deri tani ka treguar më shumë për keq - çështja e kësaj krize të bojkotimit të zgjedhjeve nuk duhet të reduktohet kurrsesi në një emër dhe as edhe në një palë.
Përsa i përket opozitës, e cila, sipas meje, është përgjegjësja kryesore e kësaj krize, çështja duhet të shtrohet se interpret i kujt, i cilave interesa, është Edi Rama si ushtruesi kryesor i kësaj strategjie krizash të parreshtura. Sepse figura të tilla si Ilir Meta, Skënder Gjinushi, por edhe një pjesë figurash brenda Partisë Socialiste do të kishin fuqi t'i imponoheshin atij ose të paktën të dilnin me një zgjedhje ndryshe, sikurse doli Meta së fundi, sikur të mos ndanin të njëjtën strategji me Ramën. (Sipas mendimit tim tërheqja e tanishme e Metës duhet shpjeguar më shumë me qëndrimin kundër bojkotit të ndërkombëtarëve sesa me një bindje të brendëshme të këtij se kjo nuk ishte strategjia e duhur.) Në këtë krizë bojkoti të zgjedhjeve nga e majta ka shumë më tepër sesa vullneti i Edi Ramës apo edhe i një, dy, tre apo katër udhëheqësve të tjerë. Ajo është reflektimi i një krize të një kategorie më të gjerë. Për tu thelluar në shpjegimin e saj duhet të kthehemi prapa në kohën kur Rama u zgjodh Kryetar i PS. Dy kandidatët që u shfaqën për kryetar partie asokohe ishin Rama dhe Mejdani. Dallimi kryesor midis tyre ishte se Mejdani në projektin e tij shpalosi idenë e nevojës së pastrimit të partisë që, shkurt, do të thoshte një qëndrim më i gjatë në opozitë. Kurse Rama përfaqësoi interesat e atyre që i shqetësonte ky pastrim dhe që, në vend të qëndrimit të gjatë në opozitë, kërkonin rikthimin e shpejtë në pushtet. Pa dyshim qënia e Ramës në pushtetin lokal - sepse ai ishte jo pak, por kryetar i Bashkisë së Tiranës - e ndihmonte më shumë këtë strategji që, në një farë kuptimi, ishte strategji e vazhdimit të qëndrimit në pushtet. Edhe përdorimi vazhdimisht i cilësimit "pushtues" për mazhorancën nënkuptonte një strategji "çlirimi" sa më parë të asaj pjese të territorit të pushtetit që u ishte pushtuar. Kjo krizë, pra, është pjesë e strategjisë së një pjese të elitës sonë politike dhe të biznesit që ka humbur privilegjet që ka gëzuar deri dje kundër një pjese tjetër që po ia merr këto privilegje. Agresiviteti dhe paprincipshmëria që tregon sot kjo pjesë me në kryer Ramën është vazhdim i agresiviteti dhe paprincipshmërisë që treguan brenda PS ato ditë e net të Kongresit. Motivimi i tyre i mbajtjes së vendit në gjendje krize është diktuar nga frika e konsolidimit të pushteti të Sali Berishës qoftë pse ai mund të vendosë shtetin ligjor qoftë edhe në rastin - sipas mendimit tim më probabël - se ai në këtë mënyrë mund t'i nxjerrë jashtë loje në favor të interesave të të tijve. Edi Rama pra nuk është i vetëm në këtë lojë. Ai thjesht është instrumenti (sigurisht dhe pjesëtar) i kësaj pjese të elitës sonë politiko financiare e mediatike dhe kjo e bën fenomenin krizë shumë më kompleks dhe më të vështirë për tu zgjidhur.
Po a mund të konsiderohet vetëm opozita përgjegjëse e kësaj krize. Absolutisht jo. Vetë fakti që mazhoranca kërkon ta reduktojë krizën vetëm në një emër, a thua se me largimin e Ramës gjithshka midis saj dhe opozitës do të kthehet në dialog konstruktiv në emër të interesave të vendit, është tregues se ajo ka përgjegjësitë e veta jo të vogla në shkaktimin e saj. Po pse ajo ka vepruar kështu duke e përqendruar tek Rama shkaktarin? Sigurisht jo thjeshtë pse ky është bërë interpreti i saj kryesor, por edhe sepse është më e lehtë të gjesh një fajtor e ta linçosh sesa të analizosh fenomenin në tërë kompleksitetin e vet. Kjo mënyrë gjithashtu është më efikase tek njerëzit e thjeshtë të cilët duan një objekt të dukshëm ku të përqendrojnë urrejtjen. Por, duke vepruar kështu, mazhoranca ka synuar gjithashtu të ndajë opozitën duke i lëshuar Metës dhe Nanos sinjale që atyre u interesojnë në luftën për pushtetin tek e majta. Por edhe sepse kështu shmang ndeshjen me tërë atë kategori që qëndron prapa Ramës duke shpresuar në heshjen e një pjese të saj dhe në tërheqjen për kah vetja të pjesës tjetër.
Këto janë disa arësye, por jo më të rëndësishmet. Më e rëndësishmja, që është edhe matrica e tërë arësyeve që përmenda më sipër, sipas meje është se në këtë mënyrë mazhoranca shmang përgjegjësitë e veta jo thjeshtë për mosrealizimin e disa premtimeve për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha përgjegjësitë që i takojnë asaj për mbajtjen e vendit në gjendje krize permanente. Ajo ka një përgjegjësi të vetën për krizën permanente që nuk mund ta fshehë pas deklarimeve se respekton Kushtetutën dhe vetëm atë. Përgjegjësia e saj kryesore sipas meje qëndron në atë se ashtu sikurse opozita e ka ndërtuar stretegjinë e saj mbi parimin e të qënit "kundër" diçkaje dhe jo "për" diçka edhe mazhoranca e ka ndërtuar të vetën mbi të njëjtin parim, të bërit politikë kundër opozitës dhe jo për vendin. Kështu ajo ka synuar ta shfrytëzojë strategjinë obstruksioniste të opozitës thjesht dhe vetëm në interesin e pushtetit të saj. Ka vepruar në atë mënyrë që opozita të qëndrojnë në këtë strategji dhe të bëjë mundësisht sa më shumë gabime që t'i japë më në fund një goditje përfundimtare diskredituese në sy të opinionit dhe të ndërkombëtarëve. Është strategjia e ngritjes gracka për kundërshtarin që ai të bjerë brenda. Ose, më saktë, është strategjia e atij peshkatarit që pasi i ka rënë peshku i madh në grep i lëshon herë pas here atij pe sa herë që ai kërkon të rebelohet e të ikë nga grepi, por gjithë duke e tërhequr pastaj drejt bregut ku synon ta presë copa copa e ta bëjë pastërma. Në këtë lojë mund të thuash se ajo ka fituar deri më tani, por a ka fituar vendi? Kurrsesi jo sepse kjo lojë politike synon eliminimin e kundërshtarit dhe jo ndërtimin e dialogut e kompeticionit me të në emër të interesave të vendit. Kjo strategji ka brenda farën e krizës së ardhshme.
Vështirë që Plaku i Vitit të Ri të na sjellë ndonjë dhuratë se si të dalim nga kjo gjendje - që është njëherësh krizë politike, kulturore dhe shpirtërore - ndërkohë që ne do të jemi duke pritur 1 janarin duke parë turli ëndrrash. Më shumë sesa ndërkombëtarët dhe vëzhguesit e tyre Plaku i Viti të Ri nuk ka çfarë të na sjellë, por këta kanë 15 vjet që ai na i sjell dhe nuk na bëjnë derman. Prandaj mbetem i mendimit se për të dalë nga kjo gjendje në 2007-tën e më mbrapa do të duhet të punojmë me mendjen zgjuar për të ndërtuar institucione tonat që do të kenë autoritetin e paanshmërinë e ndërkombëtarëve mbi çdo palë politike që do të krijojë kriza e konflite si ky i fundit, por edhe përgjegjësinë e shqiptarëve. (Korrieri, 30 dhjetor 2006)

No comments: