Friday, June 1, 2007

Pse nuk duhej ekzekutuar Sadami

"Drejtësia është hakmarrja që heq dorë" - thotë një i urtë duke na treguar, gjithashtu, se drejtësia dhe hakmarrja nuk janë pa lidhje me njëra tjetrën. Po pse duhet të heqë dorë hakmarrja për t'ia lënë vendin drejtësisë? Sepse akti i dhënies së drejtësisë i tejkalon interesat e atij që hakmerret. I dëmtuari direkt mund të ketë njëmijë arsye për të kryer një akt hakmarrjeje, e prap të mos ndjehet i kënaqur, por ai duhet të heqë dorë, është i detyruar, jo vetëm pse hakmarrja e tij, e shtytur nga emocionet vetiake, mund ta kapërcejë të drejtën, por edhe pse akti i dhënies së drejtësisë është një akt publik me dimensione shoqërore, politike, kulturore, juridike, që u përket të gjithëve dhe që, pikërisht për këtë, duhet të jetë shprehës i një vullneti më të gjerë sesa ai i asaj pjese të dëmtuar për të cilën drejtësia dhe hakmarrja nuk bëjnë dallim.
Dënimi me vdekje dhe pastaj ekzekutimi publik i Sadam Huseinit i shëmbëlleu më shumë një hakmarrje që nuk "hoqi dorë" në emër të drejtësisë. Kjo sepse çështja e gjyqit dhe e ekzekutimit të tij nuk u përkiste vetëm amerikanëve, shiitëve apo kurdëvc, që ishin protagonistët kryesorë të këtij akti. Ashtu siç u zhvilluan e po zhvillohen ngjarjet në Irak çështja e dënimit të Sadamit i përkiste gjithë botës për njëmijë arsye, politike, kulturore, fetare, juridike, të së tashmes dhe të së ardhmes së saj. E pikërisht nëpërkëmbja e këtij vullneti të botës e bën këtë akt të shëmbëllejë më shumë me hakmarrjen sesa me drejtësinë.
Shiitët kishin njëmijë arësye për ta linçuar diktatorin. Skenat e xhiruara me celular ku dëgjohen edhe zërat e ekzekutuesve me fytyra të mbuluara me kapuçë të zinj tregonin hapur se hakmarrja e shiitëve kishte kalëruar mbi drejtësinë. Thuhet se Al Sadri, lideri shiit, ishte një nga xhalatët kapuçonë, pasi shumë vjet më parë Sadami ka masakruar një kushëririn e tij në mënyrën më të pabesë. e se e kishte fituar këtë të drejtë pjesmarrjeje në linçim duke i premtuar qeverisë së Maliqit mbështetje. (Tjetër gjë është çështja, edhe kjo e shumëdiskutuar, nëse duhej dhënë apo nuk duhej dhënë pamja e kësaj barbarie nëpër televizionet e botës. Transmetimi ka kundërthëniet e veta, anë pozitive dhe negative varësisht nga konteksti se nga është parë dhe për ç'qëllim është transmetuar. Personalisht anoj nga ideja se ngjarja, përderisa ndodhi, duhej dhënë, pasi përbën një dokument historik të cilin ka të drejtë ta disponojë cilido që e kërkon.)
Nëse për shiitët ishte një akt hakmarrjeje për amerikanët ekzekutimi flet më shumë për një ndryshim të strategjisë së Bushit, i cili duket se ka vendosur të forcojë linjën e ashpër në Irak e "të mbarojë punë" nëpërmjet forcës. Nuk është pa gjasë që në strategjinë antiterror të Bushit të jetë edhe ndezja e luftës dhe e urrejtjes midis shiitëve dhe sunitëve sipas idesë "kur armiqtë janë të ndarë, për ne punët mbarë". Por një përdorim i tillë i një ekzekutimi ka pak të bëjë me drejtësinë, dhe edhe më pak me interesat e të gjithë botës.
Është i kuptueshëm edhe aprovimi nga ana e Iranit e ekzekutimit të Sadamit. Kundër tyre ai lëshoi një luftë të përgjakshme tetëvjeçare (paçka se nën bekimin e amerikanëve), ku nuk ka hezituar të përdorë edhe armët kimike që kanë lënë jo vetëm të vdekur, por edhe shumë të gjymtuar përjetë.
I kuptueshëm është edhe aprovimi nga ana e izraelitëve mbi të cilët Sadami nuk ka hezituar të hedhë edhe rraketa.
Është e kuptueshme, po ashtu, edhe empatia me viktimat dhe urrejtja ndaj tiranit në tërë ato vende që kanë pësuar terrorin e një regjimi vrastar si ai i Sadamit dhe të një diktatori paranojak e mizor si ai.
E megjithatë ka njëmijë arësye, kundër e përtej këtyre që përmenda, e që lidhen me interesat e gjykimin e pjesë tjetër të botës, që e bëjnë ekzekutimin e Sadamit të papranueshëm në kuadrin global.
Ekzekutimi i Sadamit është i papranueshëm jo vetëm politikisht, por edhe kulturalisht e juridikisht për Evropën që e ka hequr dënimin me vdekje dhe që e përjetoi atë si një akt barbar.
Ai është i papranueshëm nga pjesa më e madhe e muslimanëve të botës që nuk janë shiitë sepse aktin e ekzekutimit dhe nxjerrjen e tij në ekranet e televizionit e konsiderojnë si një akt dhunimi e fyerje kolektive e nxitjeje të urrejtjes.
Është i papranueshëm nga Amnesty International e Human Right Watch sepse gjyqi është zhvilluar jashtë procedurave normale që garantojnë të drejtat e njeriut. E, në këtë kontekst, është i papranueshëm edhe pasi denoncon në mënyrën më evidente pretendimin amerikan të eksportimit të demokracisë e të vlerave perëndimore në Irak, duke thelluar edhe një proces deligjitimimi të SHBA në botë si pasojë e politikave të Bushit.
Është i papranueshëm sepse ai akt ktheu një tiran të urryer në një martir e simbol lufte pasi akti i ekzekutimit të tij nuk mund të mos nxisë edhe më fort luftën civile që po zhvillohet në Irak, urrejtjen mes shiitëve dhe sunitëve, por edhe të muslimanëve me botën perëndimore.
Është i papranueshëm sepse krimet e Sadamit kanë qenë shumë më të mëdha sesa ato për të cilat u akuzua dhe dënua në këtë gjyq, siç janë krimet ndaj kurdëve psh., e prandaj ai duhet të përgjigjej e të jepte shpjegimi edhe për këto (por asokohe ai ka pasur mbështetjen e amerikanë dhe ka zëra që këtë ekzekutim të shpejtuar e lidhin edhe me bukosjen e gojës së tij).
Por ekzekutimi i Sadamit është i papranueshëm mbi të gjitha sepse ai është një akt kundër ëndrrave tona për një botë më të qytetëruar, për një botë të paqes dhe jo të dhunës. Qysh në vitin 1764 iluministi i shquar italian Cesare Beccharia e quante "absurde" në librin e tij të famshëm "Mbi krimet dhe dënimet" që shtetet "për t'i larguar qytetarët nga krimi i vrasjes urdhëronin një vrasje publike." Duke rënë në nivelin e vrasësve dhe të metodave të tyre shtetet veçse e përforcojnë kulturën e dhunës, nuk e luftojnë atë. Që prej asaj kohe e deri tani bota ka bërë shumë hapa para, por edhe hapa prapa. Ky dënim dhe mënyra barbare e ekzekutimit të tij ishin një nga hapat prapa.

Poshtë shënim:
Edhe lidhur me këtë ngjarje Shqipëria tregoi provincializmin, shkallën e prapambetjes dhe servilizmin e saj absurd ndaj SHBA. Duke qenë një vend që ka hequr dënimin me vdekje në emër të ëndrrës së shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës së qytetëruar ajo duhet të mos e aprovonte atë akt barbar. Edhe aleati më i fortë i SHBA, Tony Blair, e dënoi atë. Kurse kryeministri shqiptar Sali Berisha, ai që e ka hequr dënimin me vdekje në Shqipëri para shumë vjetësh, u shpreh hapur në mbështetje të këtij ekzekutimi barbar. Asnjë zë kundër nuk u shpreh as nga opozita që e ka votuar asokohe heqjen e dënimit me vdekje në Parlament. Shoqëria civile e organizata të të drejtave të njeriut mbetën pa zë. Qëndrime të tilla, që tregojnë midis tjerash edhe hipokrizinë e politikës sonë, nuk i japin vendit dinjitet, qytetërim e ndjenjë drejtësie, dhe as nuk e hapin atë ndaj botës. Përkundrazi, ato bëjnë pjesë në ato akte, jo të pakta të politikanëve e elitës tonë në përgjithësi, që e mbajnë vendin në terrin e nënshtrimit, paditurisë dhe izolimit. (Korrieri 9 Janar, 2007)

No comments: