Wednesday, July 11, 2007

Presidenti kuqeblu dhe Lufta e Tretë

Që këta nuk durohen më kjo s’ka diskutim. Puna është se si të mund t’i heqim qafe. Dmth., puna është se s’mund t’i heqim dot qafe. Ky është gjykimi që dëgjon shpesh e më shpesh ndër njerëzit teksa ndjekin farsën e talljes me ta të kësaj klase politike në këtë luftë mesvetit për të zgjedhur një president që të jetë njëherësh edhe i kuq edhe blu edhe i pari edhe i fundmi mes tyre. Teksa kërkojnë një marrëveshje për të vazhduar mosmarrëveshjen një konsensus për të vazhduar moskonsensusin. Që për këtë gjendje mosshteti janë përgjegjës tërë këta burra shteti nga do të dalë edhe presidenti i tyre, kjo është tashmë mëse e qartë. Që kjo që po ndodh nuk është rezultat i paaftësisë për të gjetur një emër, por rezultat i shndrrimit të politikës në luftë bandash për kontrolle territori ku edhe presidenca nuk mund të jetë jashtë, edhe kjo është e qartë. Që këta kanë lënë çdo punë të vërtetë me të cilën duhet të merret politika për të vazhduar këtë luftë permanente civile pa armë - shëmbëllyeshëm me ato ushtritë e mercenarëve që jetonin vetëm me luftë dhe plaçkitje por jo me punë, - edhe kjo është mëse e qartë.
Problemi është pra se si t’i heqim qafe. Çka do të thotë me cilët t’i zëvendësojmë. Të rinjtë! – lëshon dikush shpresën. Por shpejt i vjen përgjigja se këta të rinjtë, me çka po na shohin sytë, janë edhe më keq se të vjetrit. Asnjë lloj aftësie nuk po duket tek ta për t’u bashkura në emër të ndonjë ideali, asnjë lloj prekshmërie për t’u revoltuar, pale për të respektuar ligjin apo edhe një fjalë të dhënë dy tre ditë më parë. Zhvillojnë pafund vetëm aftësinë e mercenarit për të nxjerrë ndonjë lek sa më shpejt dhe sa më lehtë. Të gatshëm të vihen në shërbim të padronit të parë që u del përpara dhe për ta lënë atë për një padron tjetër sapo që ky u paguan diçka më shumë. Dhe padronët janë ata që duhet të heqim qafe. Tek e fundit të rinjtë nuk kanë asnjë faj, sepse kjo është shkolla që kanë mësuar prej baballarëve. Këtu mbyllet arsyetimi mbi më të rinjve jo sipas një rrethi vicioz, por sipas një spiraleje zbritëse.
Kur arrin fundin e kësaj spiraleje mendimi bën si bën e, ngaqë s’ka ku shkon, kthehet prapa në histori. Apologjetët e mosshpresës shohin se asnjëherë ndryshimet e rëndësishme në historinë e këtij vendi nuk kanë ardhur nga lëvizjet e brendshme paçka se ne mburremi e mburremi me heroizmin e popoullit tonë ndër shekuj. Shqipëria nuk do të ishte e pavarur sikur të mos ishin luftrat ballkanike që i bënë fqinjët. Madje nuk do të kishte ekzistuar fare sikur të mos kishte ndërhyrë Austro Hungaria e Italia. Edhe nga thundra e injorantit Zog nuk do të ishim çliruar sikur të mos kishte pasur një pushtim të huaj. Kush pretendon se më 1991 na çliroi Partia Demokratike ia fut kot sepse, sikur të mos kishte mbarur Lufta e Ftohtë që e bënë të tjerët, ne do të kishim edhe sot në pushtet dyshen Nexhmije Hoxha - Ramiz Alia.
Kështu, kush shpreson se mund të dalim nga ky mjerim ku na ka zhytur nomenklatura e re kuqeblu, gabohet. Do të duhej një Luftë e Tretë që, për fat të mirë nuk po ndodh, - se, tek e fundit, nuk ka pse ndodh një Luftë e Tretë që të çlirohemi ne nga tanët. Jo vetëm, por këtu lind një pyetje e rëndësishme: po sikur, largqoftë, të vijë ndonjë Luftë e Tretë a ka shpresë se mbas saj do të kemi ndryshime për mirë? A nuk erdhi pas Luftës së Dytë komunizmi që doli më keq se zogizmi pasi e mbushi vendin me burgje e internime dhe e rrethoi me tela me gjemba. Madje nuk pati as ndonjë zhvilim për pak më mirë, por vetëm për më keq gjatë 45 vjetëve sepse në 1990 vendi ishte më keq nga ç’kishte qenë kurrë ndonjëherë. Kush nuk do ta besojë këtë le t’i hedhë një sy arkivave me ekzodin. Por edhe çështja nëse kemi pasur zhvillim ose jo pas 1991 e këtej mbetet e dyshimtë. Mjafton të kesh prasysh se vetëm në vitin 1997 vdiqën nga paaftësia kriminale e nomenklaturës kuqeblu pothuajse po aq njerëz sa ç’vrau Enver Hoxha në 45 vjet – pa numëruar të mbyturit në Otranto apo të vrarët mes bandave të tafikantëve.
Pra kush mendon se sot Shqipëria në krahasim me të kaluarën po ecën për mirë nën drejntimin e nomenklaturës kuqeblu që kemi në pushtet duhet të ngrerë, tek e pakta, një goxha fije të trashë dyshimi. Para disa ditësh më rastisi të takoj një përfaqësues të sukseshëm të kësaj nomenklature i cili, duke folur për jetën dhe vlerat e saj më tha: “jeta ka lezet dhe kuptim kur në 100 mijë veta jetojnë e bëjnë qejf vetëm 3 mijë kurse të tjerët rrijnë i shohin ata. Të jetojnë të gjithë mirë kjo nuk ka kuptim.” Pa dashur ai shprehu filozifinë që po ndjek kjo nomenklaturë, mendimin që ka ajo për pjesën tjetër të shoqërisë, sistemin e vlerave që ajo ka. Dhe po të mendosh se i ashtuquajturi zhvillimi i këtij vendi po ecën pikërisht me këtë filozi\ofi nuk është pa vend të ngresh pyetjen: a është vërtet zhvillim ky apo mos kemi marrë një rrugë që do të përfundojë diku në mënyrë tragjike pas ndonjë Lufte të Tretë apo të ftohtë apo të nxehtë që do të vijë nga jashtë?
Ata më optimistët që kërkojnë të gjejnë ecjen përpara, por që edhe nuk shohin ndonjë mundësi reale të zëvendësimit të kësaj nomenklature të thonë se me ndihmën e Evropës, gjithsesi, do të shtrëngohen vidat e shtetit në respekt të shteti ligjor e të lirive e të drejtave të qytetarit. Por ka zëra që Evropa po kërkon të tërhiqet prapa nga projekti i saj apo ta vonojë atë pikërisht nga vështirësitë që sjellin vende si ky i yni. Atëhere, larg qoftë, me çfarë do t’i shtrëngojmë ne vidat. Pa Evropën ne nuk gjejmë dot asnjë palo president.
Dhe ja ku erdhëm prap tek presidenti i konsensusit të moskonsensusit të konsesnsusit të moskonsensusit, që sikurse tha një gazetar këto ditë, mund të lindë vetëm pas një takimi intim midis kreut të së kuqes Rametagjinush dhe kreut të blusë Berimedinok. Mendimi më i arsyeshëm që kam dëgjuar nga optimistët për mundësinë e heqjes qafe të nomenklaturës kuqeblu jo në mënyrë traumatike, por hap pas hapi, do të ishte që në rastin e krizës së presidentit të bëhej ajo që tha pardje Berisha në parlement (jo ajo që tha dje në tryezën e krerëve të partive): Të respektohet kushtetuta. Me një fjalë që Bamir Topi do apo nuk do Berisha e Rama t’i shkojë deri në fund kandidimit të tij dhe të gjejë mbështetësit e tij në emër të respketit të ligjit, por mbi të gjitha të refuzimit më në fund ndaj politikave të vjetra të vendosjes së gjithshkaje nga kupolat e dy partive-shtet që e kanë kthyer parlamentin në një teatër kukullash. T’i shkojë kësaj me ngulm deri në atë pikës sa edhe të provokojë zgjedhje të parakohëshme, edhe kundër vullnetit të ndërkombëtarëve, por në emër të ligjit dhe premtimit për seriozitet të politikës dhe përgjegjshmëri para votuesit.
Mirëpo a ka këllqe Barmiri për këtë? - lind menjëherë pyetja e skeptikëve. A ka këllqe Ilir Meta për këtë? Vështirë të thuash po duke patur parasysh dredhat dhe pështymlëpirjet e tyre. Edhe ata janë peng të asaj që kanë ushqyer e krijuar për pesëmbëdhjetë vjet. Vështirë të besosh se ata nuk janë po të shkollës së Nanos: më bëni president se përndryshe do të bëj një lëvizje që do t’ju hedhë në erë, por po më bëtë president nuk ju bëj gjë. Edhe Bamiri, si nxënës i dobët i shkollës së Nanos lëshoi idenë se do të bënte një lëvizje e ku di unë se do të luftonte për ligjin vetëm pasi e hoqën si kandidat të vetëm. Edhe Meta lëvizjen LSI sipas kësaj shkolle nanoiste e bëri. Edhe ai sapo e nxjerrin nga tryeza zë e bërtet, sapo e ulin qetësohet. Problemi mbetet kush do të bëjë një lëvizje të vërtetë që të nxjerrë një president të vërtetë dhe jo kush do të kërcënojë me lëvizje të rreme që të bëhet president i rremë. Deri në Luftën e Tretë, të nxehtë apo të ftohtë, që kurrë mos ardhtë, zor se do ta kemi një lëvizje të tillë. Prandaj të na rrojë nomenklatura kuqeblu dhe presidenti kuqeblu. (Korrieri, 7 korrik 2007)

2 comments:

Endri said...

Tek shkrimi i mesiperm ka nje pjese me te cilen mund te pajtohem plotesisht. Instrumentalizimi i brezit te ri dhe paaftesia e ketij brezi per te rigjeneruar (jo vetem nderruar) ato cka ketu quhen padronet e vjeter.

Kam shkruar me pare nje shkrim kunder tezes se shumeperhapur te nderrimit te elitave ku pretendoj se nderrimi i elitave nuk eshte i rendesishem. Shume me e rendesishme eshte per mua pavaresia ekonomike e elitave ekzisuese. Shkrimi gjendet tek

http://veshtrime.blogspot.com/search/label/Elitat%20shqiptare

AK79 said...

Ju shikoni prapa historine e vendit tone – me sy kritik, padyshim – dhe ironizoni paaftesine e shqiptareve per te ndertuar nje shtet te lire dhe demokratik, atehere (viti 1913 dhe viti 1945 ) si dhe sot ( vitet 1990-2007 ), duke kualifikuar pak a shume “arritjet” e popullit tone “trim e liridashes” si efekte anesore te politikes nderkombetare te Fuqive te medha.
Meqe si urojme dot botes nje lufte te trete boterore dhe nuk mund te presim qe Evropa te shtrengoje vidat e asaj karabinaje qe sot quajme Republika e Shqiperise, nuk na mbetet, ashtu siç pohoni ju, qe “vidat ti shtrengojme vete”.
Problemi qendron ne identifikimin e shtrenguesit/ve te vidave, te atyre personave idealiste dhe virtuoze qe me vetesakrifikimin e tyre do ti japin shtetit shqipetar nje fytyre tjeter, shpresohet me shume humane.
Personalisht nuk e njoh mentalitetin e rinise se sotme shqiptare, megjithate nuk shoh mundesi tjeter per nje ndryshim nga brenda jo te dhunshem ku agjent kryesor te mos jete rinia.