Friday, October 19, 2007

Pasurimi i shpejtë dhe shkollimi i shpejtë

Lexova me interesim të veçantë para disa ditësh në gazetën Tema një denoncim lidhur me disa universitete private në Shqipëri të cilët rezultojnë, sipas saj, jashtë standarteve për të qenë universitete. Gazeta provon bindshëm se ata paskan krijuar dokumente me emra fiktivë pedagogësh për t’i plotësuar këto standarte dhe, ç’është më e keqja, Ministria e Arsimit, edhe pse i ka konstatuar këto shkelje, ka qëndruar në heshtje. E lexova me interesim të veçantë pasi prej kohësh kam vënë re me shqetësim lindjen kohët e fundit si kërpurdhat pas shiut të universiteteve private në Shqipëri. Faktet që ka botuar Tema më ndriçuan disa pikëpyetje duke më lehtësuar njëherësh edhe nga barra e disa kontradiktave që sikur më pengonin të ulesha të shkruaja për këtë çështje në fakt kaq të rëndësishme.
Ndër kontradiktat e mija ka qenë edhe frika se mos, duke qenë personalisht fort i lidhur me idenë se Shqipëria sot ka nevojë për publiken, mund të injoroja një realiteti të ri që gjìthsesi ka anët e veta pozitive. Me këtë mëdyshje në mendje para disa kohësh, kur mu dha rasti të shkoja në SHBA i ftuar nga “Boston University” u interesova në mënyrë të veçantë për atë se si funksiononin universtetet e famshme private në SHBA duke patur parasysh se ka qenë bash shembulli amerikan ai që është reklamuar për të na bindur për suksesin dhe efektshmërinë e shkollave private.
Më së pari le të shtjelloj se çfarë sqarova në Boston pasi u interesova në mënyrë të veçantë se si funksiononin universtitetet private më të famshme të SHBA që ndodhen mu në Boston si ai i Harvardit, IMT dhe Boston University. Besoj se publiku shqiptar ka shumë nevojë të marrë informacionin që mora unë që i imagjinoja këta universiteta njëfarësoj si këta tanët dmth. si një lloj investimi privat ku individi apo grupi i individëve që ka futur të hollat i ka investuar atje me idenë se nga ky investim do të nxjerrë ca më shumë para. Mirëpo nuk më doli kështu. Universitetet e famshme amerikane të ashtuquajtur “privatë” nuk kanë individë si pronarë. Këta universitete nuk janë investim i një pasaniku që fut si të thuash një milion për të fituar një gjysëm milioni në x vjet. Jo, pasanikët amerikanë nuk i fusin milionat në ato universitete për të nxjerrë përfitime direkte për xhepin e tyre. I vetmi përfitim që mund të kenë është, për një pjesë, ulja e taksave në bizneset e tjera. Të tjerë i fusin për filantropi. Por paratë që jepen qoftë nga kjo politikë taksash qoftë për filantropi i shkojnë universitetit, pa të drejtë kthimi. Ai që pasurohet është vetëm universiteti. Harvardi i famshëm psh. ka qenë një pasanik që nuk i kishte investuar paratë e tij për universitetin për të fituar më shumë, por i kishte shpenzuar për t’ia dhënë shoqërisë. Bibliotekën e Universitetit të Harvardit e kishte ngritur një pasanike e madhe në kujtim të të birit që i ishte mbytur me Titanikun. Le ta bëj edhe më të qartë se si menaxhohen këta universitete: nëse një pasanik fut para në një universitet amerikan e vetmja e drejtë që ai ka, nëse kërkon ta ushtrojë atë, është pasja e një përfaqësuesi të tij në atë që quhet “bordi i të besuarve” i cili në një farë mënyre, është edhe garanti që këto para do të mirëpëdoren. Ky bord është ai që drejton punët e universitetit, që emëron rektorë e më the të thashë. Pjesëtarët e këtij bordi kanë edhe paga, por ata nuk janë pronarë të këtyre universiteteve ashtu sikurse nuk janë pronarë as pasanikët që kanë dhënë milionat.

Ata nuk mund të shesin apo të blejnë universitete apo aksione të universiteteve. Me fjalë të tjera universitetet jetojnë me të hollat e nxënësve që paguajnë (pra nuk subvencionohen nga shteti si shumë universitete në Evropë, e prandaj quhen private) por këto të holla nuk shkojnë për të pasuruar ndonjë pronar që ka investuar atje, por shkojnë për të pasuruar universitetet vetë të cilët paguajnë me këto të holla pedagogët, blejnë laboratore, blejnë edhe konvikte paguajnë edhe bursa për studentë më të mirë apo ata në nevojë.E këtu, përpara se t’i kthehem problemit shqiptar, le të shtoj edhe diçka tjetër. Kur flitet për sistemin amerikan duke e krahasuar me atë evropian thuhet shpesh se ai është shumë më komptetitiv, e prandaj dhe më prodhimtar e më cilësor, por edhe më pak social. Éshtë e vërtetë, por ata që e mbrojnë modelin amerikan shtojnë edhe diçka: në SHBA ndërkohë që shteti jep për publiken “një” dollar privati jep “dy”, kurse në një vend perëndimor si Italia psh, ku shkolla publike është shumë më e fortë në krahasim me privatët shteti jep “një” kurse privati jep vetëm “gjysëm”. E një nga format e dhënies së privatit për publiken në SHBA janë edhe të famshmet universitete private të tipit Harvard, IMT apo Boston University. E quaj të nevojëshme të jap këtë informacion tani që në Shqipëri po shohim një bum të paparë universitetesh private me pronarë privatë (shpesh herë një person i vetëm) që e shohin këtë ndërmarrje sikur të ishte një ndërmarrje e tyrja tregëtare e zakonshme ku fusin “një” e nxjerrin “dy”, ku edhe emërimin e profesorëve e bën pronari i vetëm. Nuk mund të mos ngre shqetësimin si qytetar e si prind: Ç’janë këta universitete që po na mbijnë gjithandej? Si menaxhohen ata? A ka ndonjë ligj që të rregullojë pronësinë e tyre apo trajtohen njëlloj si bizneset e rëndomta private të quajtur SHPK apo SHA. Kush i kontrollon e menaxhon fitimet e tyre e për çfarë? E, çka është më kryesorja: cili është niveli i tyre profesional? Cili institucion duhet ta testojë këtë dhe a e teston? Besoj se kush ka lexuar gazetën Tema të së dielës ka kuptuar se, pas shumë gjasash, jo që s’kemi të bëjmë me filantropi, por as me ekonomi tregu të shëndoshë, dhe, sa për profesionalizmin dhe testimin e tij, ministria e Arsimit në vend se të ngrerë një institucion serioz testimi dhe pa konflikt interesash duket se e ka zëvendësuar atë me promovimin e tyre, çka të le të dyshosh për korrupsion. Duket se më shumë kemi të bëjmë me një variant biznesi që të kujton piramidat mashtruese ku njerëzit futin lekët që shkojnë në xhepin e pronarit me shpresën se do të marrin dije, kurse, në fakt, nuk e marrin atë pasi niveli i këtyre universteteve është jashtë standarteve. Kësaj mund t’i shtohet edhe një e dhënë që, qysh kur kanë filluar këto universitete, dëgjohet gjithnjë e më shpesh: se në këto universitete jepen diploma për studentë që nganjëherë nuk shkelin fare në sallat e tyre, por që paguajnë pasi u intereson të kenë një diplomë. E drejta për të pasur numër të pafund studentësh “part time” e dhënë nga Ministria e Arsimit në ligjin që ka bërë për këta universitete të sugjeron fort se edhe kjo mund të ndodhë. Si munden universitete që figurojnë se nuk kanë numrin e nevojshëm te pedagogeve per tu quajtur universitete te kene, megjithatë. te drejten per te pasur numur te pakufizuar studentesh “part time”? Duket se në këtë shoqërinë tonë edhe shkollimi po ndjek shembullin e pasurimit. Me një fjalë krahas pasurimit të shpejtë me lloj lloj korrupsioni, mashtrimesh, spekullimesh dhe trafikimesh po prodhojmë edhe shkollimin e shpejtë. Universiteti UFO i cila ka edhe një televizion të vetin transmetoi këto ditë në televizionin e tij nja dhjetë herë ceremoninë e fillimit të vitit të ri studentor. Ishte një shfaqje e paparë. Sikur regjizorin ta kishin huazuar nga shkolla e regjisë së kongreseve të PS, PD apo LSI. Me këngë e muzikë e me liderë që ftoheshin të dilnin në shkenën gjigante të Pallatit të Kongreseve shoqëruar me duatrtrokitjet e sallës të mbushur me klakerë të veshur ngjyra ngjyra. Rektori, të cilit i mbaj mend vetëm mbiemrin, Pollo, pasi e lidha me ministrin e arsimit, në çdo dy tre fraza bënte nga një gabim kur lexonte, ndoshta nga emocioni i asaj shfaqjeje që tjetër kuptim nuk mund të kishte përveçse reklamës: ejani regjistrohuni tek ne. Ishte një gjë krejtësisht e kundërt me ceremoninë e fillimivitit në një universitet që duhet të jetë një vend i mendimit dhe studimit ku ceremonia, nëse bëhet, duhet të premtojë fillimin e një pune serioze dhe jo shfaqje të tilla që e bëjnë edhe politikën qesharake e jo më një universitet. Garancinë se atje do të bëhej një punë e mirë e dha president-pronari Velia dhe kjo garanci ishte se atje ai kishte futur paret e veta. Ideja është se ai ka interes qe biznesi i tij të funksionojë dhe t’i sjellë fitim prandaj dhe do të punoje qe të prodhojë një mall sa më të mirë. Mirëpo universitetet prodhojnë një “mall” cilësia e të cilit nuk testohet lehtë dhe për më tepër një mall që nuk blihet dot me para. Garancite e nje universiteti i siguron ajo qe quhet karta e Bolonjës dhe me sa duket sheshit keto universitete janë me kilometra larg kërkesave të kartës. Por edhe sikur të mos jetë karta e Bolonjës ne e dimë se çfarë kapacitetesh minimale mund të kemi për të dhënë mësim në universitete. Kurse Ministria megjithatë jep licensa sikur të bëhet fjalë për pika shpërndarjeje karburanti. Pse? Po sikur këto universitete të falimentojnë pas dy vjetësh si biznese kush ua njeh studentëve provimet që kanë dhënë dhe si i bëhet me lekët që kanë derdhur? Edhe kjo është e paqartë ashtu sikurse mbetet pikëpyetja se sa vlen diploma që do marrin dhe ku do të punësohen tërë këta arsimlartë në vendin tonë. Më e keqja është se në disa nga këto universitete, me sa di, ka edhe anëtarë bordesh te zgjedhur nga figura të njohura publike, ka edhe pedagogë që u duhet të punojnë atje për të rritur sadopak rrogat që marrin në universitetet publike a gjetkë. Këta, për fat te keq, në kushtet tona dhe me statutet apo rregulloret që kanë këta universite, kthehen në rrogëtarë të një pronari të vetëm siç kemi parë të shndrrohen edhe nëpër media të ndryshme private në fillim gjersa u zhdukën. Sepse sipas logjikës së pronarit, i cili e sheh këtë punë si biznes, studentët duhet të kalojnë se këtu nuk kemi të bëjmë me arsimim, por me biznes dhe kush paguan lekët do diplomën. Më shumë këto figura katandisen kështu në fasadë mbrojtëse të biznesit të pronarit në mënyrë që kushdo që mund t’u kundërvihet këtyre universitetbizneseve mund të ndodhet nën presionet e kësaj elite të shoqërisë që përpunon edhe opinionin publik e mund ta shohë veten edhe në sallën nr 6 të Çehovit, si i luajtur mendsh, pasi po i kundërvihet dijes dhe progresit. Ka qe shtrojnë argumentin se universitetet private kanë lindur si nevojë duke parë degradimin e universitetit tonë publik. Por degradimi i universitetit tonë publik nuk mund të shërbejë si alibi. Mos të harrojmë se edhe ekonomia jonë socialiste ishte e degraduar dhe ne iu përgjegjëm këtij degradimi me vefaholldingjet piramidale gjoja se po ndërtonim tregun e lirë dhe sot po ashtu përsëri nuk po jemi në gjendje të ndërtojmë një ekonomi të shëndoshë. Pyetja shtrohet nëse është kjo mënyra për të ngritur standartet e arsimimit tonë, madje a është ky qëllimi apo siç e thashë më lart, kemi të bëjmë me një marifet të ri të disave për tu pasuruar. Kur ndodhën piramidat Sali Berisha dhe Genc Pollo thanë se ata nuk e dinte se çfarë ishin, se u treguan dorëlëshuar ndaj tyre pasi nuk donin t’i pengonin shqiptarët në rrugën e tyre drejt tregut të lirë e se, tek e fundit, përgjegjësinë e kishin vetë se nuk i kishte shtrënguar njeri t’i fusnin paratë atje. Né fakt nuk është kështu. Ata, si shtetarë, kishin për detyrë të kontrollonin se ç’ndodhte atje ku futeshin paratë e shqiptarëve se prandaj dhe i kishim zgjedhur në krye të vendit. Rezultoi se ata e dinin, por nuk merrnin masa pasi një pjesë e atyre parave kishin shkuar për t’u mbyllur gojën edhe atyre në një formë apo në një tjetër, Sigurisht rënia nesër e këtyre universiteteve nuk mund të shkaktojë tërmetin që shkaktoi rënia e piramidave, por tërmeti që mund të shkaktojë një numër jo i vogël të paaftësh që do të na dalin në krye të vendit me diploma të blera apo të fituara në universitete të tilla mund të jetë edhe më i dëmshëm në terma afatgjatë. Si duket këta shtetarë nuk kanë mësuar gjë nga historia ose mendojnë se mund ta përsërisin atë pa u hyrë gjemb në këmbë meqë nuk u hyri edhe atëhere. Nga Fatos Lubonja (Korrieri, 18 tetor 2007)

4 comments:

Anonymous said...

I dashur z. Lubonja,

Ju pershendes per shkrimet ne pergjithesi dhe, per kete teme qe keni ngritur me shkrimin e fundit.
Koncepti i ndarjes se sferave publike/private i pasqyruar ne konceptimin dhe funksionimin e ekonomise se tregut ne Shqiperi eshte bote e huaj dhe kam frike se artificialisht tabu per shume "intelektuale" publike ne Tirane.
Duke qene observator ne distance i fenomeneve shqiptare, fale edhe blog-ut tuaj, me ka rene ne sy mungesa e nje perspektive koherente kritike mbi marredheniet treg-shoqeri.
Ju uroj dhe inkurajoj ne ndermarrjen tuaj si intelektual publik.

Me respekt,


E.F.

Anonymous said...

I dashur z. Lubonja,

Edhe ky artikull që keni shkruar është një filantropi e vërtetë, jam i sigurt që po të ishit i pasur do të dhuronit një pjesë të pasurisë për zhvillimin e shoqërisë tonë. Megjithatë ky artikull është një kontribut. Para disa ditësh lexova në blog-un e slate.com për 60 filantropët e vitit 2006 dhe menjeherë bëra një paralelizëm me vendin tonë. E cfarë paralelizmi? Në vendin tonë duhet të pulikohet lista e 60 të korruptuarve më të medhenj, dhe jam i sigurtë që do të këtë të njëjtin respect si 60 filantropët në USA (kuptohet jo të gjithë shqiptartët).Kam idenë se të pasurit në vendin tonë nuk e njohin fjalen ‘filantropi’.
Për më tepër shikoni në http://specials.slate.com/slate60/2006/, uroj që të pasurit shqiptar nuk do ta lexojnë se do habiten e do thonë, cfarë budallenjsh këta amerikanet, me këto para që ua kanë dhuruar universiteteve dhe fondacioneve do kishin marre ca kurva e do ia kishin kaluar shumë mirë në ndonjë ishull (nqs nuk jeni dakort, tregojani këtë histori ndonjë të pasuri, jam i sigurtë se do jap pothuajse të njëjtën përgjigje).ë

Faleminderit,

S.H.

Bizantin said...

I/e dashur S.H.

Sa për filantropinë, edhe në e bën, shqiptari do ta bëjë më tepër për tu dukur, por ka të ngjarë të mos ta bëjë fare. Para ka ditësh u takova me një intelektuale shqiptare këtu në Toronto, një zonjë grua, e cila më tregonte për një shqiptare këtu në Kanada që është pasuruar, por ka rrjedhur, dhe tani që i vdiq burri do të shesë shtëpinë dhe paratë do t'ua shpërndajë fisit e farefisëve në Shqipëri, për kujtim të burrit të saj. Sepse ajo nuk e njeh kontributin publik, përndryshe me atë para të madhe ajo mund të bënte diçka të bukur, madje edhe me emrin e burrit të saj. Dhe megjithatë, nuk e bëri.

Anonymous said...

Zoti Lubonja, shkrimi juaj ka qene shume i drejte para dy vjetesh, por tani sikur s'po e permend njeri me kete problemin e universiteteve private, tani qe jane bere me keq se kurre, ku s'ka mbetur njeri, me apo pa tru, pa marre nje diplome me para.
Me duket ceshtje qe duhet rrahur vazhdimisht derisa te behet ajo qe duhet bere, sepse situata po behet shume e rende keshtu si jane bere keto universitetet qe te japin nje celular nokia falas po te shkosh te regjistrohesh, vec diplomes ne fund te vitit.