Thursday, November 1, 2007

Të shpëtojmë fëmijët

Nuk ka prind shqiptar që duke përjetuar katrahurën që po ndodh në Shqipëri të mos ketë thënë me zë të ulët apo me zë të lartë shprehjen “të paktën të shpëtojmë fëmijët”. Për shumicën kjo shprehje ka kuptimin e krijimit të mundësisë për t’i nxjerrë fëmijët jashtë shtetit. Një pjesë jo e vogël, ku bën pjesë thuajse tërësisht elita, jo vetëm e gjakon, por edhe e ka realizuar këtë thirrje dëshirore. Ndërkaq jashtë shtetit gjen shumë të rritur shqiptarë që, ndonëse të mërzitur pasi nuk e kanë gjetur veten, të thonë: “s’kemi ç’u bëjmë fëmijëve, se mund të ishim kthyer.”
Por “të shpëtojmë fëmijët” ka edhe një kuptim tjetër, më të thellë, por jo pa lidhje me atë të thjeshtën thënie të shqiptarëve tanë post socialistë. Ajo është një thënie e psikoanalistit të famshëm William Reich, i cili, duke i quajtur tashmë të pashpresë të rriturit, hedh thirrjen se duhet përqendruar vëmendja tek fëmijët. Reich nuk e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë një vendi ku mungon uji, dritat, drejtësia, meritorkacia e me rradhë tërë çka përbën nevojat materiale e shpirtërore si ato që ne nuk i kemi. Jo, ai e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë kulturës e mendësisë së të rriturve. E ka fjalën, pra, për ndryshimin e mendësisë së fëmijëve nëpërmjet ndryshimt të kulturës së fëmijëve, çka do të thotë nëpërmjet ndryshimit të edukimit të tyre.
Ky shpëtim do të vinte kur të rriturit, të ndërgjegjësuar për atë çka janë bërë, për shkak të edukimit të prindërve të tyre, do të ndryshonin mënyrë trajtimi e edukimi të fëmijëve. Nuk është e lehtë një punë e tillë pasi në psikologjinë e prindërve, siç shkruan edhe Kafka në një letër drejtuar së motrës kur kjo u bë nënë, dominojnë natyrshëm dy tendenca thellësisht egoistike: ajo që fëmijët të bëhen realizuesit e arritjeve më të mira të prindërve, dhe ajo që fëmijët të realizojnë ato që prindërit nuk kanë mundur t’i realizojnë. Né të dy rastet kemi të bëjmë me një projektim të vetes së dashur të prindërve tek fëmijët e tyre të dashur dhe rezultati nuk është tjetër veçse një përsëritje në mos më e keqe e modelit të prindërve.
Po t’u shtojmë këtyre edhe atë që e di mirë kush ka rritur fëmijë, prirjen e natyrshme të fëmijëve për të imituar më të rriturit, kryesisht prindërit, mund të shpjegojmë pse shoqëritë kudo riprodhojnë aq shumë të njëtën kulturë e të njëjtët njerëz. Në vendin tonë kësaj prirjeje universale duhet t’i shtojmë edhe disa tipare lokale që e bëjnë edhe më konservatore shoqërinë tonë prandaj edhe më ulëritëse klithmën e Reichut për të shpëtuar fëmijët nga të rriturit. Nëse do të kërkojmë një nga tiparet më të shëmtuara të kulturës sonë lokale përsa i përket edukimit të fëmijëve them se më e shëmtuara gjë është ajo që përmblidhet në thënien që të rriturit tanë e përsërisin shpesh “më mirë mut se i vogël”. Éshtë një thënie që, thellë thellë, shpreh një kulturë sjelljeje ndaj fëmijëve. Atë të dhunimit të personalitetit të fëmijëve, të injorimit, të moskuptimit se ata, që në moshë të vogël, janë të ndjeshëm e kuptojnë shumë më tepër nga ç’u duket të rriturve. Është kultura që shoqërohet me imponim edhe me forcën e dajakut të mendimeve të rriturve e të kërkesave të tyre, e përdorimit të gënjeshtrës për t’i “gabuar”, e trembjes me lloj lloj gogolësh të improvizuar, apo me jevgj, me plaka e me qenër. Është një kulturë që e gjen të shpërndarë rëndom në krejt shoqërinë tonë. Por nuk është vetëm kaq. Ajo çka ne u mësojmë përditë fëmijëve me këtë kulturën tonë është sjellja ndaj tjetrit, kur ky është “i madh” dhe kur ky është “i vogël”. U mësojmë që të madhit tu lëpihen. Kurse ndaj tjetrit, kur ky është i varfër, i dobët, fatkeq, u mësojmë sjelljen e arrogantit e të dhunshmit, e lehtësisë së padrejtësisë ndaj tij - sikur ky të mos jetë i barabartë me të tjerët në dinjitet e të drejta, por sikur të jetë poshtë këmbëve të tyre, - çka herë herë arrin deri në kërkesën që ky të mos ekzistojë. Të gjitha këto i shkrova duke patur parasysh një ngjarje që ka ndodhur së fundi. E kam fjalën për ngjarjen e të dy binjakëve të sëmurë me Sida që u supermediatizua disa ditë më parë për shkak të kërkesës të prindërve të fëmijëve të tjerë që kërkonin largimin e dy fëmijëve nga shkolla e që, në thelb, ishte kërkesë që ata të mos ekzistonin.Ishte e paparë paturpësia e prindërve të tjerë që, pa gjetur as mënyra diskrete, arritën të shprehin hapur kërkesën e padrejtë për largimin nga shkolla të dy binjakëve. Edhe mediatizimi i kërkesës së tyre i kaloi kufijtë e arrogancës ndaj dy binjakëve të vegjël. Pyetja që lindte natyrshëm, duke parë lajmet e duke lexuar shtypin, ishte: si ka mundësi që nuk u vu kush nën petkun e atyre fëmijëve kur ka trajtuar këtë problem. Trauma që kanë pësuar ata e që me siguri vazhdojnë ta përjetojnë, - mjaft të mendosh se kjo ishte mënyra se si ata mësuan nga të rriturit për sëmundjen e rëndë që kanë - është një gjë që do të mbetet e pashlyer në psiqikën e tyre, që me siguri u ka ndryshuar jetën dhe marrëdhëniet e tyre me njerëzit. Përpara tyre është hapur një botë e mbushur me njerëz të liq dhe kjo nuk mund tu mbjellë veçse urrejtje e ndjenja negative në shpirt. Sepse ajo që ra në sy ishte mungesa e empatisë, mungesa e ndjenjës së solidaritetit ndaj atij që është në fatkeqësi, mungesa e asaj që quhet pieta që është poezia e zemrës së njeriut. Ndonëse në përgjithësi institucionet mbajtën një qëndrim të drejtë përsa i përket kërkesë për përjashtimin e tyre nga shkolla nuk mund të mos binte në sy se i vetmi argument që mbizotëroi në të gjithë debatin ishte ai se nuk kishte asnjë rrezik pasi Sida nuk mund të ngjitej me ato lloj kontaktesh që kanë fëmijët prandaj prindërit nuk kishin pse shqetësoheshim. Ishte e habitëshme se sa mirëkupëtim gjenin nëpër media ata prindër për kërkesën e tyre, se sa kujdes bëhej që ata të qetësoheshin, e se sa pak merak kishte, nga ana tjetër, për traumën që po u shkaktohej dy binjakëve të sëmurë. Sigurisht sikur të bëhej fjalë për një rrezik të vërtetë shqetësimi i prindërve do të ishte i justifikuar, por përsëri, duke patur parasysh se shkakatarët e këtij rreziku ishin dy fëmijë të vegjël, krejtësisht të pafajshëm, qëndrimi duhet të ishte shumë më njerëzor. Përkudrazi ajo që binte në sy ishte ngulmimi i prindërve për të mos e kuptuar mosrrezikun. Meraku për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga çdo rrezik që mund t’u vijë nga tjetri shkelte me çizme mbi çdo ndjenjë njerëzore për tjetrin. Edukimi që dhanë ata fëmijëve të tyre ishte lënia e fatkeqit në mëshirën të fatit. Nga informatat që kam nëna fatkeqe që e ka marrë sëmundjen pa pasur asnjë faj, ndaj së cilës mjekësia jonë është shumë përgjegjëse, sot jeton thuajse e izoluar jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga mjaft familjarë. Ky rasti ishte emblematik për të treguar se sa poshtë janë ato vlera që e bëjnë një shoqëri të meritojë të quhet e tillë e që fatkeqësisht nuk po u transmetohen as fëmijëve, përkundrazi. Duke ndjekur atë nuk mund të mos mendosh se shprehja “të shpëtojmë fëmijët”, me idenë e nxjerrjes së tyre nga e keqja e këtij vendi, nuk është gjë tjetër veçse rimarrje e një kulture të vjetër që nuk premton se mund t’i shpëtojë vërtet fëmijët - jo vetëm ata që mbesin këtu me “sida”, por do të thoja edhe ata që ikin. Sepse fëmijët që janë rritur nga prindër si ata që kërkuan me aq paturpësi largimin e binjakëve nga shkolla, të cilët me siguri nesër nuk do të lënë gur pa luajtur për t’i “shpëtuar” edhe nga Shqipëria fëmijët e tyre, do të mund të shpëtojnë vërtet jo duke kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ato të kulturës së prindërve të tyre. (Korrieri, 30 tetor 2007)

15 comments:

Selfmaderadio said...

Ky artikulli per femijet eshte i shkelqyer. Te falenderoj qe e ke trajtuar kete teme, dhe e ke trajtuar keshtu sic e ke trajtuar.

Ah, cfare shoqerie qe jemi!Jetojme ne nivelin e instikteve dhe te seleksionimit natyror. M’u trazua stomaku.

ak said...

Ky artikull duhet të lexohet shtëpi më shtëpi, klasë më klasë, në sheshet publike. Popullit tonë i duhet një pasqyrë që të shohë veten, të shohë se në çfarë është transformuar.

Të shpëtojmë shqiptarët nga vetja e tyre! ...po si?

edrus said...

Këto janë pasojat e përndjekjes pa kriter të një sistemi tjetër vetëm se duhej urryer i mëparshmi.
Në një shoqëri egërsisht kapitaliste(!!) si ajo shqiptare, ku vlerat dhe mbivlerat e individit janë të idealizuara si arritja më e madhe e lirisë demokratike, është e natyrëshme që vlerat e solidaritetit dhe mëshirës, sado që feja mund ti propogandojë si virtyte të njeriut, mjaft që ato virtyte kanë qënë shprehje e shoqërisë socialiste tashmë duhen hedhur tutje.
Si mund të shpëtojnë shqiptarët nga vehtja e tyre?? Të provojnë që të mendojnë kur të japin votën herë tjetër.

ITS said...

Artikull i forte dhe prek nje teme shume delikate.

Sipas observimeve personale dhe kujtimeve te femijerise skandalizohem kur kujtoj menyren se si i "dobti" trajtohej ne shqiperi.

Te kishe syze ishe "qorr", te kishe te meta mendore ishe "debil". Cdo gje merrte nje kuptim pezhorativ. Na mungon shume kompasioni, emotiviteti.

Edrus, keto gjera kane ekzistuar edhe ne kohen e socializmit, ndoshta dhe me teper kur femijet manipuloheshin, e indoktrinoheshin, ne ushtare te bindur te partise, Ti e di me mire se une kete. Keto sjellje te shemtuara jane modifikuar dhe nuk kane lindur ne vitet e demokracise.

Akoma me teper u skandalizova kur pashe nje film te koheve te fundit te quajtur "Pavjoni Zero" ky i gjithe objekti i filmit ishte te bente per te qeshur njerezit nepermjet karaktereve te ndryshme te shtruar ne nje spital psiqiatrik ne Tirane. Na fundi i filmit po me vinte per te vjelle.

Cfare edukimi mund t'ju japesh femijeve kur njerezit mungojne kulture elementare qytetare dhe respekti per vehten e njeri-tjetrin.

Nejse, kot merzitem une. Une jam njeri optimist dhe them qe per 100 vjet ne Shqiperi do te fillojne te lindin vlerat qytetare qe bota perendimore tashme i ka standartizuar...

Bizantin said...

Shumë e drejtë është fjala se largimi nga Shqipëria "për të shpëtuar fëmijtë" nuk i shpëton me domosdo ata. Jo dhe jo.

Shoh shpesh, këtu gjetkë, se si mjaft prindë shqiptarë i trajtojnë fëmijtë: Sa keq, sa ndryshe, sa dobët...

Ata që përdornin dhunën pa teklif dikur, tani e kanë më të vështirë, por më vështirë është për fëmijtë, të cilët pranojnë tashmë një dhunë verbale më të egër se ajo fizikja, sepse tanimë prindët abuzues gjejnë mënyra të reja dhune jo fizike. E morët vesh?

Por ka dhe diçka tjetër. Shumë herë fëmijtë nuk e fshehin qëndrimin e tyre antifamilje, me mënyrat e reja, të cilat prindët shumë herë nuk janë të zotë t'i shquajnë, sepse kjo është tjetër botë... Ka mënyra mimike, pasthirrmore, me të cilat prindët, sidomos baballarët, shkrihen, pikërisht kur fëmijtë i tallin ata.

Nga shpëtim, pra, na vjen më shumë improvizim në familjen shqiptare.

Pozesiviteti, pastaj. Ah, çfarë kanceri shqipar! Vdekjeprurës është! Në emër të dashurisë, veç! Dhe këtu jo vetëm improvizim nga fëmijtë, por dhe shtirje e madhe, mistere të reja, dhunë e re, tashmë nga vetvetja, nga shpirti i trazuar i adoleshentëve, drejtuar vetes prapë. Njësoj e rrezikshme se e para.

Po privacia? Harroje! Për shumicën, as që ekziston. Po sjell një shembull. Ishte një kompjuter për t'u dhënë diku, dhe unë u interesova me disa familje shqiptare, që të shihja se ku kishte më tepër nevojë. Në një familje me dy djem, njeri 18 vjeç, kishte një kompjuter, por babai tha se "e marrin ne". Mirë, i thashë, kompjuteri është i ri, ta gëzoni, por me një kusht: Ta marrë Altini, dhe ta përdorë vetëm ai, me fjalëkalimin e tij privat, ku ju të tjerët, nëse doni ta përdorni kompjuterin e tij, ta përdorni në guest status, pa fjalëkalim, ku do të keni të drejta të plota, përveç se të shikoni arkivin e tij, apo të administroni kompjuterin e tij. Mazallah!

Nuk pranuan. Edhe unë s'ua dhashë, por ia dhashë një familjeje tjetër, sipas gjykimit tim. Madje, deri sot më respektonin kaq shumë, dhe tani më shikojnë vëngër sikur duan të më thonë: "Nuk e kemi për kompjuterin, por se do të na prishësh djalin!" Nuk e kuptojnë se sa shanse më shumë ka Altini me këtë mënyrë, jo me atë vendoren.

Dhe këta që përfola janë prindë elitarë, ish pedagogë universitarë në Shqipëri.U kripsha trutë!

Fëmijtë shqiptarë do të shpëtohen kur të çlirohen nga pushteti shqiptar. Nga shprehitë e një kulture të sëmurë për vdekje.

Dhe në fund, edhe pse s'ka fund e keqja jonë, ndaluni e shihni se si iu drejtohen shqiptarët shqiptarëve: si një i rritur ndaj fëmije. Kujtoni edhe shprehjen "është djalë i mirë, studiues, e të tjera", edhe kur ai që e thotë është bashkëmoshatar, por merr pozitën e babait, një një kulturë të mistershme si kjo shqiptarja. Shqiptarët iu drejtohen shqiptarëve publikisht sikur janë fëmijë.

Mua madje, ju kërkoj ndjesë për këtë që do të them, kur më lexojnë shkrimet, në vend që të kritikojnë tekstin a autorin për ato që thuhen, më drejtohen jo sikur jam fëmijë, por madje dac, që të mos ta them fare troç!

Më ndjeni!

Bizantin said...

E meriton ta shkëpus si postim më vete temën "feja dhe fëmijtë", sepse u hodh një parrullë revolucionare më sipër, nën influencën e hartimeve që na ka injektuar letërsia e diktaturës.

Përderisa shprehja u formulua bash si atëherë, njësoj sikur të thoshnim "le t'iu qepemi maleve e kodrave dhe t'i bëjmë pjellore si fushat" (cituar nga kujtesa), unë do t'ju kujtoja emisionin e përrallave nga Kallamata (Marika?) gjatë diktaturës.

A kishte emision më fetar se ai? Më indoktrinar? Mu në embrion? Me ninulla, madje? Më mjetet më të forta?

Për mua, me kaq shkronja sa kam mësuar, ai ishte një emision-katekizëm, më fetari mjet i kulturës së diktaturës. Jam menduar shumë herë të shkruaj një ese mbi atë emision, por më zuri rrota bishtin këtu në Kanada dhe nuk kam ku t'i gjej disa segmente të atij emisioni, sepse është kulturorisht tepër interesant!
Sepse ishte shumë teologjik.

Kur feja nuk e respekon lirinë e njeriut, feja nuk është më fe por kult, dhe kultet, qofshin ato fetare a politike, janë të rrezikshme. Prandaj dhe studiohen si disiplinë më vete. Por ne kemi shumë naivitet, aq sa fjalën "kult" e kemi vetëm me një kuptim, aq të fuqishëm madje, se edhe zyra e fesë, a e religjioneve, u pagëzua "zyra e kulteve". Nejse.

Meqenëse u përmend feja, pra, prapë do të kujtoja diçka nga fetë, sidomos kur Bibla, kur Jezui tha "lerini fëmijtë të vijnë tek unë".

Krishti nuk e tha që t'i robëronte fëmijtë, por që t'iu kujtonte të rriturve se fëmijtë kanë nevojë të kultivohen në liri dhe në vijim të vendosin vetë. Nuk e tha që të abuzohen fëmijtë, jo, por të pranohen.

Unë madje do të thoja se një nga arsyet kryesore të krizës shqiptare, edhe për fëmijtë, ka lidhje me mungesën e fesë, apo me kultizimin e tyre në vitet postkomuniste, ku fetë, shumë herë (dhe sidomos feja ime), i shohin dhe i trajtojnë fëmijtë me mënyra materialiste, duke paraqitur kështu, pa dashje, atë që nuk u bë dje: një komunizëm me fe e madje me të mira materiale!

Përgjigjja më e mirë, që të mos shkojmë larg, është tek fqinjët e Shqipërisë, të cilët ne, edhe pse i shajmë, na lënë mbrapa edhe në mënyrën se si i trajtojnë fëmijtë.

Selfmaderadio said...

Bizantin,

me kujtove nje episod qe e kam perjetuar ketu ne Zvicer.

Nje i panjohur i njohur po ankohej se sa shume i diskriminojne zviceranet kosovaret. Burri i shkolluar ne nje universitet te Prishtines kishte nje vajze qe frekuentonte shkollen. Dhe po na ankohej se zysha i vinte goces nota mesatare dhe ja refuzonte 6ten (nota me e mire) sepse ajo ishte kosovare; sepse i jati ishte 100% i bindur se vajza e tij i bente te gjitha shume mire. Sepse:

- I them vajzes, te jesh e urte, te degjosh mesuesen, te besh cfare te thote ajo!

Nderkohe mesuesja kerkonte qe vajza te mos ishte e urte dhe e bindur dhe te mos bente cfare thoshte ajo: por te ishte e pavarur, aktive, dhe t'ja vinte zyshes ne diskutim ato qe ajo thoshte. Me nje fjale e me pak humor: Kur zysha pyeste:

Pse?

Vajza sipas porosise se babait duhet t'i pergjigjej: sepse keshtu e ke thene ti mesuese.

Nderkohe qe mesuesja priste qe ajo t'i thoshte sepse: 1. ..2....3....dhe t'i hynte problemit ne thelb, por edhe vete menyres se saj te mendimit.

Paksa tragjikomike. Ndoshta, edhe shume.

Bizantin said...

Strangeman,

Kam një fjalë për ty.

Ajo që the, "shtëpi më shtëpi, klasë më klasë, në sheshet publike", sikur shumë, nuk është? Jo vetëm se është formulim i kulturës së diktaturës, të bindjes masive, domethënë "të masave", por, edhe sikur të ishte e mundur diçka e tillë, çfarë dobie do të kishin fëmijtë nëse dikush hynte në klasë dhe iu lexonte këtë shkrim me zë të lart a të butë, si dikur në "orën e Enverit", ora e parë të mërkurën në shkollën postmortore të viteve 80?

Fëmijtë, përkundrazi, nuk do të ndihmoheshin. As prindët, do të mundeshin ta rroknin këtë temë të vështirë, dhe, madje, as publiku do ta dëgjonte thënë në këtë mënyrë.

As autori ka iluzione të atilla, them unë, Strangeman.

Publiku do të dëgjonte më tepër nëse e bënim si Ariosi, i cili, në shekujt e parë të krishtërimit, për të përçuar në popull teoritë e tij, i shkruante doktrinat të thjeshta në vargje, madje me rimë... Sepse ashtu bëheshin më lehtë himne, këndoheshin, dhe përhapeshin më shpejt. Sepse ata që nuk dinin të lexonin, nga ana tjetër dinin të këndonin dhe t'i mësonin përmendsh vjershat.

Por as ashtu bëhet, Strangeman, se sot, në vitet 2000, vjershat me rimë nuk quhen më poezi, përveçse kur vijnë nga monumentet shqiptare (Më thuaj nëse e shkela këtu).

Shkrimi i Fatos Lubonjës do të zërë vend nëse ne këtu pranojmë problemin e madh, sëmundjet e kulturës shqiptare, për të cilat nuk na e kanë fajin politikanët vetëm, por ne, populli shqiptar, i cili nxjerr liderë, politikë e fetarë, sipas brumit të tij.

"Nga i njëjti argjil, e bën poçen poçari", për ta letrarizuar pak bibliken.

Këto Përpjekje, atëherë, kanë vlera vetëm kur sjellin ndryshime brenda nesh, të paktëve. Përndryshe, nuk i bëjnë mirë as Lubonjës, sepse duke i thënë bravo e duke i dhënë çmime atij, është një përgjigje vendore, domethënë se s'kanë ç'ti bëjnë më, se nuk e hanë dot, por jo se pajtohen me mendimtarinë e tij. Përndryshe, mbas kaq vjetësh, nuk do të thuheshin të njëjtat dhe të njëjtat probleme.

Dhe, për të mbyllur ndershëm, nuk na e ka fajin vetëm komunizmi. Pushteti i 44-ës shkriu në vetvete jo vetëm kulturën mitologjike të Rilindjes, por dhe nënkulturat vendore, pisllëkun e madh, i cili është trashëguar dhe bën mu kudo ku ka shqiptarë.

Bizantin said...

SR,

Faleminderit për shembullin nga atdheu i atjeshëm. Sikur ta pyesje atë profesorin nga Kosov: Përderisa në Kosovë gjërat janë siç janë, dhe atje ku është ka diskrimini, pse të mos shkojë në Tiranë, që të jetë si në shtëpi të tij dhe, më e madhja, të mos ketë asnjë grimë diskiminimi si kosovar?

Anonymous said...

Mendoj se problemi i shoqerise shqiptare qendron se strukturalisht eshte ende midis nje epoke shoqerore-kulturore post feduale, para moderniste. Gezohem qe Lubonja ben nje "mapping out" te kesaj tranzitologjie.

E.F.

Anonymous said...

Se ne Shqiperi individi shtremberohet qe ne femijeni dhe thuhet me mire mut se i vogel, e siguroj autorin se ne forma te ndryshme kjo shprehje egziston gjithandej, ne te gjitha gjuhet.

Per me teper ne shqip nuk ka ate kuptim qe i jep autori. Ajo perdorej sepse per punet e vogle te shtepise urdherohej gjithnje ai qe ishte me i vogel, gje qe eshte normale e ndodh gjithandej.

Bizantin said...

Për përdorimin e të voglit nuk është "normale gjithandej". Për shembull këtu në Kanada të voglit i jepet vendi në tren në metro, nga të mëdhenjtë, ndërsa në kulturën shqiptare i vogli është gjithmonë i atillë, edhe pse trupi i tij është më i dobët për të përballuar ato që i kërkojnë më të mëdhenjtë shqiptarë.

Anonymous said...

Une nuk e di se cfare kuptoni ju me i vogel dhe natyrisht as qe e kam fjalen per bebet e kopeshtit. As ne Shqiperi nuk kam pare qe ti keqtrajtojne ato, pervec te cmendurve qe edhe ata jane gjithandej te pranishem. Per te tjerat aty ne Kanada kam degjuar shprehjen "jeune et con", njera si sinonim i tjetres, por natyrisht pa i barazuar e pa i shtyre gjerat ne ekstrem

Bizantin said...

Në Shqipëri fëmijtë mësohen që t'iu lëshojnë vendin më të mëdhenjve në autobuz dhe në tren, ndërsa këtu është e kundërta. Këtu nuk ka asgjë të paqartë, përveç tendencave vendore/shqiptare për ta mbuluar gjithmonë të vërtetën.

Anonymous said...

Z. Lubonja, Shkrimi "T'i shpetojme femijet" eshte The best!