Wednesday, January 23, 2008

Pasqyrim apo shpërfytyrim

(transformime kulturore në Shqipërinë post-komuniste)*

Kur mendojmë rrugët e transformimit të një realiteti nuk mund të mos të na vijnë ndërmend dy qasje ekstreme teorike: e Marksit dhe Weberit. Nëse i pari argumenton se është strukutura eknomike ajo që determinon superstrukturën prandaj duhet ndryshuar struktura që të ndryshojë edhe superstruktura; i dyti, në "Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit", argumenton se janë idetë ato që determinojnë ndryshimet strukturore.

Sot, mund të themi se jemi më pranë njohjes së procesit të transformimit të një realiteti nëse konsiderojmë bashkëveprimin e të dyjave. Se dikotomisë strukturë - superstrukturë i korespondon dikotomia domosdoshmëri - liri ku, me liri, do të nënkuptojmë edhe krijimin e atyre hapësirave në të cilat përpunohen instrumentet kulturore dhe ideologjike për transformimin e një realiteti. Mbetet megjithatë pikëpyetja se cila do të ishte alkimia e suksesëshme e bashkëveprimit dhe cila e dështuara - pa harruar edhe ndërgjegjësimin tonë postmodern se e ardhmja nuk mund të mendohet si mbrritje në një destinacion nëpërmjet një utopie progresiste projektuale, por si multiplicitet lëvizjesh, vlerash e perspektivash.

Cila është përgjigja që do të jepnim duke analizuar transformimet që po ndodhin në vendet ish komuniste si Shqipëria? Është fjala për një ndër vendet me hendekun më të madh ndër vendet e Lindjes midis realitetit që la regjimi komunist dhe realitetit të ri që synohet të krijohej për t'iu përgjigjur aspiratës së shqiptarëve për integrim në Evropë. Kjo mbi të gjitha pasi Shqipëria mbeti deri në vitin 1991 një regjim stalinist i izoluar nga bota si perëndimore edhe lindore. Në këtë kontekst ajo përbën një eksperiment interesant përsa i përket çështjes se sa mundet të transformohet një realitet shoqëror me fuqinë e ideve të reja dhe se sa idetë e reja janë të kushtëzuara nga ndryshimet struktutore, por edhe nga forca tërheqëse e kulturës së vjetër. Dhe, më anë tjetër, sa kanë ndikuar reformimet në strukturën ekonomike për të krijuar një kulturë të re e çfarë është rezultati deri tani?

Sfidat më të rëndësishme kulturore për ta afruar shoqërinë shqiptare me Evropën janë të lidhura me nevojën e dekontaminimit nga ideologjia trushpëlarëse nacional - komuniste, nëpërmjet dekonstruktimit të miteve të kësaj ideologjie; me nevojën e katarsisit si çlirim, por edhe si mjet për implementimin e vlerave të humanizmit, të mendimit kritik, të të drejtave universale të njeriut; me nevojën e njohjes së mendimit, gjuhëve dhe mjeteve shprehëse të zhvilluar në Perëndim në kohën ku Shqipëria ishte e izoluar. Tek e fundit janë sfida të kalimit nga një ideologji totalitare që zotëronte monopolin e së vërtetës në një kulturë të zhvillimit të personalitetit dhe integritetit të individit nëpërmjet njohjes e zhvillimit të pluralitetit të vlerave, duke përfshirë edhe zhvillimin e kulturave të minoriteteve dhe ringjalljen e tre besimeve tradicionale fetare (musliman, ortodoks dhe katolik) të ndaluara nga komunizmi.

Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh rezultati është diçka e krahasueshme me procesin e hibridizimit. "Fidanet" kulturore që u sollën nga Perëndimi nuk u implementuan në një truall neutral, por u shartuan në trungun e vjetër kulturor. Kultura perëndimore u rrok me metodat e kulturës së vjetër pra në formë mitizuese dhe jo kritike. Kapitalizmi filloi të ndërtohet nën kultin e neo-liberizmit, duke promovuar vetëm kulturën komerciale Perëndimore. Sot për sot mund të flitet për dekomunistizim të sipërfaqshëm të shoqërisë, por jo për katarsis, as për rishkrim të historisë jashtë miteve nacionaliste; as për futje të shpirtit kritik ku secila prej këtyre është shumë e rëndësishme për t’i hapur derën një kulture të re. Në krijimin e një hibridi kësisoj rol të rëndësishëm ka luajtur edhe fakti se pushteti politik e kulturor në Shqipëri mbeti në duart e së njëjtës elitë që prodhoi kulturën nacional - komuniste. I ashtuquajturi revolucion demokratik nuk e përmbysi elitën komuniste, por vetëm e ricikloi atë.

Por është vështirë të thuhet se këtu kemi të bëjmë me një dështim thjesht kulturor apo politik. Paralel me atë që e quajta proces hibridizimi kulturor në vend filloi edhe ndryshimi në strukturën ekonomike. Kur u hap drejt ekonomisë së tregut Shqipëria ishte vendi me ekonominë më të falimentuar, krejt e papaftë për kompeticion në tregun e lirë. Prandaj dhe rruga më efikase për mbijetesë u bë shitja e krahut të punës në Perëndim sëbashku me trafiqet e drogës e prostitucionit. Shqiptarët hynë në botën e madhe nëpërmjet ekzodit të tyre masiv të fillimviteve 90. Brenda vendit kulti i neoliberizmit triumfues çoi në procesin e privatizimin të gjithshkaje publike, në një "laiser faire" të kombinuar me informalitet dhe krimimalitet ku politika në vend se shërbim dhe garante e kompeticionit të lirë mori trajtat e një biznesi tejet fitimprurës. Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh përpjekje për të ndërtuar ekonominë e tregut, në Shqipëri, prodhohet në vend vetëm afro 1/5 e asaj që konsumohet. Pjesën tjetër shqiptarët e sigurojmë nga emigracioni nga trafiqet dhe nga ndihmat e huaja. Një strukturë e tillë ekonomike e kushtëzon fuqimisht politikën e në tërësi superstrukturën. Pesha e aktorëve ekonomikë informalë, apo kriminalë, një pakicë e pasurura në mënyrë marramendëse, është kaq e rëndësishme saqë është e vështirë të mund të krijohet një politikë që do të kërcënonte mënyrën e tyre të fitimit, të mbyllte trafiqet, të krijonte kushtet e një rishpërndarje më të drejtë që do të mundësonte edhe investimet në një kulturë më serioze.

Jo vetëm, por kjo strukturë ekonomike dominuese ka krijnuar instrumentet e veta të pushtetit ku spikasin mediat. Në një vend ku banojnë më pak se 3 milion banorë ka afro 80 televizione private kombëtare dhe lokale dhe rreth 33 të përditëshme. Kemi të bëjmë me një hipertrofizim të pashembullt të industrisë mediatike krejt jashtë ligjeve të tregut të lirë. Këto media financohen kryesisht në sajë të abuzimt me fuqinë dhe influencën e tyre pasi pronarë, shumica ndërtues, apo dhe tregëtarë të mëdhenj, kontrollojnë tenderat publike, sheshet e ndërtimit, tregjet dhe mbrohen nga mospagimi i taksave. Nëse në vitet e para e ashtuquajtura inteligjencie e komunizmit mbijetoni ekonomikisht në sajë të OJQ-ve të ndryshme që Perëndimi i përdori për të implementuasr shoqërinë civile e për të sjellë idetë e veta, dora dorës që ekonomia informale dhe kriminale filloi të fuqizohet e të kapë shtetin shumica filloi transferohet në punë tek ajo ose të hyjë në politkë që u bë gjithnjë e më shumë e varur prej saj. Një pjesë e mirë e intelektualëve që ishin mbajtur deri atëhere me paratë e Perëndimit nga sponsorizimet modeste që merrnini nga OJQ perëndimore të tilla si Soros apo Pro Helvetia apo që ishin kualifikuar nëpër kurse apo studime jashtë u punësuan në këtë industri me paga shumë herë më të larta. Për një kohë shumë të shkurtër kjo industri i ka kthyer shumicën e gazetarëve dhe intelektualëve të vendit në rrogëtarë që u shërbejnë interesave të tyre dhe mediat në mjete të fuqishme në shërbim të fitimeve të tyre. Kultura që rrezatohet prej tyre është tërësisht kultura e konsumizmit, e vëllait të madh, e velinave, e gërvisht dhe fitosë.

Sistemi i krijuar kësisoj është një hibrid ku ndjehet rrënjët e regjimit të kaluar kur media, si pjesë e aparatit trushpëlarës të komunizmit, mbahej në këmbë nga politika që kontrollonte njëherësh edhe ekonominë për qëllimet e sundimit të nomenklaturës komuniste. Por tashmë instrument kryesor i ruajtjes së pushtetit nuk është më policia apo shërbimet sekrete, por mediat të cilat përhapin një tjetër ideologji trushpëlarëse. Mund të bëhet objeksioni se ky përqëndrim i pushtetit politik, mediatik e financiar në duart e pak njerëve tingëllon shumë i njohur edhe në Perëndim. Prandaj, ndoshta nuk ka kuptim të thuhet se Perëndimi, ndonëse fitoi Luftën e Ftohtë, është larg së fituari luftën me mafjen në këto vende për të implementuar vlerat e tij më të mira kulturore, pasi tek e fundit, kjo është një luftë që ai e ka edhe brenda vetes. Është një objeksion që qëndron ndonëse ndryshimet janë të mëdha. Në një farë mënyre, në procesin e hibridizimit, Shqipëria duket sikur ka importuar pjesën më të keqe të kapitalizmit perëndimor, sikur të jetë një pasqyrë ku Perëndimi mund të shohë të karikaturizuar tiparet e tij më të këqija. Prandaj dhe, tek e fundit, sfidat kulturore shqiptare nuk mund të shihen veçse si pjesë e sfidave kulturore evropiane.

*Ky shkrim është botuar në revistën kulturore zvicerane "Passage" që botohet në gjermanisht, anglisht, frëngjisht në numrin e saj 46 të fundvitit 2007 me temë "Ballafaqime Ballkanike"

1 comment:

xixa said...

një rastësi e fatit bëri që Max Weber, përveç kontributit të tij në shëndrrimin e realitetit, të përmendet në një shkrim paralel që mundohet t'i përgjigjet nga ana etike kërkesës së rishkrimit të historisë.
Meqe teksti êshtë fort i gjatë - dhe i paadaptuar si një përgjigje e drejpërdrejtë të shkrimit tuaj të mësipërm, atë mund ta lexoni në:
Metafizikë etike
(www.albanie-albanais.com)
Shpresoj që ai të mund të përshtatet si përgjigje shkrimeve tuaja të mëparshme.
Me respekt.