Saturday, January 5, 2008

Urim për kolegët gazetarë

Ai që ka zgjedhur të bëjë punën e gazetarit e di më mirë se kushdo si si ky punëtor i informacionit dhe mendimit është në kërkim të vazhdueshëm temash për t'i trajtuar në shtyp apo media. Mendja e tij duhet të sillet pareshtur 360 gradë, si një radar, në gjurmim të ngjarjeve më të rëndësishme, por edhe të ideve të reja.
Në këtë kërkim të vazhdueshëm më duket se ka dy momente kur, duam s'duam, ndalojmë pak më gjatë për të zgjedhur se çfarë do të shkruajmë, duke e ndërprerë, ndoshta, edhe ndjekjen kronologjike të ngjarjeve më të rëndësishme. Është momenti i zgjedhjes së shkrimit të fundit të vitit të vjetër dhe ai i zgjedhjes së shkrimit të parë të fillimit të vitit të ri. Personalisht nuk i kam dhënë dhe nuk i jap ndonjë rëndësi të veçantë festave të kapërcyellit të fundvitit të vjetër e të nisjes së vitit të ri. Në jetën dhe punën time individuale nuk gjej arësye ta konsideroj këtë moment si një stacion të jetës sime pas të cilit do të fillojë një etapë e re. Hesapet me veteveten i bëj çdo ditë të vitit dhe synoj të ndryshoj për mirë në çdo ditë të vitit. Edhe pushimet preferoj t'i zgjedh vetë, kur ndjehem i lodhur apo i dehur nga intensiteti i ngjarjeve që më rrethojnë. Megjithatë…
Megjithatë nuk mund ta mohoj se si njeri që ka detyrimin të komunikojë vazhdimisht me të tjerët, do s'do, këto ditë të imponohen edhe nëpërmjet të tjerëve: atyre që tradicionalisht tashmë i përjetojnë këto ditë si një moment ndalimi, pauze. Me Krishtlindjet besimtarët rrinë e mendojmë ca më shumë për atë se Zoti u bë njeri, për të gjetur Zotin tek sejcili nga ne. Por edhe jo besimtarët ftohen të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë simbolike sepse, sikurse thuhet, edhe nëse nuk na ka bërë Zoti jemi bërë prej Zoti. Me dhuratat që u bëjmë njerëzve më të dashur kërkojmë të shprehim ndjenjën e komunikimit me të tjerët, të shkëmbimit të afeksionit për të cilin kemi aq nevojë si qënie shoqërore, për të kujtuar se jeta nuk është vetëm marrje, por edhe dhënie. Me mbarimin e vitit të vjetër bëjmë bilancin e punës njëvjeçare dhe urimet për të riun. Kështu bëjnë edhe pushtetarët. Kështu bëjnë edhe gazetarët.

Tek e fundit kjo periudhë festash, sëbashku me pushimet, sikur krijon një distancë nga komentet e gjërave të përditëshme, nga rëndomësia e përditëshmërisë sonë. Shkrimin e fundvitit është hera e dytë që personalisht e mbyll me një shkrim për fëmijët. Shkrimin e parë të këtij fillimivitit dua ta formuloj në formë urimi dhe shpresoj ta vazhdoj këtë në vitet e arshme që do të vijnë. Në këto ditë, edhe tek ata më pesimistët, ndër të cilët fatkeqësisht bëj pjesë, bëhet më e fortë kërkesa për fillimin e vitit me një urim. Tek e fundit një urim është edhe një rikujtim që i bëjmë vetes dhe të tjerëve se nuk jemi të kënaqur me atë që kemi qenë; se presim që në vitin e ri të bëjmë më mirë e të jemi më mirë. Një urim pra mund të shihet edhe si një formë më e dashur e të bërit analizë e kritikë - puna kjo e përditshme e gazetarit.
Duke kërkuar, pra, urimin më të mirë që mund të bëjë një gazetar për vitin e ri, tek e fundit, mendja më shkoi se do të ishte gjëja më e arsyeshme që ky urim t'u drejtohej kolegëve gazetarë. Dhe, duke kërkuar një urim për kolegët, nuk gjeta fjalë më të mira sesa të citoj Hegelin i cili thotë: "Leximi i shtypit të përditshëm është lutja e përditshme e njeriut modern."
Lutja, ndryshe nga ç'përfytyrohet, nuk është thjesht një kërkesë që besimtari i drejton Zotit. Ajo është një komunikim. Njeriu në lutje nuk i drejtohet një Zoti që dëgjon e nuk flet. Përkundrazi, lutja është një ndërshkëmbim me Zotin. Njeriu nëpërmjet lutjes ballafaqon veten me vlerat që e bëjnë atë qënie shoqërore, ato vlera që e lidhin me komunitetin apo shoqërinë e që për besimtarët i sintetizon Zoti. "Çfarë është e shenjta? Ajo që bashkon shumë shpirtra." - thotë Gëtja.
Ja pra sa i rëndësishëm është roli i gazetarit. Ai është - apo më mirë të them duhet të jetë - udhëheqësi shpirtëror i njeriut modern, i atij që edhe kur nuk beson tek Zoti beson tek Njeriu. Leximi i shtypit të përditshëm si lutje është një komunikim, një ndërshkëmbim vlerash nga ato që e bëjnë njeriun qënie shoqërore. Gazetari është ai që i përfaqëson ato, që flet në emër të tyre. Ky prift modern duhet t'i tregojë lexuesit e dëgjuesit të tij rrugën e së vërtetës e cila shpesh herë është një rrugë e vështirë sa mund të thuhet se kalon mbi tehun e një brisku.
Nëse do ta vazhdoja metaforën hegeliane duke ia përshtatur kontekstit shqiptar do të thoja se urimi im për ata që kanë zgjedhur të jenë udhëheqës shpirtërorë të njeriut modern do të përqendrohej në dy kërkesa: Së pari që pushteti shpirtëror i tyre të jetë i ndarë nga pushteti tokësor i politikanëve. Së dyti, që Zoti i tyre të mos jetë Lopa prej Floriri që filluan të nderojnë çifutët në shkretëtirë të lodhur nga pritja e Moisiut, por zoti i së vërtetës, ai i vlerave shpirtërore dhe jo materiale.
Urimi i parë lidhet me atë se problemi më i madh që ka sot vendi është pikërisht mungesa e atij pushteti shpirtëror që qëndron i pavarur nga pushteti "tokësor" i politikanëve e që duhet t'i ballafaqojë këta me vlerat që kanë për detyrë t'i kultivojnë e që janë ato që e bëjnë njeriun qënie shoqërore. Sot në Shqipëri mund të kesh kuptim si individ nëse je me njërën palë kundër palës tjetër nëse ose nëse pozicioni yt i intereson një pale kundër palës tjetër. Përndryshe je kërrkushi. Për fat të të keq gazetarët që duhet të ishin kampionët e pavarësie të pushtetit shpirtëror ndaj pushtetit tokësor të politikanëve, ata që duhet ta bënin kërkushin gjithkushi, japin shembullin më të keq.
Urimi i dytë lidhet me atë se shpesh media jonë bën bash të kundërtën e asaj që quhet ushqim shpirtëror. Pjesa më e madhe e medias sonë, nga varfëria shpirëtore e intelektuale dhe nga adhurimi i Lopës prej Floriri (parasë) në vend se t'i japin lexuesit dhe shikuesit të tyre dinjitet dhe personalitet e transformojnë atë në pjesëtarin pa zë e pa fytyrë të një turme anonimësh? Ato e bëjnë këtë punë të mbrapshtë jo vetëm duke i transformuar problemet politike dhe morale komplekse që ka vëndi në mënyrën më sempliste ashtu që t'u shërbejnë njërës palë apo tjetrës, por edhe në forma të tjera që s'lidhen direkt me politikën. Ato e bëjnë këtë edhe duke përdorur një gjuhë të varfër dhe vulgare; edhe duke i veshur ngjarje e personazhe me virtute e vlera të rreme; edhe edhe duke bërë kësisoj "kitsch" çdo gjë që e prekin me dorë: luftrat, vdekjen, dashurinë, intimitetin." - siç thotë shkrimtari izraelit David Grossman. Edhe tragjeditë njerëzore si ajo që kemi kaluar nën 45 vjet diktaturë do të shtoja unë. Kjo lloj gazetarie, duke e shndrruar individin në një anonim tek e fundit nuk bën tjetër veçse e zhvesh atë nga përgjegjësia ndaj të tjerëve, për pasojat e veprimeve apo mosveprimeve të tij. Dhe shpesh këtë punë zhveshjeje nga përgjegjësia gazetari ynë e bën duke u sjellë vetë pa përgjegjësi duke u zhveshur vetë, duke krijuar përreth nesh një atmosferë prostitucioni shpirtëror dhe emotiv. Bash e kundërta e punës së një udhëheqësi shpirtëror të kohëve moderne.
Prandaj urimi im për kolegët gazetarë është që sejcili në këtë vit të ri, kur të shkruajë një shkrim apo të përgatisë një gazetë, të mendojë për një moment më gjatë për thënien e Hegelit "Leximi i shtypit të përditshëm është lutja e përditëshme e njeriut modern." (Korrieri, 5 janar)

7 comments:

Agobooks said...

Gëzuar 2008-a!
Vetëm që ky blog, mban emrin e F.Lubonjës(sa mirë do të qe të mirëmbahej nga ai vetë), urimet bëhen më të vërteta dhe më me vlerë, për të gjithë ne që "belbëzojmë" gazetarisht, përpara një emri të tillë.

Anonymous said...

Emri i Lubonjës nuk nderohet vetëm duke i bërë lavde në gazetari, por duke i njohur gjithë veprën e tij, duke përfshirë këtë blog të mirëmbajtur prej tij.
Urime!

Agobooks said...

Emri i Lubonjës, nderohet kryesisht kur i njihet dimensioni i figurës së tij dhe jo kur e lëvdon edhe për gjëra që nuk bën(nuk e mirëmban ai blogun)!

Anonymous said...

Ku e dini ju që nuk e mirëmban vetë ai blogun?

Anonymous said...

Te nderuar,

ky blog eshte i z. Lubonja, blog qe ai e miremban me ndihmen time. Por, edhe me ndihmen tuaj, sepse per Z. Lubonja mendimi i njerezve ketu, qe ai e lexon me shume vemendje, eshte shume i rendesishem. Ju faleminderit!

Agobooks said...

Faleminderit z.administrator.
Shpresoj se e mori pergjigjen edhe anonimi i mesiperm.
Eshte ngushellim, sidoqofte, qe z.Lubonja kalon per te pare punen qe ju beni ne blog.
Vite te mbare per te gjithe dhe per z.Lubonja, nje vit produktiv e "pjellor"!

Anonymous said...

E mora përgjigjen, për të cilën ju falënderoj të dyve.

Madje pajtohem edhe me vlerësimin se rreth 95 për qind e blogjeve shqiptare janë për ibret, prandaj dhe ky blog na nderon edhe si shqipfolës.