Tuesday, February 26, 2008

Çorbë derri


A ia vlen apo nuk ia vlen të ulesh të komentosh ndarjen e fundit Rama - Meta? Kjo është pyetje që besoj se ia shtron vetes kushdo që ndjek zhvillimet politike në Shqipëri me syrin e gazetarit, dmth të atij që e ka si detyrë të seleksionojë ngjarjet më të rëndësishme, t’i komentojë në mënyrë që t’i komunikojë publikut mendimin e tij, të transmetojë në shtyp zërin e publikut për këto ngjarje, por edhe të ruhet nga përsëritja e të kërkojë të renë. (Nuk flas këtu për ata gazetarë që komentimin e ngjarjeve e kanë detyrë partie e që, për fat të keq, janë të shumtit.) Duke qenë se është një ngjarje që ka mbushur faqet e gazetave dhe lajmet e para të mediave televizive ajo vlen të komentohet. Ky është gjykimi i parë që të vjen. Por, kur pyetja shtrohet se si duhet komentuar e se çfarë është e reja, përgjigjet të ngatërrohen aq shumë, sa të vjen të shtrosh pyetjen që ngrita në krye të shkrimit: a ia vlen apo jo.
Le të shpjegohem. Për të bërë komentin duhet parë një çikë se çfarë kanë deklaruar protagonistët kryesorë dhe se si po lëvizin grupimet e ndryshme politike ndaj kësaj ngjarjeje. Shkurt, të informohesh e ta ballafaqosh, pastaj, këtë informim me përvojën e së kaluarës. Personalisht, duke kërkuar të informohem dhe të krijoj një ide, iu drejtova shtypit dhe mediave elektronike e fjala e parë që më doli nga goja instiktivisht duke lexuar deklaratat e kundërdeklaratat, aprovimet e kundëraprovimet, ishte togfjalëshi “çorbë derri”.
Me “çorbë derri” kuptohet një mishmash gjërash ku nuk mund të dallosh ato kryesoret e të rëndësishme nga sekondaret e të parëndësishmet, as drejtime dhe as kuptime. Por, në të vërtetë, ky është një vështrim i atyre që qëndrojnë jashtë kësaj “çorbe” dhe që refuzojnë ta hanë atë. Me fjalë të tjera gjykimi i atyre që kërkojnë të shohin lëvizjet politike në Shqipëri në korrelacion me problemet që ka vendi në tërësi. Kurse po të futesh brenda çorbës me synimin që ta hashë, pa dyshim se do të gjesh atje rrymat e ndryshme që lëvizin, motivet e kësaj çarjeje, qëllimet e protagonistëve, ekuilibrin apo disekuilibrin e forcave, kush mund të fitojë e kush mund të humbasë nga kjo lojë, e me rradhë.
Personalisht, pra, kur thashë “çorbë derri” kjo më erdhi si rezultat i pozicionit të atij që qëndron jashtë çorbës dhe që nuk i intereson shumë se cili do të bëhet kryeministër nesër Ilir Meta, Edi Rama apo do të qëndrojë Sali Berisha, por të shohë hapa drejt ndryshimit të sistemi ekonomik e politik mafioz të ngritur në këto 17 vjet.
Pse nga ky këndvështrim çarja e fundit Rama - Meta më duket thjeshtë dhe vetëm si një çorbë derri? Po të ndjekim retorikën që e shoqëron këtë çarje “të madhe” duket sikur kjo ngrihet mbi mospajtime lidhur me sistemin elektoral, mbi përfaqësimin më të mirë, mbi eliminimin e fenomeneve që i kemi quajtur “dushku” apo “megadushku”. “Proporcional”, “rajonal”, “lista të hapura”, “lista të mbyllura” janë disa terma që po mbushin tani faqet e gazetave tona e të mediave elektronike. Dmth., sikur të jemi në një demokraci dhe po kërkojmë mënyrat që ajo të funksionojë sa më mirë. Por, në të vërtetë, nuk është kështu. Sistemi politik që ne kemi deri më sot është një sistem që, nëse do t’i referohemi modeleve të njohura në botë që nga lashtësia greke mund të quhej “oligarki” apo “plutokraci” apo edhe “aristokraci”, por jo demokraci. Oligarkia është pushtet i të pakëve, plutokracia është pushteti i të pasurve, kurse aristokracia është pushteti i të zgjedhurve që e kanë atë me trashëgim. Të treja kanë një gjë të përbashkët: se janë pushtet i një pakice të pasur. Dhe ky është karakteri kryesor i sistemit që kemi ndërtuar ne sot duke shtuar edhe “kleptokracinë” apo “mafiokracinë”. Pra mungesa e përfaqësimit të pjesës më të madhe të popullsisë paçka se këta tani kanë të drejtën e votës një herë në dy vjet.
Né fakt të gjithë e dinë se debati Rama - Meta - Gjinushi - Ceka - Milo është një debat që lidhet me atë se si do të ndahet pushteti midis këtyre personave dhe klaneve rreth tyre që janë pjesë e oligarkoplutoaristokleptokracisë shqiptare në mënyrë që të mundin pjesën tjetër të kleptoaristoplutooligarkokracisë që përfaqëson Berisha dhe të tijtë. Thënë ndryshe, jemi në luftën brenda njërës pjesë të patricëve dhe absurdi qëndron se ata bëjnë sikur po flasin për interesin e plebejve. Eshte bash kontrandikta midis gjuhës demokratike që flitet dhe realitetit të sistemit që kemi ngritur e që ajo kërkon të shprehë e formësojë burimi i çorbës së derrit.
Sipas meje, çarja Meta - Rama do të kishte vlerë tjetër sikur ndarja të bëhej në emër të ndonjë lëvizje të majtë që do të kërkonte të kapërcente kështjellën e këtij sistemi dhe të lidhej me popullin që jeton jashtë mureve të kështjellës, me elektoratin e papërfaqësuar, me plebejtë që presin të dalë partia e tyre. Pasi problemi kryesor që kemi me të majtën është mungesa e përfaqësimit të asaj pjese të popullsisë që normalisht deri më sot përfaqëson e majta në demokracisë e konsoliduara (megjithë problemet që shfaqen sot edhe në Perëndim në këtë aspekt ).
Në fakt edhe Ilir Meta edhe Edi Rama e njohin problemin e mospërfaqësimit. Edi Rama del e flet në popull çdo ditë se, më në fund, ka ardhur politikani që do t’i përfaqësojë ndryshe nga ç’kanë bërë paraardhësit e tij. Po ashtu kur Ilir Meta e ka akuzuar PS si parti e monopoleve këtë ka dashur t’u transmetojë shqiptarëve: se ai u nda nga PS për të ndërtuar një të majtë të vërtetë. Por, nga ana tjetër, të dy palët nuk e inspirojnë dot besimin që kërkojnë të inspirojnë tek plebejtë. Kjo jo vetëm pse gjithkush në këtë vendin tonë të vogël i njeh dhe e di se ata dhe bashkëpunëtorët e trye më të afërt janë pjesë e funksion i kleptooligarkoplutoaristokracisë së ndërtuar gjatë këtyre viteve, por edhe duke parë se si janë sjellë dhe se si po sillen me njëri tjetrin. Madje edhe në këtë çarjen e rradhës. Ilir Meta, po të përjashtojmë vetëm periudhën e parë të ndarjes me Nanon, në vend se të kërkonte elektoratin e ri të së majtës duke denoncuar pseudo të majtën e PS nuk ka bërë gjë tjetër veçse është marrë me kalkulime pragmatiste që i fashitën shumë shpejt vlerat morale e politike që reklamoi kur bëri ndarjen. Rama nga ana e tij, që flet sot a thua se ka ardhur dje nga Parisi në krye të politikës dhe jo çprej dhjetë vjetësh, në kohën më të madhe nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka denoncuar Berishën e Nanon si shkaktarë të humbjes së PS duke bërë, për të riparuar këtë, aleanca me Metën. Sot të dy befas dalin kundërshtarë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me kundërshtarët e tyre të djeshëm për të munduar palën tjetër. Madje tani kanë ndërruare rolet. Éshtë Meta ai që e akuzon tani Ramën se po bashkëpunon me Berishën. Ndërkohë njerëzit e Nanon sot po shohin të bashkohen me Metën kundër Ramës. Rama lëshon mesazhin se është i gatshëm të bashkëpunojë me Metën. Meta ve si kusht trandarencën e PS, po për transparencën e kujt e ka fjalën vallë? Çorbë derri.
Në fakt kemi të bëjmë me një çorbe të ftohur që po ringrohet edhe një herë në kuzhinat e politikë sonë për të na u servirur ta hamë përsëri të nxehtë. Së bashku me detyrim/kërcënimin: O mangi questa minestra o salti dalla finestra? (O haje këtë çorbë o hidhu nga penxherja.) (Korrieri, 25 shkurt 2008)

No comments: