Friday, February 15, 2008

Vlora ka dy herë të drejtë


Në vitet pasi u prishëm me BS propaganda jonë tregonte me mburrje një histori sipas të cilës Hrushovi i kishte thënë Enver Hoxhës se Shqipëria duhet të ruante natyrën e saj, të zhvillonte blegtorinë, por edhe agrumet sepse, sa për bukë, dmth për drithëra, aq grurë sa kishte nevojë Shqipëria e hanin minjtë në hambaret e BRSS; kurse “Enveri ynë” e kishte refuzuar këtë duke e konsideruar si një insinuatë të armikut revizionist që kërkonte të na mbante të varur tek socialimperializmi sovjetik. E ndërkaq ne filluam t'i zhveshim malet nga pyjet e nga kullotat sepse duhet t'i mbillnim me grurë.
Që Hoxha nuk kishte hallin e Shqipërisë dhe të pavarësisë së saj, por vetëm e vetëm të pushteti të tij, këtë e di gjithkush sot. Ajo thënia e famshme se nacionalizmi është streha e fundit e horrave, nëse i shkon kujt, më mirë se kujtdo i shkon Enver Hoxhës. Por nuk mund të mohoet, megjithatë, se për këto qëllime të mbrapshta demagogjia e tij mbështetej edhe në një element që ishte pjesë e ideologjisë komuniste e që lidhet me vizionin e modernitetit.
Si do ta vlerësonim sot atë që bëmë kundër sugjerimit të Hrushovit nën parrullën "T’u qepemi maleve t'i bëjmë piellorë si fushat"? Si i vlerësojmë sot krenari të tilla si “çlirimin e dytë të Shqipërisë” (Metalurgjikun), Superfosfatin, Uzinën e Sodës, Ferrokromin, Ballshin për të numuruar vetëm disa vepra industriale? Besoj se kushdo i sheh këto bëma si njolla të zeza në hartën e Shqipërisë, si dëme thuajse të pariparueshme ndaj burimeve jetësore për brezat e ardhshëm. Nëse do të aplikonim atë thënien sipas së cilës tokën ku jetojmë nuk e kemi pronë, por ua kemi marrë me qira bijve tanë, do të thoja se ne jemi treguar qiraxhinjtë më të papërgjegjshëm që ka parë ky rajon. Shikoni ç'u kemi bërë fëmijve tanë: Elbasani sot është një qytet të cilit i është ngjitur një kancer i tmerrshëm që po i merr frymën. Qyteti i Laçit dhe rrethinat ku ndodhet Superfosfati po ashtu janë një shëmti e paparë. Se çfarë i ka bërë Uzina e Ferrokromit Pogradecit dhe bregut të liqenit të Ohrit mjafton të shohësh bregun e liqenit përtej kufirit. Fieri me rafinerinë e me uzinat e përpunimit të naftës në Ballsh e me puset e naftës është një nga zonat tmerrësisht të ndotura që nuk dihet se si mund të normalizohen. Nuk po përmend këtu 700 000 bunkerët e mbjellë gjithandej. Kam dëgjuar Farudin Hoxhën të lëvdojë hidrocentralet mbi Drin, që duket sikur të jenë alibia e vetme ekonomike e atij pushteti, por mjafton të kesh parasysh përmbytjen e një qyteti të tërë të bukur si Kukësi i vjetër dhe ndërtimin (plus harxhimin për ndërtimin) e një Kukësi të ri të shëmtuar, për të kuptuar se sa probleme ka edhe aty.

Por le të hyj në temën e këtij shkrimi që e ka motivin tek një shqetësim i të sotmes jo ai i së djeshmes. Ajo që dua të ve në dukje me këtë shkrim është fakti se dëmi mbi burimet tona natyrore që duket gjithandej, në Shqipëri sot trajtohet i lidhur vetëm me babëzinë e shqiptarëve të sotëm e të klasës sonë politike, por pak ose aspak trajtohet ky i lidhur me një shkak, përtej këtyre, që sigurisht do ta frenonte apo edhe çonte në drejtime të tjera edhe vetë babëzinë e shqiptarëve. E kam fjalën për anakronizmin e shoqërisë shqiptare përsa i përket vizionit të modernitetit. Në fakt ideologjia komuniste e Hoxhës u rrëzua nga ndërgjegja e njerëzve në shumë aspekte të saj që lidhen me demokracinë, lirinë, të drejtat e njeriut, e po ashtu edhe përsa i përket ekonomisë së planifikuar, por ajo nuk ka rënë në komponenten e saj si ideologji e modernitetit as në ndërgjegjen e shumicës së njerëzve dhe fatkeqësisht as në atë të drejtuesve të vendit. Në Shqipëri nuk ka ardhur ende, si kulturë, epoka post-moderne; me çka kuptoj kritikat që i janë bërë modernitetit nga vetë krijuesit e tij lidhur me vizionin e tij të përparimit të pakufizuar material që konsumizmin e transformoi nga koncept negativ në koncept pozitiv. Sot në botën e kulturës post-modene dihet se të akuzuarit më të mëdhenj të modernitetit janë socializmi shtetëror me vizionet e tij futuriste mbi një botë të re që mohonte botën e vjetër, ideologjia e shtetit komb që i futi shtetet kombëtare në një garë të shfrenuar industrializmi e armatimi si dhe kapitalizmi i tregut. Nëse i akuzuari i parë mund të thuhet se ka rënë, siç thashë pjesërisht, dy të akuzuarit e tjerë në Shqipëri vazhdojnë të mbretërojnë të pacënuar. Madje kapitalizmi i tregut është në kulmin e virulencës së tij.
Pra me kritike post-moderne kam paraasysh jo vetëm kritikën që i bëhet shpërfytyrimit që i ka bërë njeriut moderniteti në shumë aspekte, por edhe shpërfytyrimin e ambjentit ku ai jeton. Ja pse sot flitet aq shumë për ruajtjen e burimeve, ruajtjen e ekuilibreve ekologjike, mbrojtjen nga ndotjet etj., etj. Në këtë aspekt shoqëria jonë përgjithësisht dhe klasa jonë e sotme politike veçanërisht nuk ka ndryshuar thuajse asfare nga ajo e djeshmja. Më e dukshme kjo gjë është në aspektin e mënyrës se si kemi ndërtuar; por jo vetëm, edhe vizionet e zhvillimit të vendit në tërësi të asaj epoke i kemi.
Në fakt edhe në botën e madhe moderniteti ecën krahas pos-tmodernitetit. Edhe në botën evropiane problemet e krijuara nga moderniteti vazhdojnë në inercinë e tyre të mbeten si probleme për zgjidhje, qoftë përsa i përket riparimit të dëmeve, qoftë gjetjes së alternativave të një zhvillmi të qëndrueshëm. Mjafton të kesh parasysh projektet gjermane për pastrimin e lumenjve nga ndotjet industriale, apo projektet për zëvendësimin e energjisë. Por ajo çka bije në sy në Shqipërinë tonë është pikërisht prirja për të ecur me vizionin e vjetër të modernitetit i cili, fatkeqësisht, kombinohet edhe me “pragmatizmin” e përdorimin të Shqipërisë nga të huajt (me ndihmën e vendasve) për të zgjidhur problemet e modernitetit që ka Evropa.
Të gjithëve na kujtohet nje "projekt" i qeverisë Nano per sjelljen e nje "djegësi" italian ne Shqipëri, që do të shoqërohej me prurjen dhe djegjen në vendin tonë të miliona ton plehrave italiane. Ky projekt i qeveritarëve të athershëm u pezullua dhe u anullua edhe falë një proteste qytetare, por nuk u "anullua" menyra e të menduarit e politikanëve tanë. Nje industri (shpesh italiane madje dhe mafjoze) e ngjashme me atë të plehërave si ajo e naftes, e çimentos dhe e teknologjive te vjetra anti-mjedisore, vazhdon të projektojë Shqipërinë, me ndihmën e politikanëve tanë, si vendin e saj të preferuar meqë nuk çan dot ne vendin e vet. Për shembull “La Petrolifera” nuk gjen terren për depozita nafte e kimikatesh në Itali, por i falet për nje Euro trualli si dhe e drejta e transportit brenda Gjirit të mbrojtur të Vlorës. Nje kompani tjeter italiane, “Maire Engineering”, ka fituar kontraten e Bankës Botërore për ndërtimin e një TEC-i me bazë nafte - teknologji kjo e kapërcyer, - në plazhin historik të Treport/Kavallones. Të paktën 5 fabrika çimentoje (italiane, greke, dhe shqiptare) parashikohet të ngrihen në Fushë Krujë, Lezhë dhe Durrës. Nuk do shumë mend se ndërkohë kur vendi vuan nga kriza energjitike, 5 fabrika çimentoje jo vetëm do të shkatërrojne mjedisin në zonat përkatëse duke sjellë fitime të majme për xhepat e pronarëve të tyre dhe asnjë përfitim për shkollat dhe spitalet shqiptare, por do të rëndojë së tepërmi edhe sistemin energjitik. Në internet gjen lajme që flasin për projekte të tilla si ai i shoqerise zvicerane “ASG Power SA”, që merret me përdorimin e gazit natyror të lëngshem që parashikon, me miratimin në princip të qeverisës shqiptare, ndërtimin e një stacioni rigazifikimi me kapacitet 10 miliard metra kub ndërkohë që, duke e lexuar projektin me kujdes, del se vetëm 2 miljard m3 gaz natyror në vit mund të përdoren për Shqipërinë, ndërsa 8 miljard m3 do të përcillen në Itali përmes një gazsjellesi nëndetar.
Në këtë kontekst hyn edhe deklarata/ftesë e Sali Berishës për ndërtimin në Shqipëri të një termocantrali bërthamor, që do t’i japë energji edhe rajonit.
Ndonjë nga këto fakte që përmenda edhe mund të mos jetë i saktë – sepse edhe transparencë nuk ka, që të jemi të gjithinformuar, për gjëra kaq të rëndësishme – por, nga ana tjetër, mund të them se nuk ka asnjë dyshim se këto projekte, e të tjera, tregojnë për vazhdimësinë tek ne të mendësisë krejtësisht anakronike të mbështetur mbi vizionin e modernitetit ndërkohë që bota e post-modernitetit ka kohë që ia ka bërë kritikën dhe ka marrë masat e saj kundër këtyre projekteve.
Le të marim rastin e Vlorës ku po bëhet e gjithë ajo zhurmë. Kushdo që e ka vizituar Vlorën duke patur në kokë kulturën post- moderne që përmenda më sipër, ka thënë se rruga më e shëndetshme dhe më e qëndrueshme e zhvillimt të këtij qyteti është zhvillimi i turizmit, i peshkimt dhe i agroturizmit. Nga ky zhvillim qyteti dhe rethinat e tij do të mund të mblidhnin aq të ardhura sa të mund të paguanin energjinë elektrike për të cilën ka nevojë. Me fjalë të tjera Gjiri si dhe zona e bregdetit që është në Veri të Vlorës, e cila ka bukuri të rralla natyrore deri në Zvërnec e më përtej, mund të ishte e gjitha një park natyror që do të mund të thithte turistë nga e gjithë bota. Qyteti i Vlorës mund të shërbente si hoteleri, si kudo në botë, kurse natyra të ruhej e virgjër për shqiptarët e për turistët. Kur them këtë kam parasysh se në shumë vende të qytetëruara të botës kështu veprohet sot dhe ky quhet “zhvillim i qëndrueshëm” dhe jo zhvillim si ai që kanë sjellë Metalurgjiku, Superfosfati etj. Mirëpo në vend të këtij zhvillimi vizioni modernist i politikanëve tanë kërkon që në Vlorë të ngrihet Petrolifera dhe Teci dhe që porti i Triportit të thellohet e të bëhet një port ku të vijnë cisterna të mëdha dhe anije të mëdha transporti. Pra, përveç të tjerave, me të cilat nuk po merrrem në këtë shkrim, që lidhen me korrupsionin apo me nevojën për t’u bërë ndonjë favor ndërkombëtarëve që të na japin mbështetje politike, kjo masakër që po i ndodh vendit lidhet edhe me vizionin e gabuar sipas të cilit kështu na duket se zhvillohemi e përparojmë.
Në këtë kontekst mu duk inkurajuese kur pashë një deklaratë të ministrit të financave Ridvan Bode, i cili deklaronte se zgjidhja e vetme e krizës energjetike në vend është importi dhe se strategjitë afatgjata të shtetit shqiptar duhet të bazohen në importin e energjisë pasi prodhimi i saj në vend, sidomos me TEC-e, është joproduktiv për shkak të çmimit të saj të lartë. Unë do të shtoja jo vetëm për këtë, por edhe për ruajtjen e natyrës sonë.
Mirëpo më duket se ky zë mbeti si një zë në shkretëtirë ashtu siç po mbetet – ngase vazhdon të aplikohet mendësia e qeverisjes komuniste – edhe zëri i të interesuarve dhe dëmtuarve direkt, ai i qytetarëve të Vlorës. Në fakt Vlora ka dy herë të drejtë, si interes lokal dhe si interes kombëtar e jo ashtu siç pretndohet nga mbështetësit e këtyre projekteve se Vlora del kundër interesit kombëtar. Sepse po vazhduam kështu – duke llogaritur edhe konkurrimin në shkatërrimin e vendit të bizneseve të brendshme që kanë shkatërruar pyje e lumenj e toka buke e brigje turistike – do të vazhdojmë të zgjerojmë hartën e njollave të zeza e të helmuara në hartën e Shqipërisë, e cila kam frikë se që tani i ka tejkaluar njollat e shkaktuara nga modernizimi komunist. E të mos harrojmë se jemi vetëm 28000 kilometër katror vend. (Korrieri, 13 Shkurt 2008)

4 comments:

Anonymous said...

Vemendje thote:

Ky artikull dhe autori jane nje nga rastet e rralla qe nje qytetar eshte pertej moshave (i vjeter-i ri) dhe me i majte apo djathe se c'do i politizuar nga keto. Autori eshte qytetari me i pergjegjshem qe ka nevoj vendi, sepse bene me ze ate qe s'ka mundesi t'a bej te ditur mendimin e tij dhe ky eshte populli, po ashtu ky artikull heq ate makiazh qe eshte vene mbi ate te vjetrin komunist, zanat gjithnji i politikaneve. Me fjale te tjera, artikulli do qe: Shqiperia te zgjohet dhe marri fryme ne ajer te paster dhe te laje syte ne burim, qe te jete e shendosh dhe me natyren si moter.

Kjo qe lexojme eshte Lubonja ne thelb te natyres se tij funksionale, me ndjeshmeri frymezuese dhe logjik qe trondit. Ndersa politikanet per shume kohe tani po bejne gladiatorin ne Shqiperi, Lubonja bene qytetarin, qe here here i rrevoltuar por m"e shume realist ne kerkesen e tij per zgjim njerzor.

bledarbregasi said...

Jame ndakort me problemin qe Lubojna nge. Por probleme te ndotjes se ambjentit apo krizmen emozionale dhe idelogjike qe modernizimi prodhon, nuk jan nje fenome eskluzive shqiptare..Kur Lubonja permend "Modernitetin dhe post-Modernitetin" harron qe keto dy teori qe sot mundohen te shpjegojne boten e sotme, jame veten nje pjese e kompleksit te teorive (mund te permend Realismin, Liberalismin, Konstruktivismin, Aprocin Kritik, Historicizmin Sociologjik etj) te cilat pretenodjne po aq sa posrt-Modernismi te japin nje shpjegim te jetes se sotme dhe te se kaluares.

Shqetesimi eshte me vend por nuk duhet pare vetem nga dritarj e post-Modernismit sepse nuk arrime te kuptojme komlesitetin e problemit,i cili nuk ka nje kauze determinante por shume faktore qe kane influencuare dhe vazhdojne te influezojne idete qe shoqeri ka mbi modernitetin dhe shkenzen ne pergjithesi.

Pershendetje

Vemendje said...

Dikush ka ne dore te jete vetja e tij ne shume forma, pa sforcuar veten ne variante budaforike, si ishte rasti me Enverin dhe sot me Saliun, por jo edhe me koshe plerash si kerkoj Nano. Lubonja s'ka pse te gjej rrugen e aplikimit se s'le njeri nga te aftet e te gjitha fushave perkatese per t'a aplikuar variantin me te shendetshem te mundshem.
Fuqija jone e sotme ka nje shance me teper te mesoj nga ngerrdheshja komike e mendesise se Enverit. Te ruhemi mos te perseritet e njejta gje, se do jete me e shemtuar se e para, dhe ne meritojme aq mire sa vete bukuria e natyres sone.

Anonymous said...

Problemi me i madh eshte se kkemi vend boll edhe per fabrika cimentoje po deshti Sala, po jo 2 km larg Lezhes edhe Shengjinit. Jo TEC-in 2 km larg Vlores. Ndertoje diku ne male ky s'ka banore po patem nevoje per aq fabrika cimentoje ose TEC-e.