Në komentet e tragjedisë së Gërdecit u tha shpesh në ditët e para dhe po përsëritet edhe në debatet parlamentare këshilla “Mos e politizoni!”. Ishte një thirrje që i drejtohej nga mazhoranca përgjithësisht, por edhe nga gazetarë të ndryshëm, opozitës më së shumti, por edhe nga mediat. Dhe në ditët e para ato kështu bënë: e trajtuan ngjarjen sikur të bëhej fjalë për ndonjë fatkeqësi natyrore, nga ato që i tejkalojnë mundësitë dhe përgjegjësitë njerëzore. Rrahja e shpatullave të Berishës nga Edi Rama në shenjë solidariteti në fatkeqësi, ishte gjesti më kuptimplotë i këtij qëndrimi. Ndoshta ndikoi për këtë edhe lajmi i rremë, që nuk di a u përhap qëllimisht apo nga padija, sikur bëhej fjalë për vetëshpërthimin e municioneve të kohës së Enver Hoxhës në tunele/depo të vjetra të hapura qysh prej asaj kohe, dhe jo për shpërthimin e një fabrike çmontimi municionesh të vendosur vetëm disa muaj më parë në mes të një zone të banuar.
Por edhe duke thënë “Mos e politizoni!”, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse politikë. Por një politikë të gabuar, sipas mendimit tim. Sepse ngjarja e Gërdecit duhet politizuar dhe fort madje, por jo në kuptimin që i jepet sot kësaj shprehjeje, si instrumentalizim i rastit për të marrë pushtetin. Të instrumentalizosh Gërdecin do të thotë të bësh përsëri politikë të keqe, njëlloj si trajtimi si një ngjarje natyrore, e të përgatitësh Gërdeca të rinj. Tashmë jemi të neveritur me politikanë që instrumentalizojnë gabimet e fajet e rënda të kundërshtarit për të marrë pushtetin dhe pastaj i thellojnë ato. Kështu bënë socialistët, pasi morën pushtetin në 97-ën, kështu bëri edhe PD-ja, pasi mori pushtetin më 2005-ën. Prandaj tragjedia e Gërdecit, nëse vërtet duam të nxjerrim mësim prej saj, duhet politizuar, jo instrumentalizuar. Le të shpjegohem.
Së pari, tragjedia e Gërdecit duhet të politizohet në kuptimin e ndërgjegjësimit për nevojën urgjente të ndryshimit të moralit të shoqërisë në përgjithësi dhe politikës në veçanti. “Kush e ndan moralin nga politika, nuk kupton asgjë nga të dyja”, - thotë Rusoi. Ashtu siç ndodh në tragjeditë e dramat e autorëve të mëdhenj, qoftë të antikitetit, qoftë modernë, Gërdeci është një ngjarje nga ato që i shtyn si aktorët, ashtu edhe spektatorët në një reflektim të thellë për aktet e tyre të mira apo të këqija, për shtysat e brendshme të këtyre akteve dhe për pasojat e atyre akteve gjithashtu. Ajo është nga ato tragjedi pra, që me tronditjen që krijojnë, shërbejnë për katarsis të shoqërisë. Ajo duhet të ndërgjegjësojë politikanët, shoqërinë civile, biznesmenët, qytetarët e thjeshtë, gazetarët, prokurorët, gjykatësit, të gjithë aktorët dhe spektatorët e kësaj drame, për atë që, dashur ose padashur, nga naiviteti apo nga babëzia, nga kriminaliteti apo papërgjegjshmëria, nga injoranca apo nga djallëzia, kanë ndërtuar si sistem të vlerave morale. Dhe jo vetëm kaq. Gërdeci duhet të bëhet pikë ngjizjeje e lëvizjeve të reja, në mbrojtje të të drejtave themelore të të gjithë njerëzve që jetojnë në shoqërinë tonë. Në historinë e njerëzimit, veçanërisht në kohët moderne, kemi shumë raste kur tragjeditë kanë shërbyer si moment ndërgjegjësimi për atë që njerëzit kanë gatuar me duart e tyre apo për çlirim nga kondicioni ku ata ndodhen. Meqenëse jemi në muajin mars, po sjell vetëm një shembull: dita e famshme e 8 Marsit, si ditë e lëvizjes për çlirimin e gruas, ka lindur pikërisht nga një tragjedi: ajo e djegies së disa grave në një fabrikë, ku shfrytëzoheshin në mënyrë çnjerëzore.
Së dyti, Gërdeci duhet politizuar në aspektin politik: të ndryshimit të shtetit që kemi ndërtuar. Ka një prirje nga disa komentatorë për ta veçuar tragjedinë nga tërësia e kontekstit ku ka ndodhur. Për ta parë atë sikur të bëhet fjalë për një helmim e për gjetjen e shkaktarëve të këtij helmimi. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me një helmim, kemi të bëjmë vetëm me njërën nga simptomat më virulente të gangrenës që na ka pushtuar tërë trupin. Gërdeci duhet të jetë momenti i ndërgjegjësimit jo thjesht racional, por edhe emocional, se ne kemi ndërtuar shtetin e Delijorgjëve dhe se ku na çon shteti i Delijorgjëve. Sot të gjithë pyesim: si mund të flinte i qetë Delijorgji dhe ata politikanë që kanë kontraktuar me të, ndërkohë që ishin në dijeni se paratë që fitonin e shpenzonin me salltanete e lukse, apo për të ndërtuar vila, u vinin nga puna prej skllavi e atyre njerëzve në Gërdec? Dhe çfarë pune, jo thjesht dhe vetëm e mundimshme fizikisht, por një punë që, nga çasti në çast, mund t’i hidhte në erë. Fakti që ata flinin të qetë, tregon shkallën e pandjeshmërisë e të papërgjegjshmërisë morale e politike që kemi arritur. Por ky përshkallëzim pandjeshmërie vjen pikërisht, sepse nuk bëhet fjalë për një helmim, por për simbiozën kohëgjatë me një gangrenë. Sepse pyetja që shtrojmë për gjumin e qetë të Delijorgjit është një pyetje që duhet të shtrohet edhe për ata që pasurohen me drogë, me prostitucion, duke abuzuar me tenderët publikë e me radhë e me radhë, shumica e të cilëve i kanë gjetur rrugët të shtruara nga zyrat e politikës, duke krijuar pak nga pak bindjen mbizotëruese se është krimi që qeveris sot vendin, se kemi ndërtuar një shtet që përfaqëson interesa të një grushti njerëzish që përdorin deri edhe forma të tilla, kaq kriminale, në kurriz të skllevërve që punojnë për ta.
Duke reflektuar politikisht mbi këtë tragjedi, gjithashtu nuk mund të mos ngrihen pyetja: a i përfaqëson kush ata njerëz atje në Gërdec? Ishte simbolik fakti i dhënë në shtyp, se të vetmit të siguruar në atë kompani qenë Delijorgji dhe pak njerëz të tjerë. Edhe kjo është një akuzë për shtetin që kemi ndërtuar, por edhe për partitë që kemi sot në vendin tonë. Berisha tha në Parlament, se as nuk e dinte që ekzistonte Gërdeci. Skandal! Po ç’punë bën SHISH-u apo SHIU atëherë? Por në Parlament nuk dëgjuam as edhe një opozitar të thoshte se e dinte që ekzistonte Gërdeci dhe se kishte ngritur zërin për atë që kishte ndodhur aty në emër të mbrojtjes së interesave të atyre gjynahqarëve. Për fat të keq, as edhe mediat nuk e dinin se ekzistonte Gërdeci. Njëlloj si në kohën e piramidave, apo jo? A është kjo rastësi? Sipas meje, jo. Ashtu sikurse nuk është rastësi edhe heshtja e disa mediave dhe e gazetarëve që e kanë ditur që prej tre-katër muajsh se aty zhvillohej një trafik armësh korruptiv, për miliona që iknin nga xhepi i shtetit në xhepat e disa individëve. Kjo vjen ngase ne kemi disa parti që janë të tëra parti të Delijorgjëve, që financohen nga Delijorgjët, kurse partia që duhet të përfaqësojë interesat e atyre njerëzve mungon. Ashtu sikurse mungon edhe një parti që të mbrojë interesat e pronarëve të vjetër, siç pretendon se është partia e Mediut. Pronat sot në Shqipëri i kanë marrë (apo grabitur) jo pronarët e vjetër, por Delijorgjët që kanë bashkëpunuar me politikën në njërin krah apo tjetrin.
Ishte shumë domethënës fakti që një pjesë e mirë e njerëzve të Gërdecit thonë edhe ata: “Nuk duam politikë, duam vetëm të na shpërblejnë”, ashtu sikurse në 97-ën mbizotëronte thirrja: “Duam paret tona”. Janë njerëz që, edhe pas njëmbëdhjetë vjetësh nga ajo tragjedi, nuk kanë fituar ende ndërgjegjen e tyre politike. Në një shoqëri të emancipuar e të ndërgjegjësuar ajo fabrikë nuk do të vendosej kurrsesi, sepse njerëzit përreth do të ngriheshin e do të protestonin. Kurse masa amorfe e skllevërve e lënë pa informim dhe pa përfaqësim, vetëm ka pranuar gjithçka me nënshtrimin e atyre që e shohin shtetin jo si të tyrin, por si një fuqi të huaj, pushtuese, së cilës vetëm duhet t’i tremben e nënshtrohen. Dhe kjo ka një shkak. Ndërgjegjja nuk fitohet ashtu vetvetiu. Atë duhet ta artikulojë dikush, t’ua transmetojë me fjalë, por edhe me veprat që ngjallin pastaj besimin. Si mund të besojnë ata tek politikanët, kur dëgjojnë ministrin e Shëndetësisë që, pas 17 vjetësh, mburret se qeveria paska marrë të gjitha masat për të dërguar jashtë shtetit të aksidentuarit rëndë. Po si ka mundësi që Shqipëria nuk bëka dot ende pas 17 vjetësh një spital si të Janinës? Ku kanë shkuar tërë ato para që janë investuar nga të huajt për shëndetësinë shqiptare, se nuk po flasim për taksat që duhet t’u merreshin Delijorgjëve. Në xhepat e Delijorgjëve dhe politikanëve të lidhur me ta sigurisht, që nuk kanë nevojë të shkojnë në spitalet shqiptare, sepse mund të paguajnë çdo lloj shërbimi në spitalet e huaj. Ja pse Gërdeci duhet politizuar edhe në kuptimin e lindjes së partisë opozitare me partitë e Delijorgjëve.
Së fundi, tragjedia e Gërdecit duhet politizuar në kuptimin e ushtrimit të presionit shoqëror e mediatik për ndryshimin e drejtësisë, për kalimin nga një drejtësi në duart e partive të Delijorgjëve në një drejtësi që varet nga ligji dhe e drejta. Ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme për të vënë në provë e për të kalitur drejtësinë, shumë më të rëndësishme sesa reformat e partive të Delijorgjëve. Sikurse po del qartë e shpresojmë të dalë erdhe më qartë, Delijorgji, me gjithë precedentët e tij kriminalë të njohur, ka pasur një vazhdimësi aktiviteti si në kohën e socialistëve, ashtu edhe të demokratëve. Drejtësia, edhe në sajë të tragjizmit të kësaj ngjarjeje, sot ka një mundësi historike për të reflektuar më së pari për përgjegjësitë e saj, por edhe për të hetuar gjithçka jashtë pushtetit e presioneve të partive të Delijorgjëve. Duhet ta ndihmojë për këtë ushtrimi i presionit shoqëror, politik e mediatik, që nuk duhet të reshtë që ajo t’i shkojë deri në fund të vërtetës dhe të drejtës. Sikur të ndodhte kjo, do të bënim një hap të madh përpara për kalimin nga shteti i Delijorgjëve, në shtetin e së drejtës. (Korrieri, 20 mars)
Saturday, March 22, 2008
Partitë e delijorgjëve dhe partitë që mungojnë
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
2 comments:
Ende na bucasin veshet nga hipokrizia therrese e se djeshmes se “Njeriu eshte kapitali me i cmuar". E ndersa , sot ,pas 17 vjetesh ne Shqiperine” demokratike”, vazhdon te luhet me te njejten hipokrizi nga klasa politike deligjorjane-kriminale.
Mungese respekti ndaj dinjitetit njerezor dhe jetes! Kjo pjelle kriminale antishqiptare e ka vendin ne kraterin e Gernecit !
Para disa ditësh, në një nga artikujt tuaj në faqët e këtij blogu, lexova për nje episod nga koha e diktaturës. Bëhej fjalë për një person që kur pa sesi nje kamionist kishte ndaluar të merrte me vete familjen tuaj që po kthehej nga një vizitë në burg, i pëshpëriti këtij dicka në vesh, dhe kamionisti ndryshoi mendje. Cdo shqiptar që ka jetuar gjatë diktaturës, mund ta imagjinojë cfarë ai person i tha kamionistit, dhe nuk e bën këtë të fundit me faj. Në diktaturë, frika është ajo që të mbron më shumë.
Pse po e rikujtoj këtë episod? Sot lexova artikullin tuaj këtu, dhe më pas atë të Andrea Stefanit në gazetën "Shqip" (datë 23 Mars). Dy analizat s'kanë ku të jenë më të ndryshme, sepse secila bazohet në pika vështrimi diametrikisht të kundërta (ju i shikoni shkaqet tek sistemi, ai tek individi). Sidoqoftë, e gjej veten të intriguar njëlloj nga të dyja, sidomos kur Stefani përmend fenomenin e njohur në Italinë Jugore si "omerta", megjithëse, mua më duket që në rastin e Gërdecit, subjekt i "omerta-së" kanë qënë nëpunësit e shtetit dhe jo shqiptarët e thjeshtë. Nëpunësit e shtetit kanë mbyllur sytë dhe gojën para Delijorgjëve.
Në këndvështrimin tim (ndoshta naiv) e kam të vështirë të besoj që Delijorgji, sado i pasur të ketë qënë, të ketë korruptuar të gjithë nëpunësit e shtetit shqiptar të një dyzine institucionesh që kishin për detyrë të kontrollin biznesin e tij. Ajo që ka më shumë gjasa të ketë ndodhur është që Delijorgji në shumicën e rasteve është mjaftuar me një pëshpëritje në vesh. Frika për vendin e punës dhe benefitet e lidhura me të ka bërë pastaj të vetën.
Cfarë mendoni ju zoti Lubonja, a vazhdojnë shqiptarët të jetojnë në diktaturë? A është kjo diktaturë reale, apo një produkt i imagjinatës së tyre që s'ka mundur të shkëputet nga diktatura e së djeshmes?
Së fundi, a nuk ju duket ju, se një pjesë të analizës tuaj të datës 20 Mars e përvetësuan në ditët e mëpasme presidenti Topi, kryeministri Berisha, dhe kryeparlamentarja Topalli, po tashmë jo për të kërkuar përgjegjësinë tek vetja, por për ta shpërndarë atë aq gjerë, sa në fund fare të mos ketë më asnjë fajtor, por vetëm viktima?
Post a Comment