Sunday, March 30, 2008

Patetika e NATO-s dhe shqiptarët e thjeshtë

“Patetike” do të ishte epiteti që do të cilësonte ligjërimet me të cilët lakohet fjala NATO në gojën e klasës sonë politike. Ndryshe mund të themi se “na mallëngjyen” me përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre ndaj aleancës euroatlantike. Personalisht, duke parë sesi ajo u përdor nga mazhoranca deri për të mbytur zërat e protestës për tragjedinë e Gërdecit, por edhe sesi opozita, gjoja në emër të kësaj “ngjarjeje historike”, na mblodhi ambasadorët e NATO-s për t’u thënë se sa e lumtur do të jetë ajo sikur ne të marrim ftesën për Bukuresht, më erdhi të perifrazoj thënien e famshme: “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” e të them: “NATO-ja është streha e fundit e horrave”.

Sepse e gjithë kjo zhurmë për “suksesin” e hyrjes në NATO mban erën e një propagande shumë të ngjashme me atë që bëhej në kohën e komunizmit për vëllanë e madh sovjetik, kampin e lavdishëm socialist, Traktatin e fuqishëm të Varshavës, mikun e madh kinez. Mban erën e asaj shpëlarjeje trush që u bëhej shqiptarëve asokohe, me mite e ideologji, që në fakt i shërbenin vetëm pushtetit të një nomenklature, që vetëm për Shqipërinë e për shqiptarët nuk mendonte e që, për fat të keq, po ripërdoret si metodë edhe nga trashëgimtarët e sotëm të asaj nomenklature.

Në fakt, realiteti është shumë më prozaik: Shqipëria nuk po hyn në NATO si rezultat i ndonjë suksesi të saj të brendshëm politik, as si rezultat i ndonjë përparimi për sa i përket realizimit të standardeve ushtarake që kërkon hyrja në NATO. Gërdeci ishte treguesi më katastrofik i faktit se jemi larg, shumë larg një vendi normal dhe po aq, larg qoftë, për sa i përket sigurisë së brendshme, qoftë ofrimit të sigurisë për të tjerët. Shqipëria po hyn në NATO si rezultat interesash gjeopolitike që i tejkalojnë realitetet e brendshme shqiptare. Shqipëria po hyn në NATO, sepse konsiderohet si një zonë proeuroatlantike, në një kohë kur po shfaqen hijet e një lufte të ftohtë me ringritjen e Rusisë, si një fuqi që nuk është më si në kohën e Jelcinit. Edhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës lidhet kryesisht me këtë gjeopolitikë. Edhe ngulmimi i ambasadorit amerikan që opozita dhe mazhoranca të jenë bashkë në këtë çështje, sipas meje, ka të bëjë më shumë me interesa amerikane, sesa shqiptare. Madje, kjo mbështetje e Bushit, edhe pas Gërdecit, tregon se sa pak u interesojnë amerikanëve punët e brendshme të vendeve që janë në favor të projekteve të tyre të jashtme. Mjafton për këtë të hedhësh sytë në politikat e tyre ndaj vendeve arabe që i konsiderojnë aleate, edhe kur ato sundohen nga regjime super të korruptuar dhe aspak demokratikë.

Duhet të themi gjithashtu, se kjo është një gjeopolitikë që lidhet fort me strategjitë e djathta konservative amerikane, që më shumë i mëshojnë rrezikut të ndeshjes së qytetërimeve, botës njëpolare, sesa politikave progresiste për paqe dhe harmoni në një botë multipolare. Si e tillë, pra, nuk është aspak për t’u mistifikuar hyrja në një aleancë ushtarake, përkundrazi duhet parë si e mbartur me mjaft kontradikta lidhur me vizionin e botës që duam të ndërtojmë, që meritojnë një vështrim kritik. Por gjithsesi, edhe nëse do të pohojmë se interesat amerikane në këtë rast duket se përputhen, në tërësi, me kahen e interesave të Shqiptarëve, duhet thënë megjithatë, se nuk është aspak për t’u festuar hyrja në një aleancë ushtarake, cilado qoftë ajo, sepse një gjë e tillë presupozon shpenzime për luftë, armatime, armiqësi, kërcënime, vdekje. Iraku është shembulli më tragjik i kësaj. Prandaj, ditë për t’u festuar do të ishin dita e zhdukjes së aleancave ushtarake kudo qofshin në botë dhe jo ditët e hyrjes në aleanca ushtarake. Këto ditë mund të pranohet, shumë-shumë pa zhurmë, si një e keqe e domosdoshme.

Së dyti, duhet bërë e qartë se me hyrjen në NATO nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli në Shqipëri, sikurse po tentohet të shpëlahen trutë e shqiptarëve, duke mos e diskutuar fare, por vetëm duke e glorifikuar hyrjen. Ata të pakët që japin argumente konkrete për të mirën e kësaj hyrjeje i mëshojnë shumë idesë se, duke hyrë në një zonë sigurie, kjo do të sillte investitorët. Mirëpo nuk është kështu. Nuk do shumë mend se investitorët e huaj nuk shohin qenien në NATO për të rrezikuar të hollat e tyre në Shqipëri. Po të ishte kështu, ata nuk do të shkonin në Kinë edhe as në Rusi apo Indi. Ky është një blof i madh që, për fat të keq, nuk e thotë askush, ashtu sikurse askush nuk vë në dukje se sa do t’i kushtojë popullit të varfër shqiptar hyrja në NATO, sesa shkolla apo spitale do të mund të ndërtoheshin me ato pare që do të shkojnë për NATO-n. Madje edhe lidhur me sigurinë, duke parë ndryshimet galopante që po ndodhin në botë, vështirë se mund të thuash se, duke hyrë në NATO, ke hyrë në një zonë sigurie.

Shqiptarët nuk janë kundra hyrjes në NATO sigurisht. Kjo edhe duke pasur parasysh konformizmin dhe provincializmin tonë proverbial. Mjaft të shohësh se edhe Nexhmie Hoxha, që nuk ka mohuar veprën e të shoqit, sipas “Financial Times”, është megjithatë për hyrjen në NATO. Por është e rëndësishme të vihet në dukje, edhe ambasadorit amerikan, se shqiptarët e thjeshtë, d.m.th. shumica në të vërtetë, jo vetëm nuk kanë të njëjtin ekzaltim që kanë politikanët tanë për hyrjen në NATO, por janë edhe shumë indiferentë ndaj hyrjes dhe ironikë ndaj patetikës së politikanëve. Kjo jo vetëm, pasi shqetësimet e tyre janë krejtësisht të tjera nga ato të hyrjes në një organizatë ushtarake, por mbi të gjitha, edhe sepse shohin se retorika e suksesit të hyrjes në NATO po instrumentalizohet për të mbuluar bëmat e një klase politike që gjatë 17 vjetëve e ka çuar këtë vend nga tragjedia në tragjedi dhe nga dështimi në dështim. (Korrieri, 30 mars)

3 comments:

Anonymous said...

Kemi te drejte zoti Lubonja!
Ne vend qe politikanet shqiptare te angazhohen e te sforcohen qe Shqiperia te hyje ne Bashkimin Europian,(rruga me civile per t'u ndjere qytetare europiane) i kane ngelur peng interesave te ndokujt qe kerkon ta perdore vendin vetem si ne depo municionesh ne rast konfliktesh. Se cfare avantazhe konkrete sjell antaresimi i Shqiperise ne NATO, kete e dine vetem politikanet tane virtuoze!!!

Eni said...

Që interesat gjeopolitikë janë ata që diktojnë zgjerimin e NATO-s, u bë dhe më e qartë sot (1 Prill), kur presidenti Bush në një vizitë në Kiev, mbështeti përpjekjet e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për t'u anëtarësuar, ndërkohë që shumica e shteteve të NATOS e shikojnë dicka të tillë si fantazi të rrezikshme për momentin.

Është vërtet i cuditshëm, por njëkohësisht dhe shqetësues fakti që në 17 vjet demokraci, na është dashur të shikojmë ambasadorët amerikanë herë në tribuna mitingjesh, herë në dyer prokurorish, e herë në tryeza politike, gjithnjë duke luajtur një rol që s'kemi parë ta luajë asnjë ambasador tjetër në Shqipëri. Ndërkohë që dëshira për t'u distancuar nga isolacionizmi i të shkuarës i ka shtyrë gjithnjë politikanët tanë për të garuar se kush e tregon veten "më pro-amerikan". Ndryshe ckuptim kanë mburrje të tilla si: "Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë". Kaq naivë (apo leshko) janë këta politikanët tanë që s'dijnë të kuptojnë që ndjenjat për popullin amerikan janë një gjë, dhe politika e një qeverie dicka tjetër. Sidomos miratimi pa rezervë i të gjitha qeverive shqiptare në 8 vitet e fundit i politikës mëse kontroverse të presidentit Bush, e bën klasën tonë politike të duket një vasale që di të thotë vetëm "lepe-peqe".

Lavdërimet e ambasadorit amerikan të rradhës për liderin e opozitës, tregojnë që dhe takimi ishte inskenuar pikërisht për t'i treguar opiniont publik, që "ju jeni të mbrojtur, stafeta e pro-amerikanizmit ka kaluar tani në duar të sigurta, Shqipëria është e shpëtuar".

Por, "Shqipëria 1 Euro" apo "Shqipëria në Nato" e ditëve tona është po aq tragji-komike sa "Shqipëria halë në sy" e të shkuarës. Shqiptarët dinë aq mirë ta mohojnë/sakrifikojnë veten, gjithnjë për hir të ca interesave më të lartë, që në të vërtetë janë vecse shpikje të klasës politike që mban peng fatet e shqiptarëve.

A do të mësojmë ndonjëherë ta "pranojmë" veten kështu sic jemi (plot kontradikta, paragjykime, mendjemadhësi, intolerancë, dritshkurtësi, oportunizëm), që më pas të turpërohemi, të ulim kokën e të përpiqemi ta ndryshojmë për t'u bërë më mirë? Kur lexova atë artikullin e "Financial Times" që ju përmendni më sipër (*), atë ku Nexhmije Hoxha shprehet pro-NATO, më bëri shumë përshtypje komenti që ju kishin marrë ju, z. Lubonja, ku ju shpreheshit në mënyrë pesimiste që të rinjtë e sotëm nuk janë të interesuar në të kaluarën. Ajo cka mendoj unë është se në Shqipëri ende janë në fuqi njërëzit e të kaluarës komuniste, të cilët flasin ndryshe po mendojnë njësoj, dhe mbajnë njëri-tjetrin në kontroll me strategjitë e përbashkëta të së shkuarës. Dhe për aq kohë sa ata diktojnë debatin, asnjë zë tjetër, sado që të bërtasë, nuk mbyt dot, klithmat e këtyre mjeshtërve. Mjafton të shohim sesi kryemistri Berisha, ish-anëtar i PPSH për dhjetëra vite, i drejtohet opozitarit Rama "si fëmija i rritur në këmbët e busteve të Enver Hoxhës". Kush është ai i ri apo e re, që dëshiron të jetë pjesë e këtij karnavali? Të paktën po rritet një brez që ndoshta di të vlerësojë fillimisht lirinë dhe lumturinë personale, dhe që në momentin që do të kuptojë që kjo liri po i cënohet nga ca dordolecë të së shkuarës që valëvisin flamujt e nacionalizmit, pro-amerikanizmit, anti-komunizmit, etj. etj., do të ngrihet e tua mbyllë gojën njëhërë e përgjithnjë, në emër të humanizmit.

* Politics: Moving westward with a foot in the past
nga Kerin Hope, Financial Times, 26 Mars 2008.

Kantor said...

hyrja ne Nato, eshte diçka qe kishte kuptim ne vitet nentedhjete - sidomos para nentedhjete e shtates. tashti e kishte radhen bashkimi europian. kesaj dasme ne pleqni nuk i shkon muzika rrok, prandej le te vallezojme nje "lento"
periudha e patetizmit mberriti kulmin kur pas vizites se Bushit, spikeret ne lajme anunçionin se Shqiperia nga vend pa shtet qe kthyer ne vend qe eksporton siguri. se sa siguri eksportojme ne n'Afganistan, na e tregoi njehere e mire tragjedia e Gerdecit. e cila na tregoi edhe mungesen e arsyes qe e ka karakterizuar politiken tone te çmendur ne shtatedhete vjetet e fundit