Monday, April 7, 2008

Gërdeci dhe opozita

Në një nga takimet e tij të këtyre ditëve të fundit me banorët e Gërdecit kryetari i PS Edi Rama, duke u folur atyre në emër të opozitës u tha: “ne” (kupto Partia Socialiste) dhe “njerëzit tanë sipërmarrës”do të bëjmë çmos për të lehtësuar tragjedinë që ju ka rënë.
Më bën përshtypje se si kjo deklaratë e Ramës nuk u morr si duhet në analizën kritike nga shtypi. Në fakt, është për të ardhur keq që, në përgjithësi, trajtimi i Gërdecit po bëhet në mënyrë sempliste me njerëz të ndarë në dy kampe. Janë më një anë të akuzuarit, dhe më anën tjetër akuzuesit, kryesinë e të cilëve e mori shpejt e shpejt opozita. Ndërkohë, sipas gjykimit tim, të shprehur edhe në shkrime paraardhëse, Gërdeci nuk do të ishte një tragjedi aq e madhe sikur të bëhej fjalë për një aksident sado i rëndë, madje as edhe për veprën korruptive të një partie në pushtet, sikur opozitën ta kishim të shëndoshë e të mirë. Madje, madje nuk do të ishte përsëri një tragjedi e madhe sikur të ishte thjesht vepër e politikës. Gërdeci ishte një tragjedi që nxorri zbuluar tërë sistemin politik dhe ekonomik që kemi ngritur, llojin e shtetit që kemi ndërtuar, vendin dhe shoqërinë që kemi ndërtuar dhe sistemin e vlerave që kemi ndërtuar. Janë me qindra njerëzit që vdesin gjatë një viti nga ky sistem në spitalet tona, për shkak të rrugëve tona, të ndotjes së ambjentit, të pasigurisë në punë në shumë sektorë etj., ashtu sikurse janë të panumërt ata të cilëve u shkurtohet jeta apo u ulet dita ditës cilësia e saj, ashtu sikurse është i pallogaritshëm dëmi që po i bëhet të ardhmes së fëmijëve tanë, nga ky sistem kriminal, nëpërmjet masakrimit të burimeve tona njerëzore dhe natyrore. Gërdeci vetëm sa i ka mbledhur tërë këto tragjedi në një skenë dhe në një ditë në mënyrën me shpërthyese dhe dramatike - ashtu si një autor që zgjedh një ngjarje kuptimplote për të zbërthyer tërë plagët e një shoqërie. Prandaj dhe përgjegjës moralë dhe politikë të Gërdecit janë jo vetëm tërë strukturat shtetërore, por edhe opozita edhe mediat edhe shoqëria civile, sepse janë autorët kryesorë të ndërtimit të kësaj shoqërie me veprimet apo mosveprimet e tyre. Me këtë nuk dua të shpërndaj përgjegjësinë ligjore të atyre që janë autorët konkretë të Gërdecit, por të ve në dukje se, po nuk ndryshuam të gjithë me Gërdecin, në ndërgjegjen tonë dhe në sistemin e marrëdhënieve politiko shoqërore mediatike që kemi ndërtuar, të tjera Gërdecë, edhe më të frikshëm, mund të na ndodhin, cilido të jetë në pushtet. Pra se, tek e fundit, duhet të ndryshojë natyra e pushteti që ka përftuar Gërdecin dhe jo ai që është në krye të këtij pushteti.
Fatkeqësisht këtë e provon pikërisht deklarata e përmendur e Ramës. Ajo vërteton se kjo lloj ndjeshmërie mungon krejtësisht tek opozita. Përkundrazi ajo tregon se opozita kërkon thjesht ta instrumentalizojë Gërdecin për pushtet, se ajo veçse na ka bërë demagogji kur na ka folur për “politikën e re” që do të zevendësojë “politikën e vjetër”. Në fakt ndonëse shpesh i është kërkuar të jetë më konkret, Rama nuk ka konkretizuar thuajse asgjë lidhur me përmbajtjen e politikës së re. Me deklaratën në Gërdec zbuloi se fjala “politikë e re” nuk ndryshon nga fjala “reforma” e dalë nga goja e Berishës së fundmi. Janë fjalë boshe të fetishizuara që më tepër kërkojnë të mbulojë mungesën e ndryshimit sesa të sjellin ndryshimin. Sepse, cili ka qenë thelbi i politikës së vjetër, nga e cila Rama thotë se do të shkëputet? Thelbi i politikës së vjetër ka qenë pikërisht ajo që solli Gërdecin. Lidhjet e politikës me krimin deri në atë shkallë saqë ato nuk i ndan dot nga njëra tjetra. Ndërtimi i një shteti që ka punuar për delijorgjët. Ndërtimi i një klase politke që ka ndarë pasurinë publike me delijorgjët në kurriz të “gërdecarëve” që janë e tërë pjesa tjetër e shoqërisë.
Po ç’lidhje ka kjo me deklaratën e fundit të Ramës do të pyesë lexuesi.
Lidhja qëndron pikërisht në premtimin se “sipërmarrësit” që qënkan anëtarë të PS ose të lidhur me PS do të kontribuokan për të lehtësuar gërdecarëve plagët e traumës.
Nuk mund të mos ngrihen disa pyetje menjëherë duke u nisur nga kjo deklaratë. Së pari, cilët janë këta sipërmarrës, që ta dimë edhe ne se cilët janë biznesmenët e lidhur me PS dhe cilët janë ata të lidhur me PD. Së dyti, nëse këta janë politikanë, a ka mundësi të dimë se si janë pasuruar, apo nga i nxjerrin fitimet? Kjo sepse prej kohësh është ngritur akuza se PS nuk është një parti e majtë, se politikanët e majtë janë njerëzit më të pasur të vendit pikërisht ngase e kanë përdorur pushtetin për tu pasuruar vetë, siç po bëjnë tani edhe të djathtët e Berishës duke i shërbyer të dyja, tek e fundit, të njëjtit rrjet të ngushtë interesash. Jam i sigurtë se të gjithë ata sipërmarrës socialistë të papërmendur me emra do të ndjehen keq sikur Rama të deklarojë emrat e tyre.
Në fakt kjo deklaratë e Ramës të kujton politikën e vjetër të Nanos kur ky shkoi në Veri i shoqëruar me disa biznesmenë duke u premetuar veriorëve tu ngrinin shkolla. Dihet mirë se këto udhëtime kanë përfunduar pastaj jo me shkolla, por me tavane shkollash të rrëzuara nga shpërdorimi i tenderave për rikonstruktim. Apo me ndonjë drekë ku Nano pinte verë, nga ato që kushtojnë 300 euro shishja, pasi kishte firmosur dhënien thuajse falas këtyre biznesmenëve të një pjese të pasurisë publike, siç ishte rasti i Hotel Tiranës.
Por kjo është politika e vjetër që e ka aplikuar edhe Rama gjithashtu. Ata që e kanë ndjekur aktivitetin e tij si kryebashkiak, pa pasur interesa marrjen e ndonjë leje ndërtimi, nuk mund të harrojnë se një pjesë e mirë e pastrimevet të Lanës u bënë nga “sipërmarrës” të tillë të cilët morën nga Rama, pastaj, si shpërblim, tendera rrugësh që po ndërtohen nga katër herë apo sheshe ndërtimi nga ato që e kanë bërë masakrën urbane të Tiranës të pakthyeshme.
Pikërisht për shkak të tërë këtyre historive ne kemi shumë arësye të mendojmë se në këtë vendin tonë nuk ka lindur ende brezi i biznesmenëve filantropë që japin sipas asaj thënies së Nënë Terezës se “kënaqësia e të dhënit është më e madhe se ajo e të marrit”. Përkundrazi kemi shumë më tepër arësye të mendojmë se po veprohet, ashtu siç ka vepruar deri më sot politika e vjetër në fushata elektorale kur, për tu marrë votën njerëzve, u jepet ndonjë thërrime për tu marrë pastaj kafshatën deri edhe jetën, siç ndodhi në Gërdec.
Një shtet serioz nuk ka nevojë për filantropi, por për biznesmenë që paguajnë taksa dhe që nuk vjedhin pasurinë publike. Një parti serioze nuk mund të jetë parti e një grushti sipërmarrësish, por e një shtrese shumë më të gjerë dhe, nëse mbështetet nga sipërmarrës, këta janë të detyruar me ligj të deklarojnë kontributet e tyre.
Kurse deklarata e Ramës tregon se Gërdeci nuk i ka vlejtur socialistit Rama as edhe një fije. Së pari, nuk i ka vlejtur për të kuptuar se sistemi i lidhjeve të shkurtëra me privatin ku ky, si shpërblim i ndonjë pune “gratis”, merr njëqin fitime të paligjshme duhet të mbarojë nëse duam të ndërtojmë shtet. Nuk i ka vlejtur, po ashtu, për të kuptuar se një nga gjërat dramatike që tregoi Gërdeci edhe përsa i përket kategorisë së bisnemenëve e tregut të lirë në përgjithësi, është fakti se në këtë lloj sistemi të ngritur nga Berisha, Nano, Meta, Majko, Rama & Co vjen duke u eliminuar gjithnjë e më shumë biznesmeni i ndershëm dhe i aftë – si pasojë edhe tregu i lirë - në favor të mashtruesve dhe spekulantëve të tregut të kapur. Rama duhet të përgjigjet se si ka mundësi që një ish traktorist vetëm 30 vjeçar rezulton si një nga njerëzit më të pasur të vendit, me lidhje të ngushta me të dhe me ish kryeministra socialistë, me 30 pallate të ndërtuar, apo dhënë si leje ndertimi, vetëm në Tiranë e me tërë ata biznese të tjera. Ai dhe sivëllezërit e tij socialistë duhet të përgjigjen, sëbashku me Berishën, Mediun & Co se cilat kanë qenë arsyet që e lidhën Delijorgjin me ta, cilat kanë qenë taksat që ka paguar Delijorgji në kohën e tyre e me rradhë.
Së dyti, deklarata e Ramës tregon se Gërdeci nuk i ka vlejtur atij aspak për të ndryshuar vizionin për misionin e një partie të majtë, siç deklarohet PS që drejton ai, që duhet të jetë ai i përfaqësimit të interesave të shtresave më të brishta të shoqërisë, siç ishin edhe gërdecarët, i promovimit të barazisë së mundësive për të gjithë dhe jo ai i një partie sipërmarrësish superiorë që u jepkan lëmosha varfanjakëve me paratë që, në fakt, po ta shohësh thellë thellë, burojnë nga grabitja, shpesh e paligjëshme, e pasurisë publike që u takon të gjithëve. (Korrieri, 3 prill 2008)

2 comments:

Anonymous said...

Shkrim i goditur ne cdo resht..Gerdeci eshte nga ato ngjarie, qe nje e vetme simpolizon e ka brenda saj gjithe historine e nje kohe te caktuar.. I gjithe ky 18 vjecar kuptohet vetem me kete ngjarie e kjo ngjarie eshte thelbi e prodhimi i tij. Pas gerdecit mesuam qe jo vetem nuk kemi qeveri, po nuk kemi as opozite e kete me sa shikoj e mendojne shume shqiptar.Rama me kete qendrim qe po mban jo vetem po ringjall e mban Saliun po dhe vet po fillon ate kthesen qe do ta coj mbrapsh ne karrieren e tije.

e paditur said...

Qofte Rama, qofte Lubonja cojne ne ekstrem njeri pragmatizmin dhe tjetri idealizmin kur vjen puna ne gjykimin e filantropise se sipermarresve. Nuk eshte e vertete qe nje shtet serioz nuk ka nevoje per filantropi. Une jetoj ne SHBA, dhe ketu nuk ka shkolle, universitet, spital, lulishte, shetitore buze oqeanit, apo park lojerash per femijet, ku te mos kete nje pllake falenderuese per "bamiresit" qe kane kontribuar financiarisht ne ndertimin apo mirembajtjen e ketyre objekteve. Pse? Sepse te gjitha keto objekte jane sherbime publike qe vertet i perkasin ligjerisht shtetit amerikan, por qe perdoren nga komunitetet, te cilat jane te interesuara qe ambjente te tilla te jene te nje cilesie me te larte sesa c'eshte ne gjendje shteti te ofroje. Rama ka merite qe perpiqet t'i shtyje biznesmenet qe te jene aktive ne komunitetet e tyre. Gabimi i tij eshte qe i shperblen keto angazhime me tendera publike, nderkohe qe duhej te mjaftohej me mirenjohjen mediatike dhe mesazhin qe "vepra te tilla bamiresie jane ne te mire te biznesmeneve, sepse rritin profilin e tyre ne shoqeri, dhe cilesia e mire e punes ne vepra bamiresie u rrit atyre numrin e klienteve per te ardhmen".

Gabimi i z. Lubonja qendron ne pritshmerine e tij qe "filantropia duhet te jete ala Nene Tereza". Bill Gates eshte njekohesisht filantropi me i madh ne bote (fondacioni i tij Bill dhe Melinda Gates) por dhe presidenti i firmes Microsoft te denuar ne disa gjykata amerikane dhe europiane per praktika agresive monopolizmi , kompeticion te padrejte, mashtrim te perdoruesve, etj. Per dike ai eshte engell e per te tjere eshte djall. Pse? Sepse ky eshte kapitalizmi. Biznesmenet kane dale per te fituar ne treg. Ajo qe Lubonja shikon si "kenaqesia e te dhenit" nuk eshte vecse perkedheli per egon personale, dhe sigurisht dhe deshire per pastruar imazhin publik. Nuk ka askund ne bote filantrope qe nuk shtyhen nga interesat personale. Dhe kjo s'eshte ndonje gje e keqe, per aq kohe sa shoqeria nuk lejon qe keta interesa personale te vihen siper atyre te shoqerise.

Po kush eshte mesazhi qe qeveria shqiptare jep me pervetesimin e ndihmave private e individuale per Gerdecin, kur i ben ato pjese te fondit te saj? A nuk eshte kjo nje shuplake per te gjithe ata filantrope te vegjel e te medhenj qe mendonin qe po benin dicka nga zemra? Kjo eshte ajo politika e vjeter qe Rama perpiqet te luftoje, ndoshta jo gjithnje me qendrime konseguente. Por a nuk eshte shume me e turpshme qe Berisha pervetesoi bamiresine e qytetareve, qe te hiqet sikur ai eshte i vetmi filantrop?