Ftesë për debat
I ngacmuar nga një artikull i Korrierit i para dy ditëve hyra e pashë në internet skenën e dhunës të publikuar në youtoube ku një grup të rinjsh rrahin kafshërisht një bashkëmoshatarin e tyre mu përpara shkollës, në prani të një numëri të madh nxënësish. Rrahja ishte tronditëse, por tronditëse ishte gjithashtu indiferenca e të tjerëve që asistonin në atë skenë, fjalët e ndyra që shoqëronin gjithë rrahjen, gjakftohtësia e atij që filmonte pa ndërhyrë. Edhe një herë, si shpesh këto kohë, ndjeva simptomat e një sëmundjeje të përhapur shoqërore që po na përcjell fort idenë se prapa nesh po vjen një rini gjithnjë e më në krizë vlerash e humanizmi. Duke e ditur se çdo brez pretendon se është më i mirë se brezi paraardhës dhe kritikon brezin pasardhës, jam i prirur ta shoh edhe me dyshim këtë ide. Por, nga ana tjetër, po me kaq dyshim shoh edhe idenë "e shëndoshë" sipas së cilës çdo brez që vjen është më përpara sesa brezi para ardhës. Prandaj mendoj se çështja vlen të debatohet me seriozitet.
Episodi më ktheu edhe në mendimet e afro një muaji më parë pasi dola nga shfaqja "Franku V" (opereta e një banke private) të Durremattit vënë në skenë nga regjizori Arben Kumbaro. U mata disa herë të shkruaj për shqetësimin që më transmetoi ajo shfaqje ato ditë, lidhur me temën e rinisë, por mbeta pa e bërë, i zënë me shkrime të tjera. Por ato pamje të rinjsh vrastarë, pa asnjë lloj empatie, dhimshurie apo respekt për qënien njerëzore, më rikthyen tek mendimet e pas asaj shfaqjeje dhe nevoja për t'i ndarë publikisht.
Për të ardhur tek shqetësimi le të them dy fjalë për Durrenmattin dhe Frankun e V më së pari.
"Franku i V" është një metaforë e kapitalizmit të egër të mbështetur mbi fitimin dhe pasurimin me çdo mjet. Aksionerët e një banke, që për t'u pasuruar kanë bërë gjithshka, mashtruar, prostituar, vrarë, vijnë në momentin kur u duhet të eliminojnë njëri tjetrin. Dhe kur ky eliminim - në emër të fëmijëve, të së ardhmes së tyre - është thuajse duke përfunduar e gjithshka ka mbetur në duart e dy vetëve, Frankut dhe të shoqes, vijnë pikërisht fëmijët e tyre, që kanë studiuar në Londër, që eliminojnë prindërit, sepse këta janë tepër të butë në metodat e tyre, se baba Franku i V vazhdonte të lexonte edhe Gëten ndonjëherë.
Është e vështirë të përcaktosh me saktësi se çfarë zhanri i përket Franku i V, dramë, satirë, oporetë, komedi tragjedi sepse atje i gjen të gjitha këto të shkrira së bashku në një grotesk ku ngjyrat tragjike domonojnë mbi ato komike. Më saktë mund të thuhet se është një mënyrë dyrrenmattiane e vështrimit të botës. Nëse do të citoja vetë Durrenmattin për të përcaktuar do të thoja se në këtë këndvështrim të botës gjen pesimizmi i tij kur thotë se "vjen një moment kur asgjë nuk mund të fshihet më apo të hidhet prapa shpine, atëhere kur na ka mbetur vetëm realiteti dhe realiteti është i tmerrshëm".
Durrenmatti, që e njohim nga "Vizita e zonjës plakë" që vjen me hakmarjen e saj të tmerrëshme: "bota më bëri mua një putanë unë do ta bëj atë një bordello", i përket një brezi kritik ndaj kapitalizmit. Ndryshe nga adhuruesit e këtij sistemi ai mendon se kemi nevojë për një erë të re Iluministe, se sistemi ynë i sotëm politik duhet të heqë dorë nga pretendimet se ka gjetur të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë duke i zëvendësuar këto siguri me kërkimin e së vërtetës, drejtësisë, lirisë dhe arsyes.
Kumbaro me zgjedhjen e asaj pjesë duket se ka shprehur një shqetësim të vetin dhe na ka ftuar, nëpërmjet kësaj pjese, për reflektim përballë realitetit të kapitalizmit të ri e të egër shqiptar. Aq më aktuale më bëhej kjo zgjedhje duke patur parasysh se vetëm disa ditë përpara premierës ndodhi shpërthimi i Gërdecit ku pikëriksht ky kapitalizëm i shfrenuar në egërsinë e tij mori jetën e 25 njerëzve, plagosi e traumatizoi qindra të tjerë dhe kur protagonisti kryesor i saj (Delijorgji) më rezultonte një i ri që, kur ra komunizmi, ka qenë veçse 12 vjeç, pra një produkt i kohës së "lirisë" dhe "demokracisë" kapitaliste që po jetojmë.
Nuk ishte e vështirë të shihje prapa metaforës së bankës, parti politike që veprojnë si banda gangsterësh, biznesmenë mafjoze etj., etj. Megjithatë ajo që më mbeti në mendje ishte momenti kulminant i Frankut të V. Ai kur fëmijët, në emër të të cilëve janë bërë të gjitha poshtërsitë, vijnë e shfaqen më të egër e më të pamëshirshëm sesa vetë prindërit në poshtërsi.
Më prek kjo temë sepse kushdo që jeton në Shqipëri e di shumë mirë se sa sakrifica/poshtërsi të tilla po bëjnë shqiptarët në emër të fëmijëve, deri për t'i dërguar të studiojnë në universtetet më të mira të botës. Që ata të paktën të mos detyrohen të vjedhin, të korruptohen, të prostituojnë, të vrasin, të poshtërohen. Po a do të bëhen ata kështu më të mirë se etërit? Apo qëndron teza e Dyrrematit? Apo ai, në groteskun e tij, e ka ekzagjeruar për të na thenë se deri ku mund të shkojmë. Po a ka më grotesk se realiteti i Gërdecit. Historia na ka mësuar, madje, se breza të tërë mund të bijen në gropa të errëta. Ajo e shekullit XX në mënyrë të veçantë dhe ajo e jona po ashtu.
Gjithsesi nuk pretendoj t'i jap përgjigje kësaj dileme. Do të preferoja të mbetesha në dyshim apo të hapja një debat për të gjetur të vërtetën e cila, prap se prapë, nuk mund të jetë e njëllojtë për të gjithë sepse qënia njerëzore është e pafundme në larminë e saj. Dikush mund të përgjigjet edhe se bota kështu ka qenë e kështu do të jetë gjithmonë.
Por, megjithatë, një gjë më duket e sigurt: se ajo që bëjnë apo nuk bëjnë prindërit, është një model i parë i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve ashtu sikurse edhe ajo që bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët: shokët, miqtë e me rradhë. Vitet e komunizmit çfarë provojnë? Brezat njëri pas tjetrit, dekadë pas dekade, dora dorës që regjimi degradonte erdhën duke u degraduar. Apo jo? Por edhe nazizmi çfarë ka provuar? Kush ka parë Perëndimin e Zotave të Luchino Viscontit do të kujtohet se bash ai më perversi i fëmijëve të familjes Essenbeck merr në dorë frenat e pushtetit dora dorës që ideologjia nacional socialiste dhe pushteti i saj konsolidohej. Dikush mund të përgjigjet se në shoqëritë ku ka përparuar liria dhe vlerat ka ndodhur e kundërta: fëmijët e mafjozëve kanë hequr dorë nga vrasjet dhe kanë gjetur mënyra më të sofistikuara (shih tre seritë e Padrinos) apo edhe kanë dalë kundër prindërve.
A është e jona një e tillë? A ka një vijë ndarjeje aq të qartë midis të dyjave dhe ku qëndron kjo? Kjo mbetet një pyetje e hapur për debat.
Sipas Durrenmattit nëse një sistem ngrihet mbi shikimin e tjetrit thjeshtë si mjet për të arritur qëllimet e tua, mbi përfitimin në kurriz të tij, sjelljet tona në këtë sistem do të jenë shembulli që u japim fëmijëve dhe nuk kemi pse çuditemi nëse brezi që vjen është më i përbindshëm dhe më i pamëshirshëm në sjellje. Vjen një brez pra që duke e parë veten të kthyer në putanë kërkon ta bëjë botën një bordello. Një histori që më duket se i shkon shumë atij brezi që në vend të një Shqipërie të lirë dhe demokratike ndërtoi një bordello ku prostitucioni duket normalitet sepse të gjithë prostituojnë. Po a kemi ndryshuar sistem apo jo? Personalisht, nga pikpamja morale veçanërisht, shoh më shumë vazhdimësinë sesa ndryshimin.
"Njeriu është i papërsosur, prandaj realiteti që ai krijon është gjithmonë i kërcënuar prej njeriut" - thotë Durrenmatti. Shoqëritë që janë të vetëdijëshme për këtë kërcënim prandaj dhe i venë aq shumë rëndësi edukimit të vlerave, mësimit nga e kaluara gjithashtu. Shoqëritë që nuk e kanë këtë vetëdije - siç ka treguar e po tregon se është deri më sot kjo e jona me preotencën dhe arrogancën e injorantëve që ka në krye - kam frikë se u shkon më tepër një tjetër thënie e Durrenmattit: "Një histori nuk përfundon pa marrë kthesën më të keqe". (Korrieri, 7 Maj 2008)
Wednesday, May 7, 2008
Durrenmatti dhe dhuna e të rinjve
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
13 comments:
Homo homini lupus!
Ngaqe momentalisht po lexoj librin "The selfish gene" nga Richard Dawkins, do te permbledh ne vazhdim nje paragraf te librit (Kapitulli 9, "Battle of generations"), qe ka lidhje me artikullin tuaj.
Dawkins: "Me duhet ta perseris qe kur them qe 'nje femije nuk duhet te humbase asnje mundesi per te bere me hile, genjyer, mashtruar, shfrytezuar, ...', po e perdor fjalen 'duhet' ne nje kuptim te vecante. Nuk po e pergezoj kete sjellje si morale ose te deshirueshme. Thjesht po them qe perzgjedhja natyrore do te anoje ne favorizimin e femijeve qe veprojne ne kete menyre, dhe nese do te hidhnim veshtrimin tek popullatat e egra duhet ta presim kete fenomen mashtrimi dhe egoizmi brenda familjes. Fraza "femija duhet te beje me hile" do te thote qe gjenet qe i shtyjne femijet te sillen keshtu kane nje perparesi ne grupin e gjeneve. Nese ka ndonje moral human per t'u nxjerre nga kjo gje, eshte qe ne duhet t'u MESOJME femijeve tane altruizmin, sepse nuk mund te presim qe ai te jete pjese e natyres biologjike." Fundi i paragrafit.
Ne socializem, ku pavaresisht sa punoje paguheshe njesoj, erdhi nje moment qe te gjithe njerezit filluan vetem te benin sikur punonin, sepse kjo ishte gjeja me e zgjuar. Nese prona ishte e te gjitheve (dhe si rezultat e asnjerit), ishte me leverdi qe te vidhje prej saj, per aq kohe sa askush nuk te kapte. Duke vjedhur do te rrisje femijet e tu, qe nga ana tjeter moren dhe gjenet dhe mesimin prej teje qe s'ka problem te vjedhesh. Nese te spiunoje nje rival, kishte si rezultat qe rivali te perfundonte ne burg dhe ti te merrje vendin e tij te punes, shtepine, ndonjehere dhe gruan, famen, etj., kjo lloj strategjie do te perhapej ne popullate. Nese te mbash gojen mbyllur e te jesh indeferent ndaj ambjentit perreth te lejon qe te mbijetosh e shumohesh ne krahasim me ata qe ngrene zerin e duan te ndryshojne realitetin, ata te paret kane serish nje avantazh biologjik.
Te tera keto kane ndodhur ne Shqiperi per disa gjenerata. Ashtu sic degjenerimi nuk ndodhi menjehere (ata qe shkonin ne aksion ne vitet 60 punonin vertet, nderkohe qe ata te viteve 80 benin party), dhe rigjenerimi ndoshta do breza qe te kryhet. Por nese nuk do te kete asnje lloj stimuli te jashtem qe njerezit te sillen ne menyre me altruiste, ose situata ende nuk ka degjeneruar komplet, atehere ndoshta duhet te presim shume gjate.
E paditur,
do kisha shume deshire te replikoja gjate por jam jashte mundesive te mia kohore. Prandaj, po te pergjigjem shkurt.
Ajo qe thote Dawkinsi eshte e vertete, por jo e gjithe e verteta. Fjala e vertete eshte ketu shume relative, sepse ne te vertete ka shume te verteta. Por, mua me duket, qe nese do kishte qene vetem kjo e vertete e Dawkins, shoqeria njerezore nuk do mund te ekzistonte.
Arsyeja mendoj une (pas shume leximesh) se perse u seleksionua homo sapiensi ndermjet llojeve te tjera "njerezore" bashkejetuese, ishte shfaqja tek kjo specie e altruizmit!!!! Altruizmi i shfaqur tek njeriu i pare ne formen psh, te grave qe ndermarrin perkujdesjen per femijen e tjetres, ben qe te ulet kostoja e jeteses per individin; qe ti si individ te mos te te duhet t'i besh te gjitha vete, sepse nepermjet dhenies altruiste t'i siguron edhe nej marrje te ketij niveli; si te thuash pa harxhuar shume energji.
Prandaj dhe evolucioni e seleksionoi me tej. Por ketu jane hapur shuem tema dhe, kjo tema se si demagogjia e shnderruar ne institucion nderhyn ne vete natyren e njeriut eshte jashtezakonisht e madhe. Dhe mbi te gjitha, procesi i regjenerimit eshte nje teme akoma me e madhe, sepse edhe atehere kur funksionon racionaliteti, atij i kundervihet memorja e te pavetedijes, e cila e paralizon, nuk e mbeshtet racionalen, duke e bere kete te duket si mbeshtjellje e bukur.
Përpos elementit gjenetik të diskutuar këtu, çka më shumë më duket me peshë është elementi edukativ.
Nëse familja ka dështuar t'i edukojë fëmijëve humanizmin, altruizmin e vlera të tjera që na bëjnë njerëz, ajo që vërehet, për mendimin tim, është edhe dështimi i njëpasnjëshëm i të gjithë institucioneve që deri diku mundet edhe ta kompesojnë mungesën (në fakt të pakompesueshme në shumë nivele) e edukimit të përshtatshëm familjar. Kemi asistuar kështu në dështimin e plotë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të arsimit, duke filluar që nga bankat e shkollave fillore e deri tek katedrat e universiteteve, që janë baza e fundit e formimit psiko-social të individit. Ato sot janë pasqyra me e shëmtuar e shoqërisë tonë, me një sistem vlerash që është jo thjesht një sistem i ndryshëm nga ai që duhet të jetë, por në fakt krejt i kundërt me një sistem të shëndetshëm. Një sistem që promovon antivlerën në vend të vlerës. Aty ku edhe nëse ka ardhur çerek njeri, je i detyruar të mohosh edhe aq sa të ka mbetur nga vetja për të mbijetuar.
Mund të vazhdohet pastaj me dështimin e komunitetit në përgjithësi (lagjja, pallati). Në fakt, ta quash "komunitet" atë që sot është ambjenti rrethues për fëmijën shqiptar është t'i bësh nder, kur ky nuk ka as hapsirën fizike (sasiore) e jo më atë cilësore për të qenë i denjë për këtë emër.
Kështu pra, nëse eliminon një nga një të gjitha kolonat e edukimit të një brezi, është e vështirë të habitesh nga forma që do të marrë ky brez, dhe për rezultat shoqëria e formuar prej tij në të ardhmen. Nëse mbjell erë do të korrësh furtunë.
Duke marrë të qenë faktin që disa nga diskutuesit këtu janë edhe anëtarë të një familjeje dhe kanë fëmijë, si dhe duke marrë të qenë që po këta janë në gjnedje t'u edukojnë fëmijëve vlerat të cilat po diskutojmë, gjë që familja mesatare shqiptare nuk po e bën, sa nga ju do të ishin të gatshëm që fëmijët e tyre t'i rrisnin në Shqipëri?
Përshëndetje!
Strangy,
une jo! ti ne komentin tend, e ke plotesuar ate qe kam dashur ta thoja une (por kam pershtypjen edhe ate qe ka thene e paditura). Sepse, kane ndodhur shume gjera ne ate shoqerine tone. Pervec komunizmit, qe e theksoi e paditura dhe te asaj vetedije/pavetedije qe mbolli ai sistem, ti ke sot nje shoqeri te dale nga konteksti, jo vetem historik.
Dikur nje femije e edukonte nje familje e tere, nje lagje e tere, nje fshat i tere. Sot familja ka ikur nga konteksti social dhe gjeografik. Femija ka ngelur vetem me prinderit dhe shumica e ketyre prinderve nuk jane te pergatitur per kete realitet te ri, per kete pergjegjesi direkte dhe gati te vetme (nderkohe qe prinderit kane per veten e tyre probleme ekzistencialiste). Ato mekanizmat jo institucionale qe ushtronin kontroll mbi individin, qe edukonin femijet, dhe siguronin riciklimin e vlerave nga nje brez tek tjetri (pervec shtetit) nuk jane me aty. Ne kete hamulli, duhen gjetur pika te tjera referimi e kontrolli. Shteti duhet te nderhyje me fort me mekanizma kompensatore.
Se dyti, kjo familje e pergatitur ne nje tjeter kontekst historik, i eshte dashur te mbijetoje ne nje realitet tjeter historik per te cilin eshte i papergatitur dhe te cilin mundohet ta jetoje duke perdorur ato mekanizma qe ka trasheguar.
Se treti, futja e shpejte e teknologjise po ben nje ndarje te madhe midis brezave. ky problem eshte i madh edhe jashte, por askund kaq i madh sa tek ne.
Se katerti, ne mungese te mekanizmave qe krijojne vlerat dhe i riciklojne ato shoqeria perjeton kaosin dhe te gjitha pasojat e tij per individin dhe shoqerine.
"Një histori nuk përfundon pa marrë kthesën më të keqe" - thote Dürrenmatt. Me duket shume profetike. Pyetja eshte: a e kemi marre ate kthesen me te keqe, jemi akoma aty apo sapo e kemi filluar?
Self,
nese altruizmi te kish qene i tille qe ne kohen e Homo Sapiens, a do te kishte kuptim qe ne sot te kishim nje industri per trajtimin e infertilitetit qe ka perfeksionuar lindjen e jetes in-vitro, vetem qe te plotesoje deshiren e cifteve per te pasur femije biologjike? A nuk do te ishte me racionale (dhe me kosto te ulet) dhe per ciftet dhe per shoqerine qe ata te kujdeseshin per femijet e shumte jetime e te braktisur?
Une mendoj qe ka nje shpjegim per ato grate qe rrisnin femijet e te tjereve.
a) ato mund te kene qene gjenetikisht te lidhura me femijet (kjo s'eshte cudi, kur behet fjale qe Homo Sapiens jetonin ne kope)
b) ato mund te kene qene infertile dhe per te vazhduar te benin pjese ne grup, te kishin nevoje te punonin (te rrisnin femijet, si shperblim per mbrojtjen dhe ushqimin qe do ofrohej nga baballaret e femijeve)
Ajo qe ne quajme altruizem, ndoshta qe bashkepunim ("tit-for-tat") duke u specializuar ne nje detyre te caktuar, keshtu te gjithe anetaret e grupit dilnin te fituar.
Sot ne shume aspekte njerezit nuk e kane te domosdoshme te bashkepunojne pertej nje rrethi te caktuar, sepse paraja eshte nje mjet qe heq nevojen per te qene i varur nga te tjeret. Ti mund te blesh cdo gje, bile dhe nje nene surrogato per embrionin tend in-vitro. Ne shume shoqeri shikohet fenomeni qe, perderisa une te paguaj per nje sherbim, ska arsye qe te jem "i sjellshem" ose te krijoj nje lidhje njerezore me ty. Tekefundit, neser, kur ti te mos e kryesh dot me kete sherbim, une kaloj tek nje ofrues tjeter.
Besoj qe e ke degjuar shpesh shprehjen: "It's not personal, it's business". Une besoj qe empatia, simpatia, mirenjohja, altruizmi, etj. jane te gjitha tipare morale/sociale qe duhen ushqyer, mesuar, e stimuluar. Ndryshe, mashtruesit, egoistet, indiferentet, kane me shume per te perfituar. Puna eshte qe sistemi kapitalist duket sikur ua lehteson ekzistencen ketyre te fundit, ndaj dhe flitet aq shume per te krijuar nje kapitalizem me fytyre humane, etj. etj. (po qe po behet perhere dhe me i veshtire per tu arritur, si rezultat i efekteve anesore te globalizmit).
Pyetja e strangeMan nese do i rritja femijet ne Shqiperi eshte shume interesante. Nga njera ane, une jam produkt i Shqiperise, dhe me duket se Shqiperia ka bere nje pune te mire per te me rritur: cerdhja, kopshti me dreke, shkollat, shtepia e pionerit, kurset jashtshkollore, kampet verore, konkurset kombetare, olimpiadat, puna praktike, e kushedi sa te tjera qe ne sot i perbuzim se i perkasin socializmit, kane qene nje eksperience njerezore qe s'ka te paguar. Por ne i hodhem te gjitha poshte, dhe do ta kemi veshtire t'i rikrijojme. Nga ana tjeter, nuk besoj te kete shume vende ne bote qe t'i kene sot struktura te tilla (ndoshta vendet skandinave), ndaj mbetet qe t'i ushqejme femijet tane vete me vlera humaniste dhe te mos presim nga shoqeria.
Se sa mund te ja dalim brenda nje ambjenti qe vepron ne drejtimin e kundert, eshte problemi i vertete. Amerikanet thone qe arsyeja qe lufta ne Vietnam mbaroi, eshte sepse familjet e klases se mesme nuk mund te lejonin me qe femijet e tyre te vriteshin per nje lufte pa kuptim qe po zgjatej pa fund (shih ketu), ndaj dhe u hoq detyrimi per ushtri (kjo eshte dhe arsyeja qe sot opinioni publik eshte indiferent ndaj luftes ne Irak, se femijet e tyre nuk i detyron njeri te shkojne ne lufte).
Eshte nje kenge e famshme e Sting, "Russians", qe thote:
How can I save my little boy from Oppenheimers deadly toy
There is no monopoly in common sense
On either side of the political fence
We share the same biology
Regardless of ideology
Believe me when I say to you
I hope the russians love their children too
Ndoshta nuk ka ardhur ende koha ne Shqiperi, qe prinderit te mendojne sesi ta ndryshojne shoqerine, qe femijet e tyre te kene nje te ardhme me te mire. Dhe ne kete pike duket se jemi dakord.
E paditur,
kur flas per altruizmin, flas gjithmone ne kontestin e selfish gene. Ne shembullin tim i referohem shoqerise se shpellave ku edhe jetoi njeriu i pare, kur nuk kishte moral, dhe kur burrat duhet te shkonin te gjenin gjahun. Grate qe ofronin altruizmin duhet te ishin ne thelb te njejta ne status, bile ndoshta me mire; sepse llogjika me thote se dikush me status me te ulet ne grup rrezikon qe altruizmi ta shnderroje ne skllav. Per me teper qe "altruizmi" ne keto kushte eshte shume i dyshimte per t'u perkufizuar, sepse eshte perpjekje per te blere nje status me te mire. Nderkohe ata me status me te mire nuk do te kishin ndonje nevoje per altruizem sepse ai do ishte seleksiounuar vetem tek me te dobtit. Pra, me kete rast do kishim vetem nje drejtim te ketij altruizmit qe con me teper ne distance/diferencim midis anetareve dhe jo ne afrim.
Altruizmi se bashku me empatine dhe simpatine i sigurojne premisat dhe qendrueshmerine bashkepunimit, krijojne besimin dhe mbeshtetjen ne vazhdimesi kohore; duke e bere individin te ndihet i sigurt ne grup dhe duke bere qe grupi te ndihet me mire si njesi perfaqesuese.
ndersa the selfish gene shikon te optimizoje interesin e individit, altruizmi e fut kete individ ne harten e grupit; duke bere qe grupi te kete nje ekzistence te qendrueshme, dhe si rrjedhim t'ia beje jeten individit me te mire. Sic e sheh, ka gjithmone nje kontraktikde midis unit dhe ne, dhe ajo shoqeri qe gjen balancen midis te dyjave eshte ajo qe ka edhe "the best benefit" per individin (dhe rrjedhimisht edhe grupin).
Une nuk dua te zgjerohem shume ne kete dinamike sepse nuk dua ta anashkaloj problematiken e shkrimit. Por, besoj se thelbi eshte pikerisht tek raporti i prishur midis individit dhe shoqerise ne Shqiperi. (Jo vetem ne ate shqiptare, ne cdo shoqeri ku ky raport vuan kemi probleme; shoqerite me te sukseshme jane pikerisht ato ku ky raport eshte optimal.)
Pyetja eshte per mua: pse u prish ky raport ne Shqiperi? Si mund te rivendoset? Dhe ne cfare distance kohore?
Une dyshoj se raporti individ/shoqeri ne komunizem, ne ate menyre se si u be nuk ishte natyror; nuk ishte prodhim i nje zhvillimi historik ku individet provojne modele te ndryshme koekzistence dhe zgjedhin pastaj formen qe ju pershtatet me mire. Kjo ndoshta me ben me te lehte te shpjegoj perse Shqiperia e krahasuar me vende te tjera te lindjes po e vuan mungesen institucionale ne kete fare feje, po perjeton nje epoke instiktuale sjelljeje. Dhe kjo, ne cdo nivel.
E vertet qe sot jetojme ne nje shoqeri te lire dhe me demokratike , ana negative e ketij fenomeni pozitiv eshte se sot liria dhe demokracia eshte me e sherbyer gati .
Brenda nesh gjendet nje qenie , ose me sakte ajo qe ne jemi vertet e cila kerkon ta fitoje me dinjitet dhe munde lirine dhe demokracine , por i gjetja gati e ketyre aksesoreve te cilet ndikojne thelbesisht ne rritjen dhe zhvillimine individit(Unit) bejne qe Unin tone ta ndrydhim .
Ndrydhja e Unit reagon ndryshem ne njerez te ndryshem , por me e zakonshmja eshte ajo menyre qe e vrasim prfundimish duke e kthyer veten ne robot qe i pershtatet fenomeneve te shoqerise pa iu kundervene ....... por ka nga ato qe ate Un tashme te deformuar e nxjerrin ne menyre agresive , dhunuse ...
Brezi i ardheshem s'ka nevoje per gjera te gatshme , s'ka nevoje te na ofroni lirine ...na jepni mundesine qe vete ta meritojne ate .
Mundi , lufta , zhgenjimet , fitimet me merite ... e rrisin njeriun shendetshem .
Nuk jam dakord me mendimin e "Anonymous" qe:
Brezi i ardhshem s'ka nevoje per gjera te gatshme , s'ka nevoje te na ofroni lirine ...na jepni mundesine qe vete ta meritojne ate .
Liria nuk eshte dicka qe duhet merituar duke luftuar fort, ajo eshte nje e drejte qe njeriu duhet ta kete qe ne momenti e krijimit. Mbasi keni degjuar qe ka ligje ne vende te zhvilluara te botes qe mbrojne te drejtat e embrioneve 5-qelizore, megjithese shkenca nuk mendon qe keta jane individe. Ku ka me mire qe brezat te kujdesen per njeri-tjetrin duke hequr sa me shume pengesa nga rruga, ne menyre qe brezat qe vijne te kene mundesine qe ta cojne njerezimin me perpara?
Eshte nje shprehje e Isac Newton-it, qe thote:
"If I have seen further it is by standing on the shoulders of giants"
("Nese kam mundur te shoh tutje eshte sepse kam qendruar mbi supet e gjigandeve" - dhe me gjigande Newton-i kishte ndermend gjithe shkencetaret e filozofet qe i paraprine zbulimeve te tij.)
Nga ana tjeter, a do ti vinte mire brezit te ardhshem nese ky brezi i sotshem do te shkaterronte planetin Toke me moskokecarje dhe indiferentizem, duke mos u lene atyre resurset e nevojshme per te mbijetuar? Nuk ka nevoje brezi i ardhshem per dijet e shkences e teknologjise, per mesimet e historise, per veprat e filozofeve dhe poeteve qindra-vjecare? Mendon ky brezi i ri qe brenda nje jete mund te rikrijoje gjithe ato te mira qe njerezimit i jane dashur mijeravjecare t'i perfeksionoje?
E paDITUR ,
Cdo person fizik = juridik ka mbrojtjen juridike (fatekeqsisht ne asnje vend ska mborjtje te Unit edhe pse kjo e fundit eshte me e rende se ajo fizike (te "I Huaji" i Camus-e , personazhi kryesor pranon ekzekutimin fizik vetem per ti qendruar stoik Unit te tij )
Nuk eshte liri sot qe kemi nje makine llogaritese ku me lehtesi bejme se sa eshte 2+2=4 , liri eshte ta dish si nxirret perfundimi 4 por makinen llogaritese e perdorim per te shfrytezuar kohen (po marr nje shembull banal ).
Nuk eshte liri te marresh dijet shabllon nga GJIGANTET , liri eshte ti marresh , ti besh te tuat ato dije duke u bere njesh me ty si individ dhe ti riprodhosh nga vetja (duke ecur hipur dhe nje shkalle me lart), a sot ndodhe e kunderta bejme nje copy paste dhe behimi skllav te asaj qe dime por nuk eshte Ne, gje qe ne ben te kthehemi ne automat , dhe automati e vret njerezoren e cila con pastaj dhe ne degradime te sjelljeve ...
Liri eshte te jetosh veten dhe ne shtat me veten = te jesh njesh me ate qe te urdheron nga brenda .
(uroj te jem kuptuar)
Anonymous,
ne te vertete, nuk te kuptoj dot. Ti mendon qe ekziston nje UN i shkeputur nga qenia fizike, qe u dashka mbrojtur me ligje te vecanta? Nese personin fizik e fusin ne burg pa te drejte (po e marr kete shembull meqe jemi ne blogun e Lubonjes), cfare mund te beje ai UNI i brendshem, nese personi fizik (brenda te cilit UNI banon) nuk mund te perjetoje asnje gje qe te ushqeje kete UNI-n e brendshem me emocionet e eksperiencat e dijen qe ka nevoje per t'u zhvilluar e kultivuar? Sigurisht qe do te mbijetoje (megjithese jo gjithmone), po s'mund te thuash qe sdo te kish qene me mire sikur te mos ja kishin marre lirine fizike. Une mendoj qe nuk mund t'i shikojme gjerat te shkeputura nga njera-tjetra. E para vjen liria e personit fizik. Eshte ajo liri pastaj qe te jep mundesine te realizosh cdo gje tjeter, nese deshiron.
Nga ana tjeter, te perfitosh nga dijet dhe eksperienca e te tjereve te ndihmon qe te mos e humbasesh kohen duke perseritur gjera qe historia e ka treguar qe jane te demshme, te pavlera, etj. Mua me duket qe ajo qe kerkon ti nuk eshte liria e UNI-t, por edukimi i tij, kultivimi, pasurimi. Dhe pikerisht ky ishte qellimi i artikullit. A po perpiqet shoqeria shqiptare te edukoje dhe pasuroje shpirtrat e brezit te ri? Mua me duket qe brezi i sotem e ka te gjithe lirine qe deshiron, puna eshte qe shoqeria po e neglizhon detyren e saj per te frymezuar kete brez qe ta perdore ate liri per t'u bere nje njeri human, i cili nese shikon se dikush po rrihet nuk qendron indiferent dhe ben tifo, po nderhyn, sepse mendon me empati: "Si do te ndjehesha une, sikur ai personi qe po rrihnin te ishte vellai im, motra ime, une vete? A dua une te jetoj ne nje shoqeri qe nuk ka respet per jeten dhe individet? A nuk duhet te bej dicka qe ta ndryshoj kete shoqeri?"
Sot ne Shqiperi, nuk ia ndalon njeri rinise leximin e librave te klasikeve dhe filozove (dikur te futnin ne burg per kete), ndaj s'mund te ankohen qe po ua ngop njeri trurin me propagande e idelogji (e keqja bile eshte se sot ska fare asnje lloj ideologjie apo morali), dhe as mund te ankohen qe brezi i vjeter po i pengon ne ndonje lloj menyre te vecante (megjithese s'duhet te harrojme rastet fatkeqe te vrasjeve te nderit, por keto jane fenomene te izoluara).
UNI nuk eshte dicka me te cilin lindim sic eshte trupi. UNI eshte dicka qe e ndertojme dalengadale me ndihmen e familjes, shoqerise, edukimit, eksperiencave, zgjedhjeve qe bejme ne jete, kompromiseve, etj. etj. Dhe ne momentin qe behemi te vetedijshem qe ai UNI qe kemi nuk na pelqen me, jemi te lire ta ndryshojme si te duam, nese kemi lirine fizike per ta bere, dhe mbi te gjitha vullnetin. Nese ti shikon gjekundi automate, ata nuk jane bere te tille per shkak te shkences apo teknologjise, por per shkak te imoralitetit (ose amoralitetit) te shoqerise, qe nuk i ka ndihmuar te krijojne UNI-n e tyre. Tekefundit, te kesh nje UN, nuk ka te beje fare nese ja del dot te kuptosh teorite e Newtonit, por nese ja del dot te jetosh sipas principeve te humanizmit. Sepse ata qe rrahin e vrasin, shpesh justifikohen qe "degjova ate zerin brenda vetes qe me tha ta bej kete", por ai qe jeton sipas parimeve te humanizmit i thote atij zerit: "Hesht, ik zhduku. Une nuk rrah apo vras njeri, se ti EGO na u ndjeve e fyer se dikush te pa shtrember, apo nuk ta hapi rrugen."
Uni dhe fiziku jane nje ne hapesiren qe nxene por jo dhe ne permbajtje (s'te ka rastisur te ndjehesh bosh... dhe shpesh vjen si rezulatat i kundervenies se Unit).
S'po them te krijojme ligje de-juro per mbrojtjen e Unit , por mund te krijohen ligje natyrore(ose ndryshe ligje shoqerore)= te respektohe dhe te pranohet individualiteti ashtu sic eshte ...
(...kur më pyesin se çfarë të ka bërë të mbijetosh një nga përgjigjet kryesore që jap është: rinia, energjia e rinisë. Njeriu në atë moshë ka shumë energji - edhe për të shtyrë vagona, për t’i rezistuar vuajtjes, të ftohtit, torturave e të tjera me radhë...(cituar nga shkrimi i Z.Lubonja )
Do doja ta pyesja Z.Lubonja nese lirine fizike ja burgosen po ate shpirterore dhe mendore ja burgosen ?!Jam e sigurte qe jo (gje qe nenkupotohet edhe nga citimi ),ate nuk na e mer njeri pa e dhene ne vete .
Sigurisht qe duhet te shfytezojme eksperiancat e te GJiganteve , por per te ndertuar nje kat me teper mbi ato kate qe lane ato , duhet te kalojme neper to ne menyren tone dhe pastaj te ngrem nje kat me lart .
Kati me lart nuk mund te ndertohet vetem per faktin qe tashme ekzisto nje kat, per ta ndertuar duhet te dime deri ne thelb ate qe ekziston per te sjelle te rene .
Leximin fatmiresisht sot nuk na e ndalon njeri(por as nxit) , sot ne shkollat Shqiptare dija jepet shabllon,nga ne persin te rithemi ate qe lexojme , nuk na lene vend per riprodhim individidual te asaj qe lexojme .
Shume filozof thone per Unin qe ai ekziston dhe paralidjes se fizikut , dhe vazhdon e rron dhe me fizikun dhe mbas humbjes se fizikut(enigem vazhdon dhe eshte dhe sot)...
Uni ne fakt eshte ai qe nderton familjen me ndihmen e familje , uni eshte ai qe nderton shoqerine me ndihmen e shoqerise Uni eshte ai qe ben edukaten me ndihmen e edukates ....
Uni jemi ne dhe ai na formon duke e formuar ne ate .
Anonimja dhe e paditura replikojne por ne fakt duan te thone te njejtat gjera.Esht mrekulli te degjosh se sa bukur e perdorni argumentin vajza.E paditura tho se duhet te jetojme ne baze te parimeve,kurse anonimja thote qe parimet duhet jo vetem ti dime por duhet te behen vet uni.Po ku ti mesojne parimet ata femij ne nje vend ku parimet quhen budallallek,naivitet.Kjo shoqeri ka dy lloj njerzish: Te fuqishmit dhe mjeranet.Te tjeret jane a pak.Te fuqishmit perpiqen te vjedhin jeten e pales se dyte.Kete bejne politikanet tane te cilet cohen qe ne mengjez me mendimin se si te zhvasin dicka nga ajo qe eshte e te gjithve.Nuk mendoj se ka ndonje politikan qe flet dhe ne e degjojme te mrekulluar se po shpalos para nesh vlerat e veta si njeri.Kur i degjoj me kujtohet nje thenie te ciles nuk ja di autorin "Ajo qe je eshte aq e zhurmeshme sa nuk mund te degjoj ate qe thua."Dhe ata e perdorin fuqin qe te jep pushteti per tu pasuruar e pastaj fuqin qe te jep paraja per te perbuzur mjeranet qe i kane vene ne pushtet ku me tej i mbajne parat qe u dha pushteti.Si e perdori fuqine dyshja Berisha Rama ?Ata forcuan poziotat e veta e perjashtuan me te dobtit midis te fuqishmeve.Po Meta me shok qe bertasin duke paralajmeruar rtrezikun qe na kanoset nga dyshja e mesiperme vertet jane te shqetesuar per mjeranet?!Jo aita ulerijne se u kane rrembyer dicka nga fuqia e tyre.Pasi po te mendonin per mjeranet ata do nxirrnin ne shesh njerzit per me shume punesim ,per rritje te standardit te jeteses etj.Por kur e kishte pushtetin dhe Meta e perdori per te shtuar pasurin e tije.A nuk eshte dhune kjo e te pales se pare ndaj te dytes?Po ne shkolle si e perdorin fuqin e tyre mesuesit edhe ata ne mbreterin e tyre dhunojne femijet
bejne presion me noten per te perfituar shajna fyejn per tu ndjer pak me mir vet.Pak jane ndryshe aq pak sa nuk i sheh.Po prindrit ? Ata jane aq te lodhur sa nuk kane kohe per te shprehur dashurine ,nuk kane kohe apo nuk dine se eshte e rendesishme tu mesosh femijve parimet,edhe kur e bejne kete me fjale shpesh veprojne ndryshe. Dikush ka thene;Femijet nuk jane te mire pere te degjuar ate qe u thua ,por per te kopjuar ate qe ti bene.Kush do tu mesoj empatin femijve tane !?Po parimet!?Kush do tu thote se se parimet nuk mjafton vetem ti dish por ti besh dhe pjese te jetes tende!Kush i cmon parimet?Ne cilen gazete u shkrua dicka per te padituren apo anonimen per keto vajza qe diskutojne ,lexojne e pasurohen shpirterisht.Ku degjon apo lexon per te rinje me virtyte apo per shembuj empatie?Lexon mjaft per pushtetin qe te jep pamja e jashtmer,lakuriqsia ..............Nuk dua te them se kjo shoqeri eshte e zeze,por dua te them luftoni qe te degjohet zeri juaj me shume se i pseudobukurosheve.Perhapni miresi nga e juaja.Rrezatoni paqe dhe therrisni fort qe te mind te shiheni e degjoheni qe te krijoni modele per femijet .
Post a Comment